Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka nisur sot konferencën e shtypit duke paralajmëruar se së shpejti do të demaskojë një tjetër aferë të kryeministrit Edi Rama.
“Unë e kuptoj që ju prisni që unë të flas për lidhjen e Edi Ramës me sponsorin e terrorizmit, Al Alabar, por kjo do të jetë objekt pasi të mblidhen informacionet e reja, i konferencave të ardhshme, kurse sot unë jam para jush përsëri për vjedhjen e shekullit të qytetarëve shqiptarë që është djegësi i Tiranës“- tha Berisha.
Berisha theksoi se “dosja e amnistisë e Erion Veliajt nga treshja famëzezë Kraja-Prençi-Gjoka është një krim monstruoz në historinë e drejtësisë shqiptare”.
“Aq sa mund të ndash blozën e zezë nga tymi, mund të ndash Erion Veliajn dhe Edi Ramën nga vjedhja e shekullit”- theksoi kreu i PD.
“Ajo çka unë duhet të theksoj, se në qindra e qindra faqe të dosjes në bazë të së cilës janë lëshuar 15 urdhër-arresti për djegësin e Tiranës, nuk përmendet as dhe njëherë të vetme emri i Erion Veliajt, pa lëre më i Edi Ramës, çka dëshmon në mënyrë të padiskutueshme se këto arrestime kanë pasur për qëllim krijimin e një mburoje për Erion Veliaj dhe vetëkuptohet për Edi Ramën, për vjedhjen e shekullit.
Erion Veliaj është personi direkt që me firmë dhe vulë, ka ndryshuar në funksion të vjedhjes, plaçkitjes së pasurive publike në bashkëpunim me Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Artur Metanin, strategjinë e trajtimit të mbetjeve urbane të hartuar nga Korporata Ndërkombëtare Financiare dhe Agjencia Japoneze e Ndihmave Xhajka.
Sipas kësaj strategjie, për qytetin e Tiranës, duhej të aplikohej grumbullimi, seleksionimi, riciklimi, ripërdorimi dhe depozitimi në landfill, në mënyrë që mbetjet që mbeteshin për depozitim të ishin sa më të pakëta. Megjithëkëtë, këto dy kompani shumë serioze rekomandojnë që zgjerohet landfilli i Tiranës ose të krijohet një landfill tjetër rajonal. Por Erion Veliaj, në përputhje me interesat e tij dhe të Edi Ramës, këtë strategji e ndryshon dhe e kalon në djegien e mbetjeve, gjë e cila vlerësohet nga Xhajka si metodë e kushtueshme dhe nuk rekomandohet për realitetin shqiptar.
Në rast se Erion Veliaj nuk do ndryshonte strategjinë e trajtimit të mbetjeve urbane nga grumbullim, seleksionim, riciklim, ripërdorim dhe depozitim në djegie, natyrisht nuk do ekzistonte vjedhja e shekullit, kjo megaaferë krruptive e përmasave 1 miliard.
Por jo vetëm kaq, Erion Veliaj nuk është mjaftuar me ndryshimin e strategjisë së djegësave. Ai ka ndryshuar praktikën e përdorur në Elbasan dhe Fier për prokurimin e djegësve. Nëse djegësi i Elbasanit dhe Fierit u prokuruan me fonde publike me çelësa në dorë, Erion Veliaj vendos që për Tiranën, trajtimi i mbetjeve me djegie të jepet me koncesion për 30 vite, duke ngarkuar taksapaguesit e qarkut të Tiranës me një peshë prej 1 miliard eurosh gjobë të tmerrshme, natyrisht të përfituara nga ai dhe sipërmarrja e tij.
Veprimet, firmat e Erion Veliajt janë në themel të vjedhjes së shekullit, se ai personalisht me firmën e tij, në një akt mashtrimi të rëndë zyrtar, mori atributet e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe Këshillit të Qarkut të Tiranës. Pra, nëse ju lexoni akuzën për mashtrim në përputhje me nenin respektiv, mashtrimi më i madh në dosjen e djegësit, është mashtrimi i Erion Veliajt, i cili shprehet në emër të Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut të Tiranës, se studimi i fizibilitetit, kërkesat e tij, pagesa është plotësisht e përballueshme nga qeveritë vendore, pagesa prej 90 milionë eurosh. Në një kohë kur kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe asnjë kryetar bashkie tjetër, nuk ka tagër ligjor, të drejtë ligjor të miratojë një fond as 10 mijë euro pa miratimin e Këshillit Bashkiak.
Pra, rrëmbeu për pasurimin e tij, të gjitha pushtetet e bashkive të qarkut të Tiranës dhe kjo është me firmë. Këtë akt, Erion Veliaj e ka kryer pasi i është refuzuar nga ministri Shkëlqim Cani, dhe pas largimit të Shkëlqim Canit, i është refuzuar pesë herë me radhë nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Në fund, kur Erion Veliaj është zotuar se kjo pagesë do bëhej nga qeveria vendore, natyrisht ministri Ahmetaj nuk kishte të bënte më me buxhetin e shtetit, por ishte në përputhje me ligjin, kompetencë e qeverisë vendore. Nuk jam dakord me Ahmetajn, Ahmetaj duhej të denonconte menjëherë në prokurori, aktin penal të rëndë të Erion Veliajt.”, tha Berisha.
- ‘Veliaj ushtroi presion për bonusin’/ Berisha publikon shkresën e skandalit
“Erion Veliaj ka përgjegjësi të plotë dhe është kryesor në skandalin apo krimin e dhënies së bonusit prej tetë pikësh”, deklaroi sot Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference shtypi për aferën e inceneratorit të Tiranës, për të cilën SPAK ka nisur hetimet dhe arrestimet.
“Erion Veliaj ka përgjegjësi të plotë dhe është kryesor në skandalin apo krimin e dhënies së bonusit prej tetë pikësh. Arben Ahmetaj, i cili ka pasur vetëm një përfaqësues në KVO, është akuzuar se ka ushtruar presion për bonusin në KVO. Erion Veliaj ka pasur dy përfaqësues, ai dhe jo vetëm ai, kanë ushtruar presion të madh mbi anëtarët, mbi kokat e turkut, punonjësit e bashkisë, që të firmosin në KVO, ndonëse atyre u njohu meritën se kanë deklaruar që kjo nuk mund të bëhet me financimin e bashkisë. Që kanë kërkuar që çështja t’i kalojë për kompetencë Këshillit Bashkiak.
Por presioni ka qenë i rëndë mbi ta. Tani, meqë jemi këtu, ndaluni për një moment. Në rastin e klubit Partizani, kryetari i bashkisë, Edi Rama firmos me vulë dhe firmë, ndryshimin e destinacionit. Dhe ai nuk thirret njëherë të vetme në prokurori për t’u pyetur, në një kohë kur këta kanë bërë një propozim, arrestohen. Pra, Rama që bën ndryshimin e destinacionit, amnistohet paçka se shkel në mënyrë flagrante ligjin, kursë këta fakirët që propozojnë, nuk janë këta që vendosin, këta bëhen kurbanë për të shpëtuar Veliajn dhe jo vetëm Veliajn. Së fundmi, lidhur me rolin direkt të Erion Veliajt në procedurën e djegësit të Tiranës, provon qartë edhe korrespondenca zyrtare mes ministrit Koka dhe ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.
Siç do ju bëjmë me dije sot, Edi Rama së bashku me Engjëll Agaçin, me vendimin numër 855, datë 7 dhjetor, kanë miratuar dhënien e bonusit 8 përqind ndaj kompanisë Integrated Energy, e cila nuk ekzistonte dhe do krijohej 9 muaj më vonë. Po në lidhje me këtë çështje, do sjell para jush një shkresë dërguar ministrit Lefter Koka me datën 15 nëntor 2016 nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili shprehet se: nisur nga interpretimi literal i kësaj dispozite si dhe nga analiza në tërësi e nenit 25 të ligjit 125/213 që trajton propozimet e pakërkuara, konstatojmë se në asnjë pikë të tij nuk përmendet apo autorizohet shprehimisht Këshilli i Ministrave për miratimin e dhënies së bonusit.
E kuptoni pra si u investua Edi Rama me Agaçin dhe Metanin në vjedhjen e shekullit për xhepat e tyre, për diçka që nuk ua kërkonte ligji. Dhe këta këtu, bënë propozimin, janë brenda këta se propozuan, kurse këta që vendosën në kundërshtim me ligjin, këta vazhdojnë të mbrojtur në mënyrën më kriminale pa asnjë lloj akuze, të pamarrë në hetim. Edhe njëherë, në 110 faqe, apo sa ka dosja e fundit, emri i Erion Veliajt nuk përmendet asnjëherë. Nuk guxojnë të përmendin asnjëherë, ose ua kanë mbyllur gojën me qindra e mijëra euro, zyrtarëve të shitur të sistemit të drejtësisë. Pika 7 e këtij neni, vazhdon Manjanin, përcakton se Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për vlerësimin e pranueshmërisë për mbajtjen dhe trajtimin e propozimeve të pakërkuara, pa individualizuar.
Por manjaku i individualizimeve për të mbushur xhepat e tij, Edi Rama, njëlloj si në rastin e Bolinos, që firmosi për të plaçkitur 5 mijë metër katrorë të lënë për shkollë, i individualizon gjërat në mënyrë që të mos e diskutojë më kush pronësinë për sipërmarrjen. Manjani i thotë se nuk mund të miratohet me personalizim. Kjo është katastrofë, ti e merr përsipër, e bën ndërmarrjen tënde pastaj”, tha Berisha.
- Inceneratori i Tiranës, SPAK lëshon 15 urdhër-arreste, shpëton Veliaj
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion po udhëheq një operacion arrestimesh, për zyrtarë që lidhen me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Sipas informacioneve jo-zyrtare, janë lëshuar urdhër-arreste për 15 persona, nga të cilët pjesa më e madhe e të cilëve kanë në fuqi masa sigurimi “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”. Natyrisht, në këtë operacion mungon emri kryesor i dyshuar për skandalin 420 milionë euro plus të landfillit të Tiranës, Erion Veliaj.
Përveç shkeljeve ligjore, thuajse e gjithë praktika është realizuar në bashkëpunim me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensionit.
Ngjashëm me rastet e Elbasanit dhe Fierit, edhe për inceneratorin e Tiranës, siç rezulton nga hetimet, makineria shtetërore ka qenë gati e tëra, në shërbim të biznesmenëve Zoto dhe Mërtiri. Aktet e Prokurorisë dëshmojnë se ishin ata që kanë kontrolluar të gjithë procesin nga fillimi deri në fund, ndërsa funksionarët shtetërorë të përfshirë, kujdeseshin të mbyllnin procedurat pa vonesë, sipas interesave të dy sipërmarrësve.
Një akuzë e cila rëndon dhe mbi 11 persona të tjerë, pjesa dërrmuese e të cilëve, anëtarë të komisionit të koncensionit. Mes tyre është ish drejtoresha juridike e ministrisë së Mjedisit Alba Thoma si dhe Drejtori i përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës Taulant Tusha.