Partia Demokratike prezantoi këtë të mërkurë një dosje me shkeljet e kryera në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023. Prezantimin e raportit e bëri kryetari i PD-së Sali Berisha, ndërsa deputetët dhe anëtarët e tjerë të PD-së Si Albana Vokshi, Oerd Bylybashi e të tjerë sqaruan më me specifika çështja të caktuara.
Në nisje të fjalës së tij, Berisha tha se “raporti i PD për farsën elektorale të 14 majit 2023 bazohet në qindra dhe mijëra fakte, dokumente të konstatuara në të katër anët e vendit, në dhunimet e pashembullta të të drejtës së votës në shndërrimin e zgjedhjeve në një farsë të vërtetë elektorale”.
Berisha theksoi se farsa elektorale e 14 majit 2023 u karakterizua nga vendosja e pabarazisë së plotë me aktorëve kryesorë në fushën elektorale.
“Nëse partia në pushtetet disponoi të gjitha fondet të gjithë makinerinë shtetërore e shndërroi në makineri elektorale, PD e futur në garë me të njëjtin numër kandidatësh pati 0 lekë mbështetje nga fondet publike. Në këtë fushatë pabarazia ekstreme ishte në regjistrimin për herë të parë, Edi Rama si një diktator i vërtetë caktoi kryetarin e koalicionit të opozitës ç’ka nuk ndodh kurrë në një vend të lirë. Rama nuk lejoi regjistrimin e kundërshtarit të tij politik nga frika dhe tmerri. Komisionet elektorale ishin më të pabarabartat në historinë e vendit. Për herë të parë 867 mijë qytetarë u prekën me para nga qeveria për të ndikuar ose blerë votën e tyre në kundërshtim flagrant me të gjitha parimet e zgjedhjeve. Pas vitit 2021 për herë të parë, 1 mln e 300 mijë zgjedhësve iu ndryshua qendrat e votimit duke shkelur ligjin, u krijua një armatë prej 542 mijë zgjedhës shëtitës. Ushtria e patronazhistëve dhe aktivistëve u sollën si terroristë elektoralë”, deklaroi ai nga selia blu.
Dita e votimit, sipas tij, ishte ditë kulmore e farsës elektorale.
“Vetëm në një numër qendrash në bashkinë e Kuçovës janë konstatuar mbi 500 raste votimit në grup, familjar, ose në shoqëri. Janë të gjitha video të dokumentuara, imagjinoni se sa janë në bashkinë Kuçovë. Pra vota u kontrollua në mënyrë të tmerrshme në çdo etapë të saj. Gjatë fushatës, ditën e votimit dhe kështu me radhë. Mediat ishin në kontroll të plotë të qeverisë. Edi Rama bllokoi të gjitha rrugët kombëtare ekranet televizive dhe gjithçka në funksion të fushatës së tij”, shtoi.
Me raportin e plotë, tha Berisha do të mund të njihen qytetarët si dhe ndërkombëtarët.
Sipas kryeopozitarit, aktori kryesor i gjithë këtyre shkeljeve është kryeministri Edi Rama, për të cilin tha se ka tmerr të largohet nga pushteti për shkak të aferave ku është i përfshirë.
“…për shkak mega-aferave korruptive të djegësave, portit të Durrësit, parkut të Butrintit, aferave familjarë, pasurimit në mënyrë të përbindshme të anëtarëve të familjes së tij, për shkak të korruptimit që ky i ka bërë shefit të kundërzbulimi të agjencisë më të rëndësishme të zbulimit në botë, FBI, Charles McGonigal. Dhe siç e keni marrë vesh afera e tij e angazhimit të McGonigal në hetimin e opozitës shqiptare dhe shkatërrimin e saj në kohën kur ishte në pushtetet dhe kundër çdo tagri ligjor del tani e pleksur me aferën Deripaska. Po bëhen përpjeke të jashtëzakonshme nga Xhorxh dhe Aleksandër Soros për ta shpëtuar nga kjo aferë. Aleksandër Soros e shpall atë vëlla dhe yll të stabilitetit për ta lehtësuar nga drejtësia amerikane dhe ajo shqiptare në kohën e duhur. Kjo përpjekje do të dështojnë”, tha Berisha.
Ai theksoi më tej se krimi më i madh i jetës së Ramës është shkatërrimi i zgjedhjeve.
Lidhur me çështjen McGonigal, paralajmëroi zhvillime të rëndësishme në muajin tetor.
“Korriku është përvëlues për të por më shumë tetori, procesi McGonigal me gjithë përpjekjet e Aleksandër Soros për ta paraqitur si yll stabiliteti do ti dëshmojë botës se Rama është një aventurier, njeri që hir të pushtetit të tij është i aftë të thyejë çdo parim”, tha Berisha.
Pas prezantimit të raportit, Berisha zhvilloi një konferencë me gazetarët duke deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk ikën me zgjedhje, por me protesta të fuqishme.
Berisha ka shtuar se PD-ja do të bëjë gjithçka për largimin e kryeministrit Rama nga pushteti.
“Kjo është hapja e siparit, ju do të ndiqni çdo ditë farsën zgjedhore në qarqe dhe pas kësaj do të shfrytëzohet çdo hapësirë ligjore për të bërë autopsinë e plotë të këtij procesi dhe ju do të jeni këtu. Edi Rama me zgjedheje nuk ikën. Të garantoj se zgjedhjet e 2025-ës, këto që ai ka bërë në këto zgjedhje do të duken xhuxhe krahasuar me ata që ai do të bëjë për karrigen e tyre në 2025-ën. Do të qëmtojmë çdo votë, por zgjedhje nuk bojkotojmë. Në 2025-ën do të ketë zgjedhje, por PD do të bëjë gjthcka për largimin e Edi Ramës. Është në dorën e shqiptarëve. Ne po bëjmë këtë punë me shumë seriozitet dhe përkushtim. Do të bëhet anatomia e plotë e kësaj kalbësire dhe me fakte. Rama nuk ikën me zgjedhje. Edi Rama ikën me protesta të fuqishme të shqiptarëve, të cilët opozita do t’i organizojë”, tha ai.