Nëse duhet të pyesim se si shënohet një gol, padyshim që një përgjigje mund ta japë mësë miri Vasil Ruci. Ish-sulmuesi legjendar i Flamurtarit kthehet të flasë në një intervistë për “Panorama Sport”.
Vlonjati prek disa problematika të cilat kanë të bëjnë me menaxhimin që u bëhet të rinjve në akademitë e vendit, faktin që Superiorja nuk dërgon dot lojtarë në ekipin kombëtar, si edhe sa shanse ka Shqipëria që të bëjë një surprizë në kampionatin europian të Gjermanisë.
Kombëtarja ka arritur një sukses të madh me kualifikimin në Europian, por përse sot nuk ka një lojtar nga kampionati shqiptar, çfarë nuk shkon?
Ekipet e kampionatit shqiptar, ose akademitë e tyre nuk janë bërë ende profesionale. Çfarë do të thotë kjo? Që të hysh në një akademi profesionale duhet të kalosh shumë filtra. Të gjitha këto akademi duhet ta kenë numrin e kufizuar.
Që të jesh në akademinë e një ekipi të mirë, duhet të kalosh disa kontrolle dhe detyrimisht këta fëmijë duhet të rriten me shumë trajnerë dhe jo vetëm me një.
Gjendja ekonomike na vendos padyshim në vështirësi, por duhet të kemi futbollistë që të përfaqësohen në ekipin e tyre dhe në ekipin kombëtar. Unë kam parë edhe akademinë e Arsenalit. Një ekip 17 vjeçarësh e stërvisnin 4 trajnerë të ndryshëm çdo ditë, por filozofia mbetej e njëjtë.
Arsyeja është e thjeshtë, është ekonomike. I bëjmë ekipet e vogla, më shumë që t’iu marrim lekët sesa t’i edukojmë në mënyrë profesionale që të dalin futbollistë në të ardhmen. Varet se çfarë objeksioni kanë ekipet. Nuk mund ta kthesh akademinë burim të ardhurash, por duhet të shpenzosh te moshat dhe të rritësh lojtarë që në të ardhmen do të sjellin edhe lekët.
Ne kemi ekipe në Superiore që nuk kanë ekonomi të mirë dhe detyrohen që lekët t’i nxjerrin nga akademitë, jo të gjitha. Gjithsesi, e rëndësishme është filtrimi i fëmijëve që stërviten në një ekip profesionist. Sepse prindi thotë që unë do të çoj fëmijën të bëjë sport sepse më edukohet. Por, jo, nuk duhet të mendojmë më kështu. Talentet duhet të rrinë nëpër akademitë.
Për t’iu rikthyer, mos ndoshta Kombëtarja e ka rritur shumë nivelin dhe ka krijuar një diferencë të madhe me nivelin e kampionatit shqiptar?
Doja ta cilësoja kështu. Jam në dilemë për diçka. Të kem një kampionat shqiptar shumë të mirë dhe një Kombëtare pak më të dobët apo një Kombëtare të mirë dhe një kampionat shumë të dobët. Këtë dilemë nuk e zgjidh unë, por duhet ta zgjidhin ata që drejtojnë futbollin në Shqipëri.
Nëse do të ishte në dorën tuaj, cilin opsion do të zgjidhnit nga kjo dilemë?
Unë do të doja t’i kisha të dyja shumë të mira. Por, ekipi kombëtar është për t’u admiruar sepse ka ardhur një nga brezat më të mirë. Një ndër ekipet më të mira që kemi pasur në historinë tonë.
Për t’u futur konkretisht te lojtarët, cili është boshti i Shqipërisë sipas Vasil Rucit?
Në përgjithësi ekipet kombëtare që janë të mira, kanë një bosht të fortë. Unë pretendoj se boshti i Kombëtares sonë të jetë, Gjimshiti, Asllani dhe Broja. Këta dy të fundit do t’i fitojmë me kalimin e kohës, kur edhe ata të fitojnë më shumë eksperiencë sepse janë akoma të rinj dhe pastaj do bëhet si puna e gjalpit që rreshket, çdo gjë do të jetë më e lehtë.
Sa i përket miqësoreve të fundit me Kilin dhe Suedinë, përpos rezultatit, çfarë shije ju kanë lënë?
Në ndeshjen e parë ndikoi më shumë edhe opinioni. Natyrisht edhe trajneri për të justifikuar këtë gjë, aktivizoi edhe lojtarë që duhet t’i shihte. Pastaj ndeshja e dytë ishte më ndryshe. Ndryshoi formacionin, dha idetë e tij që unë besoj se ai është një trajner i mirë. Në të dyja ndeshjet mendoj se Silvinjo ka nxjerrë konkluzionin se kush do të jetë në Europian.
Po thoni se edhe ato dilema që ka pasur, trajneri Slvinjo i ka mbyllur?
Për mua i ka mbyllur dhe nuk ka më dilema. Sado që jemi dy muaj para dhe të ndryshojë forma e një lojtari, mund të kemi vetëm lëvizje shumë të vogla. Për mua i ka mbyllur me këto dy ndeshje miqësore.
Si një ish-sulmues i famshëm, për kë “votoni” se duhet të shkojë në Europian nga ky repart?
Gjithmonë do të varet edhe nga ekipet kundërshtare. E dimë shumë mirë që ata janë shumë të fortë dhe për këtë na duhen lojtarë shumë të shpejtë që të kapim zonat e rivalëve. Për mua deri tani vendos për dy emra. Është mendimi im personal. Doja të kisha Brojën dhe Muçin në sulm. Por, çdo gjë do të varet edhe nga gjendja që do të jenë këta lojtarë kur të vijë ajo ditë.
Duke parë ato ndeshje kualifikuese, mund të befasojë Shqipëria në Europian, edhe pse grupi është shumë i fortë?
Gjëja më e mirë që na ndodhi tani është që i humbëm miqësoret. Kjo na tregoi që ne duhet të sakrifikojmë më shumë sesa duhet për të arritur që të kemi rezultate. Nuk po them vetëm nga ana fizike, por edhe sa të mençur jemi që të kapin rezultatin. Pse? Duhet t’i japim të drejtë ekipeve kundërshtare që ne jemi të dobët në pamje të parë, por në futboll besoj se ne nuk jemi të dobët. E dyta, lojtarët që ne kemi, luajnë nëpër kampionate europiane dhe nuk është problem inferioriteti. Ka ndodhur shpesh që ekipe si puna jonë mund t’i shohësh edhe në gjysmëfinale. Nuk kemi diferencë të madhe te lojtarët, por e gjitha është sa të zgjuar jemi për t’i përballuar këta kundërshtarë. Besoj se inteligjencën duhet ta vendosim në punë dhe besoj se do të kapim rezultat.
Në fund dua t’ju pyes për ndeshjen e famshme, Flamurtari-Barcelona, e cila do të përsëritet këtë vit në Vlorë, deri ku është organizimi?
Shoqata jonë i ka çuar ftesë Barcelonës. Ata e kanë pranuar ftesën dhe ka mbetur për t’u përcaktuar vetëm data që do të zhvillohet. Do të jetë bukur që të vijnë para Europianit, që edhe ne veteranët ta shikojmë me nostalgji atë kampionat. Besoj se do të vijnë të gjithë lojtarët që kanë luajtur me Barcelonën në atë kohë, deri tek i famshmi Lineker./ Panoramasport