Prokurori Milan Laskaj i Prokurorisë së Tiranës u përball të hënën më 25 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative në kriterin e pasurisë dhe dyshimet për fshehjen e një automjeti. Në seancë u relatuan gjithashtu gjetje në kriterin profesional, që i përkisnin më së shumti periudhës kur kishte mbajtur funksionin e drejtuesit në Prokurorinë e Lezhës. Laskaj i kundërshtoi konstatimet e Komisionit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Milan Laskaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si prokuror në Prokurorinë e Tropojës. Ai ka punuar më pas në Prokuroritë e Elbasanit dhe Lezhës, përpara se të transferohej në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Procesi i vetingut për prokurorin Milan Laskaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pine. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.
Problemet për pasurinë
Për një apartament me sipërfaqe 91.4 m2 të prenotuar në vitin 2011 për çmimin 38 mijë euro, subjekti ka deklaruar si burime pagat si prokuror, një kredi në shumën 800 mijë lekë dhe overdraft 200 mijë lekë, për të cilat ka shpjeguar se i ka shlyer po me rrogat e tij.
KPK konstaton se subjekti ka dhënë një kapar në shumën 10 mijë euro në vitin 2010 për një apartament me sipërfaqe 78.9 m2 në objektin që ishte duke u ndërtuar në atë kohë. Në 2011-ën ka rezultuar se është revokuar kapari dhe po në atë kohë, është nënshkruar kontrata e porosisë për apartamentin në vlerën 38 mijë euro.
Nga analiza financiare e kryer për kaparin ka rezultuar pamundësi në shumën 970 mijë lekë. Relatorja Qirko sqaroi se subjekti ka pretenduar se kaparin e ka paguar në vitet 2009 dhe 2010. Por në vitin 2009 ai nuk e ka deklaruar pagesën e kryer dhe për rrjedhojë është konsideruar se e gjithë shuma 10 mijë euro është shlyer në vitin 2010.
Gjatë hetimit administrativ, Laskaj ka pretenduar se ka marrë dhe një hua 3000 euro për të paguar kaparin, por për shkak të mosdeklarimit në atë periudhë, nuk është konsideruar në analizën financiare. Megjithëse subjekti ka deklaruar se nuk kishte pasur detyrim për të deklaruar huanë pasi e ka shlyer brenda vitit, Qirko vërejti se ai ka pasur detyrimin për të deklaruar saktë burimin e krijimit të kaparit.
Në vijim, KPK analizon pagesat e kryera për apartamentin e porositur në vitin 2011. Sipas Qirkos, kredia dhe overdrafti janë marrë pas kryerjes së pagesës e për rrjedhojë nuk mund të kenë shërbyer për apartamentin.
Relatorja pohoi se subjekti ka pretenduar se për pagesën ka shërbyer vlera e kthyer e kaparit. Por, për shkak të mosdeklarimit të revokimit të kaparit, edhe kjo shumë nuk është konsideruar për blerjen e apartamentit.
KPK konstaton se subjekti vetëm gjatë hetimit administrativ ka deklaruar se për shlyerjen e çmimit të apartamentit ka shërbyer dhe një hua në vlerën 10 mijë euro e shlyer po atë vit. Për arsye të mosdeklarimit të kësaj huaje, Komisioni nuk e ka konsideruar në analizën financiare, pavarësisht faktit se huadhënësit rezultojnë me mundësi financiare për dhënien e asaj shume.
Në vitin 2011 janë deklaruar dy hua nga 5000 euro. Një prej huadhënësve ka rezuluar me mundësi financiare për dhënien e shumës, por për tjetrin nuk janë provuar me dokumentacion ligjor të ardhurat. Qirko tha se nga analiza financiare e apartamentit duket se subjekti rezulton me bilanc negative në vlerën 3.6 milionë lekë.
Prokurori Laskaj deklaroi në seancë se në 24 vite punë zotëron një apartament në periferi të Tiranës. Ai sqaroi se kishte qenë në gjendje të paguante kaparin vetëm pas 9 viteve punë, kur e kishte vlerësuar të domosdoshme të blinte një apartament pasi jetonte tek kushëriri i tij në kohën që ishte transferuar në prokurorinë e Elbasanit.
Subjekti pretendoi se e kishte paguar kaparin me tre këste dhe se kishte marrë tek një koleg shumën 3000 euro që kishte plotësuar vlerën 10 mijë euro.
Ai sqaroi se kaparin e kishte revokuar pasi kishte parë në terren se apartamenti që kishte prenotuar ishte i vogël dhe e i papërshtatshëm. Sipas subjektit, më pas ishin dakordësuar për blerjen e apartamentit tjetër që e kishte pronari i tokës që ishte dakordësuar për të shlyer shumën 20 mijë euro në fillim.
Lidhur me një huamarrje, Laskaj pretendoi se huadhënësi kishte pasur mundësi financiare dhe se kjo vërtetohej dhe nga fakti se ai kishte tërhequr në atë kohë nga banka shumën 800 mijë lekë. Sipas subjektit, huadhënësi kishte pasur një aktivitet tregtar. Ai theksoi se nuk mund të ishte faji i tij pse huadhënësi nuk kishte paguar taksat.
Laskaj pohoi se në atë kohë nuk i jepte asnjë bankë më shumë se 800 mijë lekë kredi dhe prandaj kishte marrë huatë. “Nëse do të kishte mundësuar Prokuroria e Përgjithshme të kisha marrë kredi në vlerën 5 milionë lekë, atëherë do të ishte çdo gjë e qartë,” pohoi subjekti.
Prokurori Laskaj vërejti se të ardhurat e tij kanë qenë 10 herë më të larta se vlera e këtij apartamenti, që sipas tij gjendet në një zonë të largët, ku edhe rruga ishte shtruar para dy vitesh gjatë fushatës zgjedhore.
Për krijimin e një gjendjeje cash të bashkëshortes në shumën 1 milionë lekë, subjekti ka deklaruar të ardhurat e saj nga puna si avokate dhe dhurime nga familjarët. Sipas Qirkos, nga analizimi të ardhurave dhe shpenzimeve, duket se si burim krijimi për shumën 1 milion lekë kanë shërbyer të ardhurat e subjektit e të bashkëshortes në vitin 2017, që nuk kanë rezultuar të mjaftueshme.
KPK konstaton se dhe sipas pretendimeve të subjektit idhur me shumat e dhuruara, sërish rezulton pamundësi për krijimin e gjendjes cash nga bashkëshortja.
Prokurori Laskaj pretendoi se familjarët dhe të afërmit e bashkëshortes kishin pasur mundësi për dhurimet e kryera.
Në seancë u relatua për përdorimin e një automjeti nga subjekti. Blerësi ka shënuar në policën e sigurimit edhe emrin e subjektit, ndërkohë që ka lëshuar një prokurorë me të cilën i ka dhënë prokurorit Laskaj të gjitha tagrat e posedimit, përdorimit dhe tjetërsimit të kësaj pasurie. Më vonë, subjekti i’a ka shitur këtë automjet kushëririt të tij. Edhe ky i fundit ka vendosur emrin e prokurorit Laskaj në policën e sigurimit.
Nga hetimi është konstatuar se me këtë automjet ka udhëtuar jashtë shtetit vetëm subjekti i rivlerësimit dhe asnjë prej pronarëve, as ai i mëparshmi dhe as kushëriri i Laskajt që e ka blerë më vonë prej tij.
Qirko tha se duket që pronarët de juro të këtij automjeti nuk e kanë përdorur atë asnjëherë, ndërkohë që shitësi ka përdorur një tjetër automjet në pronësi të tij për të udhëtuar jashtë shtetit.
Bazuar në këto rrethana, Komisioni ngre dyshime se ky automjet mund të jetë pasuri e fshehur e prokurorit Milan Laskaj.
Subjekti shpjegoi se personi që i kishte lënë prokurorë me targa të plota për makinën, kushëriri që e kishte blerë dhe ai vetë, kishin të tre burime të mjaftueshme për të justifikuar këtë pasuri.
“E njoh ligjin dhe nuk kisha pse të rrezikoja. E blija me të ardhura e mia po të më duhej,” pohoi Laskaj dhe shtoi se nuk e ka pasqyruar përdorimin e këtij mjeti në deklaratën “veting” pasi siguracioni mjetit ishte kryer në qershor të vitit 2017, pasi ishte plotëzuar deklarata në funksion të procesit të rivlerësimit kalimtar.
Ai solli në vëmendje se në 6 vjet e ka përdorur vetëm 3 herë për udhëtime jashtë shtetit këtë automjet.
Një tjetër person ka lëshuar prokurorë të posaçme për subjektin duke i dhënë atij tagra të plota për makinën e tij, edhe për tjetërsimin e asaj pasurie. Laskaj ka pretenduar se nuk e ka përdorur asnjëherë atë automjet dhe se pasi pronari e ka shitur është shuar edhe prokurora e posaçme që i jepte atij të drejta.
Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar në total një bilanc negativ në sumën 1.9 milionë lekë në fund të viteve përkatëse.
Figura dhe profesionalizmi
Prokurori Milan Laskaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin u evidentuan dy raste të moskryerjes së hetimeve hetimore të duhura, në një çështje për të ciën ka vendosur mosfillimin e hetimeve, ka rezultuar se ka pyetur një person pas kësaj vendimarrje.
Subjekti e cilësoi si lapsus vendosjes e datës, duke sjellë në vëmendje se në vendimin e mosfillimit ishin të shënuara edhe pretendimet e personit në fjalë dhe për rrjedhojë ky fakt tregonte se atij i ishin marrë deklarime para se të merrej vendim.
Nga 40 denoncimet nga publiku, u evidentuan pretendime për mosfunksionim të shortit elektronik për ndarjen e çështjeve kur subjekti ka qenë drejtues i prokurorisë së Lezhës. Sipas relatores, duket se nuk rezulton të ketë një urdhër për ngritjen e një strukture dhe se nuk ka të dhëna që subjekti të ketë marrë masa për funksionimin e shortit.
Në një rast u konstatua se duket se Laskaj ka shfrytëzuar pozicionin për të dërguar urdhëra për një çështje në polici.
Lidhur me çështjen e hetuar prej tij, për të cilën është konstatuar se subjekti ka deleguar veprime në polici, ai sqaroi se drejtuesi e ka të drejtën ligjore të kryejë hetime si çdo prokuror. Po ashtu, sqaroi se zyrtarët e policisë i kishin bërë me dije se kallëzuesi të cilit i ishte djegur një objekt nuk kishte besim tek prokuroria pasi kishte pasur episode të ngjashme në të kaluarën, por organi i akuzës kishte qëndruar pasiv. Subjekti tha se në këto kushte kishte kryer vetë hetimet. Laskaj tha se denoncimi ndaj tij në këtë rast nuk mund të jetë bërë nga kallëzuesi dhe se kjo dukej edhe fakti se ishte anonim.
Në vijim, Laskaj kundërshtoi pretendimet për mosngritjen e një strukture. Ai shpjegoi se kishte zbatuar marrëveshjen për krijimin e një seksioni të posaçëm deri në ngritjen e SPAK.
Lidhur me shortin, ai shpjegoi se ishte bllokuar sistemi elektronik dhe për rrjedhojë kishte njoftuar prokurorët se shorti do të bëhej manualisht në prani të tyre. Sipas subjektit, nuk kishte pasur asnjëherë ankesa për shortin, pasi çështjet ishin ndarë në mënyrë të barabartë.
Për kthimin e një automjeti të sekuestruar, për të cilën u konstatua nga Komisioni se dukej se subjekti kishte vepruar në vend të një prokurori tjetër, subjekti tha se kjo kishte ndodhur pasi vartësja nuk gjendej aty. Subjekti pohoi se prokurorja e kishte formuluar urdhërin për kthimin e automjetit, por nuk e kishte nënshkruar. Sipas tij, kishte qenë prokurorja e çështjes që i kishte thënë se nuk ishte në punë dhe që të vepronte ai.
Në përfundim, prokurori Laskaj kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më 27 mars, në orën 09:45.
/Reporter.al/