Për nga mungesa e elegancës me të cilën zhvilloi diplomacinë amerikane në Tiranë, Yuri Kim është krahasuar shpesh me ambasadorët e dikurshëm sovjetikë, apo kinezë.
Në Shqipërinë e sunduar nga një grup njerëzish, miqësia me Bashkimin Sovjetik apo Kinën duhej për të ushqyer makinerinë e gënjeshtrave dhe të dhunës, mbi të cilën ngrihej regjimi komunist.
Sigurisht që duke qenë përfaqësues të fuqive të mëdha në një cep të vogël të Europës, më shumë se ambasadorë, këta ishin guvernatorë.
Edhe në konferencën e lamtumirës, Yuri Kim nuk mundi të kufizohet brenda kostumit të ambasadores, por deshi të flasë edhe për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Tejkalimi i kufijve të detyrës ngjan shumë me atë që bën ish-shefi i saj i dikurshëm, ambasadori aktual në Beograd, Kristofer Hill.
Sa herë u bë pjesë e zhvillimeve politike në vendin tonë, Yuri Kim mbajti hapur anën e qeverisë, ndërsa shqelmoi opozitën duke luajtur një rol të rëndësishëm në shkërmoqjen e saj. Lapsi.al i është kthyer arkivës për të parë disa nga momentet kyçe që i dhanë formë profilit të ambasadores amerikane në Shqipëri.
Me qëndrimet prej misionareje, shpesh naive, me heshtjen pro qeverisë apo protagonizmin kundër opozitës, Kim ka qenë një nga ambasadoret më të komentuara.
Fakt është që në fund të mandatit të saj, Rama është më i fortë, ndërsa opozita shumë herë më e dobët nga ç’ishte. Dhe një pjesë e meritës për krijimin e këtij peisazhi politik, i takon edhe ambasadores në ikje.
Heshtja për prishjen e konsensusit të 5 Qershorit nga Rama
Sapo erdhi në Tiranë, me entuziasmin dhe naivitetin e detyrës së re, Juri Kim e shndërroi rezidencën amerikane në kuzhinën ku do të gatuhej marrëveshja para zgjedhjeve të 25 Prillit të 2021.
Kur Basha nuk ishte dakort, ambasadorja nuk ngurroi ta bëjë përgjegjës duke i lënë atij peshën e dështimit “Është koha për opozitën, për Partinë Demokratik, për mikun tim Luli Basha që të balancojnë të gjithë faktorët, dhe të thonë “PO” për popullin shqiptar, të thonë “PO” për Shqipërinë në Europë. Topi është në fushën e tij”.
Konsensusi u arrit në datën 5 Qershor. Ambasadorët dolën entuziastë, pa e ditur se Rama kishte një plan tjetër në mendje. Pak ditë më pas, u mësua për ndryshimet kushtetuese me anë të të cilave do të ndalohej një koalicion PD-LSI.
Kushtetuta u ndryshua në 31 Korrik. Në zgjedhje PD dhe LSI nuk dilnin dot në një koalicion. Mënyra se si llogariteshin votat ndryshoi.
Por Juri Kim nuk pipëtiu. Ajo e përcolli në heshtje ndryshimin e Kushtetutës që ndryshoi realisht peshën e votës dhe e bëri të pamundur një koalicion opozitar kundër Edi Ramës.
Ama pas zgjedhjeve, ambasada amerikane uroi Edi Ramën për fitoren ende pa u shpallur rezultati zyrtar.
Modeli i biznesit i imponuar nga ambasada amerikane
Një nga prioritetet e vendosura nga Juri Kim për mandatin e saj në Shqipëri ishte tërheqja e investimeve amerikane.
Dy projektet më të rëndësishme janë ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nga Bechtel dhe kthimi në punë i Termocentralit të Vlorës bashkë me ndërtimin e terminalit të gazit nga shoqëritë Exxon Mobil dhe Excelerate Energy.
Por nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e Skavicës nga Bechtel është bërë pa garë, pa tender dhe në shpërfillje të ligjit.
Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe për projektin e furnizimit me gaz të lëngshëm nga kompania tjetër amerikane Exxon Mobil. Kostot janë të fryra për shkak të distancës së transportit të gazit dhe infrastrukturës së nevojshme për rezervimin. Edhe në këtë rast nuk ka pasur asnjë procedurë të hapur për publikun.
Një tjetër model me humbje kolosale për Shqipërinë ka qenë kontraktimi i dy anijeve-gjeneratorë “Tigri 1” dhe “Tigri 2” në Vlorë. Nga taksat e shqiptarëve do të paguhen 68 milion euro për këto dy anije në pronësi të kompanive amerikane, që do të sillnin energji pas luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Që pas kontraktimit, asnjë nga anijet nuk është ndezur, megjithëse ne vazhdojmë të paguajmë rreth 94 mijë dollarë në ditë.
Rrënimi i profilit politik të Lulzim Bashës
Rezultati në zgjedhjet e fundit treguan se ndikimi që Juri Kim ka pasur në radhët e opozitës ka qenë shkatërrimtar. Duke mos u mjaftuar me shpalljen “non grata” të Sali Berishës, Kim praktikisht ka rrënuar profilin politik të Lulzim Bashës, politikani me sindromën e çunit të mirë përballë amerikanëve.
Nën ndikimin e amerikanëve Lulzim Basha pranoi të mbante një linjë të butë reagimi pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit, me gjithë parregullsitë e tmerrshme të tyre.
Pranoi të përjashtojë Sali Berishën nga grupi parlamentar pas shpalljes së tij non grata, me kërkesë të ambasadës amerikane.
Pranoi edhe të bashkojë votat me Edi Ramën për vetingun, prap me kërkesë të ambasadës amerikane.
Në këmbim, figura e tij politike ka kapur fundin. Sot e ndjekin vetëm 8 deputetë. Një parti me mbi 600 mijë vota, tani rezulton forcë e tretë. E gjitha falë këmbënguljes së Juri Kim për ta udhëhequr në lojën e tij politike.
Llogaritë gabim me politikanët non grata
Përveç Vangjush Dakos që është në burg, politikanët e tjerë non grata nga SHBA janë ende aktivë. Madje disa kanë shumëfishuar votat.
Për Sali Berishën, shpallja non grata ishte një motiv për të dalë nga pensionimi ku kishte përfunduar. Që nga maji i vitit 2021, Berisha është riaktivizuar në politikë dhe ka mbledhur pas vetes shumicën e popullit opozitar. Në zgjedhjet e fundit, në 14 Maj, kandidatët e Berishës morën rreth 500 mijë vota duke e shndërruar atë në një faktor politik, e pamundur për t’u shpërfillur. Kandidati i PD-së së Lulzim Bashës, që pati mbështetjen e Edi Ramës, të Juri Kim dhe të gjykatave doli i katërti në Tiranë.
Tom Doshi që pasi u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri një hap të vogël pas duke dhene doreheqjen si deputet. Por në zgjedhje ka vetëm rritje. Në 14 Maji, PSD e drejtuar nga “non grata” pati një kërcim të madh dhe shqiptarët i dhanë afro 90 mijë vota dhe mbi 100 këshilltarë bashkiakë.
Hipokrizia për reformën në drejtësi
Ambasadorët amerikanë duken të dënuar të mbajnë gjallë propagandën se reforma në drejtësi ka qenë, është dhe do të jetë një histori suksesi. Donal Lu dikur përshkruante skenat e filmit “Të paprekshmit” me Kevin Kostner, Shan Koneri dhe Endi Garsia me çifte në dorë kundër bandës së Al Kapones. Kështu i imagjinonte ambasadori amerikan oficerët e BKH-së.
Tani, Juri Kim e ka ulur dozën e fantazisë. Kampioni i saj i Drejtësisë ishtë Ardian Dvorani.
Dvorani në realitet është një ish-hetues i komunizmit, që kishte kërkuar burg për protestuesit kundër sistemit komunist në Shkodër. Me të njëjtit zell që i shërbeu regjimit komunist atëherë, i shërbente edhe pushtetit tani.
Ai mori përsipër manipulimin me procedurat ligjore për t’i hequr mundësinë presidentit Ilir Meta të propozonte një anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Përveç kësaj, në deklarimin e pasurisë në procesin e vetingut, Dvorani kishte harruar të deklaronte 100 milion lekë. Por këto nuk e penguan ambasadoren ta promovonte Dvoranin si përfaqësues dinjitoz të reformës në drejtësi.
Megjithatë, pas lirimit të Saimir Tahirit nga burgu, Kim shpërtheu kundër gjykatësve dhe politikanëve shqiptarë duke i kërcënuar për pasoja për ndërhyrjet në drejtësi dhe duke pranuar tërthorazi problemet e një reforme që u kushtoi amerikanëve qindra milionë dollarë.
Dështimi me afganët e mbetur në Shëngjin
Falë “borxheve” që i kemi SHBA-së, Shqipëria ka qenë e gatshme përherë të bëjë sa të mundet për të treguar mirënjohjen, por me kalimin e viteve rrezikon të kthehet në një kosh, ku amerikanët hedhin problemet e tyre.
Pas ujgurëve të Guantanamos dhe pas muxhahedinëve të Iranit, SHBA solli në Shqipëri afganët të cilëve iu rrezikohej jeta nga rikthimi në pushtet i talebanëve.
Një pjesë e mirë e tyre u sollën me ndërhyrjen e Juri Kim, të paktën sipas një shkrimi të ëashington Post në gusht të vitit të kaluar. Problemi është që ndërmjetësimi i Juri Kim u bë pa u konsultuar me Departamentin e Shtetit. Disa qindra afganë kanë mbetur në Shëngjin. Problemi është se kush do t’i paguajë hotelet.
“Qeveria e SHBA-së nuk ka asnjë përgjegjësi për këta njerëz”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit për ëashington Post. “Taksapaguesi amerikan nuk do të marrë përsipër” u shpreh ai.
Sulmet e panevojshme ndaj opozitës
Kim nuk është kursyer në sulmet që i ka bërë opozitës edhe kur nuk ka qenë e nevojshme. Është e njohur shprehja e saj në dalje të Partisë Demokratike, kur iu drejtuar demokratëve me fjalët: “Do të ishte një ironi historike, por edhe tragjike nëse partia do të duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj”. Shprehja shkaktoi irritim mes opozitarëve sepse u kujtonte slloganet e komunizmit.
Një tjetër koment, që shfaqte distancën e Kim nga opozita ishte pas protestës së 2 Marsit, kur Ilir Meta doli me flamur amerikan në dorë. Menjëherë pas kësaj, ambasada amerikane mohoi të kishte lidhje me protestën e organizuar “U befasova kur pashë flamurin amerikan në “manifestimin” e sonte. Për të shmangur çdo konfuzion, dëshirojmë të sqarojmë se ndërsa SHBA mbështesin të drejtën e protestës paqësore, ne nuk kemi asnjë lidhje me “manifestimin” sonte”, shkruajti diplomatja amerikane.
Edhe në rastin e protestave pas vrasjes së Klodian Rashës, ambasada amerikane kërkoi nga opozita që të tëriqej nga dhuna, ndërkohë që opozita nuk e kishte marrë përsipër autorësine e protestave. Pavarësisht kësaj, në reagimin e ambasadës u tha: “Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme”.
/Lapsi.al/