Nga Boldnews.al
Kulla “Syri i Tiranës” përfundon në gjykatë për katet shtesë. Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për “ndërtim të paligjshëm” në godinën e lartë që është pozicionuar në krahun perëndimor të sheshit “Skënderbej”, saktësisht aty ku bashkohen “Rruga e Durrësit” me “Rrugën e Kavajës” dhe të cilën tiranasit e vjetër e njohin si “sheshi i reklamave të kinemasë”.
Në gjyq ka shkuar subjekti ndërtues, “Ideal Construction” dhe administratorja e shoqërisë Ferzilet Hajdëri, e cila ishte njëkohësisht edhe mbikqyrëse e punimeve për ndërtimin e kullës.
Hetimi zbuloi disa situata interesante. Kulla, megjithëse ka disa kate pa leje, nuk ka sipërfaqe ndërtimore shtesë.
Kjo është konfirmuar nga dy ekspertiza të ndryshme-një nga inxhinjerë privatë dhe një nga Instituti Shtetëror i Ndërtimit. Madje, edhe ekspertët e këtij institucioni publik kanë konkluduar se “Syri i Tiranës”, megjithëse ka kate shtesë, ka më pak sipërfaqe ndërtimore se sa ajo që i është miratuar në lejen e ndërtimit.
Duket disi e paqartë se cili ka qenë qëllimi i kompanisë për të shtuar kate pa leje, por pa shtuar sipërfaqe ndërtimi, e cila shndërrohet në përfitim monetar.
Ndoshta drejtuesit e kompanisë mund të kenë pasur “delirin e madhështisë” për të rivalizuar lartësinë e ndërtesës së tyre me kulla të tjera të miratuara në qendër të Tiranës. Ose, mund të kenë parashikuar se sipërfaqja ndërtimore në katet e sipërme mund të ketë çmim më të lartë shitjeje.
Gjithësesi, cilado qoftë arsyeja e zgjatjes së kullës në dëm të gjerësisë, veprimet tashmë kanë vendosur në cilësinë e të pandehurit subjektin “Ideal Construction” dhe administratoren Hajdëri.
Ndërkohë, hetimet nuk kanë zbuluar përgjegjësi të investitorit dhe njëkohësisht pronarit të “Ideal Construction”, Armand Lilo, duke iu ngarkuar e gjithë pergjegjësia penale administratores.
Nga ana tjetër, kompania ka kundërshtuar gjithnjë që ka ndërtuar sipërfaqe shtesë, por, në Tetor 2022 nënshkroi një kontratë “premtim-shitjeje” me qeverinë për dhurimin me çmim simbolik 1 euro të rreth 4456 m2 shtesë në kullën “Syri i Tiranës”.
“Boldnews.al” ka siguruar informacion mbi të dhënat e dosjes “Syri i Tiranës”, e hetuar nga prokurori Erjon Imeraj.
Kulla “Syri i Tiranës”
Në 12 dhjetor 2017, Këshilli Kombëtar i Territorit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, miratoi vendimin nr. 11 “Për Miratimin e lejes së Zhvillimit për objektin: “Godinë polifunksionale “Eye of Tirana” 5, 6, 8, 9, 11, 15, 21, 24 kate, me 4 kate nëntokë, në kryqëzimin e e rrugës së “Kavajës” dhe rrugës së “Durrësit”, Bashkia Tiranë”.
Mbështetur në këtë vendim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, miratoi lejen e ndërtimit në 27 Shtator 2019, në pronë të disa familjeve tiranase, me zhvillues shoqëritë “Ideal Construction” sh.p.k., “Concord Investment” sh.p.k., me subjekt ndërtues shoqërinë “Edil AL-IT” sh.p.k dhe Ideal Construction sh.p.k.”.
Më pas është bërë ndryshimi pranë bashkisë Tiranë, duke marrë leje për ndryshimin e subjektit ndërtues dhe zhvillues. Është larguar subjekti “Edil Al-IT” Sh.p.k. dhe “Concord Investment” Sh.p.k dhe objekti është ndërtuar vetëm nga shoqëria “Ideal Construction” Sh.p.k. Pra i gjithë objekti është ndërtuar nga shoqëria “ Ideal Construction” Sh.p.k.
Katet shtesë
Kulla ‘Syri i Tiranës” gjendet vetëm 300 metra nga Bashkia e kryeqytetit. Por asnjë prej strukturave lokale, përfshirë vetë kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ka një pamje të qartë të godinës nga zyra e tij apo Inspektorati Ndërtimor Vendor dhe Policia Bashkiake, nuk e konstatuan se godina kishte ndërtuar disa kate shtesë.
Disa “zëra” në botën e ndërtuesve thonë se projektuesi i kullës, danezi Henning Larsen, ka konstatuar anomalinë dhe i ka shprehur shqetësimin e tij kryeministrit Edi Rama për “përçudnimin” gjatë zbatimit të projektit të tij, “Syri i Tiranës”.
Dhe, pas këtij “shqetësimi”, strukturat shtetërore janë detyruar të vihen në lëvizje.
Në 16 qershor 2022, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka ushtruar kontroll në kullën e lartë. Gjatë kontrollit janë janë konstatuar punime (shtesë katesh), jashtë parashikimeve të lejes së ndërtimit të miratuar nga Bashkia Tiranë.
Nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se në objektin “Kullë” janë ndërtuar 3866.16 m2 sipërfaqe shtesë, jashtë lejes së ndërtimit. Ndërsa në objektin “8-9 kate” janë konstatuar 780.63 m2 sipërfaqe të ndërtuar në kundërshtim me projektin e miratuar. Sipërfaqe totale ndërtimi jashtë lejes rezulton të jetë 4646.79 m2.
Në vijim, IKMT ka hartuar proces-verbalin e shkeljes, duke vendosur gjobitjen e “Ideal Construction” me rreth 162 milionë lekë të reja. Administratorja e kompanisë, Ferzilet Hajdëri, ka refuzuar të nënshkruajë proces-verbalin.
Po ashtu, IKMT, vendimin e datës 24 qershor 2022, ka nxjerrë urdhërin për ‘Prishjen e objektit të kundërligjshëm”, një urdhër që nuk u zbatua asnjëherë.
Rreth 3 muaj më vonë, në 7 Shtator 2022, Komisariati i Policisë nr.3 në Tiranë referon në Prokurori dokumentacionin për shkeljet e konstatuara në objektin “Syri i Tiranës”.
Ekspertizat
Për nevoja të hetimit, Prokuroria e kryeqytetit ngarkoi Insititutin e Ndërtimit për të kryer ekspertizën mbi “Syrin e Tiranës”.
Në përfundim të ekspertimit, i cili u dorëzua në Prokurori në janar të këtij viti, Instituti i Ndërtimit konstaton se: “Ndërtimi i objektit është kryer në shkelje të lejes së miratuar. Shkelja nuk është konstatuar në sipërfaqen totale të metrave katrorë të ndërtuar, por në shkelje të projektit të miratuar”.
Sipas Institutit të Ndërtimit, kulla nuk ka sipërfaqe shtesë të ndërtuar në sasinë e metrave katrorë, por shkelja konstatohet në shtimin e numrit të kateve në godinën 24 kat, pra është konstatuar shkelje e projektit të miratuar.
Madje, jo vetëm kaq, por sipas ekspertëve të këtij Instituti, subjekti privat ka ndërtuar më pak metra katrorë sipërfaqe, krahasuar me lejen e ndërtimit.
“…Grupi i punës del në përfundimin që ndërtimi i objektit: “Godinë polifunksionale Eyes of Tirana”, 6,8.9,13,18 dhe 24 kat. me 4 – kate nën tokë” miratuar nga Bashkia Tiranë: Nuk ka metra shtesë të ndërtuara, por shkelje të projektit të miratuar. Sipërfaqja e ndërtuar është më e vogël se ajo e miratuar”, thuhet në ak-ekspertimin e Institutit të Ndërtimit.
Një rezultat i ngjashëm ka dalë edhe nga një ekspertizë me inxhinjerë privatë, e administruar dhe pranuar në një proces në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku kompania ‘Ideal Construction” kundërshtonte vendimet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për gjobitjen dhe prishjen e shtesës pa leje.
Në atë proces gjyqësor, një grup ekspertësh, i përbërë nga inxhinjerë ndërtimi dhe vlerësues pasurish, arritën në konkluzionin se: “Sipërfaqja e ndërtuar në total e saj është me e vogël se sipërfaqja e miratuar në Lejen e Ndërtimit, pra nuk rezulton që të kemi siperfaqe ndërtimi shtesë në tejkalim të Lejes së Ndërtimit, por shtrirja e saj është e ndryshme nga ajo e Lejes së ndërtimit”.
Gjithashtu, në atë akt-ekspertimi jepen edhe detaje të tjera: “Sipërfaqja e ndërtuar në total e saj është me e vogël se sipërfaqja e miratuar në Lejen e Ndërtimit (1959.81 m2 më pak se Leja e Ndërtimit, duke përfshirë dhe katet shtesë të realizuara në tejkalim të Lejes së Ndërtimit si dhe sipërfaqet e verandave dhe 2,545.18 m2 më pak se Leja e Ndërtimit duke përfshirë dhe katet shtesë të realizuara në tejkalim të Lejes së Ndërtimit, pa përfshirë sipërfaqet e verandave), pra nuk rezulton që të kemi sipërfaqe ndërtimi shtesë në tejkalim të Lejes së Ndërtimit, por shtrirja e saj është e ndryshme nga ajo e Lejes së ndërtimit”.
Në këto kushte, prokurori i Tiranës, Erjon Imeraj, ka arritur në konkluzionin se “është shkelur rëndë projektin dhe leja e ndërtimit të miratuar nga Bashkia Tiranë, datë 13.03.2019”.
Sipas prokurorit, përgjegjës për këtë shkelje është administratorja dhe njëkohësisht mbikqyrësja e punimeve, Ferzilet Hajdëri, si edhe vetë personi juridik “Ideal Construction”, të cilët kanë shkelur rëndë lejen e ndërtimit,
“Shkelja e lejes së ndërtimit, si dhe e projektit të miratuar konsiston në ndërtimin e disa katevë shtesë. Bazuar në aktin e ekspertimit të kryer nga Instituti i Ndërtimit, rezulton se në objekt nuk ka shtim të vëllimit, si dhe nuk janë ndërtuar më shumë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi, por janë shtuar katet e ndërtuara”, thuhet në dosjen hetimore.
Paralelisht me këtë hetim, inxhinjerja Ferzilet Hajdëri u vendos nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Posaçme në qershor të vitit 2023, në kuadër të hetimeve që pasuan me arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Në Dhjetor të vitit të kaluar, Hajdëri ishte pjesë e personave të dërguar në gjykim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, për hetimin e zhvilluar në Durrës
Pikëpyetjet
Ferzilet Hajdëri, administratorja e kompanisë “Ideal Construction”, zhvilluese e kullës “Syri i Tiranës” ka këmbëngulur si gjatë hetimit penal, ashtu edhe në procesin në Gjykatën Administrative ku kundërshtonte gjobën e IKMT-së, se godina nuk kishte shtesë sipërfaqeje ndërtimore.
Madje, ajo, mbështetur në ekspertizat e kryera, ka pretenduar se sipërfaqja ndërtimore është më e vogël se sa ajo që është parashikuar në lejen e ndërtimit.
Përballë këtyre pretendimeve, pikëpyetja e parë është se përse duhet të tjetërsohej projekti, pra të ndërtoheshin kate shtesë në tejkalim të lejes, kur sipërfaqja e ndërtimit, pra ajo që ka vlerë monetare në shitje jo vetëm që nuk është shtuar por, edhe rezulton të jetë më e ulët se sa ajo e miratuar.
Po ashtu, ndërkohë që kompania ishte e angazhuar me procesin gjyqësor administrativ dhe me hetimin penal, ka pasur edhe një zhvillim tjetër.
Në fund të Shtatorit 2022, kryeministri Edi Rama u shfaq në rrjete sociale, ku deklaroi: “Ja ku është edhe akti i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror…”.
Shumë shpejt u kuptua se ky “akt dorëzimi” ishin sipërfaqja pa leje e gjetur në kullën “Syri i Tiranës” nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Ky “akt dorëzimi” u formalizua me vendimin nr.3, dt. 19.10.2022 të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), me objekt: “Për transferimin në favor të shtetit me kontratë premtim shitje me vlerë 1 euro, të sipërfaqes së ndërtimit në objektin “godinë polifunksionale “Eyes of Tirana” 6, 8, 9, 13, 18 dhe 24 kat, me 4 kat nëntokë, faza e i-rë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë”.
Sipas këtij vendimi, KKT pranonte kërkesën e Ministrisë së Financave për “kalimin në pronësi të shtetit të sipërfaqes së ndërtimit prej 4646.7 m2, të ndërtuar në tejkalim të lejes së miratuar me Vendimin e KKT-së Nr.11, datë 12.12.2017 “Për miratimin e Lejes së Zhvillimit për objektin: “Godinë polifunksionale “Eyes of Tirana” 6, 8, 9, 13, 18 dhe 24 kat, me 4 kat nëntokë, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë”.
Po sipas këtij vendimi, “Sipërfaqja e ndërtimit prej 4646 m2, e evidentuar në Kontratën Premtim Shitje, datë 27.09.2022, të nënshkruar mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe “Ideal Construction” sh.p.k, do të përdoret për nevoja të strehimit social apo për interes publik ….”.
Pikëpyetja e fortë në këtë rast është se: Ku i gjeti kompania dhe pse pranoi të kalonte në favor të shtetit “4646 metra katrorë të ndërtuar tek ‘Syri i Tiranës’ në tejkalim të lejes së miratuar”, kur vetë përfaqësuesit e kompanisë që në krye të herës kanë pretenduar se nuk ka sipërfaqe ndërtimore shtesë dhe se këto pretendime u konfirmuan më tej nga dy ekspertiza të ndryshme?
Kompania “Ideal Construction” e Armand Lilos rezulton të jetë e para dhe, deri më tani e vetmja, që ka pranuar të dhurojë me çmim simbolik 1 euro sipërfaqen shtesë, ndër disa subjekte të identifikuar nga fushata-shoë e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij në fushën e paligjshmërisë tek godinat e larta rrotull Tiranës dhe në disa qytete kryesore.
Pas kësaj situate, “Ideal Construction” ka vijuar të fitojë tendera të tjera publikë, si edhe leje ndërtimi, kryesisht në Tiranë.
Biznesmeni Armand Lilo është etiketuar shpesh nga opozita si një prej ndërtuesve pranë qeverisë dhe sidomos kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ka nga ata që e konsiderojnë edhe si një lidhje të ngushtë të deputetit socialist, Fatmir Xhafaj, vëllait të trafikantit të drogën Agron (Geron) Xhafaj.