Përfundon protesta e nëntë radhazi e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita përballë bashkisë së Tiranës ku u kërkua dorëheqja e kryebashkiakut socialist, Erion Veliaj pas skandalit “5D”.
Njësoj si protestat e tjera, ‘skenari’ ishte i njëjtë ku bashkia e Tiranës e cila përfshihet nga skandali në skandal fillimisht është qëlluar nga protestuesit me vezë, mollë, bojë dhe tymuese.
Teksa organizatorët mbajtën fjalën njëri pas tjetrit, qytetarët kanë hedhur dhe molotov në drejtim të godinës së Bashkisë e cila është kthyer në kryefjalë e korrupsionit nga titullarët e Erion Veliajt.
Me pankarta në duar dhe thirrje “Hajdut”, “Erion Veliaj, në burg”, “Erion shko te shokët”, qytetarët janë mbledhur pranë godinës së Bashkisë.
Ish-kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi me tone të forta nga protesta e opozitës i ka bërë thirrje SPAK-ut që të arrestojë Erion Veliajn.
Ai tha se brenda godinës së Bashkisë së Tiranës fshihen hajdutët që kanë vjedhur taksat e qytetarëve. Gjithashtu këlliçi i bën thirrje policisë që të mos arrestojnë protestuesit pasi ata po protestojnë kundër vjedhjes së taksave të tyre.
“Jemi sot në protestën e 9 kundër një hajduti të padëgjuar në vendin tonë që quhet Erion Veliaj. Njeriu që ka korruptuar jo vetëm drejtësinë, por edhe median në këtë vend që po ta shihni, në të gjitha mediat, kanë emisione për çdo temë, por vetëm për djegësit e qytetarëve dhe të Shqipërisë jo. Kjo është skenë krimi i një kryetari bashkie që çdo ditë shkon në zyrën e tij vetëm për të vjedhur. Ju kishim dhënë fjalën se pas vjedhjes së paprecedentë të 14 majit, do të bënim transparencë për masakrën elektorale.
Vetëm në këto muajt e fundit kemi arritur që të shpalosim një skemë vjedhjeje. U paguan 132 mln euro për një incenerator që nuk ekziston. Kjo është vjedhje e paprecedentë. Policë bashkiakë a e dini se drejtori juaj është një hajdut? Në këtë godinë strehohen hajdutë. Rreshtohuni kah qytetarëve, ne këtë betejë po e bëjmë për familjet tuaja. Kjo është betejë që nuk njeh ngjyrim partiak. Zoti Dumani ngrihu në lartësinë e detyrës tënde. Lërini fjalën dhe bëni veprat. Merrni masa dhe arrestoni hajdutin. Ai qëndron në zyrë për të prishur provat.
Kjo është një vjedhje e paprecedentë, e padëgjuar kurrë më parë, e pahasur kurrë. Të nderuar anëtarë, të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit, anëtarë të forcave të rendit. Ta keni të qartë se askush nga protestuesit nuk ka asnjë problem me ju. Përkundrazi, ne dalim në këtë betejë edhe për ju sepse një kapele juaj kushton pothuajse sa rroga juaj. Policë bashkiakë! A e dini që drejtori juaj është biznesmen dhe nuk është shërbëtor i qytetarëve dhe i qytetit të Tiranës?! A e dini që Ermal Kapllanaj është një bandit, një hajdut, si gjithë hajdutët e bandës 5D?! A e dini që në këtë godinë shkojnë hajdutë çdo ditë për të përvetësuar taksat e qytetarëve të Tiranës?! Ndaj ju bëj një ftesë publike, forcave të rendit, Policisë së ”, tha Këlliçi.
Qytetarët në shenjë simbolike bëjnë gati vezët, mollët, tymuese, bojën me të cilat qëllojnë bashkinë e Tiranës e cila është shndërruar në një institucion korruptiv ku 5 drejtorët e emëruar prej Veliajt kanë përfunduar në burg për korrupsion miliona euro.
- Qytetarët hedhin flakadanë dhe molotov
Këtë të martë protesta për “dorëheqjen e veliajt” është hapur me flakadanë e shishe molotovi.
Siç shihet edhe nga pamjet protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të hyrjes së Bashkisë së Tiranës.
Me pankarta në duar, protestuesit kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit me dosjen “5D”, ku në pranga ranë disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës dhe janë nën hetim dhe disa të tjerë. Pamjet VIDEO:
- Incidente, molotovi i hedhur nga protestuesit bie te gazetarët
Protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës, e nënta radhazi, u shoqërua me momente tensioni.
Mbështetësit e Partisë Demokratike hodhën bomba molotov drejt godinës së Bashkisë. Një prej shisheve molotov goditi fillimisht një shtyllë dhe u kthye duke rënë te gazetarët dhe operatorët që po mbulonin protestën.
Hedhja e bombës molotov tek gazetarët ka shkaktuar momente paniku. Vetëm reagimi i shpejtë i tyre ka bërë që të shpëtojnë pa u dëmtuar. Ndërsa policia ka ndërhyrë duke shuar zjarrin menjëherë.
Opozita kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pasi SPAK arrestoi ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës për korrupsion me tenderat.
Aktori Mehdi Malkaj, gjatë fjalës së tij nga protesta e opozitës para Bashkisë Tiranë, ka deklaruar se korrupsioni nuk luftohet nëse nuk largohet ideatori i saj Edi Rama.
Më tej Malkaj shtoi se korrupsioni është me shumicë, ose vidhet e gjithë Shqipëria, ose Shqipëria ikën në drejtim të paditur.
“Kam pasur një merak të madh, vallë a do të vijë policia sot?! Mirë se keni ardhur ju që jeni këtu dhe ju që jeni përtej gardhit. Besoj e keni marrë vesh që do të fillojë një luftë e madhe kundër korrupsionit. Unë i kam gjerët më të thjeshta, korrupsioni është me shumicë, ose vidhet e gjithë Shqipëria, ose Shqipëria ikën në drejtim të paditur. Gjyshja ime i pastronte shkallët nga lart poshtë, nuk mund të bëhet luftë kundër korrupsionit nëse ai beu i madh është atje ku është”, tha Malkaj.
- Teliti: Rama të detyrojë Veliajn që të japë shpjegime para Këshillit Bashkiak
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, gjatë fjalës së tij në protestën e opozitën para Bashkisë Tiranë, ka deklaruar se kryeministri duhet të detyrojë kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj të dalë pasnesër para Këshillit Bashkiak për të dhënë llogari.
Duke iu referuar fjalës së Ramës ditën e dijshëm në Kuvend ku u diskutua mbi një rezolutë për luftën kundër korrupsioni, Teliti tha se ata janë një grup i strukturuar që po tradhtojnë Shqipërinë e vjedhin pronën publike.
“Falenderim për qendresën tuaj të nëntë sot. Rama dje fliste për korrupsionin se si donte ai ta luftonte atë, e ka një provë të parë për ta dhënë pasnesër, ku është thirrur mbledhja e këshillit bashkiak. A do ketë fuqi të sjellë Veliajn para këshilltararëve të japë llogari? Ku kanë shkuar 30 mln eurot e drejtorëve të tij?
A do Rama të luftojë korrupsionin? Veliaj refuzon të bëjë transparencë. A ka fuqi ta detyrojë të vijë në Këshill e të japë shpjegon pse 6 mln iu morën shkollave e çerdheve dhe u çuan te inceneratori inekzistent? Nëse e sjell pasnesër atëherë mund të flasë se si luftohet korrupsioni. Por ata janë një grup i strukturuar që po tradhtojnë Shqipërinë e vjedhin pronën publike. Kështu siç jemi edhe sot, të vijojmë qendresën”, tha Teliti.
- Bashkia e Tiranës “rrethohet” me furgonë policie dhe qindra efektivë
Por në prag të nisjes së protestës, Veliaj duket shumë i shqetësuar dhe për këtë arsye nga protesta në protestë shton numrin e policëve të cilët janë të detyruar të mbrojnë “korrupsionin galopant” që ushtrojnë titullarët e tyre në bashkinë e kryeqytetit.
Siç shihet nga pamjet, bashkia e Tiranës u rrethua nga furgonë të policisë si dhe të efektivëve.
Kujtojmë se protestat më herët kanë pasur përplasje mes protestuesve e efektivëve.