Tirana, kryeqyteti ynë, po rritet në mënyrë galopante vit pas viti. Sipas një studimi të bashkisë, çdo vit shtohen mesatarisht rreth 20 mijë banorë, rezidentë të rinj në territorin e metropolit, shumë prej tyre me dëshirën për të patur një banesë të re.
Dhe për këtë mendojnë kompanitë e shumta të ndërtimit që operojnë në Tiranë, të cilat ofrojnë mundësi dhe çmime të ndryshme, në bazë të buxhetit të klientëve.
I njëjti studim i bashkisë së Tiranës, vlerëson se çdo vit ndërtohen rreth 550 mijë metër katror sipërfaqe të destinuara për banesa, me një mesatare prej 100m2 për banesë, që përkthehet në 5500 apartamente banimi në vit.
Pavarësisht se jemi në krye të top – listës së vendeve më të varfra të Europës.
Duke lënë menjanë këtë argument, duhet pranuar se të blesh sot një apartament të ri nga kompanitë e ndërtimit në Tiranë, është gjëja më e thjeshtë. Mjafton të kesh euro, dollarë apo edhe lekë:
Në një përqindje të lartë, cash.
Është një fakt që njihet thuajse nga të gjithë, por asnjëherë, askush nuk ka marrë mundimin që ta denoncojë.
Sepse të gjitha palëve i bie më thjeshtë kështu. Përveç shtetit që humbet miliona nga mosdeklarimi i blerësve dhe veçanërisht i kompanive ndërtuese.
Dy muaj më parë, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku do të kërkonte ta justifikonte bumin e madh të shitjeve me para cash, duke i faturuar si burim të ardhurash nga emigrantët.
Arbi Mazniku: Është marrë si vit studimor viti 2019 dhe thonë vlera totale është 953 milionë euro, nga këto janë paguar 400 milionë euro me kredi dhe kursim, 355 para pa burim. 953 milionë euro është vlera e tregut, çmimi i shtjes të gjitha njësive, 420 milionë me kredi.
Po sa është e bazuar kjo deklaratë? Ekonomisti Pano Soko shprehet me skepticizëm…
“Thënë thjeshtë, blerja e shtëpive me para në dorë, është diçka që të gjithë e dinë, por askush s’ka marrë asnjëherë mundimin për të denoncuar. Prandaj, ne do përpiqemi ta tregojmë se si funksionon kjo paligjshmëri në mes të Tiranës. Natyrisht e toleruar nga shteti”.
Është data pesëmbedhjetë Mars, dhe ne provojmë të simulojmë një blerje apartamenti në zonën e “Bulevardit të Ri”, atje ku ndodhen dhe zyrat e kompanisë se ndërtimit “Ndregjoni”.
Piranjat: Si jeni mirë? Si kaluat? Zyra e shitjeve?
Ndregjoni kompani: Po. Tani unë do të tregoj rreth projektit si fillim, me tipologjinë dhe çmimet. Kontenieri ynë ndodhet këtu, gjithë kjo pjesa këtu është karshi rrugës ku ndodhemi tani.
Piranjat: 2+1 jemi të interesuar ne.
Ndregjoni kompani: 2+1 është nga 85 metra deri 120. Çmimi që po shesim tani është 1300 metra katrorë me këste, afati i përfundimit, ne si drejtues themi nga vera e vitit tjetër, po klientëve u themi në fund të 2024 që të jemi në rregull. Proçedurat… në momentin që lidhim kontratën, unë e kam 40% në momentin që lidh kontratën. 30% e kam mbas 6 apo 7 muajsh, 25 % e kam mbas 12 ose 14 muajsh, dhe 5% është përfundimtarja. Tani 108 m2 vete kjo.
Piranjat: Sa vete kjo, na bëj pak llogari të lutem.
Ndregjoni kompani: I vete… (bën llogari) kjo vete 140 mijë euro.
Piranjat: Ne i kemi, nuk është se s’i kemi. Tani sa do japim në fillim?
Ndregjoni kompani: Ne e kemi 40% në momentin që lidhim kontratën. Që i bie 56 mijë euro. Lidhim kontratën, mbasi lidh kontratën e firmos te noterja, e regjistron pronën në hipotekë.
Piranjat: Tani 56 mijë euro është kur lidh kontratën, e lidha po pastaj?
Ndregjoni kompani: Mbas 6 ose 7 muajsh, kishe 140 (bën llogari) ke 42 mijë euro.
Piranjat: Në Total?
Ndregjoni kompani: Në total të shkon 140 mijë euro që ngelin dhe 40 mbas një viti.
Deri këtu gjithçka në rregull. Titullari i zyrës së shitjes na ka sqaruar me detaje për apartamentet që kompania Ndregjoni disponon. Por tani nisin problemet tona.
Piranjat: Problemi është se 100 mijë euro ne nuk i kemi në bankë, te 70 maksimumi.
Ndregjoni kompani: Te 70 keni në bankë, këto të tjerat i keni cash?
Piranjat: Cash kemi dhe më shumë ne po, domethënë ne mund t’i japim dhe njëherësh, dhjeshtë nuk i kemi në bankë. Unë duhet t’i transferoj 56 mijë euro direkt?
Ndregjoni kompani: Direkt në bankë.
Piranjat: Po, pastaj? Këtë 42?
Ndregjoni: 42 i ke në bankë, unë ta llogarita me çmim banke, 100%.
Në këtë moment, personi përballë nesh, sikur stepet, dhe kërkon të marrë informacion për blerësit potencialë.
Ndregjoni kompani: Nga jeni me origjinë ju, më fal se po futem kshu..
Piranjat: Saranda.
Ndregjoni kompani: Se mund të bëjmë me çmim reference, po do ta flasim, që çmimi referencës është 800 euro, (bën llogari) që i bie 86 mijë euro cash dhe 70 mijë euro i bie në dorë.
Kompania Ndregjoni, sapo na ka konfirmuar mundësinë e blerjes se një apartamenti për të cilin gjysmën e vlerës mund ta paguajmë…Cash.
Pas bisedave të para, titullari na shoqëron drejt pallatit në ndërtim, dhe atje na tregon apartamentin tonë të ardhshëm.
Piranjat: Apartamenti 140 mijë euro, me çmimin e referencës sa duhet të transferoj unë ty?
Ndregjoni kompani: Ti 86 mijë euro do t’i transferosh sezbën në bankë për një vit e gjysëm.
Piranjat: Pastaj në dorë?
Ndregjoni kompani: Ajo që ngelte, 60 mijë euro.
Piranjat: Po kështu në rregull sajoj diçka.
Ndregjoni kompani: Po kudo që të vësh ta bëjnë besoj.
Piranjat: Po ore po.
Ndregjoni kompani: Po me thënë drejtën me njeri të besueshëm se varet ça ndodh, se vjen dikush të bën një video të merr më qafë.
Ehhhh, në fakt…ky ishte qëllimi…
Piranjat: Po është e sigurt që për një vit e gjysëm maksimumi…
Ndregjoni kompani: Unë deri në fund të 2024 ta shënoj edhe në kontratë që e mbaroj.
Piranjat: E sigurt? Nuk ka vonesa?
Ndregjoni kompani: Nuk ka vonesa fare.
Piranjat: Në WhatsApp ti më dërgon dot mua foto të kompleksit, që të krijhoj një ide.
Ndregjoni kompani: Po, po. Edhe ti më shkruaj në WhatsApp dhe direkt. Këtu kam 311 apartamente, kanë ngel edhe 100 pa shitur.
E ndërsa në kompaninë e ndërtimit “Ndregjoni”, gjërat mbeten vetëm në nivel bisedash dhe ofertash, në kompaninë “Usluga”, simulimi i blerjes së apartamentit shkoi në një tjetër nivel.
Punonjësja: Ky është masterplani i Bulevardit, është i miratuar nga Greenshoë, është një studio angleze, është projekt i bashkisë. Këtu është rruga kryesore nga ku vjen nga Stacioni i Trenit. Ne momentalisht me “Altura Trade Center” jemi këtu…gjithë kjo pjesa e gjelbërt, kjo pjesa këtu do jetë park totalisht. Në vijën e parë do ketë ndërtime, do jenë kryesisht institucione të bashkisë, Opera, Bibloteka, Ministritë, do ketë edhe ndërtime të tjera patjetër. Dhe pastaj nga vija e parë deri te objekti jonë është e gjitha park.
Piranjat: Tani ne na intereson e para çmimi, e dyta si funksionon pagesa, domethënë i keni me këste, s’i keni me këste, këto pak a shumë, dhe jemi të ineresuar, 2 plus 1.
Punonjësja: Çmimi te ky projekt varion nga 1650 deri 1750 euro. Për pjesën e pagesës, 20% bëhet pagesë në komentin e lidhjes së kontratës. Më pas pjesën tjetër, mund ta ndani. Afati i përfundimit është 1 vit e gjysëm.
Piranjat: Lekët nuk është se nuk i kemi, edhe 80% të vlerës i japim. Kupton?
Punonjësja: E kuptoj.
Punonjësja: Ne kemi pasur dhe rezidencën Avid, se tani është shitur totalisht, është aty mbrapa, dhe kemi qenë me çmimin 1350, 1400 euro, në fakt kemi një apartament aty.
Punonjësja: 16.23 është në total diku te 99 është neto. Ka dy tualete, një me ndriçim natyral, 1400 euro m2. Këtu është hyrja, ka korridorin…
Punonjësja: Në qoftë se dëshironi mund edhe ta shohim tani? E ke bezdi, mund të shkojmë në kantier.
Piranjat: Po, po.
Pas bisedave të para sqaruese, agjentja e shitjeve të USLUGËS, na drejton për tek kantieri për të parë nga afër hyrjen që na intereson.
Piranjat: Elda, çmimin ky e ka super… Ëࣿshtë i padiskutueshëm?
Punonjësja: Jo, mund të diskutohet pak. E llogarit me 1400 euro..
Piranjat: Po, po të jemi brenda.
Punonjësja: 160 (mijë euro). Me çmimin më të ulët, ai është 109 m2, brenda është 78 m2.
Piranjat: E zëmë se vendosa unë për këtë, të 162 mijë euro duhet t’i transferoj?
Punonjësja: Si t’i transferosh?
Piranjat: Në bankë?
Punonjësja: Jo, si të dëshironi ju.
Piranjat: Se duam një pjesë…
Punonjësja: Shumicat e klientëve kështu i kemi.
Shkojmë shohim apartamentin…
Ne nga këta klientë duam, thotë agjentja. Normal, paraja cash lëviz më lirshëm dhe nuk le gjurmë.
Piranjat: Si do veprojmë? Do bëjmë kontratën?
Punonjësja: Kontrata e porosisë bëhet me noter, dhe pastaj kontratën përfundimtare.
Piranjat: Sa duhet të të transferoj unë ty në bankë?
Punonjësja: Sa të dëshironi. Ne jemi shumë fleksibël për pjesën e pagesave. Sa të dëshironi.
Punonjësja: Ne kemi funksionuar kështu me klientët, këstin e parë që nuk doni ta deklaroni, për shembull 80 mijë euro, e bëjmë pagesë fillestare. Domethënë në momentin e kontratës bëjmë këtë pagesën, dhe nuk e shënojmë në kontratë këtë 80 mijë euro. Ti merr një mandat pagese nga USLUGA që ti e ke blerë këtë.
Pra, shefi e rregullon këtë. Për ta thënë më qartë, blerësi potencial, bën një pagesë me lekë në dorë, ndërsa më pas, një pjesë, shpesh herë më pak se gjysma, pagesë të deklaruar banke.
Në rastin tonë shuma cash është plot 80 mijë euro. Kuptojeni vetë se çfarë evazioni i frikshëm kryhet në mes të Tiranës, ditën per diell. Por, le të vazhdojmë më tej:
Piranjat: Po thjeshtë nuk transferohet në bankë?
Punonjësja: Mos e vrisni mendjen fare se shefi i rregullon këto. Si po ju thoja, bëni pagesë 80 mijë euro, nuk e shënojmë në kontratë, në kontratë e shënojmë sa ngelet, 80 mijë euro është apartamenti. Ju e shlyeni këtë pagesë në momentin e kontratës, dhe merrni mandat pagese nga kompania. Dhe në kontratë shënohet, apartamenti është 80 mijë euro… Se ne kontratën do shohim në vazhdim.
Piranjat: Tani e zëmë se vendosa, do vi nesër, sa duhet të sjell kapar?
Punonjësja: Për ta rezervuar? 5 mijë euro.
Piranjat: T’i jap ty?
Punonjësja: I çojmë të zyra, unë s’marr gjë (qesh).
Piranjat: Pastaj? 80 mijë euro kur duhet t’i sjell?
Punonjësja: Në momentin e kontratës.
Sapo kemi bërë marrëveshjen e dytë të blerjes së një apartamenti me lekë cash. Me lehtësinë më të madhe dhe pa më të voglën pengesë përpara. Sepse të gjithë preferojnë lekë në dorë.
Por tani ka ardhur momenti të konkretizojmë marrëveshjen me kompaninë USLUGA. Pesë mijë euro duhet t’i paguajmë në formë kapari, dhe më pas të depozitojmë edhe 75 mijë të tjera.
E përsërisim: Të gjitha cash.
Bëjmë pagesën e parave.
Pesë mijë euro të thata në dorë. Vetëm një kapar i vogël, mos harroni.
Dhe pasi kemi dokumentuar se me sa thjeshtësi këto kompani pranojnë paratë cash, na mbetet të kuptojmë nga vetë ata, pse e kanë bërë kaq të zakonshëm këtë mekanizëm?
/SYRI.net/