Është zbardhur drafti i dakordësuar mes opozitës dhe mazhorancës për Reformën Zgjedhore që pritet të miratohet ditën e nesërme në Kuvend.
Pas dakordësimit për votën e emigrantëve, një prej pikave të cilat palët nuk gjenin darkodësi ishte mënyra e listave.
Mësohet se socialistët kanë hequr dorë nga ulja e herësit në 7 mijë vota preferenciale, ndërsa opozita ka hequr dorë nga listat 100% të hapura.
PS dhe PD janë dakordësuar që në zgjedhje të shkohet me dy palë lista kandidatësh për deputetë, pasi 1/3 e listës në çdo qark do të jetë e mbyllur dhe 2/3 e hapura, teksa kjo metodë do të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Pra rreth 30% e listës do ta kenë vendin e sigurt në Kuvend, ndërsa pjesa tjetër përveç se votave për partinë, do të duhet të luftojnë dhe për vota preferenciale.
Më konkretisht, në Qarkun Tiranë që janë 36 mandate deputetësh, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor, janë emra të sigurt për t’u futur në Kuvend, mjafton që forca politike të arrijë numrin e votave për të çuar në parlament 12 deputetë.
Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen, duke hyrë në funksion ai që konsiderohet si votë preferenciale, që do të përcaktojë më pas se cilët emra do të marrin mandatin, referuar numrit të votave personale.
Nuk do të ketë thyerje herësi as 10 mijë vota dhe as 7 mijë vota, pasi aty kandidatët duhet të luftojnë për çdo votë, sepse mjafton 1 votë më shumë se sa tjetri për të fituar vendin në Kuvend.
E njëjta gjë dhe për qarqet e tjera, si për shembull në Kukës që janë 3 mandate deputetësh, vendi i parë do e ketë të sigurt futjen në Kuvend, nëse partitë arrijnë të marrin nga një mandat, ndërsa mandati tjetër do të vendoset nga votat preferenciale.
Kështu, ka një hapje të vogë të listës, teksa kryetarët e partive do të arrijnë të futin “besnikët” e tyre në Kuvend, pa i vendosur në sfidën se sa vota preferenciale kanë në terren. Gjithçka do të jetë në dorë të kryetarëve të partive se kë do të futin në listën e sigurt dhe kë jo.
Por, duke qenë se lista e kandidatëve për deputetë është shumë e gjatë, vetëm emrat e parë arrijnë të futen në Kuvend dhe numri i deputetëve që do të zgjidheshin nga votat preferenciale do të ishte shumë i vogël
Nëse kjo formulë do të ishte aplikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, atëherë 31 deputetë do të ishin zgjedhur të mbështetur nga vota e qytetarëve dhe 109 të tjerë do të ishin të mbrojtur/favorizuar nga renditja e partisë.
Nga një përllogaritje që ka bërë kreu i Nismës Thurrje, Endrit Shabani në rrjetet sociale, nëse Partia Demokratike arrin të marrë votat e vitit 2021, vetëm 0 deri në 5 deputetë mund të zgjidhen me vota preferenciale.
“Me votat e zgjedhjeve 2021 votuesit e PD-së do kenë mundësi të zgjedhin 0-5 deputetë. Nëse Berisha arrin të marrë votat e 2021, votuesit do mund të zgjedhin nga një deputet në Lezhë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Dibër.
Ndërkohë nuk do ketë fare garë në Tiranë, Durrës, Fier, Kukës, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, sepse të gjithë deputetët e PD-së në këto qytete do jenë të emëruar.” – shkruan ai.
Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka patur kritika, ku sipas tij, drafti ishte vulos dhe iu dha deputetëve vetëm gjysmë ore para për diskutim, teksa shtoi se po përsëritet skenari i vitit 2008.
“S’ka asnjë lloj logjike, që unë e mësoj gjysmë ore para, s’kam pasur mundësi ta lexoj pr.ligjin që është depozituar nga PS dhe PD. Gjithçka është vlerësuar, vulosur dhe ka ardhur këtu. Nisma të tjera që do diskutohen sot janë totalisht kot. Votimi i 21 prillit 2008, më kujtohet mirë kur ishte kryetari i komisionit Rusjmali dhe u diskutua me shpejtësi të madhe, thjesht anëtarët e komisioneve të ligjeve ngrinin dorën. E njëjta skene po përsëritet në 2024, të diskutojmë çfarë tha Mediu, na jepni kohën që t’i lexojmë dhe t’i diskutojmë nesër”, tha Sula.
Ndërkohë kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj kanë propozuar që partive t’u lihet opsionale nëse duan ta kenë listën tërësisht 100% të hapur.
Adriatik Lapaj: Ju mund ta lini opsionale, pra meqë kushtetuta e parashikon 2/3 e hapur. Ta lini në dorë të partisë, pra të jetë partia që zgjedh nëse do ta mbyllë një të tretën, pra që të fusni në lista të sigurta njerëz teknikë por nuk marrin shumë vota, dhe të lini opsion për partitë e tjera që nëse duan t’i lënë 100% të hapura, kjo adreson të gjitha shpresat e shoqërisë.
Fatmir Mediu: Nëse do ta lërë listën tërësisht të hapur ta lërë të hapur. Në kushtetutë thuhet jo më pak se 1/3, është çështje e vullnetit të partisë. Mendoj që alternativa e lënies së hapur të kësaj mundësie, duke marrë parasysh edhe ato faktorë që u thanë për gjeneralët dhe ushtarët. Partitë që duan ta mbyllin listën për ata, dhe pastaj të lënë mundësi për të rinjtë që vijnë e konkurrojnë. Se kanë besimin e qytetarëve që u japin votën. Nëse flasim për demokraci përfaqësuese ne përfaqësojmë jo thjesht partitë, por vullnetin e qytetarëve. Të paktën të jete e mundshme, të lihet fakultative për çdo subjekt politik, kush do ta ketë të hapur ta ketë të hapur.
Por, porpozimi i tyre u rrëzua nga deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, sipas të cilit ligji do të jetë uniform për të gjithë.
“1/3 e listës e fiksuar dhe pjesa tjetër e hapur për konkurrim. Qoftë edhe me një votë më shumë del ai tjetri, por tani në një zonë shumëemërore. Po të vesh re, 80 mandate mund të jenë në lojë të hapur, pjesa tjetër është e fiksuar. Pse nuk e lëmë totalisht të hapur? Ka një parim, ligji zgjedhor duhet të jetë uniform. Ligji duhet të jetë uniformë, ODHIR tha që uniformiteti është I detyrueshëm sepse konfuzon votuesin dhe nuk zbatohet ligji në mënyrë të njëjtë, pra i njëjti ligj që vlen për një parti duhet të vlejë edhe për një parti tjetër”, tha Gjiknuri.
Më pas Fatmir Mediu i konsideroi ndryshimet në Reformën Zgjedhore si të dështuara, pasi sipas tij nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Meqë kam qenë herë pas here anëtar i këtij grupi (të dialogut) u ngrit për të adresuar rekomandimet e OSBE, nuk ka asnjë lloj vullneti për zgjedhje të lira e të ndershme. Proces i dështuar dhe nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të gjitha elementët e tjera janë të pavlerë. Në këndvështrimin tonë, dy elementë ishin të rëndësishëm, koalicionet zgjedhore dhe me ndëshkimin e atyre që grabisin zgjedhjet. Nëse partitë politike janë tribale, vënë kandidatë tribalë, dhe nëse partitë demokratike janë demokratike, kandidati më i ri ka të njëjtat të drejta siç ka politikani i vjetër. Nëse nuk ndodh ky rotacion për shkak të votës së qytetarëve, ky është proces i emëruar”, tha Mediu.
Deputeti Enkelejd Alibeaj e cilësoi draftin për Reformën Zgjedhore si një pazar që i dhuron Edi Ramës mandatin e katërt në tavolinë, teksa sipas tij, PD po sigurojnë që të kapin ndonjë karrige në zgjedhjet e 2025.
“Ajo se çfarë po bëhet sot, nuk është se po bëhet një Reformë Zgjedhore e minutës së fundit, me një Pazar të bërë natën fshehtas, sot po i dhurohet mandati i katërt Ramës në tavolinë. S’ka nevojë sot më për zgjedhje, e ka marrë, e ka blerë pushtetin dhe mandatin e katërt. Dhe bashkë me të mbetet e vetmja gjë, si të ruajmë ndonjë karrige për vete”, tha Alibeaj.
Më poshtë, neni për listat e kandidatëve për deputetë në kodin e ri Zgjedhor
“Neni 67
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike
1. Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:
a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe
b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
2. Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për cdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.
3. Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.
4. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.
5. Kandidati për deputet, i rregjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
6. Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një çdo tre emra të kandidatëve të listës së fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumëemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.
7. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve. Kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë depozitohet në KQZ në rastet kur territori i njësisë së qeverisjes vendore nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme.
8. Kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.
9. Në zgjedhjet për këshillat bashkiakë një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje të kandidatëve të subjekteve zgjedhore duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.
10. Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi.”