Kryeministri shqiptar i sotëm, ashtu si edhe paraardhësi i tij, pëlqen t’ia hedhë fajin Evropës për mungesën e integrimit të Shqipërisë dhe të pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Por a mundet me të vërtetë ta ketë fajin Evropa dhe jo ne?
Nga Gjergj Erebara
Edhe një herë, kryeministri Edi Rama ia hodhi fajin Evropës për mungesën e progresit të Shqipërisë (dhe të pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor) në rrugën drejt integrimit Evropian. Duke folur në Milano, dhe duke bërë viktimën e padrejtësive të medias dhe politikës evropiane, Rama tha: “Ndërsa Bashkimit Europian iu desh të zvarritej dhjetëra vite me të ashtuquajturin zgjerim derisa carizmi rus u shfaq si ajo gjilpëra në sepeten e kasherit të pavdekshëm duke hapur luftën e parë pushtuese në këtë kontinent pas 77 vitesh dhe duke e bërë Europën të fillojë të kuptojë më në fund se duhet të ribashkohet një orë e më parë përmes urave të demokracisë, jo të zgjerohet me hapin e breshkës përmes kanaleve të burokracisë.”
Nëse je në kërkim të ndonjë kompostoje të pavërtetash, mos shko më tutje. Sipas Ramës, nuk janë vendet e Ballkanit që zvarriten me politikën e tyre të korruptuar dhe të mbushur me krim, nuk është mungesa e reformave drejt shtetit ligjor dhe demokracisë liberare por është vetë Bashkimi Evropian ai që “zvarritet”. Imagjino: Bashkimi Evropian është një projekt funksional paqeje dhe zhvillimi dhe vlerash të përbashkëta që vijon që kur u themelua dekada më parë dhe që, pavarësisht problemeve të ndryshme, ka mbijetuar, jo përmes shtrëngimit, por përmes mirëkuptimit. A mundet që ky trup kaq i madh, referencë e mirëqenies, shtetit social, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, të jetë duke “u zvarritur?”
Hedhja e fajit te Evropa është një keqbërje historike e udhëheqësve shqiptarë që nga fillesat e shtetit shqiptar. Dikush tha se Evropa është kurvë, dikush aludoi se Evropa na e ka me hile dhe po kërkon të na grabisë pasuritë imagjinare të nëntokës sonë ndërsa ka të tjerë rrotull që aludojnë se “Evropa nuk na do” sepse “jemi myslimanë.” Dhe fabula e Ramës se “Evropa zvarritet” apo “ecën me hap breshke” për integrimin, është në vijimësinë e teorive me komplot botëror që e paraqesin Shqipërinë qendrën e botës.
Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë, në vitin 2003, në Samitin e Selanikut, që të jetë i hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor. Integrimi i këtyre vendeve është një projekt për shtrirjen e paqes, shtetit të së drejtës, mirëqenies dhe të drejtave të njeriut edhe në këtë pjesë të kontinentit ku të shtënat e armëve nuk janë harruar ende. Natyrisht që BE ka interes që në Ballkan të ketë paqe dhe jo telashe, por logjikisht është Ballkani ai që duhet të jetë i etur dhe duhet ta ketë si sfidë për t’u realizuar integrimin evropian dhe jo anasjelltas. Me pak fjalë, është Shqipëria ajo që nuk bën dot pa BE-në dhe nuk ka ndonjë alternativë për arritjen e mirëqenies, shtetit të së drejtës dhe sigurimit të të drejtave të njeriut përveçse përmes integrimit evropian.
Pastaj vjen konkluzioni i Ramës që BE “po zgjerohet me hapin e breshkës”. Me të vërtetë? A mos është BE që po zgjerohet me hapin e breshkës, apo, logjikisht, e kundërta është më e vërtetë? Pra që është Shqipëria dhe Ballkani që po ecën me hapin e breshkës, ose, më saktë, po bën hapa pas, falë udhëheqjes së Ramës apo të Vucic apo të Dodik e të tjerëve?
Bashkimi Evropian nisi në vitin 1951 si organizim i gjashtë vendeve: Belgjikë, Francë, Itali, Luksemburg, Holandë dhe Gjermania Perëndimore. U deshën 23 vjet që në këtë projekt të shtoheshin, në vitin 1973, Danimarka, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar. U deshën edhe tetë vjet që në BE të shtohej Greqia, në vitin 1981 dhe pastaj pesë vjet të tjera që të shtohej Spanja e Portugalia, dy vende që kanë qenë nën diktaturë deri vonë. Suedia e Finlanda u anëtarësuan në vitin 1995, Evropa Lindore në vitin 2004 e Bullgaria e Rumania, në vitin 2007.
Në fakt, kushdo që ka pak njohuri mbi tre dekada të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, mund të vërejë se, në fakt, nuk është BE-ja që po zvarritet “me burokraci”, siç e quan Rama: dukshëm janë udhëheqësit me kredenciale të dyshimta demokratike si Rama e Vuçiç ata të cilët po e mbajnë peng integrimin e Ballkanit Perëndimor, jo se u pëlqen apo nuk u pëlqen BE-ja, por për shkak se shteti i së drejtës, kriteri kyç për integrim, bie ndesh me interesat e tyre për pushtet. Shto këtu edhe opozitat destruktive, Rama në vitet 2005-2013 e Berisha, Basha e Meta pas vitit 2013, të cilat e shohin integrimin evropian si një fatkeqësi për shanset e tyre për pushtet dhe që për rrjedhojë, e sabotojnë me aq sa mundin.
Për shembull, Rama, në kohën kur ishte në opozitë, kishte për detyrë që të bashkonte votat me maxhorancën për një numër reformash, të kërkuara nga Brukseli, të njohur si dymbëdhjetë kushtet. Parë nga distanca, këto kushte ngjajnë sot çuditëse dhe kushdo mund të vrasë mendjen se çfarë dreqin kishin Rama dhe Berisha që nuk i realizonin.
Për shembull, një nga kushtet ishte që të zgjidhnin një avokat populli me kompromis. Një tjetër ishte që anëtarët e Gjykatës së Lartë, të mos i zgjidhni politikanë por t’i zgjidhnin gjyqtarë. Akoma një tjetër ishte, krijimi i një administrate publike civile, nëpunësit e të cilës të ishin zyrtarë karriere dhe jo të emëruar politikë të partisë së radhës. Përkundrejt realizimit të këtyre kushteve, Rama organizoi një grevë urie qesharake si dhe protesta të vazhdueshme, disa prej të cilave, të dhunshme.
Banaliteti i situatës u shfaq në një debat që konsumoi vendin për muaj të tërë dhe që lidhej me një person të quajtur “kryetari i këshilli të qarkut Fier”. Ishte një pozicion aspak i rëndësishëm, por që qeveria e kohës, me babëzinë e vet, po ia vidhte opozitës me mekanizma të presionit, të mundësuara nga abuzimi me pushtetin. PS në opozitë protestoi deri në atë pikë sa, thuhet se tha: “Integrimin e japim, kryetarin e këshillit të qarkut nuk e japim.”
Pas vitit 2013, opozita vijoi me të njëjtën lojë. Sa herë që vendi përballej me një ngjarje të rëndësishme, me një pikë vendimtare kur integrimi mund të çohej përpara, aq herë opozita hidhte ndonjë bombë molotov te kryeministria, apo ngrinte çadrën në shesh.
Megjithatë, opozita destruktive, ajo e PS para vitit 2013 dhe ajo e PD pas vitit 2013, nuk është tamam përgjegjësja e vetme e mungesës së integrimit. Është qeveria destruktive përgjegjësja ndërsa opozita është thjeshtë një bisht.
Aktualisht integrimi Evropian i Shqipërisë është bllokuar, që prej shumë dhe shumë vitesh, për shkak se vendi ynë “nuk plotëson standardet”. Standardet përmblidhen në 35 kapituj, të cilat bartin akoma më shumë kritere. Kriteret përfshijnë pothuajse çdo gjë që ka të bëjë me shtetin e së drejtës, nga standarded infrastrukturore te detyrimi për të ndërtuar kanalizime të ujërave të zeza apo për të monitoruar cilësinë e ajrit dhe ndaluar ndotjen.
Disa nga kriteret janë shumë të thjeshta. Për shembull, njëri thotë se një vend anëtar duhet të jetë një “demokraci liberale”. Kjo do të thotë që parlamenti, si përfaqësues i popullit, duhet të ushtrojë kontroll mbi ekzekutivin, pra mbi Ramën. Parlamenti ushtron kontroll në disa mënyra mbi ekzekutivin: njëra janë instrumentet që ka në dorë opozita, të tilla si thirrja për interpelancë dhe komision hetimor. Një tjetër është liria e deputetëve të shumicës për të kontrolluar punën e ekzekutivit. Fakti që Rama emëron deputetët sipas qejfit të tij dhe se deputetët, për rrjedhojë, nuk i kërkojnë llogari atij, kjo e bën Shqipërinë një demokraci jo-liberale. Dhe sabotimi prej tij i aftësisë së opozitës për të mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e veta është gjithashtu një problem i shkaktuar prej tij.
A mundet ta ketë fajin për këtë “zvarritja” apo “burokracia” e Brukselit? Zgjidhja për këtë është që vendi të bëhet një demokraci liberale, pra që Rama të jetë nën kontrollin e parlamentit dhe jo parlamenti, nën kontrollin e Ramës. Ndërsa kjo është diçka që afërmendësh, nuk mund të presësh që të ndodhë me vullnet të lirë të Ramës, le të shohim ca gjëra të tjera, kritere që BE ka vendosur, realizimi i të cilave, ndërsa kërkon pak impenjim nga qeveria, nuk e cënon pushtetin e saj. Le të shohim, fjala vjen, kriterin për menaxhimin e mbeturinave. Që Shqipëria të integrohet, do të duhet që fillimisht të grumbullojë mbeturinat, t’i riciklojë ato në masën më të madhe të mundshme dhe të groposë në landfille që plotësojnë kriteret, pra që nuk ndosin mjedisin.
Çfarë bën Rama? Në kundështi të plotë me rregullat e BE-së dhe pasi u paralajmërua në mënyrë të përsëritur nga raporte të njëpasnjëshme të Progresit, vendos të japë koncesione për incineratorë. Incineratorët nuk u ndërtuan dhe tani vendi do të duhet të zgjidhë telashin me një punë jo kaq të komplikuar. Shqipëria duhet të vendosë kazanë plehrash, të bëjë seleksionim të tyre, të riciklojë sa më shumë të jetë e mundur dhe të groposë në landfille që plotësojnë kriteret, pjesën e mbetur. Dhe pjesa më e madhe e vendit mbetet sot e kësaj dite pa landfille. Në Kukës e qytete të tjera të veriut, plehrat digjen në fushë. Në Berat hidhen në lum. Në Vlorë landfilli ka mbetur pezull. Ose, fjala vjen, një nga kriteret e BE-së është që ujërat e zeza të mos derdhen në Lanë.
Një projekt ka nisur që nga viti 2008 për të bërë impjant përpunimi për Tiranën. Projekti ka ngecur. Puset që duhej të lidhnin impjantin e përpunimit në Kashar me sistemin e ujërave të zeza të Tiranës janë pezull sot e kësaj dite në rrugën e Kombinatit. Normalisht duhet që qeveria të shohë se ku shkuan paratë dhe se pse projekti është bllokuar dhe si mund të ecet përpara. Në vend të kësaj, ujërat e zeza derdhen tashmë jo vetëm në Lanë, por edhe në liqenin artificial të Tiranës.
A mundet që ta ketë fajin burokracia e BE-së për këto? Jo, më shumë gjasa fajin për këtë punë e ka korrupsioni apo paaftësia qeveritare. Teoritë që ia hedhin fajin Evropës për mungesën e integrimit duhen parë si vijimësi e teorive me ilirë dhe pellazgë dhe gjuhë shqipe si origjina e të gjithë gjuhëve të botës dhe Shqipërisë si qendra e botës. Është qesharake që për problemet e tua t’ia hedhësh fajin Brukselit, në një kohë kur integrimi evropian të intereson ty ku e ku më shumë se sa i intereson Evropës.