Kreu i PD-së Sali Berisha, pas marrjes së vulës nga Gjykata e Apelit ka ripërsëritur edhe një herë se qëllimi kryesor është vetëm bashkimi i demokratëve.
Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin e sotëm, Berisha u ka bërë thirrje deputëve që kanë qenë kundër tij deri më tani, që t’i bashkohen, me dinjitet të plotë dhe me vendimet e tyre.
Po ashtu, Berisha u ka bërë thirrje edhe partive të tjerë, parlamentare apo jo parlamentare, se pavarësisht se mund të kenë mendim ndryshe, të bashkohen kundër Edi Ramës.
Lideri demokrat deklaroi se as që mund të krahasohet PD me PS-në apo Sali Berisha me Edi Ramën. Sipas Berishls, cilido që krahason qeverisjen e PD me qeverisjen më hajdute në historinë e kombit, ndihmon dhe mbron Edi Ramën.
Berisha u bëri thirrje që të bashkohen për të shpëttuar Shqipërinë, teksa sipas tij, nëse janë të ndarë, në çdo mënyrë ndihmojnë Edi Ramën.
Sali Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestare dhe qëndrestarëve, misionarëve të vërtetë të një kauze të madhe. Ju mblidheni sot pasi keni korrur një fitore të vërtetë. Fitore të vërtetë për veten tuaj, për demokratet dhe demokratët, por fitore të vërtetë për të gjithë shqiptarët, që e ndjejnë veten shqiptarë dhe Shqipërinë e dheun e tyre. Dje triumfoi e drejta mbi padrejtësinë. Triumfoi pluralizmi politik mbi pluralizmin fals dhe fasadë. Dje një vendim i gjykatës nxori në pah para shqiptarëve dhe botës se si Edi Rama kishte keqpërdorur në shkallë ekstreme drejtësi e politikë për të marrë peng flamurin e PD, flamurin e pluralizmit politik të Shqipërisë, të arritjeve të saj epokale në rrugën e demokracisë. Por dje theksova dhe sot në emër tuaj dua të ritheksoj edhe njëherë se mesazhi i kësaj arritje është një dhe vetëm një. Është bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi. Miqtë e mi, është bashkimi dhe vetëm bashkimi sepse betejën vendimtare, fitoren vendimtare e kemi përpara për ta arritur. Dhe kjo kërkon kontributin e çdo demokrati dhe demokrateje.
Ndaj dhe edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë demokrateve dhe demokratëve që ndjejnë shpirtin e tyre të pastër, të cilët për një arsye apo për një tjetër, kanë mbajtur qëndrime të tjera, të bashkohen. Të bashkohen me ne! Të kthehen në shtëpinë e tyre. Bashkimi në diversitet është tipari që fitoi Partia Demokratike pas rithemelimit. Bashkimi në diversitet është shpirti demokratik i kësaj partie dhe anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Bashkimi në diversitet është dimensioni i ri më i fuqishëm i PD-së, i partisë së pluralitetit të mendimit, i partisë së pluralizmit politik në Shqipëri.
Ndaj dhe bashkohuni, jeni të mirëpritur me dinjitet të plotë, me vendimet tuaja. Asgjë nuk mund të ndajë demokratë e betuar për të qenë opozitë e vërtetë. Deputetëve të PD që akoma nuk janë në grupin tonë, thirrja më miqësore, vendi juaj është tek elektorati i PD. Mos harroni kurrë se me këtë logo, me këtë flamur keni bërë të gjithë fushatën. Se dhjetëra mijëra zgjedhës u votuan ju me këtë flamur, ndaj dhe jeni të mirëpritur. Jeni të mirëpritur në gjirin e grupit parlamentar të PD. Beteja e madhe është përpara. Të harrojmë dhe arkivojmë njëherë e mirë betejën njëri me tjetrin. T’i përvishemi Edi Ramës në emër të atyre qindra e mijëra shqiptarëve që vuajnë nën regjimin e tij. Përgëzoj të gjithë ata demokrate e demokratë, të cilët që sot kanë marrë dhe po marrin vendimet e duhura. I garantoj se beteja dhe fitorja do të jetë fati ynë!
Miqtë e mi, në emër tuaj u bëj thirrje të gjitha partive politike opozitare, parlamentare, joparlamentare, tradicionale apo të sapokrijuara, të bashkohemi se Shqipëria po tretet. Se duhet të na bashkojë dashuria për Shqipërinë. Unë e kuptoj se shumë nga ju kanë idera dhe mendime të tjera nga PD, pro asnjëra prej jush nuk mund të pajtohet kurrë me këtë shpopullim barbar. Me këtë zhbirje që po u bën Edi Rama me regjimin e tij shqiptarëve. Unë e kuptoj se ne kemi platforma të ndryshme, por asnjëri prej jush nuk mund të pajtohet me këtë vjedhje të tmerrshme që po u bën Edi Rama shqiptarëve me regjimin e tij. Unë kam respekt për ju, kam respekt të madh për pluralizmin. Koalicionet e gjera kanë qenë pasioni im. Por nga ana tjetër duhet t’u ftoj ju, politikanë me eksperiencë apo politikanë që keni nisur karrierën vitet e fundit, në çdo lloj analize, një gjë është e qartë, se roli i PD për fitoren është vendimtar. Dhe nuk e them këtë për presion, jo. E them këtë që të bëjmë analizën realiste.
Kurse për ndonjërin që arrin si automat të përsërisë se këta janë njëlloj, e madje demokratët edhe më keq, i them se e lexon historinë kokëposhtë. E vërteta është se ne nuk jemi kurrë njëlloj. Kurrë nuk jemi njëlloj. Dhe cilido që krahason PD-në me PS-në, krahason të pakrahasueshmen. Cilido që krahason Sali Berishën me Edi Ramën, krahason të pakrahasueshmit. Cilido që krahason qeverisjen e PD me qeverisjen më hajdute në historinë e kombit, ndihmon Edi Ramën. Ndihmon Edi Ramën, mbron Edi Ramën. Më thoni ju mua si mund të krahasohen, më tregoni një rast të vetëm që drejtorët dhe ministrat fituan tendera gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Ja ku e keni Edi Ramën në saraje me gjatësi themelesh 720 metra. Ja ku është Sali Berisha, në një apartament 130 metra, 37 metra më të madh se atë që kishte në diktaturë. Cilido që krahason dy qeverisjet, mashtron veten, të tjerët dhe ndihmon Edi Ramën. Sepse në atë qeverisje, rrogat u dyfishuan, pensionet u dyfishuan. U ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë. Miqtë e mi, do t’u them një gjë mjaft interesante. Po lexoja këto ditë se si në 10 vite të qeverisë shqiptare 90 vite më parë, ishin ndërtuar 830 kilometra rrugë. Më gjeni pak sa janë ndërtuar në qeverinë e Edi Ramës? Sa kilometra? Janë ndërtuar 100 mijë kilometra mashtrim. Mashtrimet e tij qarkojnë globin.
Ndaj dhe të nderuar kryetarë të partive opozitare, për të qenë të tillë sot, duhet të jemi të bashkuar, duhet të jemi në betejë. Në qoftë se duam të rrëzojmë Edi Ramën, urdhëroni! Përndryshe në një mënyrë ose në tjetër, ai ndihmohet. Unë u dëgjoj me respekt tek flisni për zgjedhjet. Tek shpallni me të drejtë ambiciet elektorale. Por në qoftë se ju besoni se mund të numërohen votat, mashtroni veten dhe zgjedhësit. Hajde të rrëzojmë Edi Ramën, të bëjmë zgjedhje të lira. Beteja vendimtare është përpara. Ndaj dhe përsëri ftesa ime është të bashkohemi. Të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe, e cila me shpopullimin që i bën, nuk është regjistruar kurrë në histori.