Prokuroria e Shkodrës në një komunikim për mediat ka ndarë më shumë detaje rreth tragjedisë në familjen Arrazi, ku deri më tanë janë gjetur trupat e dy fëmijëve, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave të nënës dhe fëmijës së tretë.
Prokuroria e qytetit verior ka zbardhur të plotë itenerarin e Alma Arrazit, përpara se të ndërmerrte aktin e rëndë.
Sipas Prokurorisë, nga kamerat e sigurisë pasditen 2 majit Alma Arrazi bashkë me 3 fëmijët ka pirë kafe me kunatën, motrën e burrit. Bashkë me të kanë qëndruar për rreth 2 orë, dhe pasi ka dalë jashtë, e ka informuar se do ta merrte i vëllai me taksi dhe do të shkonte një javë tek shtëpia e tij që të qetësohej.
Prokuroria thotë se deri në këtë fazë janë krijuar ‘dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi Erdgys Arrazi, si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e Alma Arrazit, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.
Janë administruar pamje filmike të marra nga lokali në lagjen “Iliria”, ku dallohet momenti që 39-vjeçarja del me kunatën e saj. Më pas, duket ajo së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perëndimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02 maj.
- Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar procedimin penal nr. 511/2024, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, referuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit E.A.
Nga të dhënat e akteve të hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se në datën 03.05.2024, rreth orës 17:30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, shtetasi E.A., i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij A.A., bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur. Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 02.05.2024, pasdite, shtetasja A.A. me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku shtetasja A.A. i ka thënë shtetases V.P. se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një jave tek shtëpia e tij që të qetësohej. Më pas është ndarë nga kunata, ku shtetasja A.A. bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër.
Janë administruar pamje filmike të marra nga lokali në lagjen “Iliria”, Shkodër, ku dallohet momenti që shtetasja A.A. del me kunatën e saj. Më pas, duket shtetasja A.A. së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perendimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02.05.2024.
Në vijim nga ana e shërbimeve të policisë është bërë shpallja në kërkim policor e shtetasve A.A. e datëlindjes 15.11.1985, E.A. e datëlindjes 20.10.2015, G.A e datëlindjes 17.09.2015 dhe A.A. i datëlindjes 27.03.2021. Rezulton se në datën 04:05.2024 rreth orës 22:00, shërbimet e policisë janë njoftuar se ështe gjetur trupi i pa jetë i një fëmijë të mitur, në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njesia Administrative Dajç, identifikuar si shtetasja E.A. e datëlindjes 20.10.2015. Është bërë kqyrja e kufomës së shtetases E.A. në prani të mjekut ligjor, ku nga kqyrja e jashtme nuk janë kosntatuar shenja dhune. Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasen E.A., me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Nga ana e policisë gjyqësore është ushtruar kontroll banese shtetasit E.A., ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme.
Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases A.A., e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.
Në këto kushte është kryer ndalimi i shtetasit E.A., si i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.
Vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itenerarit të shtetases A.A. dhe fëmijëve të mitur, vijon pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe kryerja e hetimeve të tjera me qëllim për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të faktit penal dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale.”, njofton Prokuroria.
- Flet vëllai i Erdgys Arrazi
Vëllai i Ergys Arrazit, Edison Arrazi ka thënë se Alma Arrazi është respektuar në shtëpi, pasi ishte nusja e shtëpisë.
Ai tha se vëllai i tij nuk ka ushtruar dhunë ndaj nuses së tij. Sipas tij, familja Arrazi ka bërë gati katër arkivole, një për nënën e fëmijëve dhe 3 për vogëlushët.
Edison Arrazi ka thënë se në dijeninë e tij, i vëllai Ergysi nuk e tradhtonte bashkëshorten.
Flet Edison Arrazi, vëllai i Erdgys Arrazi: “Është një ngjarje shumë e rëndë që na ka ndodhur në familjen tonë sepse ende nuk janë gjetur dy trupat e tjerë dhe dy i kemi të vdekur. Dua të sqaroj opinionin publik se vëllain tim e njeh e gjithë Shkodra sepse ka punuar në servis celularësh. Është e pavërtetë se vëllai ka ushtruar dhunë psikologjike apo fizike ndaj nuses tonë të shtëpisë.
Ne pas ngjarjes së rëndë kemi bërë katër arkivola dhe nusen do ta përcjellim bashkë me të tre fëmijët. Ajo ka qenë nusja jonë dhe ne e kemi dashur dhe respektuar. Sa i përket ngjarjes nuk është e vërtetë se vëllai e ka dhunuar. Prokuroria na ka dhënë leje që vëllai të vinte në varrim dhe policia nuk e lejoi që ti hidhte një grusht dhe vajzës që varrosëm sot. Unë dua ti bëj thirrje të gjithëve që të mos nguten dhe të na lënë kohë që të dalë e vërteta e ngjarjes. Vëllai dhe nusja kanë shkuar shumë mirë dhe nuk kanë patur probleme siç po akuzohet gjithandej. Unë dua që vëllai të vijë në shtëpi dhe të varrosim edhe vajzën tjetër që u gjet sot. Faktet janë gjithandej se nuk është dhunues vëllai im sepse e njohin të gjithë.
Ne kemi jetuar në një shtëpi sëbashku dhe nëse ka patur dhunë të paktën njëherë do e kishte denoncuar ose do kishte trokitur në dyert e ndonjë shoqate ose do e kishte gjetur një zgjidhje. Ne i kemi njoftuar për çdo gjë familjen e nuses tonë, që nga momenti i parë dhe deri më tani. Sot nuk kanë qenë në varrim por e dimë se dhimbja edhe për ata është po aq e madhe sa e jona. Edhe ata janë të respektuar nga ana jonë. Nusja është trajtuar prej shumë kohësh me ilaçe për stresin dhe depresionin. Nuk është se ka qenë në një gjendje të rënduar por herë pas herë ka marrë ilaçe. Ngjarja është shumë e rëndë dhe jemi tejet të ngarkuar. Unë për vete kam tre ditë që kam dalë nga burgu. Bëra katër vite burg dhe nuk e di ende se për çfarë i bëra sepse me kanë dënuar për bimë narkotike gjë që nuk është e vërtetë”
Kafja me kunatën
“Nusja ime dhe nusja e vëllait atë pasdite kanë dalë si gjithmonë për të pirë kafe bashkë më fëmijët sepse kanë dalë shpesh sëbashku. Pasi kanë konsumuar kafen i ka thënë nuses time se do nisem për në Durrës dhe do vijë të më marrë vëllai. Nuk ka shfaqur asnjë problem gjatë qëndrimit në kafe dhe është sjellë krejt normalisht. I ka thënë se kam folur me burrin për vëllanë tim dhe se do iki për Durrës sepse më merr vëllai”, tha ai.
Dyshimet për tradhti
“Unë nuk e di se ka patur një lidhje tjetër vëllai po sikur të ketë patur edhe 20 lidhje ai veprim nuk është asnjëherë i justifikueshëm sepse është një ngjarje e rëndë. Në dijeninë time nuk di të ketë patur lidhje jashtëmartesore”, tha kunati.
- Gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë
Është gjetur një tjetër trup në lumin Buna, që dyshohet se i përket një prej fëmijëve të 39-vjeçares Alma Arrazi që dyshohet se u mbyt bashke me tre fëmijët disa ditë më parë. Ky është fëmija i dytë që gjendet, pas vajzës 9-vjeçare Ergesa që u gjet dy ditë më parë dhe u përcoll sot për në banesën e fundit.
Lajmi është konfirmuar dhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se sipas skenës që ka rindërtuar Policia, në të njëjtën zonë pritet të jenë të pajetë dhe trupi i fëmijës së tretë dhe i 39-vjeçares Alma Arrazi (Bushati).
“Sa është gjetur dhe trupi i një prej dy fëmijëve të tjerë dhe natyrshëm sipas asaj që policia ka rindërtuar si skenar i kësaj ngjarje tepër të rëndë, dyshohet se dhe trupi i nënës dhe fëmijës tjetër të jetë po në këtë zonë. Kështu që policia, RENEA, forcat kombëtare dhe peshkatarët do të vazhdojnë non stop për të gjetur dy të tjerët.” – tha Balla.
Mësohet se trupi i pajetë i gjetur sot i përket vajzës 6-vjeçares, teksa polumbarët e RENEA-së vazhdojnë kërkimet për gjetjen e djalit 3-vjeçar dhe trupin e 39-vjeçares Alma Arrazi.
Për ngjarjen e rëndë është arrestuar Erdgys Arrazi, bashkëshorti i Almës dhe babai i tre fëmijëve të mbytur. Ai akuzohet se ka shtyrë gruan me fëmijët drejt vetëvrasjes.
Nga familja e Almës, motra e saj, u ka thënë hetuesve se Erdgys Arrazi ushtronte dhune fizike e psikologjike ndaj 39-vjeçares e fëmijëve dhe vetëflijimi dyshohet se është pasojë e dhunës në familje. Dyshohet se Erdgys Arrazi e tradhëtonte bashkëshorten e tij, për të cilën Alma kishte marrë dijeni. Madje pretendohet se Erdgysi e nxirrte live të dashurën e tij në celular, dhe ia tregonte vajzës 9-vjeçe, Ergesës.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se Alma Arrazi është hedhur nga ura e lumit të Bunës mbrëmjen e 2 majit bashkë me tre fëmijët e saj. Në kamerat e sigurisë, 39-vjeçarja është parë se para vetëflijimit, ka pirë kafe me kunatën, me të cilët është ndarë qetësisht.