Një blerje e rëndomtë e kamerave të vëzhgimit, të prodhuara në Kinë, nga ushtria rumune më 16 janar, mund të shkaktojë telashe shumë të mëdha për sigurinë kombëtare të Rumanisë.
Një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes të Hungarisë i porositi për më pak se 1.000 dollarë një ndërprerës me tetë porte dhe dy kamera të vëzhgimit për rrjetin e sigurisë në një bazë ushtarake në fshatin e qetë jugor, Deveselu, në të cilin NATO-ja e ka vendosur sistemin e vet mbrojtës raketor, Aegis Ashore.
Kamerat ishin prodhuar nga Hikvision, një kompani kineze që është pjesërisht nën pronësi shtetërore dhe e cila dyshohet se ka lidhje me ushtrinë kineze. Pajisjet e kësaj kompanie janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe, për shkak të brishtësisë të të dhënave dhe të sigurisë.
Derisa nuk ka dëshmi për ndonjë shkelje për shkak të këtyre kamerave në Deveselu, një hulumtim njëmujor i Shërbimit rumun të Radios Evropa e Lirë (REL), tregon se pajisjet e vëzhgimit të prodhuara nga Hikvision dhe Dahua – një tjetër kompani që është pjesërisht nën pronësinë e Qeverisë kineze – përdoren nga së paku 28 objekte ushtarake në gjithë vendin.
Pajisjet përdoren edhe nga qindra institucione të tjera publike që janë të përfshira në sigurinë kombëtare.
Përdorimi i pajisjeve të Hikvisionit dhe Dahuas është i ndaluar në SHBA, Britani dhe në disa vende të tjera të NATO-s, por jo edhe në Rumani.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë dhe institucionet e tjera të vendit që i përdorin ato kamera, thanë për REL-in se ato nuk janë të lidhura me internet dhe se kanë protokolle të rrepta të sigurisë.
Por, ekspertët thonë se përdorimi i tyre në Rumani ngre pyetje vendimtare për sigurinë kombëtare dhe për kompromisin e mundshëm me të dhënat e ndjeshme.
Brishtësitë në firm ka mundësi t’ua mundësojë shteteve dhe grupeve joshtetërore të kenë qasje nga larg, të kenë kontroll në kamera, të kenë qasje në të dhëna dhe të kryejnë sulme ndaj rrjetit.
Derisa këto shqetësime nuk janë të zakonshme për Hikvisionin dhe Dahuan, dyshimet se si ato i ruajnë të dhënat dhe lidhjet e tyre me Qeverinë kineze, i bëjnë të rrezikshme të dyja këto kompani.
“Rreziku vazhdon të ekzistojë, edhe nëse diçka nuk është e lidhur me internet”, tha për REL-in Conor Healy, drejtor i hulumtimit qeveritar në IPVM, një kompani hulumtuese e vëzhgimeve industriale.
“Ka shembuj të sistemeve të kamerave të mbyllua që janë hakuar përmes sistemeve të tjera të lidhura me internet”, tha ai.
Hikvisioni dhe Dahua e kanë mohuar se lidhjet që i kanë me shtetin kinez i bëjnë ato kompani të rrezikshme për sigurinë.
Dahua nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment, ndërsa Hikvision tha se një pjesë e madhe e mjeteve të saj shiten nga distributorë të palës së tretë dhe se kompania nuk mund të ketë qasje në kamerat e veta pasi t’ua ketë shitur myshterinjve.
“Kamerat e Hikvisionit janë në përputhje me ligjet dhe rregullat e zbatueshme në Rumani dhe në BE dhe u nënshtrohen kushteve të rrepta të sigurisë”, tha Hikvision për REL-in.
Nuk ka ndonjë ndalesë specifike në Rumani kundër blerjes së pajisjeve të Hikvisionit dhe Dahuas, edhe pse politikanët si Catalin Tentia, deputet rumun dhe kritik i përdorimit të këtyre kompanive nga shërbimet rumune të sigurisë, thotë se ka bazë ligjore për t’i ndaluar ato, por ajo nuk është zbatuar plotësisht.
Tenita tha për REL-in se legjislacioni ekzistues “mund ta hapë mundësinë për t’i rrëzuar ofertat të cilat nuk i përmbushin standardet e sigurisë, por Qeveria ka vendosur të mos e aplikojë këtë për Hikvisionin dhe Dahuan, edhe pse partnerët, si SHBA, kanë vendosur precedent”.
Sytë drejt Deveselu
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë tha se, për shkak se pajisjet janë në sisteme të mbyllura dhe nuk janë të lidhura me internet, askush nuk mund të depërtojë brenda tyre nga jashtë dhe se ato punojnë vetëm në rrjete të brendshme të sigurta.
“Të gjitha sistemet e video-vëzhgimit të instaluara në njësi ushtarake, përfshirë harduerin, kamerat dhe pajiset e rrjetit dhe të ruajtjes së të dhënave, kalojnë nëpër testime dhe vlerësime të rrepta dhe nëpër procedura të aprovimit”, tha një zëdhënës i kësaj ministrie për REL-in.
Ndërkohë, një zyrtar i NATO-s i tha REL-it në një përgjigje për shqetësimet e përdorimit të Hikvisionit dhe Dahuas se aleanca ushtarake aplikon “masa të forta për të garantuar sigurinë e stafit dhe objekteve tona nëpër zonën Euroatlantike”.
Aleanca nuk ka urdhëruar ndonjë ndalesë zyrtare kundër përdorimit të pajisjeve të vendeve të treta, por sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi në shtator 2023 kundër përdorimit të teknologjisë kineze në infrastruktura kritike.
Derisa Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë ngul këmbë se mbajtja shkyçur nga interneti e pajisjes do t’i largojë rreziqet e sigurisë, një situatë e ngjashme në Shtetet e Bashkuara mjaftoi për ta ndaluar përdorimin e Hikvisionit në këtë vend.
Në vitin 2018, një bazë ushtarake në Mizuri i largoi kamerat në rrjetet e mbyllura të kësaj kompanie, si masë parandaluese.
Një vit më vonë, ligjvënësit amerikanë e futën Hikvisionin në listën e sanksioneve, duke mos i lejuar kompanitë amerikane të shesin pajisje të saj, për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe çështjeve të të drejtave të njeriut, pasi kjo kompani kishte ndërtuar teknologji të veçanta për t’i vëzhguar dhe për t’i gjurmuar ujgurët dhe minoritetet e tjera në Provincën Xinjiang në Kinë.
Dahua, Hikvisioni përhapen në Rumani
Rumania është tregu më i madh në BE për pajisjet e Hikvisionit, por as Hikvisioni e as Dahua nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në prokurimet publike. Firmat vendore të sigurisë veprojnë si ndërmjetësuese për to, duke i siguruar dhe shpërndarë teknologjitë e tyre në institucionet publike të vendit.
Hulumtimi i REL-it tregon se përdorimi i pajisjeve të këtyre kompanive është shumë i madh në nivele lokale dhe kombëtare të Policisë rumune, nga Inspektorati i Përgjithshëm për Situata Emergjente, nga policia kufitare, dhe nga xhandarmeria e vendit.
Regjistrat e prokurimit, që REL-i i ka parë, tregojnë po ashtu se pajiset e Hikvisionit dhe Dahuas përdoren gjithandej në gjykata, universitete në gjithë Rumaninë dhe në Parlamentin kombëtar në Budapest.
Policia rumune, Inspektorati i Përgjithshëm për Situata Emergjente, policia kufitare, dhe xhandarmeria e vendit thanë për REL-in se pajisjet e Hikvisionit dhe të Dahuas janë blerë ligjërisht në përputhje me legjislacionin kombëtar për prokurim publik dhe se ato “i plotësojnë në tërësi specifikat e kërkuara teknike”.
REL-i gjithashtu gjeti se edhe zyrat qendrore të shërbimit inteligjent të Rumanisë në qytetin verilindor, Iasi, në afërsi të kufirit me Moldavinë, përdorin pajisje të Hikvisionit dhe Dahuas.
Marian Ghenescu, specialit i sistemeve të videove dhe inxhinier i sistemeve të sigurisë në Softrust Vision Analytics, kompani rumune e specializuar për sigurinë e sistemeve të video-vëzhgimeve, tha për REL-in se mbajtja e rrjeteve shkyçur dhe mirëmbajtja e rregullt e sigurisë kibernetike, mund ta kufizojë çdo brishtësi të mundshme.
Ai thotë se në Ruamani, Hikvisioni dhe Dahua përzgjidhen shpesh, sepse ato janë mundësia më e përballueshme për institucionet lokale me buxhet ekonomik dhe se ato mund të mos instalohen gjithmonë në mënyrën më të sigurt të mundshme.
Alexandru Anghelus, ekspert i sigurisë kibernetike, tha për REL-in se të gjitha pajisjet e vëzhgimit përbëjnë rrezik për sigurinë, jo vetëm ato të markës kineze.
Ndërkohë, në Rumani disa ligjvënës po bëjnë thirrje për hetim të mëtejmë.
Adrian Trifan, senator i cili shërben si nënkryetar i Komisionit për Komunikim, Teknologji Informative dhe Inteligjencë Artificiale, thotë e dëshiron largimin e kamerave nga Parlamenti dhe dëshiron të dijë pse pajisjet e Hikvisionit dhe Dahuas po përdoren kaq shumë në vende të sigurisë nacionale.
“Kjo është diçka serioze që duhet të sqarohet menjëherë nga institucionet relevante. Dhe, duhet të sqarohet si i kaluan këto blerjen procedurat [në Këshillin Suprem të Mbrojtjes Nacionale të Rumanisë]”, tha ai./REL