Emisioni ‘Në shënjestër’, trajtoi këtë të mërkurë, arrestimet më të fundit të ndodhura në Bashkinë Tiranë, ku në prangat e SPAK, ranë Mariglen Qato dhe Redi Molla, me pozicione drejtuese në këtë bashki.
Këta të fundit në periudhën kur morën këto poste, themeluan kompaninë që sot mban emrin ‘5D Konstruksion’, ku ata ishin pronarë të fshehur, shoqëri tregtare që e ushqenin po vetë me tendera.
Dokumentari, pjesa e parë:
Ata u bënë drejtorët e radhës në Bashkinë e Tiranës, që bien në prangat e SPAK, duke konfirmuar se korrupsioni është kthyer në një strukturë të mirëfilltë, që zgjatimin e ka nga pushteti qendror deri në atë lokal. Dhe skema duket të jetë e ngjashme, ashtu si edhe në rastet e tjera, drejtorët e ardhshëm ngjiten në pozicione dhe lartësi të tilla, jo thjesht për aftësinë e tyre menaxhuese, por edhe për t’u kamufluar si ortakë në biznese të ndryshme, të cilët më pas, sapo marrin poste publike, këtyre bizneseve u rriten të ardhurat shumëfish dhe shiten te familjarët e tyre për shifra qesharake.
Qato kishte mbajtur në Bashkinë e Tiranës, postin e drejtuesit të IMT-së (Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit), dhe Redi Molla atë të ‘Ujësjellës Kanalizime’, por që së bashku i lidhte një kompani ndërtimi e quajtur ‘5D Konstruksion’, shoqëri të cilën ata e kishin themeluar gjatë kohës që kishin marrë postet drejtuese në Bashkinë e Tiranës, duke fshehur faktin që ishin ata pronarët e vërtetë dhe konfliktin e interesit, duke e shitur kohë pas kohe te njerëz të tyre të afërt, si edhe duke ndërruar shpesh emrin.
Qato, përpara se t’i përvishej punëve në bashki, ishte emëruar fillimisht si Drejtor i Drejtorisë së Punëve Publike Nr. 2 në vitin 2015, më pas si Drejtor pranë Ujësjellësit Tiranë, dhe deri në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023 ishte në krye të IMT-së. Ai kishte në pronësi një biznes me bazë produktet e brumit, dhe së fundmi ishte në krye të ‘Tirana DC’ sh.a. Interesante është mënyra se ai krijoi në vitin 2016, bashkë me mikun e tij Redi Molla, kompaninë ‘5D Konstruksion’, e cila u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 21 janar të vitit 2016, fillimisht në emrin ‘Igor Elektrik’. Si aksioner i vetëm rezultonte të ishte Eduart Meta, por rezulton të jetë njohje e Mariglen Qatos.
Hetimet
Nga kqyrja e dokumenteve të sekuestruara në ambientet e shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k si dhe analizimi i të dhënave nëpërmjet ekspertimit kompjuterik, janë gjetur prova të tjera të cilat dëshmojnë se shtetasit Eduard Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhametllari nuk kanë qenë ortakët e vërtetë të shoqërisë tregtare, tashmë me emërtimin ‘5D Konstruksion’ sh.p.k.Por pronësia e tyre mbi kuotat e shoqërisë ka qenë e regjistruar në mënyrë fiktive.
Nga ku del se pronarët faktikë, janë shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët dyshohet se e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet personave të mësipërm, që prej viti 2016 kur është themeluar.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, kompania u themelua gjatë kohës që Qato dhe Molla ishin në pozicionet drejtuese në Bashkinë e Tiranës, megjithatë, administratori i saj në letra ishte shtetasi Eduart Meta, ndërsa në vitin e parë kishte një fitim vjetor prej 760 mijë dollarë. Ajo u shit për vetëm 75 lekë të reja te shtetasi Muhamet Petriti, i cili rezulton të jetë vjehrri i Alfred Qatos, vëllait të Mariglen Qatos.
Në vitin 2018, Muhamet Petriti kthehet në aksioner me 100 përqind të kompanisë ‘5D Konstruksion’ dhe emëron si administrator të shoqërisë shtetasin Nestor Muhametllari. Megjithatë, vetëm tri vite më pas, në vitin 2021, ai ia shet kompaninë Muhametllarit për vetëm 10 mijë euro, pavarësisht se shoqëria tregtare kishte një xhiro prej 9 milionë euro dhe një fitim prej 2 milionë euro. Ndërkohë, nga themelimi në vitin 2016 deri në vitin 2022, sipas bilancit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania pati të ardhura në shumën e 22 milionë eurove.
Akuza kryesore që SPAK ka ngritur për dy ish-drejtorët e Bashkisë, Mariglen Qato dhe Redi Molla, është se ata në fakt janë pronarë të kompanisë ‘5D Konstruksion’ dhe kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre drejtues në Bashkinë për të favorizuar kompaninë e tyre në tendera, duke u shërbyer me tendera në kundërshtim me ligjin dhe duke krijuar një konflikt të hapur interesi, duke e favorizuar në krahasim me kompanitë e tjera
SPAK ka vërtetuar lidhjen e tyre me kompaninë ‘5D Konstruksion’ përmes bisedave të tyre me vartësit e tyre, duke përfshirë faktin që kompania fitoi tenderin e parë nga Bashkia e Tiranës vetëm një muaj pasi ishte themeluar në vitin 2016, me emrin ‘Igor Elektrik’. Punëdhënësit e saj të parë u bënë Redi Molla, si drejtor i ‘Ujësjellës Kanalizimeve’ Tiranë, dhe Mariglen Qato në krye të komisionit të prokurimit.
Hetimet
Kompania ‘5D Konstruksion’ u regjistrua në Janar 2016 nga shtetasi Eduart Meta, me profesion elektriçist nën emrin ‘Igor Elektrik’. Kjo kompani fitoi tenderin e parë, pa mbushur një muaj nga data e themelimit.
Autoriteti Kontraktor ishte ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, që në atë kohë drejtohej nga Redi Molla, ndërsa kryetar i komisionit të prokurimit ishte Mariglen Qato.
Edhe pse Eduart Meta ia shiti 75 përqind të aksioneve Muhamet Petritit, vjehrrit të vëllait të Mariglen Qatos, në janar të vitit 2017, ai mbeti administrator i kompanisë deri më qershor të vitit 2018, kur administrimin e mori Nestor Muhametllari. Gjatë kësaj kohe, në dhjetor të vitit 2018, Eduart Meta i shiti edhe 25 përqind të aksioneve të mbetura në pronësi të tij, shtetasit Muhamet Petriti, momenti kur kompania ndryshoi emrin nga ‘Igor Elektrik’ në ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k.
Në vitin 2021, pasi Muhamet Petriti ia shiti kompaninë Nestor Muhametllarit, shoqëria ndryshoi sërish emrin dhe në vazhdim do të quhej ‘5D Konstruksion’ sh.p.k. Megjithatë, siç del edhe në dosjen e Prokurorisë, Muhamet Petriti është përdorur thjesht si një ‘prestanome’, pasi në të vërtetë të gjitha komunikimet në vazhdim i ka me vëllain e Mariglen Qatos, që është edhe dhëndri i Muhamet Petritit.
Hetimet
Muhamet Petriti, rezulton se është një bukëpjekës. Ai e merr pagesën dhe paguan sigurimet shoqërore në biznesin që drejton bashkëshortja e tij. Ai del se nuk ka kontakte me administratorin e kompanisë Nestor Muhametllari. Ky i fundit kur do ta telefonojë Muhamet Petritin, numrin e tij ia kërkon Alfred Qatos, vëllait të Mariglen Qatos.
Që Muhamet Petriti nuk është pronari i vërtetë i kompanisë ‘5D Konstruksion’, pavarësisht se emri i tij figuron si pronari i saj para se aksionet t’i shiste Nestor Muhametllarit, kjo vihet re edhe te një nga bisedat që ky i fundit bën me Alfred Qaton, vëllain e Mariglen Qatos, ku e këshillon që t’i thotë Muhametit të shkojë në bankë dhe të tërheqë paratë.
Hetimet
Në një moment Nestor Muhametllari i thotë Alfred Qatos që vjehrri i tij Muhamet Petriti i cili në letra është pronari i kompanisë të shkojë dhe të bëjë tërheqjen e parave në bankë.
Çka tregon se Muhamet Petriti është thjesht një emër fiktiv në kompani, përsa kohë që ai thuajse nuk ka kontakte me administratorin Nestor Muhametllari. Ndërsa ky i fundit ka qindra telefonata me vëllezërit Alfred dhe Mariglen Qato.
Një tjetër provë që konfirmoi se pas emrave të Muhamet Petritit dhe Nestor Muhametllarit, ishin ato të Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, është edhe fakti që dy drejtorët e bashkisë, morën dividentë nga pronari në letra i kompanisë, para të cilat më pas u investuan në pallate, midis të cilëve edhe një objekt luksoz në Durrës.
Hetimet
Redi Molla dhe Mariglen Qato morën dividentë nga pronari i kompanisë Muhamet Petriti, ndërsa vetë ky i fundit paguhej në mënyrë informale nga kompania që sipas dokumenteve zyrtare e kishte në pronësi. Dyshimet janë se paratë janë investuar në ndërtime pallatesh. Kjo pasi nga të dhënat në QKB, pas vitit 2016, kompania nisi të ndërtojë 5 objekte, mes të cilëve dhe një hotel luksoz në Durrës.
Qato dhe Molla, si drejtuesit e kompanisë ‘5D Konstruksion’, ishte diçka e ditur edhe punonjësit, të cilët flisnin hapur për këtë fakt dhe nuk përpiqeshin ta mbajnë të fshehtë. Megjithatë, me interes për grupin hetues ishte një bllok shënimesh i gjetur gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Nestor Muhametllari, ku ai kishte shënuar edhe pagesat që duhet të merrnin personat me inicialet ‘R’ dhe ‘M’, konkretisht sipas SPAK, Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Hetimet
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Nestor Muhametllari u gjet edhe një bllok shënimesh, me ngjyrë të zezë, i cili përmban një sërë shënimesh. Ku në këtë bllok ka edhe shënime për punët e shoqërisë, për kontrata publike të fituara nëpërmjet procedurave të prokurimit, etj. Shënime ku bëhet fjalë edhe për shuma monetare që janë paguar apo që janë marrë, që janë kthyer, duke iu referuar personave të shkruar me inicialet (R) dhe me (M).
Por ky nuk ishte blloku i parë i shënimeve që iu gjet Nestor Muhametllarit, ku përmendeshin pagesat dhe krah tyre edhe inicialet ‘R’ dhe ‘M’. Në një tjetër bllok të gjetur në zyrën e tij, u identifikuan edhe shifra konkrete, se sa para kishin tërhequr këta dy persona, nga kompania që në letra ishte ende në pronësi të Muhamet Petritit.
Hetimet
Gjatë kontrollit në ambientet e zyrës së shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k, në zyrën e shtetasit Nestor Muhametllari, u gjet edhe një bllok ngjyrë blu. Nga aty del se personi me inicialin (R) ka marrë shumën prej 11 000 000 lekë nga fitimi i realizuar në vitin 2018, ndërsa personi me inicialin (M) ka marrë shumën prej 4 000 000 lekë, nga fitimi i realizuar në vitin 2018.
Dy blloqe të ngjashme, grupi hetues gjeti edhe në administrim të punonjësve të tjerë të kompanisë, ku bëhet fjalë për periudhën kohore gjatë muajit shkurt 2022. Shënime të tilla përfshinin diskutime për mbledhjen e ortakëve, dhe aty ku figuron edhe emri ‘Redi’, i cili sipas prokurorisë, referohet shtetasit Redi Molla.
Në zyrën e ‘5D Konstruksion’ sh.p.k u gjet edhe një bllok tjetër i cili i përket shtetasit Maringlen Lika, punonjës në këtë shoqëri, ku u gjetën shënime për mbledhjen me stafin e shoqërisë. Në bllokun e dytë përshkruhet qartë se në mbledhjen me stafin ka marrë pjesë edhe personi me emrin ‘Redi’, si dhe një shënim lidhur me pagesën e fitimit të pashpërndarë për vitin 2019, ku shoqëria ka shpërndarë dividentin, i cili pas tatimit ka qenë në shumën 31 505 177 lekë, e cila përputhet me shënimet e gjetura në bllokun e shtetasit Nestor Muhametllari.
Nestor Muhametllari, i cili nuk kishte asnjë komunikim me Muhamet Petritin, provoi se ai mbante komunikime të vazhdueshme me vëllezërit ‘Qato’ përmes zbardhjes së celularit të tij. Në një nga këto biseda, Nestori i kujton Alfred Qatos që t’i thotë Muhametit të shkojë të tërheqë në bankë shumën prej 10 mijë euro, me të cilën shiti kompaninë te ai.
Hetimet
Nga kqyrja e aparatit telefonik të shtetasit Nestor Muhametllari, janë gjetur biseda me shtetasin Alfred Qato, vëllain e shtetasit Mariglen Qato. Ku më datë 20 Gusht 2020, Alfred Qato i dërgon me mesazh Nestor Muhametllarit numrin e Muhamet Petritit,
Ndërsa më datë 10 Mars 2021, Nestori i shkruan Alfredit, në lidhje me Muhamet Petritin.
Nestori: ‘Fred si je ti? Ato i kanë kaluar Metit… Të shkoj t’í tërheqi 2 herë nga 5 që të mos e bezdisin… Dhe i mbaroj taksiratet’.
Një ditë më pas Alfred Qato i konfirmon Nestorit se ka folur me vëllain e tij Mariglenin dhe se çdo gjë është në rregull.
Hetimet
Në bisedën e datës 12 Gusht 2020, Alfred Qato i kërkon Nestorit që të shkojnë të nesërmen të banka, pasi kështu ‘tha Meri’. Nga hetimet ka rezultuar se personi me emrin ‘Meri’me të cilin i drejtohen personat e mësipërm është Mariglen Qato, pasi në aparatin e telefonit të Nestor Muhametllarit është gjetur i regjistruar numri me emrin ‘Mer Qato’.
Një nga provat që grupi hetues ka në duar, janë edhe transfertat bankare të parave të kaluara nga kompania në zotërim të Muhamet Petritit, në drejtim të Nestor Muhametllarit dhe vëllezërve Qato.
Hetimet
Nga të dhënat e llogarisë bankare të shtetasit Muhamet Petriti pranë Bankës…. ka rezultuar se në llogarinë bankare të tij më datë 22 Korrik 2020, është transferuar shuma prej 25 000 000 lekë, me përshkrimin; ‘shpërndarje dividenti viti 2019’, transferuar nga shoqëria ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k.
Kjo shumë është tërhequr pjesë-pjesë nga shtetasi Muhamet Petriti nga muaji gusht deri më tetor 2020, sipas udhëzimeve të shtetasve Nestor Muhametllari, Alfred Qato, si të shtetasit Mariglen Qato. Kjo shumë dividenti është konsideruar si e drejtë/detyrim për ‘Ortakun I’.
Pasi ka mbaruar taksiratet me Muhamet Petritin, pra duke nënkuptuar shlyerjen e tyre, Nestor Muhametllari del se ka qindra telefonata me Mariglen Qaton si edhe me Redi Mollën. Këto telefonata janë kryer në një periudhë prej afro katër vitesh, që kur ai mori në administrim kompaninë e ndërtimit ‘5D Konstruksion’. Ky fluks i lartë i telefonatave, sipas prokurorisë, tregon për lidhjen e tij me ata që konsiderohen si pronarët e vërtetë të kompanisë, në këtë rast Mariglen Qato dhe Redi Molla.
Hetimet
Për periudhën kohore nga 20 Shtator 2019 deri më 7 Qershor 2023, Nestor Muhametllari rezulton se ka pasur 1011 thirrje telefonike me shtetasin Mariglen Qato. Po kështu gjatë kësaj periudhe ky shtetas ka pasur 528 thirrje telefonike me shtetasin Redi Molla.
Dokumentari, pjesa e dytë:
Mariglen Qato dhe Redi Molla merreshin direkt edhe me punësimin apo shkarkimin e punonjësve të kompanisë. Kjo pozitë e tyre në kompani pohohet edhe nga një bisedë ku Nestor Muhametllari, administratori i shoqërisë, kur vinte puna për largime nga kompania, gjithmonë i referohej Mariglenit ose Redit. Biseda e mëposhtme e ilustron këtë situatë.
26 Korrik 2021
Tauland Cjapi i shkruan Nestor Muhametllarit.
Taulandi: Sot mora vesh qe të kanë thënë që hiqe Landin nga puna, dhe ju po më lini fëmijën pa bukë‘
Nestori: ‘O Land unë ty as të kam sjellë, as të kam hequr… Vendimi për ty më ka ardhur’.
Taulandi: ‘Ti i kishe thënë Merit që Landi s’bën asgjë. Kështu më tha në telefon. Ndërkohë që unë për kokë të çunit të kam kërku punë përditë’.
Por Nestor Muhametllari dhe Mariglen Qato kanë komunikuar me njëri-tjetrin edhe nëpërmjet një telefoni tjetër që administratori i kompanisë ‘5D Konstruksion’ kishte në përdorim. Ai i dërgon Qatos një dokument lidhur me një aplikim. Po kështu, Muhametllari ka komunikime edhe me Redi Mollën, pas një tenderi që kompania ‘5D Konstruksion’ ka fituar.
Hetimet
Nestor Muhametllari ka pasur komunikime me shtetasin Mariglen Qato, të regjistruar me emrin ‘Meri Qato’. Ku në një nga bisedat i dërgon edhe një dokument që e përshkruan si ‘aplikimi për në Yzberisht’.
Nestori ka komunikime edhe me shtetasin Redi Molla, ku bisedojnë për t’u takuar. Ata flasin për një procedurë prokurimi që ka për objekt kryerjen e punimeve në vendin e quajtur ‘Liqeni i Thatë’, e cila është fituar nga shoqëria ‘5D Konstruksion’ sh.p.k.
Megjithatë ajo që ka përbërë rëndësi për grupin hetues, është ‘Ortaku 1’ dhe Ortaku 2. Në shënimet e tij Nestor Muhametllari, i referohet Mariglen Qatos dhe Redi Mollës.
Hetimet
Në kompjuterin e përdorur nga ekonomistja Jonida H, u gjet një e-mail i datës 3 Maj 2017, në drejtim të adresës elektronike [email protected].
Ku në dokumentin ‘Ditari total’ për periudhën nga data 1 Janar 2019-31 Dhjetor 2019, janë pasqyruar me hollësi pagesat dhe arkëtimet e shoqërisë. Nga ku rezulton se ‘Ortaku 1’ ose ndryshe O1, është i njëjtë me personin me inicialin (R), që është shtetasi Redi Molla. Kurse ‘Ortaku 2’ ose ndryshe O2, është i njëjtë me personin me inicialin (M) që është shtetasi Mariglen Qato.
Jonida H. ka një komunikim të vazhdueshëm me shtetasit Mariglen Qato dhe Redi Molla, çka provon faktin se këta të dy janë pronarët faktikë të kësaj shoqërie tregtare.
Shefja e Financës i shkruan personit me emrin Redi:
‘Ta dish që po shmangem totalisht nga funksionet në këtë kompani, përderisa Nestori e bën, e ke autorizuar ti. Ok vazhdoni kështu po nga mua mos kërko më asnjë info’.
‘Redi’ i përgjigjet: ‘Mendoj qe je duke e ekzagjeruar pak. Info sigurisht që do vazhdosh të më japësh. Se kjo që thua ska kuptim’.
9 Janar 2023
Jonida H. komunikon me Mariglen Qaton.
‘Nuk e di pse ishte ky mesazh gjithsesi të falenderoj për sugjerimin.
Unë mendoj që nuk duhet të nxitohesh në përfundime të tilla sepse për momentin e di që të kanë fryrë.’
Në një moment tjetër punonjësit flasin edhe për një inspektim nga ana e Tatimeve, ku siç del nga përgjimet inspektorët kishin parë diçka që nuk diuhet ta shikonin dhe për një përplasje të madhe midis administratorit dhe shefes së financës në kompaninë ‘5D Konstruksion’.
6 Janar 2023
Algert Çifliku komunikon me Jonën.
Jona: ‘Koleg, kam lajme, këtej nga zyra, plasi lufta, u grin Nestori me Jonidën.
Se ke idenë ça lufte po të them. Erdhën tatimet për kontroll në mëngjes. Pa na thënë asgjë…Duke prekur dhe hapur çdo gjë pa leje. Se çkapën ca gjëra që s’duhet t’i shifnin’.
Algert: ‘Do hanë vetë kokat’.
Jona: ‘U bë nami pzz… Të shikojmë si do vazhdojë seriali… Vetëm unë dhe ti ee.. Dhe po u përmend nga ata lart,.. Bëj sikur sdi gjë… Habitu’.
Në një tjetër bisedë Jona B., e cila punon në kompaninë ‘5D Konstruksion’ flet e shqetësuar edhe për urdhërin që asaj i është dhënë për t’u marrë me zgjedhjet e 14 Majit edhe pse ajo është punonjëse në një kompani private. Ky urdhër vjen pasi pronari i saj i vërtetë, është drejtor në Bashki dhe ka nevojë për vota.
Bisedat
Në biseda Jona B. flet për pronarët e shoqërisë dhe aktivitetin e kompanisë.
Më datë 7 Prill 2023 ajo i shkruan një personi: ‘Kanë marrë shefin tim nga njësia e Laprakës duke ditur që pronari është i shtetit dhe i kanë thënë thuaj Jonës të angazhohet me zgjedhjet…
Uaaa u habita.
Ça veni imagjino. Me u marr me ty edhe nëse punon në privat……
Me bo 1 buzë shtremët si puna këtij pronarit tim….Pfff….Tu më thënë ky drejtori bashkisë…..’
Më datë 6 Janar 2023, Jona B. i dërgon bashkëbiseduesit një foto ku duket një objekt.
Jona: ‘Këtë hotelin po e bëjmë ne.
Ështe aks, pronari jon Lali Eri’….
Jona: Dhe unë marr vetëm 600 mijë lekë të qelbta’
SPAK ka pretendimet e veta se zyrtarët e bashkisë, të vënë tashmë në pranga, në kundërshtim të hapur me ligjin, i kanë dhënë tendera të shumtë kompanisë së tyre, pavarësisht nëse i plotësonte kriteret apo jo. Pas kompanisë ‘5D Konstruksion’, ku qendronin Mariglen Qato dhe Redi Molla, është hetuar një sërë procedurash prokurimi të zhvilluara nga Autoriteti Kontraktor ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a., autoritet në të cilin Redi Molla dhe Mariglen Qato kanë mbajtur pozicionet drejtuese.
Hetimet
Shoqëria ‘5D Konstruksion’ sh.p.k ka marrë pjesë në disa procedura prokurimi të shpallura nga autoriteti kontraktor ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, ku edhe është shpallur fituese dhe ka lidhur kontrata për punë/shërbime publike.
Në kohën që kjo shoqëri ka marrë pjesë në disa prej këtyre procedurave dhe është shpallur fituese, Redi Molla ka pasur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ndërsa Mariglen Qato ka pasur cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Po kështu, hetimi zbuloi edhe lidhjet e anëtarëve të komisioneve vlerësuese me Redi Mollën dhe Mariglen Qaton, nga ku dilte shpesh që punonjësit e kompanisë ‘5D Konstruksion’ mbanin kontakte me anëtarët e Komisioneve Vlerësuese të Ofertave dhe i dorëzonin dokumentet jashtë afatit ligjor. Ndërsa kompania shpallej fituese, edhe pse nuk plotësonte kriteret ligjore dhe në kushte të tillë duhet të skualifikohej.
Një nga këto komunikime është edhe ai midis drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës dhe Nestor Muhametllarit, për ndërtimin e një shkolle, ku Taulant Tusha, sipas SPAK, është në dijeni se pronari i vërtetë i kompanisë nuk është Muhametllari, por Qato dhe Molla.
Taulant Tusha i ka dërguar personit tjetër një folder ku përmendet emri ‘Hasan Vogli’.
Taulant Tusha: Nuk e kuptoj pse nxitohen…… Thuaj Nestorit fol me Anjezën për projektin.
Lidhur mbi bisedën e mësipërme, nga hetimet ka rezultuar se Bashkia Tiranë ka realizuar procedurën e prokurimit me objekt ‘Rindërtimi i 8 objekteve arsimore në Bashkinë Tiranë-Ndërtim i shkollës Hasan Vogli’, e cila është zhvilluar më datë 10 Gusht 2020 dhe kontrata është lidhur më datë 30 Shtator 2020.
Personat që përmenden në këtë bisedë janë shtetasi Nestor Muhametllari, ortak dhe administrator i shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.pk, si dhe shtetaset Anjeza Çallpati dhe Ilda Qazimllari, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Punëve Publike pranë Bashkisë Tiranë.
Komunikimi i mësipërm dëshmon faktin se shtetasi Taulant Tusha, i cili ka patur cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe cilësinë e anëtarit të KVO-së. ka pasur komunikime me bashkëbiseduesin e mësipërm i cili është një person që ‘urdhëron’ dhe ‘udhëzon’ shtetasin Nestor Muhametllari për mënyrën se si duhet të veprojë për punët e shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k. ku vetë ku i fundit është administrator i shoqërisë.
Një tjetër bisedë po kaq interesante është edhe ajo midis Nestor Muhametllarit dhe Manjola Bungurit, për projektin ‘Tirana Parking’, ku kjo e fundit kujdeset që të gjejë mangësi konkurrentit të mbetur në garë të kompanisë ‘5D Konstruksion’ dhe shpreh kënaqësinë e saj që më në fund i ka gjetur shumë të tilla. Ajo që është edhe më interesante është fakti se Manjola Bunguri është punonjëse në kompaninë ‘5D Konstruksion’ dhe si e tillë ka përgatitur edhe letrat për skualifikimin e kompanive të tjera në garë, duke kryer kësisoj rolin që duhet të bënte komisioni i vlerësimit të ofertave.
Bisedat / 23 Shtator 2019
Nestori: ‘Manjola nga ajo lista që më dërgove ti nga ‘Tirana Parking’, vetëm Ndregjoni dhe Turja kanë ngelur se të tjerët kishin ngatërruar ofertën……
Këto duhen pa, kur ta kesh mundësinë ti…
Manjola: ‘Nestor, Ndregjonit i gjeta plot mangësi. Se këtë kisha merak’.
Nestori: ‘Aa shumë mirë.. Shyqyr se atë kisha merak’.
24 Shtator 2019.
Nestor Muhametllari bisedon me Eglantina Zëre, Drejtore e ‘Tirana Parking’.
Eglantina: ‘Çbën mo… Do e mbyllim apo doni dru’.
30 Shtator 2019.
Nestori: ‘Të vazhdoj Kiço?Ta mbyllë?’.
Eglantina: ‘Ta kish mbyll që të premten kafsha, urgjent’.
28 Tetor 2019
Eglantina: ‘Është hedhur njoftimi për fituesit lal’
30 Tetor 2019.
Eglantina i shkruan Nestorit.
‘Ecim tani, ta gëzosh’
Nestori: ‘Thank you ‘Jeni të paparë’.
Nga hetimi rezulton se vlerësimin e ofertave nuk e kanë bërë anëtarët e KVO-së, por Manjola Bunguri, punonjëse në shoqërinë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k.
Një tjetër tender i përfituar nga kompania ‘5D Konstruksion’ në kohën kur kjo shoqëri mbante emërtimin ‘VAS Construksion’ është ajo në lidhje me procedurën e prokurimit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv ‘Tirana’, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, me objekt ‘Rikonstruksion Palestra e Mundjes’.
Hetimet
Në kontekstin e zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, nga të dhënat e marra gjatë hetimit paraprak, janë gjetur dhe siguruar komunikime midis shtetasit Nestor Muhametllari (administrator i operatorit fitues ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k) dhe shtetases Deborah Keçi (titullare e Autoritetit Kontraktor). Nga të cilat rezultojnë të dhëna të cilat mbështesin faktin se operatori ekonomik ‘VAS Konstruksion sh.p.k është favorizuar në mënyrë të padrejtë në këtë procedurë prokurimi.
30 Tetor 2020
Deborah: ‘Nestor, prapë s’më solle njeri sot’.
31 Tetor 2020.
Nestori: ‘Debora… Preventivin ta kemi dërguar ..E ke gati’.
2 Nëntor 2020.
Deborah Keçi i shkruan Nestorit.
‘Do t’i bëjmë bashkë?… Se jam në time limits për ta hedhur… Se më digjet si fond’.
Nestori: ‘Do përpiqemi ti bëjmë…
1 Dhjetor 2020.
Nestori: ‘Duhet të më dërgosh kodet e 3 anëtarëve të KVO-së’.
Deborah: ‘Do e bëni ju vlerësimin tani?’,
Nestor: ‘Po po, patjetër… nesër’.
7 Dhjetor 2020.
Deborah: ‘Vetëm aman shikojini tamam se mos hamë nai burg’.
Nestor: ‘Do i them juristes ta shofi nesër. Ti do dalësh nesër apo je pushim?’.
Deborah: ‘Edhe dal… Te ishim takuar ti shikonim pak… Me kujdes se kam pak frikë’.
9 Dhjetor 2020.
Nestor: ‘E mbylli Debora’.
Deborah: ‘Hajt për hajër… Më dilni për zot tani’.
Sipas SPAK, Deborah Keçi në cilësinë e drejtueses së ‘Klubit Sportiv Tirana’, është dakordësuar për fituesin që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura. Ndërsa Nestor Muhametllari dhe punonjësit e tjerë të shoqërisë ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k. kanë përgatitur preventivin e punimeve, duke pasur userat dhe fjalëkalimet e anëtarëve të KVO-së, dhe kanë kryer vetë vlerësimin e ofertave dhe dokumenteve të depozituara nga operatorët e tjerë ekonomikë. Ndërkohë, Mariglen Qato dhe Redi Molla kanë fshehur në deklaratën e tyre të pasurisë faktin që indirekt kanë qenë pronarë të kompanisë ‘5D Konstruksion’.
Hetimet
Nga data 6 Shtator 2023 dhe në vazhdim rezulton se Mariglen Qato ushtron funksionin e administratorit të shoqërisë ‘Tirana DC’ sh.a, shoqëri aksionare 100 % në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Për shkak të këtij funksioni Qato është subjekt i deklarimit të pasurisë dhe ka depozituar pranë I.L.D.K.P.I-së deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës, të dorëzuar më datë 5 Tetor 2023. Nga ku del se ka fshehur faktin se ka në zotërim të tërthortë shoqërinë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k,
Po kështu del se Redi Molla dhe Mariglen Qato janë pronarët ‘de facto’ të shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k, nga momenti i themelimit të saj dhe në vazhdim. Duke e drejtuar dhe kontrolluar atë dhe marrë vendime për veprimtarinë e shoqërisë tregtare si dhe duke marrë përfitime financiare nga aktiviteti tregtar i shoqërisë.
SPAK ka provuar po kështu edhe miqësinë e hershme midis Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, e cila më pas ka shërbyer që të dy të themelojnë kompaninë ‘5D Konstruksion’, të cilën më tej ata e ushqyen me tendera, gjatë kohës që ishin drejtues në Bashkinë e Tiranës.
Hetimet
Në periudhën nga muaji gusht 2015 deri në muajin shkurt 2016, Redi Molla dhe Mariglen Qato kanë punuar së bashku në të njëjtin institucion, në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik.
Më 24 Shkurt 2016, Molla është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a. ndërsa Mariglen Qato më datë 16 Mars 2016 është emëruar Drejtor í Departamentit Mbështetës në shoqërinë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a.
Gjatë kohës që Redi Molla ka ushtruar finksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, shoqëria tregtare ‘Igor Elektrik’ sh.p.k ose ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k ka marrë pjesë dhe ka fituar 7 procedura prokurimi.
Roli i drejtorit Redi Mollë në fitimin e këtyre tenderave që po i kalonin kompanisë së themeluar nga ai në bashkëpunim me Mariglen Qaton, duket se ka qenë edhe më i drejtëpërdrejt. Kjo po të kihet parasysh se Molla kishte edhe tagrin të zgjidhte anëtarët e komisioneve vlerësuese të ofertave.
Hetimet
Në këto prokurime Redi Molla ka patur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, si dhe ka qenë personi që ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, përbërjen e njësisë, si edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Ku ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes me shoqërinë ‘Igor Elektrik’ sh.p.k ose ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k, si edhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor.
Po kështu gjatë kohës që Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, në 4 procedura prokurimi në të cilat është shpallur fitues shoqëria ‘Igor Elektrik’ sh.p.k. ai ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i caktuar nga titullari, Redi Molla.
Gjatë kohës që Redi Molla ka ushtruar funksionet e tij si zyrtar publik në Bashkinë e Tiranës, ai ka përfituar nga qeveria edhe dhënien e një statusi special, atë të ndërtimit të një hoteli me 5 yje në Durrës, nga kompania ‘Mediterranean Investment Group’ që u themelua në shtator të vitit 2020.
Një prej aksionerëve me 24 % të kapitalit ishte Selim Molla, babai i Redi Mollës, i cili para se të ndahej nga jeta ia kaloi aksionet të birit. Më 1 Mars 2024, Redi Molla mori 100 përqind të kapitaleve të kompanisë, për një afat 5 vjeçar.
/Emisioni në Shënjestër