Kreu i PD-së, Sali Berisha ka mbledhur në selinë blu Kryesinë e partisë, pasi mazhoranca miratoi në Kuvend kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj tij.
Para anëtarëve të Kryesisë, lideri demokrat është shprehur se pavarësisht tentativës për ta lënë vendin pa opozitës, kjo gjë nuk ndodhi dhe sipas tij, pozita erdhi duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë.
Berisha ka deklaruar më tej se reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozita e vërtetë, teksa e ka konsideruar kreun e qeverisë si një hajdut dhe diktator. Ai iu drejtua të tijëve se në asnjë rrethanë nuk do të zmbrapsen dhe se rruga është vetëm përballje me Ramën.
Berisha iu kërkoi anëtarëve të Kryesisë të shumëfishojnë përpjekjet e tyre, të mendojnë çdo ditë se çfarë do t’i bëjnë sot armikut në pushtet. Në lidhje me vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese, Berisha e konsideroi si të turpshme dhe se dje dëshmoi se ajo përbën dje seksionin më militant të PS.
Berisha: Kjo mbledhje kryesie thirret në momentet më të jashtëzakonshme në historinë e forcës tonë politike, momente kur regjimi i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, pasi e demaskuam dhe e demaskojmë çdo ditë për lidhjet e tij me krimin, për dhunimin në parlament dhe kudo të të drejtave të opozitës dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, për vjedhjet e mëdha, shkretimin e Shqipërisë nga qytetarët shqiptarë, mendoi se zgjidhja e këtij demaskimi është arrestimi i kryetarit të PD, me të cilin Edi Rama dhe kushdo tjetër, e ka të qartë se nuk mundet kurrë të bëjë pazare. Dhe me të cilin, ai nuk përballon dot betejën. E vërteta është se ne si opozitë, jo për dëshirën tonë, por për ndërhyrjet dhe përpjekjet për të lënë Shqipërinë pa opozitë faktikisht, kaluam një periudhë shumë të vështirë, por përsëri me gjithë vështirësitë e mëdha, me gjithë forcën e madhe të korrupsionit transnacional, korrupsion i cili u përdor për shkatërrimin e opozitës shqiptare, kjo nuk ndodhi dhe opozita erdhi duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë. Opozita erdhi duke u bërë zëdhënëse e vërtetë e interesave të shqiptarëve, duke u bërë zëdhënëse e vlerave që duhet të ketë një shoqëri e lirë. Vlera që besojmë, vlera që ne kemi në program, vlera me të cilat ne e morëm Shqipërinë nga honet e mjerimit dhe e nxorëm në një vend të respektuar, anëtar i NATO-s dhe institucioneve të tjera evropiane. Ne nuk lëvizim nga parimet tona, nga programi ynë, nuk lëvizim nga orientimi ynë euroatlantik. Nuk ngatërrojmë dhe nuk konfondojmë akte të shkëputura nga vlerat universale të partnerëve tanë euroatlantikë të qytetërimit perëndimor. Lidhja jonë me këto vlera është genuine në kuptimin që e gjithë doktrina moderne e identitetit tonë kombëtar është e ndërtuar mbi këto vlera dhe ajo garanton vokacionin perëndimor të PD dhe kombit shqiptar. Natyrisht, reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozita e vërtetë. Edi Rama është në llojin e tij një hajdut dhe diktator. Në tërësi është vështirë të ndash hajdutin nga diktatori dhe hajdutin nga diktatori sepse diktatorit i duken të gjitha pronë e tij dhe ndjehet i lirë të vjedhë, të shpërdorojë dhe të abuzojë mbi pasuritë e shqiptarëve. Por problemi më themelor është sepse ai ka arritur të konfiskojë votën e lirë të shqiptarëve dhe pikërisht me këtë mekanizëm ka vrarë pasivisht shpresën te qytetarët shqiptarë. Ka shkaktuar largimin e tyre më të madh në histori nga vendi. Këto të gjitha për ne janë motive beteje. Ndaj dhe ne shpallëm betejë pa kthim.
Në asnjë rrethanë ne nuk mund të zmbrapsemi, ne nuk do zmbrapsemi. Por në kushte të reja, të diktuara në mënyrë të shpejtë do të thosha nga regjimi, natyrisht kërkohet një ripërshtatje e shpejtë e jona në këto kushte. Kërkohet nga ne të bëjmë gjithçka që të jemi zëdhënës të atyre që guxojnë. Edi Rama ka zhytur Shqipërinë, shoqërinë shqiptare në mbretërinë e frikës dhe frika është e njohur se përbën ndjenjën më qendrore në fiziologjinë e ndjenjave njerëzore.
Shpesh, thonë se ai fiton vota. Kjo nuk më rikujton asgjë tjetër veçse marsin e vitit 1991, ne, zona më e varfër, më e mjeruar, zona që jetonte në uri kronike prej vitesh, nuk na votoi. Nuk na votoi se ajo ishte pajtuar me atë shkallë ekstreme mjerimi, jo se ajo kishte parë qoftë edhe favorin më të vogël nga diktatura. Përkundrazi, e kishte pësuar më rëndë se të gjithë të tjerët. Ata ushqeheshin realisht më keq se të burgosurit në burgjet e diktaturës. Por më e fuqishme se sa ulërima e urisë, ishte frika tek ata. Ishte frika tek ata. Ndaj dhe e kam theksuar dhe më parë, kjo frikë, e njohur si strategji, u ngulit me një program të caktuar dhe sot është mjaft e përhapur. Por nga ana tjetër, askush të mos mendojë se njerëzit janë të qetë, janë të kënaqur të jetojnë me frikë. Jo, çdo njeri dëshiron të çlirohet sa më parë prej saj. Asgjë nuk çliron qytetarin nga frika më shumë se shembulli personal i qytetarit, demokratit, drejtuesit të PD. Në këtë kontekst, duhet ta konceptojmë qëndresën tonë, betejën tonë pa kthim, para së gjithash si një betejë të atyre që guxojnë dhe ju garantoj se ata që guxojnë janë shumë herë më shumë nga sa mendojmë ne, nga sa mendojnë drejtuesit tanë. Si mund t’i identifikojmë dhe t’i gjejmë këta ne? Thjesht, të bëhemi zëdhënës të kërkesave dhe sugjerimeve të tyre. Ata kanë guximin dhe guximi u bën të mundur atyre të kenë projekte për betejë. U bën të mundur të angazhohen në betejë kundër regjimit.
Kjo është rruga e vetme që ne të shkrijmë akullin e frikës, që ne të rritemi dhe të shndërrohemi siç jemi sot. Sot ne jemi shpresa e vetme për shqiptarët.
Por me një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin, ju garantoj se nuk mbetemi forca e vetme e shpresës, por forca më e sigurt e fitores për shqiptarët.
Kjo kërkon gjithashtu që secili nga ju, të dashur anëtarë të kryesisë, të shumëfishojë përpjekjet tuaja, të mendojë çdo ditë se çfarë do t’i bëjmë sot armikut tonë në pushtet. Ai, faktoi se mund të bëjë gjithçka dhe ne duhet të faktojmë se mund t’i bëjmë çdo gjë. Rruga është vetëm një: përballja, përballja, përballja me të.
Askush të mos mendojë se Edi Rama dhe regjimi i tij është i qetë. Përkundrazi, u them unë, ai jeton në terror dhe frikë të madhe. Frika dhe vetëm frika bënë që ai të urdhërojë një zinxhir aktesh, veprimesh, të cilat as Lukashenko i Bjellorusisë nuk do mund t’i realizonte. Gjatë këtyre dy-tre javëve u zhvillua një proces unik, i veçantë në Shqipëri, në të cilin Edi Rama urdhëroi institucionet e drejtësisë dhe parlamentin të kalojnë nga një shkelje e rëndë në një shkelje më të rëndë të Kushtetutës. Për të realizuar aktin e sotëm, ai e realizonte pa asnjë lloj të themi, pengese të pakapërcyeshme sepse kudo kontrollin dhe shumicën. Por përsëri atij nuk i duhej rruga legale, sepse rruga legale mund t’i mbetej e këputur në mes. Për garanci dhe siguri, atij i duhej që në një rast të parë dhe kurrë nuk ka ndodhur në 32 vite, që një deputeti t’i hiqet e drejta e lëvizjes jashtë shteti me një vendim gjykate, duke dhunuar nenin respektiv të Kushtetutës. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit që kryetari i opozitës të mos pyetet ndonjëherë dhe të sajohet një piramidë mashtrimi dhe nuk pyetet për shkakun e vetëm sepse jo në një gjysmë ore, por në 20 minuta, rrafshon me dritën e të vërtetës atë piramidë. Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i një deputeti pa paraqitur në komision të parlamentit, në Komisionin e Mandateve, as edhe një provë, fakt apo dokument të vetëm. Thjesht vendimin e gjykatës, të Skapit dhe me radhë.
Do t’u thosha se në këtë proces, akti më i turpshëm që tejkalon çdo imagjinatë, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese dëshmoi dje se ajo përbën dje seksionin më militant të PS. Vendimi i djeshëm i gjykatës, tejkalon çdo imagjinate. A mund të imagjinohen gjykatës, të cilët pasi u rritën rrogat në 6 milionë, u verbohen sytë për të lexuar Kushtetutën? Dy-tre gjëra mund t’u them. Në vendimin e tyre, mashtrojnë në mënyrën më të turpshme. Dhunojnë ligjin dhe logjikën njerëzore, kur thonë se grupi i një të pestës së deputetëve, është entitet me fuqi të kufizuar në kërkesat para Gjykatës Kushtetuese. Dhe se entiteti Kuvend merr përparësi. Për ta ditur qytetarët, neni 7 i Kushtetutës shprehet se sistemi qeverisës në Shqipëri ndërtohet nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Nuk i referohet parlamentit. Nuk thotë pushteti i parlamentit. Nuk vë në bazë parlamentin me organet e tij drejtuese, por vë ligjvënësin, deputetin.
Në pasqyrim të këtij neni, neni 134 që pasqyron se kush ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës, në mbi 100 fjalë të tij, nuk ekziston fjala parlament. Në pikën C, i njeh këtë të drejtë një të pestës së deputetëve. Dhe këtë të drejtë ia njeh baras me presidentin, kryeministrin dhe Avokatin e Popullit. Pra, kjo e drejtë është e pakufizuar. Nuk ia njeh këtë të drejtë kryetares së parlamentit apo kryetarit, i cili në hierarki është numri 2 i shtetit. Nuk ia njeh kryesisë, nuk ia njeh komisioneve, kurse gjykata mashtron, nxjerr entitet atë që nuk është subjekt ligjor për t’u paraqitur në gjykatë. Gjykatësit mashtrojnë në mënyrë të paimagjinueshme. Çfarë përfaqëson një e pesta e deputetëve? Për ata që kanë të qarta parimet më bazë të lirive në një shoqëri, kjo përcakton të drejtën e pakicës. Kjo nënkupton se ata janë opozitarë. Por me kusht që të jenë një e pesta, jo më pak. Këtij përcaktimi të kristaltë kushtetues, gjykatësit i kundërvunë fantazinë e tyre të sëmurë militante. Po në këtë rrjedhë, duke shpërfytyruar veten e tyre, duke shkelmuar mbi veten dhe dinjitetin e tyre, thonë se një e pesta nuk legjitimohet se kjo kërkesë duhet të jetë e parlamentit dhe jo e deputetëve. Me një fjalë, për këta deputetë që Kushtetuta u njeh të drejtën e pakufizuar në të drejtën ndaj kësaj gjykate, që gjykata gjer dje ua ka njohur dhe respektuar këtë të drejtë. Vetëm tre javë më parë, gjykata ka pranuar ankesën e tyre për protokollin e marrëveshjes Shqipëri-Itali, që në fund të fundit ishte marrëveshje mes dy qeverive. Por sigurisht nëse gjykata ka përjashtuar një të pestën e deputetëve si entitet me fuqi të pakufizuar, kjo një e pestë, në emër të shtetit, në emër të pakicës që përfaqëson në atë shtet, i ka të hapura dyert e gjykatës. U ndala pak më gjatë se ç’duhet në këtë, por po të kemi parasysh se ka përkufizime në të cilat gjykata konsiderohet garant i Kushtetutës, do të thotë se sot një seksion i PS në gjykatë, është garant i monizmit, është garant i vendosjes së një pushteti monist të përqendruar totalisht në duart e një njeriu.