Atentati ndaj kandidatit të pritur republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të shkaktojë pasoja politike në vend.
Kështu tha në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Robert Spitzer, profesor i shkencave politike në SUNY Cortland në SHBA, teksa foli për ndikimin që do të ketë atentati ndaj Trumpin në garën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Spitzer tha pritet që Trump të ngrihet në sondazhe, për shkak të mbështetjes së marrë pas të shtënave të 13 korrikut, por shtoi se pas disa javësh mbështetja për të dhe për presidentin aktual, Joe Biden, pritet të bjerë në nivelet e mëhershme.
Trump ishte duke folur në një tubim në Pensilvani, kur u qëllua me armë zjarri në veshin e djathtë. Sulmuesi i dyshuar u vra nga autoritetet, ndërkaq Trump shpëtoi me lëndim joserioz. Presidenti amerikan, Joe Biden, e dënoi ashpër dhunën.
Në këtë intervistë, Spitzer flet edhe se si do të dukej një kandidaturë për Shtëpinë e Bardhë e nënpresidentes aktuale, Kamala Harris, nëse Biden do të tërhiqej nga gara presidenciale.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Spitzer si do të ndikojë ngjarja e 13 korrikut në garën presidenciale në SHBA?
Robert Spitzer: Kjo ka pasoja politike. Sa për rikujtim, kur Ronald Reagan ishte viktimë e një atentati në vitin 1981, dhe ai ishte një atentat shumë i rëndë, ai u godit me një plumb në gjoks dhe gati vdiq. Në fakt, iu deshën disa muaj që të rimarrë veten. Por, kur Reagan u qëllua, në atë kohë ai ishte president. Këshilltarët e tij u mblodhën brenda 24 orëve nga ajo ngjarje, për të vendosur të përfitonin më së miri politikisht nga ajo ngjarje sepse pati një shpërthim të mbështetjes për Reganin. Kjo pati një pasojë të rëndësishme politike për të, për mandatin e tij presidencial dhe e ndihmoi atë të miratohej një ulje e madhe taksash verën e vitit 1982 dhe ky vendim kaloi përmes Kongresit.
Rrethanat sot janë ndryshe. Donald Trump nuk është presidenti aktual i SHBA-së. Por, sigurisht ka një vërshim të menjëhershëm të mbështetjes. Për fat të mirë, ai nuk u plagos rëndë nga të shtënat. Edhe pse, sigurisht, asnjë e shtënë me armë nuk është një gjë e mirë.
Do të shihni një rritje të tij në sondazhe në dy javët e ardhshme, do të ketë mbështetje për të. Megjithatë, mendoj se në kontekstin e kësaj gare, dhe për shkak se ai nuk u plagos rëndë, mendoj se shifrat e sondazheve për të do të kthehen në nivelet që ishin para atentatit të djeshëm [13 korrik].
Megjithëse do të shtoja një gjë tjetër që, për koincidencë, duke filluar nga nesër, më 15 korrik, do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i republikanëve, që do të zgjasë katër ditë dhe kandidatët presidencialë në përgjithësi marrin një shtysë në votime për shkak të kuvendit të partisë. Pra, pritet që kandidatura e trupit të ketë një rritje të mbështetjes pasi të dominohet. Kjo mbështetje mund të jetë pak më e lartë për shkak të atentatit. Por, unë mendoj se brenda disa javësh, rezultatet, pozita e Trumpit dhe presidentit Biden do të arrijë ku ishte në muajin e fundit apo dy muaj më parë.
Radio Evropa e Lirë: Si mendoni se ata mund të tentojnë ta shfrytëzojnë situatën apo nëse ata do të tentojnë ta përdorin këtë ngjarje për të treguar se sa energji ka Trumpi në krahasim me Bidenin?
Robert Spitzer: Pa dyshim, kushdo që ka parë televizion ka parë disa pamje të mjaftueshme, sepse të gjitha kamerat ishin aty, pasi ai sapo kishte filluar të fliste me turmën. Ai nuk e kishte filluar fjalimin e tij zyrtar, por bënte biseda me njerëz, që është mënyra e tij. Ka shumë fotografi dhe incizime të asaj që ndodhi. Mbështetësit e tij dhe njerëzit e tij do t’i përdorin ato fotografi dhe pamje ku ai duket duke mbajtur lart grushtin pasi u qëllua, për të treguar forcën dhe vendosmërinë e tij si udhëheqës, diçka e tillë.
Donald Trump pas atentatit ndaj tij, teksa agjentët e Shërbimit Sekret e largojnë nga skena në Pensilvani.
Donald Trump pas atentatit ndaj tij, teksa agjentët e Shërbimit Sekret e largojnë nga skena në Pensilvani.
Dhe kjo nuk do të ishte befasi. Simbolet dhe imazhet do të përdoren nga njerëzit e tij për të promovuar kandidaturën e tij. Edhe kur ai u akuzua në gjykatën federale disa muaj më parë, atij iu mor fotografia e arrestimit, dhe më pas kësaj fotografi u vendos menjëherë në bluza dhe filxhanë kafeje. Ky është një moment shumë më heroik për të dhe mbështetësit e tij padyshim do ta përdorin atë për të forcuar kandidaturën e tij.
Tani, a do të ketë kjo ndonjë efekt në rezultatin e nëntorit? Nuk besoj se do të ketë. Por, tani kjo i jep atij dhe fushatës së tij pak “karburant raketash”. Dhe kjo është sigurisht e dobishme për të.
Radio Evropa e Lirë: Sa i përket retorikës së fushatës, a prisni që ajo të ndryshojë te të dyja palët?
Robert Spitzer: Është një lloj thike me dy tehe në një farë mënyre, që do të thotë, sigurisht që ka mbështetje për Trump-in. Tradicionalisht është një moment dypartiak, sepse të dyja palët e urrejnë dhunën, në përgjithësi, dhe nuk duan ta inkurajojnë atë dhe duan të dënojnë dhunën. Por, ka një pjesë tjetër të kësaj, që është se disa në bazën e Trumpit e trajtojnë atë në një mënyrë të kundërt. Për shembull, senatori nga Ohio, J.D. Vance, i cili ishte në listën e ngushtë për t’u emëruar kandidat për nënpresident nga Trumpi dhe Trumpi nuk e ka marrë ende vendimin e tij, me sa dimë, Vance lëshoi një deklaratë mbrëmë duke fajësuar për të gjitha këto presidentin Biden.
Dhe kjo, për mua, është e tepruar, pikërisht sepse në vend që ta përdorim atë si një moment shërues, pozitiv dhe dypartiak, ne po shohim retorikë rreth përdorimit të dhunës ose fajësimit të palës tjetër për këtë lloj veprimi.
Radio Evropa e Lirë: Një nga politikat e Bidenit ka qenë kontrolli i armëve. A mund ta përdorin demokratët këtë në avantazhin e tyre?
Robert Spitzer: Pasi ndodhi kjo ngjarje dhe unë e pashë atë në TV, menjëherë pas ndodhisë, u trondita menjëherë nga disa fakte. Njëra ishte se kjo ishte padyshim një armë e gjatë, jo një pistoletë, dhe ishte qëlluar nga distanca dhe shumë shpejt, që do të thotë se ishte një armë gjysmë-automatike.
Kisha ndjenjën se mund të ishte një armë e tipit të një pushke gjymsmë-automatike, dhe një lloj pushke sulmuese. Dhe vërtet kështu ka thënë deri tani policia. Dhe unë mendoj se kjo do të përshpejtojë thirrjet për të rishikuar çështjen e kufizimit të armëve të tipit sulmues.
Rreth 10 ose 12 shtete këtu në Shtetet e Bashkuara kanë kufizime të tilla në ligjet e tyre. Pensilvania nuk është ndër to, aty ku ndodhën të shtënat. Po ashtu, pyetja se sa plumba janë qëlluar dhe kaq shpejt para se të qëllohej dhe të vritej sulmuesi. Padyshim, Shërbimi Sekret ose ndonjë autoritet policor e goditën sulmuesin pothuajse menjëherë dhe e qëlluan për vdekje, domethënë ai qëlloi shumë shpejt dhe me shumë saktësi. Por, këtu përsëri, ne kemi një pikëpyetje se si një 20-vjeçar në radhë të parë mund të merrte në posedim një armë të tillë në mënyrë të ligjshme. Në disa shtete, duhet të jesh 21 vjeç për të blerë një armë gjysmë-automatike, por jo në Pensilvani. Pra, lehtësia e qasjes në këto lloj armësh dhe fakti që gjuajtësve u pëlqen të përdorin armë të llojit gjysmë-automatik për të shkaktuar dhunë, veçanërisht dhunë masive, do të jenë çështje që do të diskutohen shumë në ditët dhe javët në vijim nga kampi i Bidenit.
Radio Evropa e Lirë: Sa i përket fushatës, a prisni që të ketë ndonjë ndryshim? A do të ketë ndonjë ngadalësim në afat të shkurtër sa i përket fushatës, pasi Shërbimi Sekret të kuptojë se çfarë duhet të bëjë? Apo kjo do të jetë thjesht një pengesë e vogël?
Robert Spitzer: Unë mendoj se Trump do të dëshirojë të kthehet në fushatë, pjesërisht për të demonstruar se është në rregull dhe për të treguar se kjo ngjarje e tmerrshme nuk e ka frenuar. Dhe kjo sigurisht do të ushtrojë presion edhe më të madh mbi përgjegjësit e sigurisë.
Ai mbrohet nga Shërbimi Federal Sekret, por mbrojtja e tyre ishte e kufizuar vetëm brenda zonës ku u mbajt tubimi. Me sa duket, zonat e tjera jashtë vendit të tubimit ishin nën kompetencën e policisë shtetërore dhe lokale të Pensilvanisë. Ata mund të kenë humbur një pikë të rëndësishme që duhej të ishte mbuluar. Ne do të mësojmë shumë më tepër për këtë në ditët në vijim. Kjo çështje do të vendosë një theks edhe më të madh te siguria dhe nevoja për siguri për të dy kandidatët presidencialë. Kështu që, i bënë të gjithë edhe më të ndërgjegjshëm për sigurinë.
Dhe kjo do të thotë se në çdo lloj ngjarjeje do të ketë padyshim siguri të shtuar dhe do të jetë gjithashtu një nxitje për të zhvilluar mitingje të ardhshme në ambiente të mbyllura dhe jo në vende të hapura, sepse po të ishte zhvilluar ky tubim në ambient të mbyllur, sigurisht që të gjithë do të mund të ishin kontrolluar para se të hynin.
Radio Evropa e Lirë: A nxjerrin në pah këto të shtëna ndarjet në SHBA dhe ngrenë pyetje për gjendjen e demokracisë?
Robert Spitzer: Mendoj se nënvizon dallimin mes partive politike për çështjen e armëve. Para së gjithash, demokratët në përgjithësi kanë mbështetur ligje më të forta për kontrollin e armëve. Dhe Partia Republikane gjithnjë e më shumë, vitet e fundit, ka kundërshtuar çdo masë, megjithëse ka pasur përjashtime. Kështu që unë mendoj se kjo do ta rikthejë atë çështje në plan të parë.
Përveç kësaj, shpresohet që përgjigja afatshkurtër të jetë pajtimi dhe paqja, por tashmë po shohim një retorikë që shkon në drejtim të kundërt.
Për disa elementë të skajshëm në koalicionin republikan, ekziston dëshira për të armatosur më shumë dhe për të folur më shumë për dhunën dhe përdorimin e dhunës. Ne kemi dëgjuar tashmë një deklaratë nga një grup ekstremist i quajtur “Proud Boys” kur flasin për armë dhe dhunë, dhe për nevojën për të qenë të përgatitur për dhunë. Kjo retorikë është jashtëzakonisht gërryese për një sistem demokratik, sepse thelbi i një shoqërie demokratike është që vendimet dhe zgjedhja e liderëve të bëhen me mjete paqësore. Kjo është ajo që themeluesit e shtetit dëshironin. Dhe kështu, kjo sjell debatin përsëri në sferën publike.
Radio Evropa e Lirë: Të ndryshojmë pak temën. Kemi Kuvendin Kombëtare Republikane këtë javë, dhe muaj më vonë, atë të Partisë Demokratike. Ka shumë thirrje që Biden të tërhiqet nga gara. A do të prisnit që ai të largohej nga pak kohë përpara Kuvendit? Dhe nëse nënpresidentja, Kamala Harris, është ajo që zgjidhet si kandidate presidenciale, cilat janë, sipas teje, pikat e saj të forta dhe dobësitë?
Robert Spitzer: Unë mendoj se është shumë e qartë që presidenti Biden ka deklaruar se është në garë dhe dëshiron të qëndrojë në garë, duke besuar se mund ta drejtojë me sukses fushatën. Ai ka përballuar disa sfida, duke përfshirë edhe një lloj belbëzimi [gjatë debatit presidencial], por duket se Partia Demokratike nuk është e gatshme ta sfidojë atë drejtëpërdrejt, duke pranuar që ai është nominuari i partisë.
Nëse ai vendos të largohet, atëherë padyshim që demokratët do të veprojnë për të mbushur boshllëkun dhe nënpresidentja Kamala Harris do të ishte pasardhësja e pritur. Ajo ka treguar inteligjencë dhe aftësi, është më e re dhe është afrikano-amerikane, në kuptim të prejardhjes.
Ajo mund të drejtojë një fushatë mbarëkombëtare, megjithëse nuk e kemi parë ende në atë rol. Ajo ka kandiduar për presidencë më parë dhe fushata e saj nuk shkoi shumë larg, por ajo mbetet një kandidate e fortë. Sondazhet tregojnë se ajo performon më mirë se Biden në përballjet kundër Trump. Por, efektet aktuale të fushatës janë ende të panjohura dhe ajo do të ishte një kandidate e patestuar. Megjithatë, ajo duhet të jetë e përgatitur mendërisht për perspektivën e marrjes së drejtimit nëse diçka i ndodh presidentit Biden.
Çfarë do të ndodhte nëse Biden do të tërhiqej nga gara presidenciale?
Radio Evropa e Lirë: Cilat do të ishin temat që do ta ndihmonin Harris të ngjitej në krye dhe të mposhtë Trumpin? A do të ishte çështja e abortit? Apo e drejta e votës, kujdesi shëndetësor?
Robert Spitzer: Ajo do të ishte e gatshme të fliste për çështje si kujdesi shëndetësor, të drejtat e abortit, ndoshta dhuna me armë dhe politika e armëve. Ajo ka punuar për të mbështetur kredencialet e saj të politikës së jashtme dhe ka udhëtuar mjaft jashtë vendit. Ajo është e pozicionuar mirë për të diskutuar dhe promovuar çështjet që Partia Demokratike mbështet dhe që do të përmblidhen në platformën e Partisë Demokratike kur ata të mblidhen për kuvendin e tyre në gusht. Pas kuvendit, të nominuarit zakonisht marrin një shtysë të vogël, dhe atëherë do të shohim se ku qëndron gara deri në nëntor./ REL