Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Vlorës, Hektor Sinanaj. Vendimi është marrë nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Pamela Qirkon.
Seanca dëgjimore në KPK u mbajt të hënën më 11 Mars, ku dha shpjegime të përmbledhura për bilancin negativ në vlerë të madhe si dhe për konstatimet për konflikt interesi.
Hektor Sinanaj e filloi karrierën si avokat në vitin 1992 dhe u emërua gjyqtar në vitin 2000. Ai punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës. Në tetor 2021, Sinanaj mori “vërejtje publike” nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas një hetimi disiplinor të ILD-së për vendimet e tij lidhur me urdhrat e ekzekutimit të disa institucioneve financiare, për të cilat Sinanaj tha se kishte mbrojtur qytetarët.
Bilanci negativ
Relatorja Faskaj renditi një sërë pasurish të subjektit për të cilat Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare. Sipas Faskajt, mbetej e paqartë se si gjyqtari Sinanaj kishte përfituar një sipërfaqe toke në vitin në 1992, pasuri për të cilën ka pasur konflikt civil me një palë tjetër, por të cilën më pas e ka fituar. Sipas KPK, mbetet i paqartë edhe fakti se përse kjo pasuri vijon të figurojë e regjistruar si karabina, ndërkohë që aty është ndërtuar një objekt që shfrytëzohet për aktivitete të ndryshme dhe dhënie me qira për zyra për avokatët apo ekspertët.
Faskaj tha se nuk janë konsideruar në analizën e kësaj pasurie të ardhurat e subjektit nga avokatia dhe nga emigracioni, pasi nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor. Për rrjedhojë është konstatuar pamundësi financiare për ndërtimin e objektit.
Balancë negative ka rezultuar dhe për një njësi shtesë kati, e legalizuar; për rikonstruksionin e një shtëpie të trashëguar nga nëna; për blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2005 për çmimin 500 mijë lekë; për blerjen e një makine tjetër në 2013-ën për shumën 3500 euro; për krijimin e disa depozitave dhe gjendjen cash.
Si burime të pasurive, subjekti ka deklaruar të ardhura nga emigracioni në vitin 1992; të ardhura nga avokatia e si përmbarues; të ardhurat nga qiradhënia e njësive të objektit; nga paga si gjyqtar; si dhe të ardhurat e bashkëshortes nga kopshti privat.
Faksaj tha se në analizën financiare nuk janë konsideruar të ardhurat nga emigracioni e avokatia, ndërsa nga të ardhurat nga kopshti privat të deklaruara në vlerën 12.8 milionë lekë, janë përfshirë në analizë rreth 5.8 milionë lekë që janë konfirmuar nga tatimet.
Në analizën e përgjithshme financiare janë përfshirë dhe shpenzimet e djalit për shkollim në Gjermani, si dhe të ardhurat e përfituara prej tij nga puna atje. Po ashtu, janë përfshirë dhe shpenzimet për vajzën.
Sipas Faskajt, nga analiza financiare paraprake e përgjithshme, ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 26.5 milionë lekë për periudhën 2003-2016. Po ashtu, për vitet e tjera që ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, 2000-2003, është konstatuar pamundësi në shumën e rreth 6 milion lekëve.
Sinanaj e cilësoi të padrejtë moskonsiderimin e të ardhurave nga puna e tij si avokat. Ai tha se ato të ardhura janë të konsiderueshme. Po ashtu, kërkoi të përfshihen edhe të ardhurat nga puna në emigracion, duke sjellë në vëmendje se kishte siguruar deklarime e foto që vërtetonin se ai kishte qenë emigrant ekonomik në Greqi në vitin 1992, për 7 muaj.
Sipas subjektit, me këto të ardhura kishte kryer rikonstruksionin e shtëpisë së vjetër të trashëguar prej nënës së tij nga gjyshi.
Lidhur me paqartësitë e KPK për sigurimin e truallit ku është ndërtuar objekti i dhënë me qira, Sinanaj tha se pas kalimit në sistemin pluralisht, me të drejtë avokatët ishin nxjerrë nga ambjentet e gjykatës dhe për rrjedhojë i ishte dhënë leje për të ndërtuar një zyrë, ku kishte vendosur fillimisht një kioskë. Ai tha se në atë periudhë e kishin ndihmuar shumë financiarisht të ardhurat nga emigracioni. “Në këtë ambjent bëmë në vitin 1998 një bilardo ku loznin të gjithë gjyqtarët, prokurorët e avokatët,” shpjegoi Sinanaj ndër të tjera.
Sipas subjektit, ai kishte pasur oferta për t’u bërë gjyqtar në vitet 1996 dhe 1998, por nuk kishte pranuar për shkak të pagës së ulët. Sipas tij, si avokat fitonte shumë më shumë dhe pasi kishte rregulluar bazën ekonomike të familjes, kishte vendosur të pranonte që të emërohej si gjyqtar në 2000-in. Ai shtoi se vendimin për t’u emëruar si gjyqtar e kishte marrë edhe pasi ishte hequr dënimi me vdekje në ’99-ën, me argumentin se nuk ishte dakord me atë lloj dënimi.
Për rikonstruksionin e kryer në një ndërtesë, ai shpjegoi se muret e objektit ishin lënë ashtu si kishin qenë. Sipas subjektit, çdo gjë është e dokumentuar dhe se burimet e çdo pasurie i ka të justifikuara.
Profesionalizmi
Tek gjyqtari Hektor Sinanaj u evidentuan probleme në kriterin profesional. Sipas raportit të hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, subjekti ka mangësi të njohurive ligjore; nuk zbaton vendimet unifikuese; nuk analizon ligjin, provat dhe rrezikshmërinë e veprës penale; se vendimet e ndërmjetme rrallëherë shoqërohen me referime ligjore. Po ashtu, konstatohen mangësi dhe në arsyetimin e vendimeve.
Në tre dosjet e përzgjedhura nga subjekti dhe në pesë të shortuarat, janë evidentuar dy raste kur subjekti ka gjykuar në kushtet e konfliktit të interesit.
Nga verifikimet e kryera nga Komisioni ka rezultuar se ndaj Sinanajt janë depozituar në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë 32 aneksa nga viti 2018. Për një prej rasteve, bazuar në ankesat e një shoqërie dhe një banke, ILD ka kërkuar në KLGJ caktimin e masës disiplinore të uljes së pagës me 40% për një vit. KLGJ ka pranuar pjesërisht kërkesën e ILD-së, duke dhënë “vërejtje publike”. Në seancë u relatua, se subjekti kishte vlerësuar në vendimarrjet e tij për denoncimet e kryera nga bankat ndaj huadhënësve, se kontratat e kredive duhej të ishin nënshkruar para noterit.
Gjithashtu, ndaj gjyqtarit Sinanaj janë depozituar në Komision 13 denoncime nga publiku. Faskaj tha se është konstatuar gjykim në kushtet e konfliktit të interesit, mungesë arsyetimi në një vendimarrje dhe zgjatje e një procesi për 3 vjet.
Relatorja konstatoi se nga hetimi administrativ konfirmohet se subjekti ka shqytuar mbi 180 çështje, ku palë kanë qenë avokatët apo eskpertët që kanë marrë me qira zyra që gjenden në objektin e zotëruar prej tij. Kontratat e qiradhënies ka rezultuar se janë lidhur me subjektin deri në vitin 2007 dhe në vijim nga bashkëshortja e tij.
Sipas Komisionit, të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga qiradhënia e zyrave janë deklaruar si burim krijimi për pasuritë, duke rezultuar interes i subjektit nga qiraja e marrë prej avokatëve dhe ekspertëve që kanë qenë palë apo të thirrur në proceset e gjykimeve. Për rrjedhojë, konstatohet se duket se subjekti ka vepruar në këto gjykime në kushtet e konfliktit të interesit.