Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë pas tre ditësh me një komunikatë për mediat në lidhje me urdhër-arrestet e lëshuara së fundmi për inceneratorin e Tiranës.
Më konkretisht, SPAK raporton se GJKKO ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj tetë shtetasve me inicialet Dashamir Ymeraj, Giusepe Ciaffaglione, Denisa Tollkuçi, Marc Lapat, Michael Druijts, Ilir Dedja, E. H. dhe Renardo Nallbani, por është njoftuar nga Policia e Shtetit se asnjë prej masave nuk është ekzekutuar dhe të 8 shtetasit janë shpallur në kërkim.
Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ndaj të cilëve është caktuar më parë mase e sigurimit “arrest në burg”, por as ata nuk janë kapur dhe vazhdojnë të jenë ende në kërkim.
SPAK raporton se nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20 milionë euro.
“Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale, rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal.
Personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, si produkte të veprës penale, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash.” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga ana e SPAK, teksa më herët janë lëshuar dhe 15 urdhër-arreste të tjera, ku mes tyre ishin Lefter Koka dhe Alqi Bllako, të cilët ndodheshin në burg, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët vijojnë të jenë ende në kërkim, teksa emri i rëndësishëm që u arrestua në atë kohë ishte drejtori i Punëve Publike Taulant Tusha.
Deri në këto momente kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vazhdon të mbetet i paprekur nga drejtësi, edhe pse ka patur rol të rëndësishëm në këtë aferë korruptive, ku inceneratori nuk ekziston.
Vlen të theksohet fakti se urdhër-arrestet e fundit të SPAK për inceneratorin e Tiranës u raportuan në media që në datën 26 Maj, ku në atë kohë u raportua për 19 masa sigurie, por ditën e nesërme SPAK doli me njoftim ku përgënjeshtroi lajmin. Opozita ka akuzuar se SPAK u tërhoq nga urdhër-arrestet dhe më pas uli numrin e tyre, teksa i njoftoi edhe ata për t’u larguar jashtë vendit djhe sot nuk kemi asnjë të ndaluar.
Roli i Veliajt tek Inceneratori i Tiranës:
Kryebashkiaku Erion Veliaj është deri më sot ka qenë jashtë listës së personave të vendosur nën masë sigurie në procedimin penal të inceneratorit të Tiranës. Megjithatë, Veliaj ka një rol kryesor në nisjen e procedurave që u shndërruan në një aferë që llogaritet ti ketë shkaktuar buxhetit një dëm rreth 100 mln Euro.
Në 27 Mars 2017, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehet “dakord në parim” për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës nëpërmjet procedurës koncesionare. Ky është momenti kur merr jetë një prej aferave më të rënda financiare në historinë e shtetit shqiptar.
Veliaj, pa marrë më parë mendimin e Këshillit Bashkiak, merr përsipër në dorë të parë që të aprovojë, megjithëse “parimisht”, një projekt që do t’u kushtojë taksave të qytetarëve të Tiranës rreth 430 milionë euro për 30 vjet.
Nuk është thjesht shmangie e Këshillit Bashkiak. Projekti për ndërtimin e landfillit të Tiranës parashikonte kosto financiare për të gjitha bashkitë e Qarkut të Tiranës, ku përfshiheshin krahas kryeqytetit, edhe Vora, Kamza, Kavaja e Rrogozhina.
Askush nuk pyeti këto njësi të qeverisjes vendore. Qeveria u mjaftua me “dakordësinë në parim” të Veliajt, për t’i dhënë rrugë koncesionit të Sharrës.
Afera e inceneratorit të Sharrës nuk është një “vjedhje e rëndomtë” e dy biznesmenëve që shfaqen si pronarë të koncesioneve, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Afera e djegësve është një skandal qeveritar dhe, në rastin e impiantit të Tiranës, ekzistojnë të gjithë dyshimet se është i përfshirë “kokë e këmbë” edhe Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës jo vetëm që ka dhënë ‘dakordësinë në parim” për inceneratorin e Tiranës, por edhe e ka promovuar me vizitat e tij në kantier. E mbi të gjitha, nuk ka kursyer rreth 100 milionë euro për një shërbim pjesor që ofrohet nga koncesionari ‘Integrated Energy bv”.
Aktualisht, mbi Erion Veliajn, SPAK ka nisur dhe një hetim pasuror për të, ku verifikohen pasuritë dhe përfitimet e familjarëve të tij.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vijon hetimet në lidhje me procedimin penal nr. 255, të vitit 2020, me objekt hetimi kontratën koncesionare nr. 6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim Landfilli, Inceneratori dhe Rehabilitimi i Vend Depozitimeve Ekzistuese, Tiranë”, lidhur ndëmjet Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k., me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) Euro, pa TVSH.
Në vijim të njoftimeve të mëparshme, deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, kanë rezultuar fakte penale të tjera të evidentuara gjatë periudhës së zbatimit të kontratës koncesionare, për të cilat është bërë regjistrimi i njoftimit të veprave penale në regjistrin penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërma “a” dhe “b”, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20.000.000 (njëzetë milion) Euro, të ndara konkretisht në shumat prej:
- 1.214.867.060 (një miliard e dyqind e katërmbëdhjetë milion, e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë) Lekë ;
- 9.456.093 (nëntë milion e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tre) Euro.
Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale, rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal.
Personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, si produkte të veprës penale, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash.
Pas kryerjes së hetimeve dhe analizimit të provave, në datën 29.06.2024, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për caktimin e masës së sigurimit ndaj 8 shtetasve (shqiptarë dhe të huaj), të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 143/3, 287 gërma “a” dhe “b”, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 69, datë 12.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj tetë shtetasve me inicialet D.Y., G. C., D. T., M. L., M. D., I. D., E. H. dhe R. N.
Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë shtetasit K.Z. dhe M.M., ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.
Në datën 12.07.2024, Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr. 69, datë 12.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Nënvizojmë se, Policia e Shtetit më datë 15.07.2024, ka vënë në dijeni Prokurorinë e Posaçme, për pamundësinë e ekzekutimit të masave të sigurimit personal ndaj shtetasve të mësipërm.
Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale.