Nga Boldnews.al
Në 19 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë kërkesën e një të pestës së deputetëve, përfaqësues të opozitës, si edhe dy grupeve të interesit, për shfuqizimin e një neni të ligjit “Për Tatimin mbi të ardhurat”, i cili rëndon me 15-23 përqind të fitimit profesionet e lira.
Rasti nuk është vetëm një betejë e radhës ligjore e qeverisë me opozitën dhe grupe të ndryshme. Taksimi mbi fitimin i profesionistëve të lirë mund të ketë kosto elektorale për maxhorancën, një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, të parashikuara për në vitin 2025.
Ndaj, vendimi i pritshëm i Gjykatës Kushtetuese duhet parë edhe në këndvështrimin politik, duke pritur të shihet nëse Rama dhe qeveria e tij kanë reflektuar mbi pasojat e taksimit të profesionistëve të lirë.
Ligji i kontestuar
Në mars të vitit 2023, Parlamenti votoi, vetëm me votat e socialistëve, disa ndryshime në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, në bazë të të cilave përfshihen në fashën e tatimit mbi të ardhurat edhe profesionet e lira, të cilët deri në atë moment nuk prekeshin nga kjo taksë.
Ligji, i cili nisi zbatimin në janar 2024, përfshin rreth 30 mijë profesionistë të lirë. Formularët e shpërndarë nga administrata tatimore, në të cilët njoftonte profesionistët e lirë për detyrimin mbi të ardhurat, në shumë raste, e përllogariti taksën deri në 30 përqind të fitimit.
Ligji në vetëvete, si edhe përllogaritja e Tatimeve, nxitën reagimin e fuqishëm të organizatave që përfaqësojnë profesionistët e lirë. Këtij reagimi iu bashkua edhe Partia Demokratike në opozitë.
Në fund të Shkurt 2024, një grup prej një të pestat e deputetëve, si edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Ekspertët Kontabël të Miratuar dhe Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e neneve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili rëndon financat e profesionistëve të lirë.
Llogaritë elektorale
Taksimi i ri llogaritet se prek të paktën 30 mijë profesionistë të lirë, përfshirë avokatë, noterë, dentist, ekspertë, psikologë e shumë aktivitete të tjera.
Kjo do të thotë se një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, kryeministri Edi Rama dhe maxhoranca e tij ka vendosur t’u marrë nga fitimet jo pak, por 15-23 përqind, madje, në mënyrë abuzive edhe 30 përqind të fitimeve kësaj armate prej 30 mijë personash, të cilët jo vetëm nuk i rëndojnë financave të shtetit, por janë edhe kontributorë financiarë dhe gjenerues punësimi.
Profesionistët e lirë i përkasin shtresës së mesme, e cila, në përgjithësi, nuk shet votën për “5 mijë lekë” dhe as nuk çoroditet nga fjalët e bukura të propagandës elektorale.
Profesionistët e lirë janë një kategori shoqërore që votën e mbështet mbi bazë e llogarive personale. Dhe, në rast se këtij grupimi të madh “u hyn në xhep”, duke i taksuar rëndë mbi fitimet e tyre, logjikisht duhet të konsiderohen vota të humbura për atë parti-qeveri, iniciatore të kësaj skeme.
Llogaritë e personave, rrjedhimisht edhe votave, shtyhen më tej. Secili prej 30 mijë profesionistëve të lirë, si rregull, ka më së paku votën e tij dhe të familjarit të tij (bashkëshortit/bashkëshortes), të cilët gjithashtu preken nga taksimi i profesionistëve të lirë.
Si rregull, votat e humbura për maxhorancën shkojnë në 60 mijë. Por nuk mbaron këtu. Secili prej profesionistëve të lirë llogaritet se ka më së paku një persona të punësuar, si asistent, ndihmës, e të tjerë.
Nëse edhe grupimi i asistentëve të profesionistëve të lirë do të ndihet i cënuar në financat e tij, atëherë numri i personave që do të ndihen të pakënaqur nga vendimi i qeverisë, mbërrin, më së paku në 90 mijë. Të gjithë këta janë votues.
Nëse pranohet që Rama dhe maxhoranca e tij humbasin të paktën 90 mijë vota vetëm me një të rënë të lapsit, atëherë llogaritë elektorale ndërlikohen për maxhorancës socialiste.
Sa mandate deputetit japin 90 mijë vota
Bazuar në ligjin aktual elektoral, një mandat deputeti në Tiranë kërkon të paktën 10 mijë deri në 12 mijë vota. Ndërsa në qytete të tjera, kjo shifër është më e ulët.
Duke marrë në konsideratë se rreth dy të tretat e profesionistëve të lirë janë përqëndruar në Tiranë, atëherë maxhoranca socialiste duhet të llogarisë si të humbura të paktën 60 mijë vota në Tiranë (ku përfshihen profesionistët e lirë, një familjar i tyre dhe një i punësuar).
Rreth 60 mijë vota minus në Tiranë për socialistët do të thotë rreth 6 deputetë më pak.
Nga ana tjetër, nëse llogaritet humbja e rreth 30 mijë votave të tjera në qytete të ndryshme, të cilët mund të përkthehen po ashtu në të paktën 3 mandate deputetësh, Rama dhe qeveria e tij mund ta shoh veten poshtë kufirit prej 70 ligjvënësish. Rrjedhimisht, humbet mundësinë për të ndërtuar qeverinë dhe për të mbajtur pushtetin.
Sytë nga Kushtetuesja
Këto llogari elektorale duhet të jenë edhe në tavolinën e kryeministrit dhe njëkohësisht kryesocialistit Edi Ramas, si edhe stafit të tij.
Për të parë nëse ai ka reflektuar mbi pasojat e mundshme elektorale të taksimit të profesionistëve të lirë, rrjedhimisht do të duhet të “ndërhyjë” me metodat e tij në Gjykatën Kushtetuese, për t’u pranuar kërkesa e opozitës dhe grupeve të tjera të interesit, për të shfuqizuar nenet që rëndojnë këtë kategori shoqërore.
Natyrisht, mund të jetë një “humbje” për maxhorancën në Kushtetuese, por gjithësesi do të jetë një humbje shumë më e vogël se sa kalimi i të paktën 90 mijë votave, ose rreth 9 mandateve parlamentare, në favor të partive të tjera opozitare në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Është një bast, që Rama po e luan me mandatin qeverisës.