Infrastruktura digjitale po bëhet po aq e rëndësishme dhe jetike sa infrastruktura fizike, rrugët, uji dhe energjia. Tashmë kur shumica e shërbimeve qeveritare jepen online dhe mund të merren nga smartphone, qeveria në anën tjetër po rrit shpenzimet për këto shërbime.
Vitin që vjen, buxheti i shtetit do të akordojë për funksionimin e e-Albania 8,9 miliardë lekë, ose 85 milionë euro, teksa në vitin 2018, shpenzimet për shërbimet online ishin vetëm 2,3 miliardë lekë, ose 20 milionë euro.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga viti 2016 deri në vitin 2024 janë financuar më shumë se 42 miliardë lekë, rreth 400 milionë euro për sistemet e-Albania.
Financimet vjetore në infrastrukturën e-Albania renditen të katërtat në radhë pas investimeve publike në transportin rrugor, detar dhe në ujësjellës.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) referon se aktualisht janë 1233 shërbime publike për qytetarët dhe biznesin që ofrohen online dhe përbëjnë 95% të shërbimeve publike.
Pjesa e mbetur u përket shërbimeve që kërkojnë patjetër prani fizike të qytetarëve, siç është lidhja e martesës në Gjendjen Civile, kontrolli fizik i automjeteve apo vendosja e shenjave të gishtërinjve për aplikimet për dokumentet biometrike, pasaportë dhe ID.
Janë rreth 3 milionë përdorues të regjistruar në portalin e-Albania, ndërkohë që janë mesatarisht mbi 1.7 milionë aplikime dhe afro 1 milion dokumente që gjenerohen me vulë elektronike çdo muaj.
Teksa infrastruktura digjitale evoluon, popullata e vendit ka mungesë njohurish për përdorimin e shërbimeve online. Shpesh kjo mungesë njohurish përkthehet në kosto të fshehur, pasi qytetaret për të aksesuar shërbimet online, paguajnë persona të tretë ose zyra noteriale për të marrë shërbimet.
Një anketë e PNUD (programit të Kombeve të Bashkuara tregoi se, në vitin 2022, mbi 90% e të pyeturve raportuan se ishin në dijeni që qeveria ofron shërbime elektronike nëpërmjet portalit e-Albania.
Megjithatë, më pak se gjysma tyre, rreth 47%, raportuan se mund ta përdoronin e-Albania pa ndihmën e të tjerëve.
Megjithëse vendi ynë ofron gati 95% të shërbimeve publike online, Komisioni Eurpoian, në një analizë për qeverisjen elektronike 2023, e renditi Shqipërinë në vendin e 33, me 45 pikë, duke lënë pas vetëm Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Pikët më të larta i kanë marrë ishulli mesdhetar, Malta (96 pikë) dhe më pas Estonia, Luksemburgu (përkatësisht 92 dhe 89 pikë).
Në intervistën e posaçme, AKSHI sqaroi se, shërbimet digjitale do të pasurohen më tej. Sistemet janë gati për e-Albania 2.0 me modelin e ‘life events’ dhe shërbime proaktive, të cilat po përshtaten në bazë të nevojave dhe kërkesave specifike të përdoruesve.
P.sh. një person që hyn në e-Albania, i cili interesohet për shërbimet shëndetësore do t’i shfaqen automatikisht të gjitha shërbimet që ofrohen dhe mënyra si aksesohen.
Gjithashtu, po punohet për të integruar Inteligjencën Artificiale në këto shërbime. Për shembull për personat që kanë njohuri të kufizuara do të ketë një asistent zanor.
Shërbimet digjitale kanë evoluar aq shpejt në dekadën e fundit sa para 10 vitesh as nuk mund të imagjinoheshin. Por, nga ana tjetër, sulmet kibernetike dhe ekspozimi i të dhënave personale të qytetarëve ashtu siç ka ndodhur në Shqipëri, mbeten sfidë.
Sistemet digjitale kushtojnë dhe burimet njerëzore shpesh janë të pamjaftueshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit vuri në dukje në një audit të fundit se, serverat e Tatimeve janë të ezauruara mbi 90% dhe shërbimet mund të pësojnë kolaps nëse nuk investohet në zgjerimin e kapaciteteve.
Qytetarët, vetëm 47% janë të aftë të përdorin e-Albania
Një anketë e Programit të Kombeve të Bashkuara PNUD tregoi se në vitin 2022, shumica dërrmuese e të anketuarve mbi 90% raportuan se ishin në dijeni që qeveria ofron shërbime elektronike nëpërmjet portalit e-Albania.
Megjithatë, më pak se gjysma e tyre, rreth 47%, raportuan se mund të lidhen me portalin e-Albania pa ndihmën e të tjerëve. Përqindja e të anketuarve që i cilësuan shërbimet si funksionale, të lehta për t’u përdorur dhe eficiente në kohë ishte më e ulët në 2022 se sa në 2021.
Shumica e të anketuarve, 90.7% kishin dijeni që administrata e qeverisë ofron shërbime elektronike përmes portalit e-Albania, përqindje më e madhe se ajo e vitit 2021 (89.4%).
Grupmoshat e reja, të anketuarit me arsim universitar apo pasuniversitar, studentët, të punësuarit në sektorin publik, dhe banorët e zonave urbane kishin më shumë gjasa të deklaronin se ishin në dijeni të portalit e-Albania.
Në vitin 2022, raportuan se kanë marrë shërbime elektronike nëpërmjet portalit e-Albania një përqindje më e lartë e grave se e burrave.
Grupmoshat më të reja, të anketuarit me arsimin universitar apo pasuniversitar, studentët dhe punonjësit e sektorit publik raportonin se kishin marrë shërbime nëpërmjet portalit e-Albania.
Më pak se gjysma (47.9%) kanë raportuar se kanë përdorur portalin e-Albania “gjithmonë vetë”, 20.5% “zakonisht vetë (rrallëherë me ndihmën e dikujt tjetër)”, 15.9% “zakonisht me ndihmë nga dikush tjetër” dhe 15.7% “gjithmonë me ndihmë nga dikush tjetër”.
Të anketuarit mbi 55 vjeç, ata me arsim 8/9-vjeçar, dhe ata që banojnë në zonat rurale kishin më shumë gjasa të raportonin se e kanë përdorur portalin e-Albania “gjithmonë me ndihmë nga dikush tjetër”.
Po kështu, përqindja e shqiptarëve që kanë marrë shërbime elektronike nëpërmjet portalit e-Albania është rritur ndjeshëm, me një shifër prej 75% të regjistruar për vitin 2022.
Mbi 85% e të anketuarve ishin dakord se shërbimet elektronike shkurtojnë kohën e marrjes së shërbimit. 52.6% e të anketuarve ishin dakord se shërbimet elektronike u japin qytetarëve mundësinë për të shprehur komente dhe sugjerime.
Për shumicën dërrmuese të të anketuarve, mbrojtja e të dhënave personale ishte e rëndësishme.
Megjithatë, më shumë se gjysma e të anketuarve nuk besonin se të dhënat e tyre personale janë administruar siç duhet nga aktorët publikë dhe nga sektori privat.
Për shumicën dërrmuese, mbrojtja e të dhënave personale ishte ose “shumë e rëndësishme” (62.6%), “e rëndësishme” (27.7%) ose “pak e rëndësishme” (3% e të anketuarve).
Popullata, njohuri të dobëta në TIK
Avancimi i shërbimeve digjitale bëhet pak efektiv, për sa kohë njohuritë e popullsisë mbi përdorimin e këtyre shërbimeve mbeten të dobëta.
Në vitin 2021, 23,8% e shqiptarëve të moshës nga 16 dhe 74 vjeç kishte aftësi bazë digjitale, ndërkohë që në BE rreth 56% e popullatës ka njohuri bazë.
Ndërkohë ka shumë strategji për të përmirësuar njohuritë digjitale të popullatës, por kjo do të jetë sfidë në moshat e vjetra, ku 60% e tyre janë me arsim fillor.
Tregut të punës i mungojnë aftësitë digjitale dhe ai ofron mundësi të pakta për të zhvilluar te punonjësit aftësitë e tyre digjitale.
Studime nga Kombet e Bashkuara evidentojnë se sektori lokal i TIK-ut ka një hendek të madh midis njohurive dhe aftësitë e të diplomuarve në IT dhe kërkesave të industrive, edhe në pozicionet e nivelit fillestar.
Si rezultat, shumë kompani ofrojnë programe intensive trajnimi të kushtueshme për të diplomuarit, ndonjëherë deri në 6 muaj.
Sektorët që po përshtaten me digjitalizimin dhe kush mbetet pas
Sektori i TIK-ut ka shënuar rritje më të fortë në vlerë vitet e fundit, për shkak të kërkesave për shërbimet digjitale në të gjithë sektorët.
Nga të dhënat e INSTAT, numri i kompanive të regjistruara në sektorin e TIK në dekadën e fundit pothuajse është dyfishuar, duke arritur në më shumë se 2200 kompani, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Ndërkohë, numri i familjeve që përdorin internetin ka arritur në 96% në vitin 2022 nga 82% që ishte ky tregues në vitin 2019. Aksesi në internet nga celulari është më i lartë se në sistemet kabllore fikse.
Shqipëria ofron një akses në internet, por ndërkohë që infrastruktura e TIK-ut nuk është e zhvilluar në zonë. Të dhënat tregojnë se sektori publik ka ecuri me ritme më të shpejta drejt përdorimit të TIK për të ofruar shërbime, teksa sektori privat po bën hapa më të ngadaltë.
Të dhënat zyrtare nga anketat e INSTAT në ndërmarrje tregojnë se, bizneset shqiptare investojnë shumë pak në teknologji për të përthithur risitë që ofron tregu.
Banka Botërore e konsideroi e-commerce një mjet shumë efikas për të integruar bizneset shqiptare nga një ekonomi e vogël në një treg global, por burimet e kufizuara financiare të kompanive dhe mungesa e infrastrukturës digjitale në zonat rurale janë pengesa.
Vitet e fundit ka një rritje të tregtisë elektronike, por Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit edhe në këtë drejtim. Në vitin 2022, 13,8% e ndërmarrjeve kishin shitur produkte dhe shërbime nëpërmjet faqes së tyre të internetit ose aplikacioneve të posaçme.
Pjesa më e madhe e tregtisë online kryhet nga ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e informacionit dhe komunikimit (31.6%), akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit (29.7%), dhe veprimtari profesionale, shkencore dhe teknike (25.6%).
Pjesa e punonjësve që përdorin kompjuterët për qëllime pune më 2022 është 31,3% nga 27,8% që ishte në vitin 2021.
Një vlerësim digjital i kërkesës tregon se sektorët ekonomikë janë në faza të ndryshme të zhvillimit digjital. Aktivitetet financiare dhe bizneset call center janë sektorët më të avancuar, ndjekur nga prodhimi.
Ndërsa sektori i turizmit së bashku me bujqësinë ka mbetur shumë prapa. Këta sektorë përgjithësisht nuk kanë në strukturat e tyre, punonjës të TIK.
Sektori i TIK në krizë për punonjës, i merr emigracioni
Një studim i fundit i INSTAT tregon se janë rreth 2,200 kompani në sektorin e TIK dhe gjithsej në sektor janë të angazhuar rreth 9000 punonjës, të cilët përbëjnë vetëm 1.2% të të punësuarve me pagë.
Çështja kryesore është lëvizshmëria e stafit pasi është trajnuar (64%) dhe nënkualifikimi i forcës punëtore.
Niveli i pagave, termat e referencës për vendin e punës dhe barra fiskale janë shqetësime për më pak se 25% të biznesit në sektor. Studimi i INSTAT tregon se qarkullimi mesatar i stafit të TIK është 19%, niveli është 2.7 herë më i lartë se qarkullimi i përgjithshëm i personelit jo-IT (7%).
Inxhinierët e softuerit dhe zhvilluesit janë grupi më i madh i profesioneve që u larguan nga kompanitë e tyre në vitin e fundit (2022), të ndjekur nga inxhinierët e sistemit dhe rrjetit.
Gjatë 12 muajve të fundit, kompanitë e TIK që operojnë jashtë Tiranës raportuan rënie të aktivitetit, pasi janë të prekur nga migrimi i stafit të IT-së në kryeqytet.
Shumica e kompanive, 70%, parashikojnë rritje të kërkesës për produkte/shërbime në vitin e ardhshëm. Shumica e kompanive raportuan vende të lira pune, por plotësimi i tyre duket një detyrë shumë e vështirë për pothuajse të gjitha bizneset, vëren studimi.
Aspirata e aplikantëve për të emigruar raportohet si vështirësia kryesore me të cilën përballen kompanitë kur bëhet fjalë për rekrutimin, ndërsa të gjitha vështirësitë e tjera janë të një rëndësie të vogël, krahasuar me këtë.
Pritet që 78% e vendeve të lira të punës në kompanitë TIK të plotësohen me vështirësi. Punonjësit e TIK vijnë të dytët për nivelin e lartë të pagës, pas sektorit financiar./ MONITOR