Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha mesditën e së martës ka mbledhur Kryesinë në selinë blu për të analizuar humbjen e opozitës në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se shkaktarët e humbjes së opozitës është blerja masive e votës nga ana e kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut.
“Thirra këtë mbledhje për të diskutuar mbi qëndrimet aktuale ndaj zhvillimeve post elektorale në vend. Në krye të radhës unë kam qenë i bindur se detyra më parësore, më kryesore e PD-së është mbrojtja e votës së shqiptarëve dhe misioni i saj themelor. Dhe zotimi solemn dhe i përsëritur i yni në mënyrë konstante duke qartësuar se mbrojtjen e votës PD-ja nuk e nënkupton një mbrojtje me armë, nuk e nënkupton një mbrojtje me dhunë. PD me mbrojtjen e votës nënkupton sot dhe për sa kohë do jetë forcë demokratike përdorimin e të gjithë mjeteve të ligjshme për të nxitur votimin, për të inkurajuar votimin, për të mbikëqyrur çdo lloj dhunimi, cenimi në procesin e votimit dhe për të marrë qëndrimet përkatëse në varësi të tyre. Bazuar në këtë koncept, pas rezultatit tashmë të njohur kandidatët, kryetarët e degëve, ju që jeni këtu, jeni angazhuar pikërisht në këtë proces. Jemi angazhuar në këtë proces dhe unë e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme, themelore sepse ky proces solli më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi krim në pushtet”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu theksoi se ky proces u karakterizua nga konsolidimi i një makinerie gjigante të blerjes së votës nga qeveria dhe mafia e saj.
“Ky është procesi i parë në 32 vite i cili nisi me deklaratën e kryeministrit se kodi elektoral është një kinezëri për të. Nisur nga ky koncept të cilin ai e shpalli nga zyra e tij në kryeministri, vetëkuptohet që zgjedhjet do ishin një proces pa asnjë garanci ligjore, zgjedhjet do ishin një procesi vullneti i një njeriu që ligjin, kushtetutën e zgjedhjeve e quan një kinezëri partish. Historia e blerjes së votës nuk fillon me këto zgjedhje, por me këtë rast iu them avokatëve të verbër të Edi Ramës, të cilëve ai iu ka verbuar sytë e mendjes dhe kjo është më tragjikja se kjo është hera e parë në histori që vota nuk blihet vetëm nën dorë, por blihet haptas, publikisht me 670 mijë zarfe. Secila prej tyre 50 mijë lekë në mes të fushatës elektorale, dorëzuar çdo pensionisti. Vota për ata që iu janë verbuar sytë e mendjes, u ble haptas në këtë proces dhe këtë nuk e shpall unë, e shpalli krimministri Edi Rama kur mblodhi punonjësit në kryeministri dhe iu tha ti do ta kesh rrogën 2.2 mln, ti 1.3”, tha ish-kryeministri.
Sipas tij, Rama mobilizoi fondin e pagave dhe të pensioneve për të grabitur zgjedhjet e qytetarëve.
“Por a ishte kjo e vetmja blerje masive e votës, e para në historinë e vendit e kësaj natyre? Jo nuk ishte kjo e vetmja. Një tjetër blerje nën dorë ishte operative në një pjesë të madhe të bashkive për të mos thënë në çdo bashki ku ai parandiente rrezikun. Me qëllimin e vetëm për të ndryshuar rezultatin. Unë kam dëgjuar avokatët e megakrimit elektoral në media të shtrojnë pyetje, na jepni fakte, na jepni prova. Ata denigrojnë veten e tyre me këto pyetje. nuk ka provë më të madhe se sa 670 mijë zarfe pensionistëve. Por nuk ka provë më të madhe se sa rrëzimi përtokë i euros. Ata që kanë njohuritë më elementare të kursit të këmbimit, ata e dinë se të rrëzosh monedhën më të madhe në Europë duhet të hedhësh çdo ditë minimumuni 30-40 mln euro në treg. Avokatët e vjedhjes së votës, duket se ata që iu kanë blerë votën iu ka në blerë dhe mendimin, opinionin, gjuhën. Asgjë nuk mund t’i pengojë ata të shohin tullumbacen e Tom Doshit. Kjo parti në këto zgjedhje falë qarkullimit të parave, Rama-Doshi, vota-Rama është rritur me 220%. Nuk ka një papërgjegjshmëri më të madhe se sa për shkak se mund të ketë paguar Tom Doshi të përpiqesh të injorosh këtë batërdi, këtë blerje masive dhe të kontribuosh në përligjjen e një procesi shkatërrimtar për kombin. Një komb që ikën dhe vetëm ikën nga kjo situatë”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se drejtues të PD po përpiqen që të nxjerrin shumësinë e faktorëve, por kjo ishte një garë e presioneve terroriste të ministrave, zv.ministrave, zyrtarëve, si asnjëherë më parë.
“Belinda Balluku arrin gjer aty sa thërret në kërcënim të hapur në shtab vëllain e kandidatit tonë në Mat dhe i thotë; ç’punë ke ti me fushatën elektorale? Me dhjetëra e dhjetëra demokratë në Bulqizë u kërcënuan që mos të marrin pjesë në komisione, administrata u soll si polici e shëmtuar politike. Individë që takonin kandidatin tonë merreshin në proces çerek ore, ose 5 minuta pas. E pyesnin; pse e takove? Ca pune ke me të? Pra kjo ka ndodhur kudo. Bandat darkonin me qeveritarë dhe merrnin misionet, për kontrollin e votës, për grabitjen e saj. A ishte kjo situatë në të gjithë Shqipërinë? Jo nuk ishte njësoj. Po ku ishte kjo ? Ishte në zonat ku ai me çdo kush donte të merrte mandatin. Kjo makineri mega-kriminale e blerjes së votës dhe terrorizimit bëhej hapur”, tha Berisha.