Nga Boldnews.al
Për opinionin publik, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, do të duhej të ishte arrestuar që me daljen e përgjimeve të dosjes “339”, kur ai u kap në flagrancë duke bashkëpunuar me ekspoentë të rëndësishëm të grupeve kriminale në Durrës për tjetërsimin e votave në favor të Partisë Socialiste.
Arrestimi i tij në atë kohë do të ishte mëse i përligjur, pasi faktet e korrupsionit dhe bashkëpunimin me organizatat kriminale ishin ulëritëse.
Por, atëherë nuk ndodhi asgjë. Madje, kur një inkursion i Policisë dhe ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda në vitin 2018 mund të shkonte në prangosjen e Dakos, në fakt përfundoi me “qërrimin” nga kabineti qeveritar të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Por vitet kaluan dhe Vangjush Dako u arrestua në fillim të kësaj jave, për akuza shumë më të lehta dhe, për më tepër, shumë vështirë që të mbahen në këmbë.
Dosja hetimore e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) tregon se, nëse do të ndiqet standarti për arrestimin e Dakos edhe me zyrtarë të tjerë, pas hekurave do të përfundonin të gjithë titullarët shtetërorë, nga Rama i pari, tek Erion Veliaj e të gjithë “soj e sorollop” ministrash e drejtorësh.
Me pak fjalë përse u arrestua Vangjush Dako? Dosja hetimore ka dy episode.
Episodi i parë
Në episodin e parë, Vangjush Dako akuzohet se ka lejuar ndërtimin e katër kateve shtesë në një pallat në qendër të Durrësit. Ose, më saktë, pallati ka ndërtuar katër katet shtesë me një leje të miratuar në vitin 2011, por të zbardhur në vitin 2014.
Pallati ishte jashtë kondicioneve teknike dhe u shkatërrua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Banorët kallëzuan ish-zyrtarët e bashkisë së Durrësit. SPAK kreu hetimet dhe konstatoi se strukturat përkatëse në institucionin e qeverisjes vendore, në rastin më të mirë, nuk kishin funksionuar.
Ligji ngarkon me përgjegjësi për zbatimin e lejeve të ndërtimit Drejtorinë Urbanistike, Inspektoratin Vendor Ndërtimor dhe Policinë Bashkiake. Të gjitha këto janë në varësinë e kryetarit të Bashkisë, por secila mban përgjegjësi më vete ligjore.
Pra, kur vjen tek letrat, nuk mund t’i kërkosh kryetarit të bashkisë përgjegjësinë penale për shmangien nga detyrimet ligjore që kanë vartësit.
Natyrisht, për opinionin publik, vartësit, sidomos ata të një zyrtari të fortë si Vangjush Dako, nuk veprojnë në kokën e tyre. Kjo mund të jetë e vërtetë.
Por, nëse e pranojnë këtë të vërtetë, atëherë duhet të pranojnë se i njëjti standart arresti duhet të zbatohet për shumë e shumë titular. Rastet janë të shumta.
Kryeministri Edi Rama deklaroi para disa kohësh se ai ka nënshkruar “fap e fap” 16 vendime qeveritare brenda një dite, të cilat i dhanë dritën jeshile ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit.
Ato vendime u miratuan në kundërshtim me ligjin, pasi kuadri ligjor nuk parashikonte askund procedurën e ndjekur për miratimin e kontratës koncesionare.
Për më tepër, Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt ishin në dijeni që procedura që po ndiqnin ishte anti-ligjore, pasi ishin informuar nga Drejtori i Agjencisë së Prokurimit Publik (APP).
Por, Rama dhe as të tjerët, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi e një tabor ministrash që miratuan ato VKM “fap e fap”, nuk u morën nën përgjegjësi penale.
Përse? Sepse titullarët nuk mbajnë përgjegjësi për projekt-aktet që përgatisin specialistët e fushës-si në rastin konkret- juristët dhe ekonomistët që trajtojnë koncesionet. Pikërisht, këta të fundit përfunduan në burg, megjithëse aktet janë firmosur nga Rama i pari dhe i gjithë kabineti i tij, pasi ato më parë kishin kaluar “filtrin” e Ëngjëll Agaçit.
Me të njëjtin standart të Dakos, do të duhej të arrestohej edhe beniamini i Edi Ramës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në shtator të vitit 2022, qeveria nisi zbatimin e një Vendimi të shumëdebatuar për konfiskimin e pallateve me shtesa katesh pa leje.
Nisma qeveritare nxori në terren ministrat, të cilët “zbuluan” pallate me kate pa leje në çdo cep të qendrës së Tiranës, të ndërtuar nga Salillari, Arben Maloku, Julian Morina e të tjerë.
Detyrën për të kontrolluar katet pa leje e kanë vartësit e kryebashkiakut të Tiranës, Veliaj. Por ato, më së paku dështuan.
Pra, me standartin e Dakos, SPAK-u do të duhej të kishte vendosur nën pranga me kohë Erion Veliajn.
Episodi i dytë
Kalojmë tek episodi i dytë i arrestimit të Vangjush Dakos.
Si kryebashkiak, ai ka ngritur një grup pune për caktimin e fondit limit për një tender. Grupi i punës ka bërë llogaritë gabim (lapsus-thonë ata-por mund të mos jetë kaq e thjeshtë). Gjithësesi, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi gabimin në përllogaritje, me një dëm ekonomik 18 milionë lekë të reja.
Sipas dosjes hetimore të SPAK-ut, ish-kryebashkiaku Vangjush Dako nuk ka bërë përpjekje për të rikthyer këto para në buxhetin e bashkisë, megjithëse ishte në dijeni të “lapsusit”.
Ok, dyshimi për vepër penale mund të qëndrojë. Por, një dyshim i tillë, “mot a mot”, qëndron, më së paku, mbi kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashi.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët se si Subashi, megjithëse ishte në dijeni që kishte një “lapsus” në përllogaritjen e vlerës 46 milionë lekë të reja në faturën e shpronësimit të tokës për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, e vijoi pagesën e plotë, njëlloj siç ka vepruar edhe Vangjush Dako.
Jo vetëm kaq. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në thuajse 100 përqind të auditëve të tij, konstaton shkelje ligjore e financiare në institucionet publike.
Në ato raste kur nis hetimi, veprimet proceduriale janë fokusuar tek stafet mbështetëse të titullarëve. Natyrisht, për opinionin publik, pas shkeljes së vartësve janë gjithnjë titullarët.
Por, thuajse në asnjë rast, ato hetime nuk kanë shkuar tek titullarët, por vetëm tek vartësit. Rasti i parë kur shkeljet e vartësve penalizojnë titullarin, është pikërisht ky i Vangjush Dakos.
E gjithë historia përmblidhet në pak rreshta. Ose Vangjush Dako duhej arrestuar për “kushedi se çfarë arsyeje” ose, standarti normal i arrestimit të tij do të duhet të aplikohej dhe të aplikohet në shumë e shumë titullarë të lartë, që nisin nga kryeministri Edi Rama e të tjerë me radhë.