Studimi i një universiteti kinez përgjatë vitit 2022 pati jehonë në mediat ndërkombëtare, pasi provoi se ishte e mundur që njeriu të përjetojë plotësisht ndjenjën e dashurisë në marrëdhënien me një kompjuter të pajisur me inteligjencën artificiale (AI). Për sa kohë kishte intimitet në komunikim, për sa kohë mund të kishte pasion dhe përkushtim, atëherë studiuesit u bindën se ndjenja e kultivuar tek një human ishte pikërisht ajo, dashuria.
Një lloj pëlqimi dhe simpatie ndjehet edhe në mënyrën se si flet kryeministri jonë për inteligjencën artificiale (AI). Pak kohë më parë, Rama i besoi inteligjencës artificiale një punë të vështirë siç ishte përshtatja e ligjeve me Bashkimin Europian, që do të na ndihmonte me hapjen e kapitujve për negociatat. Këtë të shtunë, iu rikthye idesë për ta shfrytëzuar inteligjencën artificiale (AI) në menaxhimin e tenderave publikë.
Korrupsionin me tenderat, Rama e quajti “burim qelbi” gjatë intervistës së përjavshme, që publikon në profilin e tij në rrjetet sociale.
“Prokurimet janë një problem nga ku buron edhe pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit. Me modelin e inteligjencës artificiale (AI) ne mund ta kapërcejmë komplet këtë gjë. Duke e kapërcyer komplet, s’kemi më nevojë për këtë konsum të madh energjish të bëjmë këto procese dhe nga ana tjetër neutralizojmë në një masë shumë të madhe atë burim qelbi. E kthejmë prokurimin e fondeve publike në një proces transparent dhe të thjeshtë dhe të lexueshëm”– tha Rama.
Sipas Ramës, nga inteligjenca artificiale (AI) përfitojmë edhe sepse ka më pak burokraci. “Sepse në fund të ditës të ditës te gjithë ato qindra mijëra ndërveprime që bëjnë njerëzit, shko merr ketë, bjer atë letër merr atë letër, të mungon kjo, kështu ashtu… ato o bën algoritmi, i bën modeli”– shpjegoi kreu i ekzekutivit.
Dallohet në fjalët e Ramës një besim i tepruar tek inteligjenca artificiale (AI). Ndjehet mes rreshtave një lloj idealizimi që i bën ai teknologjisë së avancuar, që sipas tij mund të zgjidhë përfundimisht korrupsionin me tenderat.
Për ta kuptuar nëse pëlqimi i Ramës është real apo nëse pas sjelljes së kryeministrit fshihen interesa të tjera, duhen parë rrethanat nga se lindi ideja.
Vjedhjet e mëdha të njerëzve të Rilindjes me tenderat
Propozimi i parë u bë në mbledhjen e asamblesë së Partisë Socialiste në shtator të vitit 2023. Rama i habiti të gjithë kur tha se zgjedhjen e fituesit të tenderit mund ta bëjë kompjuteri dhe jo njeriu.
“Përmes Inteligjencës Artificiale (AI) që i bën të panevojshme të gjithë komisionet e tenderave. Me këtë rast kemi edhe më pak kandidatë për t’u futur në komisione. Dhe më pak që shkojnë përfundojnë SPAK-ërave nga injoranca. Një pjesë e tyre nuk e dinë fare për çfarë kanë firmosur”, tha ai.
Ishte koha kur socialistëve iu kishin dalë të palarat me inceneratorët, për shkak të hetimeve të SPAK. Ndryshe nga sa thoshte kryeministri, ata e dinin shumë mirë se çfarë kishin firmosur.
U zbulua se se një anonim, i quajtur Klodian Zoto ishte në fakt një nga njerëzit më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Ndërsa punonte në prapaskenë, si një gjeni i “trukimit” të dokumentave shtetërore, Klodian Zoto vilte qindra miliona euro nga paratë e taksapaguesve me bekimin e shefave të tij politikë.
Klodian Zoto bënte propozimin e pakërkuar për inceneratorët, që vinte në lëvizje qeverinë. Klodian Zoto hartonte procedurat dhe kriteret e tenderit. Klodian Zoto fitonte tenderin. Klodian Zoto justifikonte shpenzimet. Klodian Zoto shpërndante paratë tek politikanët.
Organizata socialiste u lëkund. Deputetë, ministra dhe kryebashkiakë përfunduan në burgje. Zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe një nga bashkëpuntorët më të afërt të Edi Ramës u largua nga vendi.
Disa muaj më pas, nisi puna për Qendrën Kompjuterike me Performancë të Lartë. Ekspertë të AKSHI do të bashkëpunojnë me ekspertë të CHATGPT për të dalë me një produkt. Gjithsesi muajt e fundit, futja e inteligjencës artificiale (AI) tek tenderat sikur u harrua.
Por disa ditë më parë, shpërtheu skandali i kompanisë së drejtorëve të bashkisë së Tiranës “5D konstruktion”. Plaçkitja e taksave nga njerëzit e afërt të Erjon Veliajt ishte po aq brutale sa me inceneratorët. Vendin e Klodian Zotos e kishte zënë Nestor Muhametllari, administrator i kompanisë private të drejtorëve të bashkisë së Tiranës.
Nestori organizonte tenderin e bashkisë nga zyrat e kompanisë private. Nestori kontrollonte ofertat e kompanive të tjera private. Nestori ndryshonte kriteret e garës për të eleminuar konkurentët. Nestori kontrollonte edhe drejtorët e tjerë të bashkisë, që i bindeshin, me gjithë frikën se do të përfundonin burgjeve.
Të arrestuarit ishin disa nga financuesit kryesorë të fushatës së Veliajt në Tiranë. Zgjedhjet ndërkohë po afrojnë.
Pafuqia e SPAK përballë inteligjencës artificiale
Në thelb, kalimi i tenderave në përgjegjësi të një programi kompjuterik, është dorëzim përballë aspiratës dhe premtimeve për të ndërtuar një administratë me njerëz të ndershëm dhe të pakorruptuar. Transferimi i punës për të ndarë paratë publike nëpërmjet tenderave nga njerëzit tek kompjuterat, do të thotë të pranosh se pushteti është në duar të pista. T’ia heqësh njerëzve të drejtën e administrimit të parave publike do të thotë se në pushtet janë njerëz që nuk e meritojnë besimin e qytetarëve, meqënëse janë katandisur në një çetë hajdutësh dhe hileqarësh që e kanë mendjen të vjedhin.
Është pikërisht kjo logjikë që e zhvesh administratën nga morali, që vë në dyshim efiçencën e inteligjencës artificiale në duart e po të njëjtës administratë. Nëse njerëzit e pushtetit janë të aftë të trukojnë tendera, të gënjejnë dhe të grabisin taksat tona, kush garanton se programet e inteligjencës artificiale nuk do të manipulohen nga këta mjeshtra të vjedhjes dhe mashtrimit?
Këtu fshihet edhe e vërteta për “dashurinë” që ka kapur Ramën për inteligjencën artificiale (AI).
Kompjuteri që do të mbajë përgjegjësi për shpërndarjen e parave të taksave, ka një karakteristikë që i mungon Lefter Kokës, Arben Ahmetajt, Vangjush Dakos, Taulant Tushës, Redi Mollës apo Mariglen Qatos; kompjuteri jo vetëm është i zhveshur nga përgjegjësia morale, por është imun edhe nga përgjegjësia penale.
Edhe sikur një ditë hetimet e prokurorisë të zbulojnë se një tender ka qenë i padrejtë dhe ka favorizuar një kompani të caktuar nëpërmjet procedurave të parregullta, prokurorët i kanë duart e lidhura. Si mund të ngrihet akuzë ndaj një programi kompjuterik?
Prokurorët nuk mund të marrin dot në pyetje një software për të kuptuar se përse PPP e sterilizimit iu dha një muratori pa eksperiencë në këtë fushë. Prokurorët nuk mund të mbajnë në arrest me burg një shpikje teknologjike, bie fjala për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston megjithëse paratë janë shpenzuar. Kundër vjedhjes me inteligjencë artificiale nuk mund të organizosh as protesta dhe as të kërkosh dorëheqje nga posti.
Teknologjia e përdorur në këtë mënyrë diabolike zhvlerëson çdo lloj kontrolli, që u mendua se do të forcohej nëpërmjet reformës në drejtësi, pikërisht për të luftuar korrupsionin.
Deri më sot, një skemë si kjo, që nxjerr jashtë loje gjykata, prokurori, BKH, KLSH, audit të brendshëm dhe çdo lloj forme të mbajtjes së përgjegjësisë, nuk rezulton të jetë aplikuar në asnjë vend të botës.
Është kjo arsyeja që inteligjenca artificiale tingëllon kaq e dashur në fjalët e Ramës. Jo se ai është aq naiv dhe po na dashurohet me një kompjuter, por sepse tek teknologjia e avancuar ka gjetur bashkëpuntorin e radhës. Pasi të joshë me prezantimin e tij dhe ta vërë në punë, mund të vijnë edhe problemet. Por ateherë vjedhja nuk do të ndëshkohet më si krim, sepse do të quhet thjesht një gabim./Lapsi.al