Kumbari është romani i shumëshitur i shkrimtarit amerikan Mario Puzo, në të cilin ai ekspozoi jetën e bandave mafioze të Nju Jorkut. Kritikët letrarë kanë një vërejtje shumë të arsyeshme për teknikën e narracionit të Puzo-s, teknikë që e paraqet shkrimtarin në pozicionin e Zotit. Në botën reale, pesë dekada pas, një dosje e SPAK jep një mundësi që duket se e sfidon kritikën që iu bë Puzo-s: dosja e shtatë bandave paraqet krimin e rrëfyer nga ata vetë, përmes komunikimeve të kryera në aplikacionin Sky ECC.
Nga Gjergj Erebara
Në vitin 1969, shkrimtari amerikan Mario Puzo bëri goditjen e jetës së tij me romanin Kumbari, një sagë mbi një familje mafioze imagjinare italo-amerikane në Nju Jork. Romani ishte aq i fuqishëm për nga përmbajtja dhe thellësia e njohurive mbi botën e krimit sa, ndërsa u pëlqye nga shumë, u pa me dyshime nga disa. Disa sugjeruan se Puzo ishte vetë një mafioz dhe se po rrëfente jetën e tij. Ose se libri, në vetvete, duke paraqitur në roman një botë krimi, përbënte edhe një lloj justifikimi moral për krimin dhe ishte në një farë mënyre, një fushatë pozitive marrëdhëniesh publike për grupet mafioze, një farëlloj normalizimi të jetës së dhunshme dhe të dhunës mafioze përmes mesazhit të nënkuptuar: jetojmë në xhungël, mbijeton më i forti!
Puzo iu përgjigj kritikëve me një publikim, tre vjet më vonë, të quajtur The Godfather Papers and Other Confessions, (Letrat e Kumbarit dhe rrëfime të tjera) në të cilat shpjegoi punën studimore mbi krimin që ai kishte bërë para shkrimit të romanit.
Një nga kritikat që iu bë romanit nga pikëpamja e teknikës letrare ishte ajo që disa e quajnë “shkrimtari tip zoti”. Shkrimtari tip zoti është ai që i rrëfen ngjarjet nga sipër, pra nga pozicioni i Zotit. Por Puzo e dërgon në ekstrem këtë teknikë, duke rrëfyer ngjarjet praktikisht nga dy herë. Narracioni zhvillohet në këtë mënyrë: njëri kapitull rrëfen, fjala vjen, ngjarje që fillojnë të hënën dhe mbarojnë të enjten. Ndërsa lë pikëpyetje pa përgjigje në të, Puzo i jep përgjigjet në kapitullin vijues duke rrëfyer të njëjtën ngjarje nga këndvështrimi i një personazhi tjetër, ku ngjarja kësaj here fillon të mërkurën për të përfunduar të premten. Është një teknikë letrare aspak bindëse. Shkrimtari nuk mund të jetë Zot dhe nuk mund të shohë se çfarë bëjnë personazhe të ndryshme apo kundërshtare në të njëjtën kohë. Vetëm se përmbajtja e romanit të Puzos dhe informacioni që ai jep në të është aq e fuqishme, nga kjo puna e shkrimtarit tip zoti harrohet shpejt nga lexuesi që zhytet në të.
Në vitin 2024, në Shqipëri, prokurorët e SPAK dhe partnerët perëndimorë ofruan mundësinë që lexuesi i një dosjeje të tyre që po njihet si “dosja e shtatë bandave” të marrë, pothuajse, rolin e Zotit dhe aftësinë për të parë nga lartë ngjarjet e zhvilluara përgjatë një periudhe afro një vjeçare, nga këndvështrime shumë të ndryshme të mbi 50 pjesëmarrësve në këto ngjarje, të cilët lanë dëshmi të punëve të tyre përmes komunikimeve që bënë përmes një aplikacioni të cilin e besonin si të papërgjueshëm. Është të fakt një rast unik. Nuk ka shumë hetime në të cilat, fjalët e vetë të dyshuarve të jenë dokumentuar në mënyrë kaq solide nga çfarë ata vetë thanë apo shkruan.
Natyrisht që ndryshe nga Puzo, i cili, nga pozicioni i shkrimtarit tip zoti përshkruante, jo vetëm ngjarjet, por edhe ndjenjat dhe mendimet e personazheve të tij, dosja e shtatë bandave bart vetëm komunikimet faktike të mbi 50 personazhe të botës së krimit. E megjithatë, lexuesi i dosjes, e cila vijon të jetë teknikisht sekret hetimor pavarësisht se është publikuar praktikisht e tëra nëpër portalet e lajmeve, ofron një këndvështrim prej Zoti, për aq sa është e mundur për njeriun, mbi bandat kriminale dhe luftën mes bandave.
Pjesa e parë e dosjes përshkruan ngjarjet nga celulari sekret i Arben Ndokës, ish-deputetit socialist, drejtues i asaj që mund të quhet mirëfilli “familje krimi”. Mes bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë është Arian Tuku, i përshkruar nga prokuroria si bashkëjetues apo i fejuar i vajzës së Ndokës, nipi i tij (djali i vëllait), i riu Samuel Ndoka, (në kohën e ngjarjeve, pra në vitin 2020, vetëm 22 vjeç), apo Vinçens Tuku, vëllai i Arianit.
Përgjatë të gjithë vitit 2020, Ndoka paraqitet nga komunikimet e atij vetë si një njeri i fiksuar për hakmarrje. Ai ka një dëshirë të ethshme të vrasë Durim Bamin, për të cilin dyshon se i ka vrarë të vëllain, si dhe për të vrarë Aleks Ndrekën, për të cilin dyshon se ka ndihmuar vrasësit e të vëllait. Ai angazhon së paku katër grupe vrasësish dhe së paku pesëmbëdhjetë persona, duke ofruar shuma nga 100 mijë euro e më shumë për kokat e armiqve. Ndërsa ai angazhoi katër grupe vrasësish, të cilët e ndoqën Bamin në Fushë-Krujë, Tiranë, Kamëz, Dhërmi e Ksamil, vetë disa prej të supozuarve si vrasës dukej se kishin arsye të shëndosha për të dyshuar se mund të mbeteshin të papaguar ose të vrarë pas kryerjes së “punës”. Ndoka gjithashtu kishte rënë dakord me Ervis Martinajn që pagesa për vrasësit e Bamit duhej të bëhej prej këtij të fundit.
Vrasësit e angazhuar nga Ndoka në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte dështuan në atentatet e kryera ndaj Durim Bamit në nëntor 2020 dhe Aleks Ndrekës në dhjetor 2020. Këto dështime, kuptueshëm sollën plane për kundërveprim. Në një botë si kjo, ndoshta shprehja e Nietzsche se çfarë nuk të vret, të bën më të fortë, është e vlefshme. Në janar 2021, Bami angazhon grupe vrasësish kundër Ndokës. Ashtu si Ndoka angazhon disa linja vrasësish kundër Bamit, edhe Bami organizon disa pista vrasësish kundër Ndokës. Një prej kartave të Bamit e ka emrin Endrit Dokle, një personazh i krimit në burg. Një tjetër e ka emrin Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Një ngjarje paralele zhvillohet nga mesi i qershorit të vitit 2020 dhe ka të bëjë me planet e Elson Reçit për të vrarë Preng Gjinin. Planet përfundojnë me një bombë të shpërthyer në mes të ditës në Tiranë, në urën e Tiranës së Re mbi Lanë, referuar edhe si ura e Nishërak-ut, në të cilën, Gjini u plagos rëndë ndërsa bomba e vendosur nën kofanon e anës së pasagjerit nga një personazh që mund të konsiderohet si vrasës profesionist, shkaktoi edhe lëndimin e dy qyetarëve kalimtarë të rastit.
Një ngjarje e tretë paralele nis në korrik 2020, kohë kur Ervis Martinaj planifikon eliminimin e tre kundërshtarëve të tij, ku kryesori dukej se ishte Leonard Duka. Dhe po në korrik, Martinaj porosit dy vrasje të tjera.
Të dhënat që fillojnë nga qershori 2020 sugjerojnë se në fakt Leonard Duka ka planet e tij kundër Martinajt. Ai jo vetëm që porosit vrasës, por i thotë bashkëpunëtorëve të ngushtë se duhet të përhapin fjalë, sikur ai është i gatshëm të japë, jo shifra te zakonshme për vrasje, 100 mijë apo 200 mijë euro, por 1 milionë euro. Thashethemet që ai duhet të përhapë janë në fakt një fushatë marketingu. Ai sugjeron se duke përhapur informacione të tilla, grupet e banditëve do të nuhasin se ai është më i fuqishëm se sa Martinaj e për rrjedhojë, do të afrohen me të.
Ndërsa bëjnë plane të pafundme për vrasje, të gjitha palët janë të angazhuar në jetën e tyre. Ata merren me trafik droge apo organizojnë lojëra fati të paligjshme, bien në burg, dalin nga burgu, bëjnë seks dhe përdorin vajza për të futur në kurth njëri-tjetrin. Disa fshihen nga hasmi, disa të tjerë guxojnë të shkojnë në plazh dhe të shullohen në shezllong pavarësisht se janë në dijeni se janë nën shënjestrën e shumë vetave. Ka vrasës që përfundojnë të vrarë dhe kriminelë që, në një episod shfaqen duke ruajtur një shënjestër për ta vrarë ndërsa në tjetrin, janë duke ruajtur punëdhënësin e tyre të mëparshëm për llogari të ish-viktimës. Apo se si, një kryetar bande, për të hequr rrezikun nga vetja, sugjeron përhapjen e thashethemeve të rreme sikur atentatin e ka bërë një aleat i tij, jo ai vetë. Disa prej personazheve të dosjes janë në burg për krime të tjera, disa janë në arrati dhe disa janë nën dhe. Së paku njëri mendohet se është i zhdukur. Jetët e tyre, të treguara nga ata vetë, sugjerojnë se ata kanë po aq pak vlerësim për jetën e vet sa kanë edhe vlerësim për jetën e armiqve që planifikojnë të vrasin apo i vrasin, bashkë me viktimat rastësore të bombave dhe atentateve të goditjeve në publik.
Me pak fjalë, është një botë që nuk ka nevojë për fantazinë e Mario Puzo-s sepse aktorët e kanë shprehur veten me shkrim. Kjo e vendos lexuesin aq afër pozicionit të Zotit mbi ngjarje të tilla sa mund të jetë e mundur për vdekatarët./BIRN