Nga Boldnews.al
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka thjeshtuar në maksimum qëllimin e disa ndryshimeve ligjore dhe Vendime të Këshillit të Ministrave (VKM) me karakter të përgjithshëm të qeverisë “Berisha”, për të argumentuar se ato janë hartuar dhe miratuar që t’i sjellin përfitime dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, i arrestuar mbrëmjen e së Shtunës, në vijim të hetimeve për kthimin e pronës dhe privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Për prokuroren e posaçme, Enkelejda Millonai, dy ligje, të ndryshuara në vitin 2006 dhe 2008, për organizimin e Agjencisë së Pronave dhe “Për sportet” dhe një VKM për mënyrën e pagesës së privatizimeve, janë pjesë e strategjisë Berisha-Malltezi për përfitimin e truallit të ish-kompleksit sportiv në Tiranë.
Hetimi i ndërtuar nga SPAK-u për rastin “kompleksi Partizani” mund të përbëjë një rast tipik të përdorimit politik të prokurorisë kundër opozitës.
Ose, në të kundërt, nëse kjo është vërtetë qasja e këtij institucioni për të luftuar korrupsionin në nivele të larta, atëherë standarti hetimor i “Partizanit” do të duhet të vendosë pas hekurave thuajse të gjithë kryeministrat shqiptarë të kohës së pluralizimit, përfshirë edhe aktualin, Edi Rama, i akuzuar publikisht dhe gjerësisht për miratimin e “ligjeve me porosi”.
Arrestimi i të shtunës mbrëma
Mbrëmjen e së Shtunës (21 Tetor 2023), në media u shpërnda informacioni për arrestimin e Jamarbër Malltezit. Dhëndri i Sali Berishës dyshohet nga SPAK-u për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, në vijim të procedurave të privatizimit të kompleksit sportiv, ku ai është një prej trashëgimtarëve ligjorë, si edhe shndërrimin e truallit në zonë rezidenciale banimi.
Bashkë me Malltezin, SPAK-u ka ngritur dyshime edhe mbi vetë Berishën, për veprën penale të “korrupsionit pasiv” dhe gjykata e posaçme ka caktuar ndaj tij masën “detyrim për paraqitje”.
Sipas SPAK-ut, Berisha kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Ndërsa, për Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, edhe ky i fundit nën masën “detyrim për paraqitje”, SPAK-u deklaron se ata kanë përfituar shuma të mëdha financiare nga tjetërsimi i truallit në ndërtime të larta.
Njoftimi publik i SPAK-ut është shumë i thjeshtuar në të dhëna. Por, vendimi i plotë i Gjykatës së Posaçme, tregon se akoma më e thjeshtuar është logjika e ndjekur hetimore, në përfundim të të cilës vendoset pas hekurave personi që përfitoi pronën e trashëguar.
Hetimi 3-vjeçar i SPAK-ut, i zbardhur në vendim 200 faqësh të Gjykatës së Posaçme, i ngjan një manekimi të parafabrikuar, për të cilin prokurorja ka përzgjedhur se cilat rroba i shkojnë më mirë.
Historia nga komunizmi tek Fatos Nano
Ish-kompleksi sportiv “Partizani” është ndërtuar në truallin që sistemi komunist ua sekuestroi 5 familjeve të vjetra tiranase: Begeja, Alimehmeti, Vaqarri, Llagami dhe Saliaga.
Të paktën prej viteve ’70, klubi “Partizani” ishte nomenklaturë e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo situatë vijoi edhe pas viteve ’90, me rrëzimin e komunizmit.
Në vitet 1996-1999, trashëgimtarët e pronave morën me radhë vendime për kthimin e pronës që kishin tek ish-kompleksi “Partizani” nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP) të kohës, si edhe fituan të drejtën e parablerjes, në rast se qeveria do të vendoste të privatizonte asetet që gjendeshin mbi këtë truall.
Megjithatë, ata nuk mund ta merrnin fizikisht truallin, pasi aty vijonte të ishte në funksion klubi sportiv në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Me Vendimin nr. 312, datë 15 maj 2003, qeveria e asaj kohe, e drejtuar nga socialisti Fatos Nano, vendosi që të ndryshonte varësinë e klubit shumë-sportësh “Partizani” nga Ministria e Mbrojtjes në Ministrinë e Kulturës.
Në bazë të këtij vendimi, Ministria e Kulturës merrte në varësi asetet e klubit shumë-sportësh, ndërsa Ministria e Mbrojtjes vijonte të mbante vetëm asetet e klubit të futbollit “Partizani”.
Në verën e vitit 2005, kur qeveria “Nano” ishte në fazën e tranzicionit për dorëzimin e pushtetit pas zgjedhjeve të përgjithshme, ka një korrespondencë mes Ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Pandeli Majko atij të Ekonomisë, Anastas Angjeli dhe të Kulturës, Blendi Klosi, ku diskutojnë për mundësinë e privatizimit të aseteve të “Partizanit”, në vijim të një kërkese të biznesmenit Albert Xhani, i cili mbante detyrën e Presidentit të klubit sportiv.
Ndërkohë, paralelisht me kërkesën e biznesmenit Xhani, edhe trashëgimtarët e ligjshëm të pronës kishin bërë kërkesë për të drejtën e parablerjes së aseteve shtetërore mbi truallin e tyre.
Këto korrespondenca mbetën pezull përkohësisht, për shkak të ndryshimit të qeverisë. Të dhënat e renditura nga SPAK-u dëshmojnë se interesimi i trashëgimtarëve për privatizimin e godinave mbi pronën e tyre ishte i hershëm.
Dëshmia “absurde” e Isa Tares
Që familjet trashëgimtare kishin bërë përpjekje për marrjen e pronës së tyre para ardhjes së qeverisë “Berisha” në pushtet, konfirmohet plotësisht edhe nga dëshmia që SPAK-u i ka marrë Isa Tares, i cili ka mbajtur detyrën e drejtorit të klubit “Partizani” në periudhën 1995-2005.
Tare thotë, ndër të tjera në dëshminë e tij se, “kur ishte ende drejtor, i ka ardhur dikush nga trashëgimtarët dhe i ka premtuar një shtëpi në kompleksin e ri që do të ndërtohej tek trualli i klubit ‘Partizani’, vetëm që të mos kundërshtonte privatizimin”.
Deklarimi i Tares, për nga përmbajtja, është tërësisht absurd. Pasi ai “nuk mban mend” se kush i ka bërë këtë ofertën. Por, mbi të gjitha, nuk kishte asnjë arsye për t’i bërë këtë ofertë, pasi ai, në pozicionin e tij, nuk kishte asnjë lloj roli për të lejuar apo kundërshtuar privatizimin.
Por, deklarimi i Tares ka rëndësi për nga koha, pasi dëshmon se interesimi i trashëgimtarëve i përkiste kohë para qeverisë “Berisha”.
Por, në dosjen hetimore, prokuroria preferon që t’ia atashojë këto lëvizje qeverisë “Berisha”.
E, më konkretisht, me një paragraf me nota subjektivizmi, prokurores Millonai i “duket se me marrjen e detyrës, qeveria e re mund të hapte mundësinë e kthimit të pronave që ishin pjesë e Klubit Sportiv”, për një proces që familjet e kishin fituar të drejtën të paktën 6-7 vite para se në pushtet të vinte Sali Berisha.
Angazhi i Malltezit
Jamarbër Malltezi është pinjoll i familjes Begeja, një prej trashëgimtareve të truallit të kompleksit “Partizani”.
Anëtarët e familjeve trashëgimtarëve, në pjesën më të madhe në moshë të thyer dhe me probleme shëndetësore, autorizojnë Malltezin që të kryente të gjithë veprimet e mundshme për llogari të tyre, me qëllim kthimin e pronës.
Të pyetur nga SPAK-u, pronarët kanë pranuar se kanë autorizuar me vullnet të plotë Malltezin për t’i përfaqësuar në këtë çështje, nën argumentin se “ai ishte djalë i ri, i shkolluar dhe dinte më shumë se sa ne për çështjet ligjore”.
Ndoshta, ata kanë shprehur që Malltezi, si dhëndër i kryeministrit Berisha, mund të kishte më të lehtë aksesin në zyrat e pronave, të cilat ishin dhe vijojnë të jenë një gangrenë për ish-pronarët.
Megjithatë, për çfarëdolloj arsye që trashëgimtarët e kanë emëruar Jamarbër Malltezin si përfaqësues, ky nuk përbën aspak krim. Në këmbim të shërbimit, familjet trashëgimtare do t’i jepnin Malltezit 3-5 përqind të pronës së tyre. Pra, bëhet fjalë për një raport tërësisht kontraktual civil.
Qeveria e re
Me ardhjen e qeverisë së re, trashëgimtarët e truallit vijuan përpjekjet për të marrë në dorëzim pronën e tyre.
Në vjeshtën e vitit 2005, Ministri i Mbrojtjes i kohës, Fatmir Mediu, i drejtohet kolegut të tij të Ekonomisë, Genc Ruli, ku i kërkon opinion për privatizimin e mundshëm të klubit “Partizani”, i cili vijonte të ishte në një pjesë në varësinë e institucionit të tij.
Mediu vlerësonte se kjo pronë nuk përbënte interes për Forcat e Armatosura dhe do të dilte nga “plani i përhapjes”, ku përfshiheshin asetet me interes për Ushtrinë.
Ky komunikim institucional ishte në vijim të korresponendës së nisur nga ministrat socialistë, Majko, Angjeli e Klosi, si edhe në bazë të kërkesës së pronarëve të njohur.
Në Shkurt të vitit 2006, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu me kërkesë të Ministrit të Mbrojtjes, Mediu, miraton “Planin e përhapjes”, në të cilën ishte përjashtuar prona tek klubi “Partizani”.
I pyetur nga SPAK-u për këtë vendim, Mediu ka thënë se “në atë kohë po punohej për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. U vlerësua se një fushë futbolli nuk ishte në interesat e Ushtrisë”.
SPAK “harron” Ramën
Pas këtij dekreti presidencial, në dosjen e SPAK-ut përmendet shkarazi se “me vendimin nr. 132, dt. 08.06.2006 të Kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, Bashkia Tiranë, u vendos që të ndryshojë destinacioni, duke e kthyer në zonë banimi”, territorin që i përkiste klubit sportiv “Partizani”.
Sipas SPAK-ut, ky vendim i Bashkisë së Tiranës binte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, i cili nuk lejonte tjetërsimin e terreneve sportive. Megjithatë, ai vendim u mor.
Por, prokurorja Millonai, nuk guxon të përmendë faktin se kryetari i KRRT-së së Bashkisë së Tiranës në atë kohë, ishte Edi Rama, kryeministri aktual.
Firma e Ramës e shndërroi terrenin sportiv në truall për godina banimi. Por, as në këtë moment dhe as në të gjithë materialin hetimor, prokurorja nuk e përmend asnjëherë nominalisht Ramën.
Ndryshimi i ligjit për Pronat
Ligji “Për pronat” në Shqipëri ka ndryshuar dhjetra herë. Megjithatë, për një prej këtyre ndryshimeve, të ndodhur në mesin e vitit 2006, SPAK-u vlerëson se shumica parlamentare e drejtuar nga Berisha e realizoi për të ndihmuar trashëgimtarët e përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi.
Në bazë të këtyre ndryshimeve ligjore, rregullohej, ndër të tjera, mënyra e privatizimit të terreneve sportive, si edhe roli i Agjencisë së Pronave.
Për këtë detaj të fundit, SPAK-u thotë se “ndryshimi ligjor fuqizoi rolin e Kryeministrit” dhe që, më tej, vijon me dyshimin se ky rol i ri i interesonte çështjes që po ndiqte dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Ky këndvështrim është tejet dritëshkurtër dhe këtë e sqaron më së miri deklarimi i ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, dhënë para SPAK-ut.
“Qeveria Berisha kishte prioritet pronarët, ishte pikë kryesore e programit qeverisës. Ndaj, kryeministri e mori vetë përgjegjësinë për trajtimin e kësaj çështjeje prioritare për një forcë politike të djathtë, që përfaqëson interesat e pronarëve”.
“E habitshme”, Berisha emëroi drejtorin e Pronave
Në dosjen hetimore jepet edhe dëshmia e ish-drejtoreshës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Justina Boriçi.
Ajo tregon detajin se si u thirr nga Berisha në zyrë dhe se si ajo u surprizua që kryeministri i besoi rolin e Drejtoreshës, në vitin 2006.
Është e paqartë se çfarë dobie i sillte hetmit penal ky detaj. Kryeministri, në bazë të të drejtës ligjore, kishte kompetencë për këtë emërim.
Mesa kuptohet, ky detaj në dosjen hetimore është përdorur, me qëllim për të treguar rolin e Berishës në drejtimin e çështjes së pronave. Por ishte i panevojshëm, pasi ligji ia kishte dhënë këtë tagër dhe nuk ishte e nevojshme të shpjegohej me detaje të tepërta emërimi.
Privatizimi i klubit “Partizani”
Pas daljes së truallit nga plani i përhapjes, Ministria e Ekonomisë nisi procesin e privatizimit të aseteve (godinave) që gjendeshin në klubin “Partizani”.
Në dy komunikime dhe dy procedura paralele, Ministria e Ekonomisë rakordohet me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Kulturës-dy institucione që kishin në varësinë e tyre pjesë të klubit “Partizani”, për përcaktimin e vlerës së aseteve.
Pas këtij rakordimi, në total, vlera e tyre përllogaritej në rreth 1 milionë euro dhe sipërfaqja e ndërtimeve dhe terreneve sportive përllogaritej në rreth 5 mijë metra katrorë, ndërkohë që e gjithë prona e njohur trashëgimtarëve ishte 26.594 m2.
Bazuar në vendimet e hershme të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Ministria e Ekonomisë iu drejtua trashëgimtarëve të pronës për të ushtruar të drejtën e parablerjes.
Këta të fundit, kishin nënshkruar kontratë sipërmarrjeje me ndërtuesin Fatmir Bekteshi. Në bazë të kësaj kontrate, Bekteshi do të paguante vlerën e privatizimit për llogari të pronarëve dhe këta të fundit do t’i jepnin të drejtën për të ndërtuar pallate në atë territor.
Paralelisht, ata i ishin drejtuar Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të nxjerrë aktin e “Njohjes së kthimit dhe kompensimit të pronave”, bazuar në vendimet e marra rreth një dekadë më parë.
Pasi vendimet e KKKP-së morën formë të prerë, në maj të vitit 2007 (për SPAK-un, këto vendime janë marrë “me urgjencë”), ministri Ruli miraton procedurat për privatizimin e ish-klubit “Partizani”.
Pagesa për ish-pronarët
Paralelisht me këtë zhvillim specifik, qeveria, në ushtrim të funksioneve të saj, konstatonte problematika të përgjithshme në çështjen e trajtimit të ish-pronarëve.
Dy prej këtyre çështjeve, të shkëputura nga SPAK për llogari të hetimit të tij, ishin ndryshimi i një VKM-je për mënyrën e pagesës që do të kryenin ish-pronarët dhe në ligjin “Për sportet”, që lidheshin me privatizimin e terreneve sportive.
Këto akte, me natyrë të përgithshme, në optikën e SPAK-ut lidhen me trashëgimtarët e klubit “Partizani” dhe përfaqësuesin e tyre, Jamarbër Malltezi.
Në dhjetor të vitit 2008, Këshilli i Ministrave miraton vendimin, në bazë të të cilit ish-pronarët do të paguanin vlerën e privatizimit të aseteve mbi pronën e tyre me skemën 80 përqind me letra me vlerë e 20 përqind me lekë cash.
Ky vendim ishte një lehtësim shumë i madh financiar për mijëra ish-pronarë, të cilët nuk kishin aftësi të plotë paguese për të rimarrë pronat e tyre. Por, për SPAK-un, VKM-ja lidhej me interesat e Malltezit.
Nga ana tjetër, ministri i Kulturës i kohës, Ylli Pango, dorëzon në Parlament amendimet e ligjit “Për Sportin”. Ndër ndryshimet e këtij ligji, parashikohej edhe mënyra e tjetërsimit të trojeve të ish-pronarëve në terrene sportive.
Për këtë ndryshim ligjor, prokurorja Enkelejda Millonai i jep të drejtë vetes që të analizojë teknikën legjislative dhe, mbi të gjitha, vullnetin e pushtetit ligjvënës.
“…Në këndvështrimin e teknikës legjislative, interpretimi i kësaj dispozite është që objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit kur ka të tillë, pa i vendosur asnjë kufizim. Kurse, në rastet kur jepen me koncesion, atyre duhet të mos u ndryshojë destinacioni…”, thotë prokurorja në materialin hetimor.
Edhe për këtë ndryshim ligjor, i cili u interesonte shumë pronarëve për të zhvilluar pronën e tyre, prokurorja Millonai vlerëson se është realizuar për të përfituar trashëgimtarët e përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi.
Përfundimi i privatizimit
Pas më shumë se 4 vite procedurash, trashëgimtarët e pesë familjeve; Begeja, Alimehmeti, Vaqarri, Saliaga dhe Llagami, arrijnë të privatizojnë asetet shtetërore të ngritura mbi pronën e tyre.
Por, procesi i marrjes në dorëzim të pronës kaloi në vështirësi të tjera. Asetet që ishin në varësi të Ministrisë së Kulturës, u dorëzuan menjëherë. Ndërsa ato që ishin në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes kaluan në një kalvar tjetër, i cili solli përplasje mes institucioneve.
“Shkarkimi” i gjeneral Vladimir Qiriazit
Pasi “plani i përhapjes” së vitit 2006 i pronave të Ushtrisë la jashtë liste ish-klubin “Partizani”, kjo pronë duhet të kalonte në inventarin e Komandës Mbështetëse, deri në përfundim të procedurave të privatizimit.
Zyrtarë të Komandës Mbështetëse shkuan tek ambjentet e klubit, por ata nuk u lejuan të kryenin veprime. Nuk sqarohet qartë nëse zyrtarët e Mbrojtjes u penguan nga banorët që kishin “pushtuar”godinat e ish-klubit sportiv apo nga presidenti i klubit të asaj kohe, Albert Xhani.
Megjithatë, fakti mbeti që Komanda Mbështetëse nuk e inventarizoi në atë kohë pronën e kompleksit.
Në vitin 2009, pas përfundimit të procedurave të privatizimit, Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar në atë kohë nga Gazmend Oketa, urdhëron Komandën Mbështese, të drejtuar nga gjeneral Vladimir Qiriazi, për të bërë dorëzimin e pronës së ish-klubit “Partizani”.
Qiriazi konstaton se kjo pronë nuk ishte në inventarin e Komandës Mbështetëse dhe nuk mund të kryente dorëzimin.
Nga ky moment, nis një komunikim i tensionuar institucional. Ndërkohë, familjarët trashëgimtarë i drejtojnë një ankesë kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkojnë që Komanda Mbështetëse t’u dorëzojë pronën e tyre.
Berisha ngarkon Departamentin Anti-Korrupsion të Këshillit të Ministrave për të inspektuar rastin. Është pikërisht ky momenti, kur SPAK e akuzon Berishën se ka përdorur vartësit e tij për të ushtruar presion mbi institucionet në favor të interesave të Malltezit.
Megjithëse lëvizja e Berishës mund të ketë një problem etik, gjithësesi kjo nuk ka lidhje me asnjë favorizim, përsa kohë që trashëgimtarët kishin përfunduar tërësisht procedurat për kthimin e privatizimin e pronës dhe kërkonin vetëm dorëzimin e saj.
Në dosjen gjyqësore 200-faqëshe, ky “konflikt” trajtohet në më shumë se 25 faqe, ose në 15 përqind të materialit hetimor.
Pasi Drejtoria Anti-Korrupsion kreu inspektimin në Komandën Mbështetëse, gjeti shkelje të kryera nga Vladimir Qiriazi dhe sugjeroi shkarkimin e tij nga detyra.
Gjenerali u shkarkua nga Presidenti Bamir Topi, i cili, duhet theksuar, në atë kohë ishte në kulmin e një marrëdhënieje të acaruar me kryeministrin Sali Berisha.
Pas largimit të Qiriazit, në vendin e tij u emërua Xhemal Gjunkshi, i cili, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, hartuan procedurat ligjore për dorëzimin e ish-klubit “Partizani” tek trashëgimtarët e pronarëve.
Zhvillimi i pronës
E gjithë pjesa tjetër e hetimit të SPAK-ut lidhet me zhvillimin e pronës dhe përfitimet nga ndërtimet të Jamarbër Malltezit dhe ndërtuesit Fatmir Bekteshi.
Prej vitit 2004 e në vijim, Malltezi ka përfaqësuar familjarët trashëgimtarë për procedurat administrative dhe në këmbim ka marrë prej tyre përqindje nga pronësia.
Këtë kontribut në natyrë, ai e vendosi në një marrëdhënie tregtare civile me Fatmir Bekteshin, i cili zotëronte kompanitë “Magnet” dhe “Homeplan”. Sipas marrëveshjes së tyre, Malltezi do të përfitonte apartamente e dyqane në kompleksin që do të ndërtohej, në këmbim të vendosjes së truallit në pronësi të tij në dispozicion të projektit ndërtimor.
Në vitin 2012, kryetari i Bashkisë së kohës, Lulzim Basha, miraton lejen e ndërtimit për 17 godina në truallin, ku më parë gjendej “Partizani” dhe që iu kthye pronarëve.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje tërësisht civile dhe tregtare, Malltezi krijoi të ardhura nga shitja e apartamenteve.
Aktualisht, ai rezulton të ketë në pronësinë e tij 16 pasuri të paluajtshme, 6 llogari bankare në euro dhe në lek, si edhe aksione në kompanitë “Homeplan”, “Magnet imo” dhe “Magnet Gym”.
Këto pasuri, aktualisht janë vendosur nën sekuestro preventive.
“Nuk deklaroi pasurinë”?
Prokurorja Enkelejda Millonai dyshon se këto pasuri janë krijuar si rrjedhojë e kryerjes së veprave penale të “korrupsionit aktiv” (pra korruptimit të Berishës) dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Një element që ka bindur prokuroren për kryerjen e këtyre veprave penale është edhe fakti që të ardhurat (dividentët) e përfituara nga Malltezi nga kjo sipërmarrje, nuk janë deklaruar pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive.
Prokurorja e SPAK-ut është e mendimit se, përsa kohë ai ka një regjim pasuror të përbashkt me bashkëshorten, Argita Malltezi, vajzën e deputetit Sali Berisha, ata kishin detyrim që të deklaronin të ardhurat nga dividenti.
Argita Malltezi nuk mban post zyrtar, por ajo deklaron pasurinë si “person i lidhur” me funksionarin deputet.
Ligji “Për deklarimin e pasurive” qartëson se nuk mund të deklarojnë pasurinë personat e lidhur me personat e lidhur me zyrtarin, pasi në këtë mënyrë lista e subjekteve deklarues do të zgjatej pafundësisht.
Jamarbër Malltezi është “person i lidhur” i personit të lidhur (Argita Malltezit) me deputetin Sali Berisha. Që do të thotë se ai nuk ka pasur detyrim për deklarim të pasurisë, për sa kohë nuk mban pozicion zyrtar deklarues.
Pavarësisht këtij parashikimi ligjor, për prokuroren e SPAK-ut, fakti që Jamarbër Malltezi nuk i ka deklaruar të ardhurat nga dividentët e kompanisë, janë arsye që ai të akuzohet për “pastrim parash”.
Në përfundim, rezultati i deritanishëm i hetimeve të SPAK-ut është arrestimi i një ish-pronari, i cili zhvilloi pronën e tij, të përfituar me ligj, pa cënuar askënd tjetër, përkundrazi, duke pasur mirëkuptimin e të gjithë kufitarëve dhe bashkëpronarëve.