Në nëntor të vitit 2020, ndërsa vendi ynë po përballej me pandeminë dhe mësimi zhvillohej online, ish-ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi vizitoi shkollën e mesme të bashkuar “Sali Halili” në Rrajcë të bashkisë Përrenjas, ku edhe dhuroi disa tableta për nxënësit në pamundësi për të ndjekur mësimin online.
“Dhe meqenëse nxënësit janë kaq të mirë ne ju kemi sjellë nga një dhuratë sot. E dini çfarë janë tabletat digjitale? Dini ti përdorni?”-pyeti ajo nxënësit, ndërsa e vizitonte këtë zonë për herë të parë.
Mirëpo, tabletat ishin “dhurata” dytësore në kushtet kur shkolla ishte një godinë e amortizuar, e ruajtur dhe mirëmbajtur ndër vite, pa asnjë ndërhyrje rrënjësore prej kohës së komunizmit, sikurse pohojnë drejtuesit e saj.
“Duke parë gjendjen e shkollës, duke parë numrin e madh të nxënësve dhe gjithë elementët e tjerë që vlerëson si kritere kur përzgjidhen shkollat për rikonstruksion apo për ndërtim me siguri që kjo shkollë do ta marri financimin”,-u shpreh ndër të tjera ish-ministrja Kushi teksa u gjend e papërgatitur për gjendjen e shkollës.
Tre vite më pas, shkolla jo vetëm që nuk është rindërtuar, por u bë e pabanueshme.
433 nxënësit në arsimin fillor dhe të mesëm e nisën vitin e ri shkollor 2023-2024 në gjashtë lokalet e përshtatura aty pranë.
Dita e parë e shkollës nisi me bojkot nga prindërit dhe nxënësit, ndërsa iu drejtuan edhe Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve me një peticion ku kërkonin ndërtimin e një godine të re.
Sipas drejtuesit të shkollës së mesme në Rrajcë, Vait Allidri, hera e fundit që është kryer mësim në këtë shkollë është 9 shkurti i 2023-it, kohë kur shkolla u shpall e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit.
“Prindërit më kanë thënë shprehimisht: “Ju na keni vrarë fëmijët!”. Sepse të vijë studimi ose ekspertiza ndërtimore të vijnë në muajin nëntor dhe të vijë shkresa zyrtare në janar, vërtet prindërit ishin shumë të shqetësuar”,-shprehet Allidri.
E njëjta situatë paraqitet edhe në shkollën e mesme të bashkuar “Dilaver Nezha” në fshatin Qukës Shkumbin të bashkisë Përrenjas. 312 nxënësit e kësaj shkolle zhvillonin më herët mësimin në dy godina dy-katëshe. Ndërsa tanimë, për shkak të amortizimit të njërës godinë dhe shpalljes të pabanueshme nga ekspertët e Institutit të Ndërtimit, mësimi zhvillohet me turne vetëm në njërën godinë.
“Në 5 janar të këtij viti erdhën shkresa nga bashkia dhe nga ministria përkatëse në lidhje me këtë shkollë sepse një grup inxhinierësh para vitit, në dhjetor të vitit të kaluar e nxori të pabanueshme. Dhe ardhja e shkresës na bëri që të mbyllej edhe godina”,-u shpreh për Citizens Channel drejtuesi i kësaj shkolle, Fatmir Kryeziu, i cili shton se kopshti është zhvendosur në ambiente me qira.
Jashtë kamerave, prindërit shprehen se ambienti me qira ku zhvillojnë mësim fëmijët e tyre nuk plotëson kushtet, ndërsa ata që kanë fëmijë edhe në kopsht edhe në arsimin fillor detyrohen të dërgojnë dhe marrin fëmijët në destinacione të ndryshme.
Sipas drejtuesit të shkollës, për shkak të kushteve një pjesë e fëmijëve të kopshtit janë larguar apo prindërit kanë nxituar t’i fusin në klasën e parë, mbështetur edhe nga vendimi i fundit i ministrisë.
”Pavarësisht se duan apo nuk duan prindërit, kjo ishte zgjidhja në këto kushte, në këtë situatë në të cilën jemi tani”, –tregon Fatmir Kryeziu, ndërsa shprehet se shumë familje i kanë larguar fëmijët për shkak të pakënaqësive me kushtet e ambientit privat me qira.
Mësimi me dy turne shqetësim për stinën e dimrit
Mësimi me dy turne sipas përfaqësuesve të dy shkollave të mesme në bashkinë Përrenjas është i vështirë, jo vetëm për shkak të kushteve infrastrukturore, por edhe për shkak të shpërndarjes së nxënësve.
Shkolla e mesme në Rrajcë mbledh nxënës nga pesë fshatra sikurse Rrajcë Skënderbe, Rrajcë Bardhaj, Rrajcë Sutaj, Rrajcë Fushë dhe Uraka.
“Ne e kemi shumë larg, distanca është shumë e largët, pavarësisht se transporti paguhet. Por fëmijët mbarojnë në orën 4, 4:30. Largimi dhe vajtja në shtëpi është në errësirë. Se presupozohet se vjen gradualisht duke u zvogëluar dita”,-shpjegon drejtuesi i shkollës së Rrajcës, Vait Allidri.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe drejtuesi i shkollës “Dilaver Nezha” në Qukës.
“Kuptohet që orët do bëhen edhe të reduktuara sepse është e pamundur sidomos tani që vjen dimri, dita zvogëlohet, nata rritet, ne duhet ti lëshojmë më shpejt fëmijët”,-thekson Kryeziu.
Për mësuesin e historisë dhe gjeografisë në shkollën e mesme të Rrajcës, Neftalin Bogdani sfidat dhe vështirësitë e zhvillimit të mësimit në këto kushte janë shumë dimensionale.
“Patjetër edhe ne si mësues kemi vështirësitë tona, pjesa e mësimdhënies çedon sepse edhe me ligj e kemi të detyrueshëm në gjendjen e emergjencës dy turne që edhe ti ulim orët mësimore. Domethënë 35-40 është e shkruar kjo në rregullore, kështu që është shumë vështirësi e madhe…”
Projektet ende vetëm në letra
Bashkia Përrenjas nuk iu përgjigj kërkesave për koment mbi situatës e shkollave dhe projekteve të dërguara në ministri.
Drejtuesit e dy shkollave jane në dijeni që projektet ekzistojnë, por zbatimi nuk duket afër.
“Ne dimë kaq, që me bllokimin e shkollës ka ardhur grupi i punës të zgjedhur nga bashkia nga një studio private dhe ka bërë projektin e shkollës. Projekti është mbi 1 milion euro dhe është dërguar në ministri. Nuk kemi asnjë shpresë ose dokument që të vërtetojë që do të na bëhet apo jo. Kemi vetëm fjalët nga ana e bashkisë”-saktëson Fatmir Kryeziu.
Sipas mësuesit të historisë dhe gjeografisë, Neftalin Bogdani besimi se do të kenë një godinë të re do të jetë vetëm kur të shohin projektin e miratuar.
“Ne në këto shkallë që ju ngjitët pritëm ministren Kushi të nderuar. Me lule me..Pritëm deputetin përgjegjës ë qarkut tonë atëherë Taulant Balla, e pritëm dhe na premtoi… Na premtoi shumë shpejt është miratuar buxheti dot të futet në rindërtim. 2020,2021, 2022, 2023, shtator, tetor…. Shpresën e kemi kur në momentin që ta shikojmë me letra dhe projektin e miratuar, bile do ti bëj thirrje edhe Kryeministrit Rama, si i pari i kësaj pune…për ti kthyer sytë nga Rrajca”,-përfundon Bogdani.
Ndërsa për drejtuesin e shkollës së Rrajcës, premtimi ishte se në shtator të këtij viti do të ishin në godinë të re.
“Projekti na ka ardhur, ka dy tre vite që rri, do të thoja rri nëpër sirtare. Por ta fusësh një objekt në emergjencë civile dhe a e fute apo e nxorre, këtë histori ne nuk e dimë, sepse u mendua sipas shkresës meqë ishte emergjencë civile do të kishte procedura të përshpejtuara. Projekti ishte gati, sa mund të dojë 45 ditë apo 60 ditë sipas ligjit, por jo të vijë muaji i nëntë shtatori dhe ne na u premtua që shtatorin do të ishim brenda. Por ja do ta çojmë maksimumi tetorin, por do të ishte prishur objekti i vjetër dhe do të fillonte i riu. Bie logjika e emergjencës tani”,-argumenton Vait Allidri.
Mësuesi Bogdani nuk heziton të shprehë keqardhjen për lënien në harrëse të arsimit në një zonë sikurse Rrajca, e cila ka një trashëgimi dhe histori të pasur. Në zonë gjenden 18 liqene akullnajore, ndërsa prej vitit 2017, pyjet e saj pjesë e parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë janë zonë e mbrojtur nga UNESCO.
/Citizens Channel