Ashtu si u ngrit edhe vijoi punimet. Pa transparencë, pa gjithëpërfshirje dhe pa legjitimitet përfaqësues. Bëhet fjalë për komisionin parlamentar të ngritur kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike. Në përfundim të sesionit parlamentar, këtij komisioni i mungon përfaqësimi i partisë më të madhe opozitare në vend, si dhe një fushë veprimi e qartë dhe e gjithëpranuar.
Parlamenti mbylli zyrtarisht punën e tij në 25 korrik përpara pushimeve verore, për t’u rimbledhur në shtator. Një nga zhvillimet e këtij sesioni që u “dënua” ta kalojë të nxehtën e gushtit në paqartësi është komisioni për të dezinformimin. Në mungesë të përfaqësimit të partisë opozitare më të madhe në vend, asaj Demokratike, dhe pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për konsultime të gjera dhe gjithpërfshirje, mazhoranca socialiste vijoi rrugën pa kthyer kokën pas.
Dy ditë përpara mbylljes së punës së kuvendit, në 22 Korrik, komisioni parlamentar për dezinformimin ftoi shoqërinë civile të japë komentet e saj për draft-objektivat e vendosura nga ky komision. Mjaft ironikisht, në ftesë komisioni pretendon se veprimtaria e tij mbështetet në dy parime të rëndësishme, githëpërfshirja dhe transparenca, gjë që në fakt mungon plotësisht.
Fillesa “në errësirë” e komisionit
Prej fillimit kjo nismë parlamentare u themelua në mungesë të transparencës dhe proceseve gjithëpërfshirëse, shqetësim ky i ngritur vazhdimisht nga opozita parlamentare dhe shoqëria civile. Ngritja e komisionit u miratua vetëm me votat e socialistëve, pa pasur një fushë veprimi dhe qëllim të mirëpërcaktuar.
Shqetësimi madje për disa, u lidh edhe me dëshirën e qeverisë për të kontrolluar mediat, këtë herë jo përmes një pakete ligjore si ajo anti-shpifje e bllokuar nga ndërkombëtaret, por këtë herë përmes një komisioni parlamentar.
Pas miratimit të shpejtë të ngritjes së komisionit në 11 Prill 2024, në sallat e Kuvendit të Shqipërisë ra heshtja sa i përket kësaj nisme.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit tha për Faktoje se kjo nismë duhet të përfshijë dialog gjithpërfshirës dhe një diskutim me bazë të gjerë me të gjithë shqiptarët. Në anën tejtër, Bashkimi Europian theksoi se një iniciativë e tillë duhet të përdorë ekspertizën ndërkomëbtare, veçanërisht nga delegacioni i BE-së në Tiranë, Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm, Komisionin Europian dhe Komisionin e Venecias të Këshillit të Europës.
Pavarësisht thirrjeve për gjithëprfshirje dhe dialog, mazhoranca këmbenguli në të sajën dhe vijoi punën vetëm me anëtarët socialist dhe dy anëtarë nga partitë e vogla, Fatmir Mediu dhe Mesila Doda.
Çfarë sjell mospërfshirja e demorkatëve?
Mungesa e përfaqësimit të Partisë Demokratike në komision vlerësohet problematike nga ekspertët.
Opozita duhet të pëfshihet në cdo nismë parlamentare për të siguruar pjesëmarrjen dhe monitorimin e nismave të tilla me interes kombëtar. Në fund, secili grup politik mund të dalë më qëndrime të ndryshme. – tha Erjon Tase për Faktoje.
Edhe për Afrim Krasniqin nisja e punës pa partinë opozitare më të madhe cënon legjitimitetin e komisonit dhe në fund produktit që ai mund të sjellë.
Për sa kohë opozita nuk është pjesë përbërëse, komisoni e ka të pamundur të ketë produkt konsensual dhe që votohet në parlament kur kërkon mbi 84 vota. Ndaj do jetë e detyrueshme të këtë konsensus politik. Vetëm kështu mund të ketë vlerë produkti, përndryshe ai bie sepe nuk krijon besueshmëri. – vlerëson Afrim Krasniqi.
Pavarësisht optimizmit të ekspertëve se sesioni paralmentar do gjejë edhe antarët demokratë të ulur në tryezën e komisionit, Ina Zhupa, kryetare e Komisionit të Medias tha për Faktoje se Partia Demokratike refuzon të bëhet pjesë e një komisioni të imponuar dhe me afat pune të përcaktuar në funksion të zgjedhejve të ardhshme parlamentare.
Ne besojmë se ky komision i ngritur me shpejtësi, në mënyrë të njëanshme nuk adreson një problem global të çështjes së dizinfomimit nga faktorë të jashtëm, sepse atëherë do duhej një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe kombëtare bashkë me të gjithë faktoret, media, shoqeri civile, opozitë, etj. Por ky komision adreson vetëm një problem partiak që ka mazhoranca, që nuk e arriti dot me ligjin anti shpifje, që është të bllokojë dhe ti bej presion mediave, sidomos atyre online dhe rrjeteve sociale, ndaj edhe ka krijuar mekanizmin e komisionit “anti-shpifje”. – tha Ina Zhupa.
Çfarë thonë ekspertët për objektivat e komisionit?
Probleme në objektivat dhe metodologjinë e përcaktuar nga komisioni sheh Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike. Ai thekson se Shqipëria e ka detyrim adresimin e ndërhyrjeve të huaja dashakeqe në kuadër të NATO-s dhe sigurisë kombëtare, por se ky komision nuk e adreson këtë problem.
Një komision politik parlamentar nuk mund të merret me çështjet e lirisë së shprehjes, mbrojtjen, promovimin apo forcimin e organziatave të shoqërisë civile, si dhe mbështetjen e pavarur të fakteve nga mediat. Nuk është detyra e parlamentit kjo. Madje kur krijohet një komision politik, përfshirja e tij në këtë sektor vetëm sa e cënon lirinë e medias dhe atë të shoqatave të shoqërisë civile. – vlerëson Krasniqi.
Sipas tij, fokusi i komisionit do duhej të ishte më i kufizuar dhe konkret, sipas praktikave të NATO-s, për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe përgjegjësitë parlamentare, duke u siguruar njëkohësisht që të mos krijojë mbivendosje me komisionin e sigurisë, atë të integrimit apo komisionin e medias.
Për Erjon Tasen rregullimi i problemit do duhet të fillojë nga adresimi i cështjeve të brendshme, për të kaluar më pas tek ndërhyrja e huaj.
Objektivi i katërt, ai mbi lirinë e shprehjes, duket se kemi një fokus tek fact checking dhe edukimit I publikut, por jo ndërhyrje në situatën kaotike të portaleve shqiptare. Unë ia kam shprehur edhe komisionit mendimin tim se pa vendosur një rregullim të situatës në të cilin veprojnë dhe keqpërdorin lirinë e shprehjes portalet, nuk mund të kontrollet dezinformimin i huaj. Është e pamundur të rregullohet ndërhyrja e huaj pa patur rregull së brendshmi. – shpjegon Erjon Tase.
Përfundimi
Duket e paqartë se çfarë e pret komisionin në sezonin e ri parlamentar. Ajo që dihet është se komisioni gjysmak i ngritur për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e jashtme do të presë deri në muajin tetor opinionet e shoqërisë civile mbi draft-objektivat që i ka vendosur vetes.
Instituti i Studimeve Politike ka refuzuar të japë për Kuvendin një mendim për draft-objektivat e komisionit, pasi, si shpjegon Afrim Krasniqi, puna e shoqërisë civile nuk është atashimi pranë komisioneve parlamentare politike por mbikqyrja dhe dhënia e opinioneve për dokumenta që janë produkt i këtyre komisioneve.
Ndërkohë demokratet shprehen të prerë në qëndrimin për të mos u bërë pjesë e asaj që konsiderojnë si “presion dhe persekutim të medias për arsye elektorale në një vit zgjedhor”.
“Ne jemi të hapur me partnerët tanë SHBA dhe BE që me garancitë e duhura, me mekanizmat nga poshtë-lart, me gjithëpërfshirje të bëjmë hapat e duhura si Kuvend në këtë drejtim – të dizinformimit nga faktorët e jashtëm, por kurrsesi të bëhemi pjesë e nje komisioni të njëanshëm me axhendë krejt tjetër nga ajo publike.” – përmbyll Zhupa.
/Faktoje