Flet Avokat Lulzim Alushaj
Pas llogaritjeve të administratës tatimore për këstin e parapagimit të tatimit, nismës së avokatit Dr. Lulzim Alushaj për paditjen e ligjit “Për tatimin mbi të ardhuarat” në Gjykatën Kushtetuese iu bashkuan masivisht 400 profesionistë të fushave të ndryshme. Z. Alushaj pohon për “Monitor” se ligji u ankimua, pasi është antikushtetues dhe cenon barazinë mes tatimpaguesve, shtetin e së drejtës dhe shkel konkurrencën. Në rast të mosshfuqizimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, sipas avokat Alushaj, efektet e zbatimit që nga rritja e çmimeve te shërbimet, dalja nga skema e tatimeve dhe mbyllja e subjekteve, deri tek emigrimi i shtresës së mesme do të jenë të menjëhershme.
Në Gjykatën Kushtetuese është dërguar më 19 prill 2024 një tjetër padi ndaj ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” për shkeljen e kushtetutshmërisë dhe paligjshmërinë e zbatimit të ligjit. Cila është pjesëmarrja e profesioneve të lira që kanë firmosur për organizimin e kësaj padie masive?
Në Gjykatën Kushtetuese është depozituar, më datë 19 prill 2024, një Kërkesë për pezullimin pjesor të disa neneve të Ligjit nr. 29/2023 dhe shfuqizimin e tyre, pasi bien në kundërshtim me Marrëveshjen Ndërkombëtare, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligje të tjera në fuqi.
Kjo Kërkesë është bërë me nismën e Av. Dr. Lulzim Alushaj, i cili është drejtues i Studios Ligjore “Legale Albania”, me seli në Tiranë, që fillimisht e ka ideuar dhe ndërrmarrë i vetëm këtë aksion me kolegët e Studios dhe më vonë i janë bashkuar Shoqata e Biznesmenëve Italianë në Shqipëri (A.I.I.A.), Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve dhe 151 profesionistë të lirë në fushat e IT, Avokati, Auditues, financierë, përkthyes, konsulentë mbi pasuri të paluajtshme etj.
Duhet theksuar që interesi ka qenë shumë më i lartë pasi janë regjistruar gati 400 profesionistë të interesuar, por për arsye edhe të organizimit dhe shpejtësisë është vijuar vetëm me 2 shoqatat dhe 151 profesionistët e lirë.
Të gjitha fazat e përgatitjes së kërkesës janë bërë pa asnjë pagesë ndaj Studios Ligjore, pasi kjo Kërkesë vjen si nevojë për reagim dhe ndërgjegjësim që duhet të kemi ndaj padrejtësive dhe shkeljeve individuale apo masive të të drejtave që vijnë nga cilido institucion publik (Ligjvënës, Ekzekutiv, Gjyqësor).
Është rasti kur mund të themi që Avokatia nuk është vetëm një profesion, por edhe mision.
Cilat janë argumentet ligjore mbi të cilët mbështetet ankimimi juaj në Gjykatë? Ku bazohet shkelja e Kushtetutës dhe moszbatimi i ligjit?
Ligjit dhe VKM-së së kundërshtuar iu është bërë një ekzaminim substancial në një Kërkesë që së bashku me provat e aktet e përfaqësimit shkojnë në 660 faqe, kryesisht janë marrë në konsideratë: Cenimi i parimit të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit;
Cenimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe profesionit;
Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike – Parimet e sigurisë juridike dhe mbrojtja e pritshmërisë së ligjshme, Paragjykimi i hyrjes në profesionet e lira dhe rëndësinë e vazhdueshmërisë së profesioneve të rregulluara (ose jo); Cenimi i drejtpërdrejtë i konkurrencës dhe ngritja artificiale e çmimeve të shërbimeve, arsyetimi mbi pasojat që sjell aplikimi i Ligjit dhe pezullimin e pjesshëm të tij etj.
Tashmë, subjekteve fizike dhe të vetëpunësuarve u kanë ardhur vlerësimet me detyrimin e këstit të parapagimit për tatimin. A është korrekte përmbajtja juridike për dërgimin e tyre, si dhe llogaritjet e detyrimit? A janë përfshirë argumentet ligjore pas fillimit të njoftim–vlerësimeve të tatimeve ndaj subjekteve?
Në fakt, Ligji kur flet për person fizik dhe të vetëpunësuar bie ndesh me shumë ligje të tjera në fuqi, si p.sh. është Ligji nr. 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” apo Ligji nr. 131/2015 “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit” dhe një sërë Rregulloresh dhe Direktivash të E.U.
Nxjerrja dhe llogaritja e kësteve të parapagimit të tatimfitimit është detyrë e Drejtorive Tatimore dhe sigurisht që ato duhet të aplikojnë parashikimet ligjore në fuqi, për sa kohë nuk kanë asnjë ndalesë.
Nuk mund t’i hyj interpretimit të tyre, pasi nuk jam në dijeni të përmbajtjes specifike të tyre por, nga sa na rezulton nga parashikimet e Ligjit nr. 29/2023, VKM nr. 753/2023 dhe Udhëzimeve të nxjerra, vetë Ligji i cituar më sipër është antikushtetues dhe për këtë arsye i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetues me kërkesën urgjente të pezullimit të efekteve të nenit 12, pika 1, nenit 24, pika 2, nenit 69, pika 1, shkronja “dh” dhe shkronja “ë” të Ligjit nr. 29/2023 dhe nenit 4 të VKM nr. 753, datë 20.12.2023, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.
Në anën tjetër, në Gjykatën Kushtetuese janë dërguar më parë edhe dy padi të tjera ndaj këtij ligji me objekt shkeljen e barazisë ndaj tatimpaguesve. Çfarë do të thotë kjo nga ana juridike që një ligj pa nisur mirë nga zbatimi, paditet tre herë?
Kontestime ky Ligj ka pasur që në fazën e konsultimit publik me grupe të interesit dhe aktivizimi i kujtdo, që pretendon se i preken të drejtat dhe ka pasoja nga vendimmarrja ligjvënëse, për të kundërshtuar një Ligj bën pjesë në garancitë kushtetuese që parashikohen shprehimisht edhe në Kushtetutën tonë.
Në fakt, për një Ligj të tillë, duke arsyetuar mbi pasojat që do të sjellë nga ana sociale, ekonomiko/financiare, dhe të cilësisë së profesioneve të lira, kërkesat duhet të ishin më të shumta, pasi preket një pjesë e rëndësishme e shoqërisë së këtij vendi.
Në rastin e kërkesës që kemi ndjekur dhe depozituar në Gjykatën Kushtetuese, me të gjithë pjesëmarrësit si kërkues që kemi konsultuar, jemi përpjekur të arsyetojmë përplasjet reale që ky Ligj sjell, në krahasim me disa të drejta kushtetuese që individët dhe subjektet kanë dhe duhen mbrojtur.
Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha elementet e duhura dhe lartësinë e rolit kushtetues që të pezullojë efektet e disa neneve të këtij Ligji dhe t’i shfuqizojë ato si në kundërshtim me Kushtetutën, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, GJEDNJ, GJED.
Në vlerësimin tuaj, çfarë efektesh pritet të shkaktojë te bizneset zbatimi i këtij ligji, nëse Kushtetuesja nuk vendos pezullimin?
Këto ditë po flitet gjerësisht për fillimin e aplikimit të Ligjit dhe efektet që do të japë ky aplikim te profesionet e lira dhe tregun në tërësi.
Taksimi masiv, pa asnjë kriter ndarës edhe vetë brenda kësaj kategorie, i shtresës së profesioneve të lira në një kohë kur vendi ende vuan pasojat e tkurrjes dhe mbylljes nga pandemia Covid-19, rritjes së çmimeve nga luhatja e këmbimit të monedhave të huaja, disa reformave që kanë penalizuar disa profesione (reforma në drejtësi ka prekur kryesisht profesionet e lira si Avokatia, Përmbarim dhe Noteria) dhe nga pasojat e disa luftërave në shtete jo shumë larg Shqipërisë, janë një barrë shumë e lartë që nuk mund të përballohet.
Efektet janë të menjëhershme, si rritja e çmimit te shërbimet, ulja e cilësisë, ulja e konkurrencës, dalja nga skema e tatimeve dhe më të vona si mbyllja e subjekteve, emigrimi i kësaj shtrese dhe humbja e interesit të brezit të ri ndaj këtyre profesioneve./ MONITOR