Kompania koncesionare e portit në Porto Romano po zgjeron aktivitetin në shkelje të ligjit. Një pjesë e tokës në pronësi të Forcës Detare po përdoret nga Kastrati Grup. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes nuk përgjigjet nëse ka dijeni për këtë fakt, ajo sqaron se nuk disponon ndonjë kontratë dhënie me qira të kësaj pasurie.
Në zemër të bregdetit të Adratikut ndodhen 52 mijë metra katrorë tokë në pronësi të Forcës Detare. Në zonën e Porto Romanos në Durrës, ngjitur me Portin Tregtar të kompanisë koncesionare Porti MBM që zotërohet nga “Kastrati Group”, pjesa më e madhe e godiave që kanë shërbyer si depo të minave detare vite më parë nuk janë më. Që nga gushti i vitit 2020, kompania koncesionare e portit ka nisur zgjerimin e saj në këtë zonë, pavarësisht se ajo është në pronësi të ushtrisë.
Pronësinë e tokës e konfirmon edhe vetë Ministria e Mbrojtjes, e cila në përgjigje të kërkesës për informacion, shprehet:
“Prona nr.219 “Ish Depo Minave Detare” Porto Romano është pronë në administrim të Forcës Detare e cila gëzon dhe certifikatë pronësie për këtë pasuri.
Ministria konfirmon gjithashtu se nuk ka asnjë kontratë të miratuar për të ndërtuar mbi këtë pronë. “Aktualisht Forca Detare, nuk disponon ndonjë kontratë dhënie me qira/emfiteozë të kësaj pasurie dhe gjithashtu nuk disponon asnjë akt me të cilën është bërë kalimi i kësaj pasurie shtetërore drejt ndonjë subjekti privat. Nuk disponojmë ndonjë akt që ndonjë subjekt privat të ketë fituar të drejtën për zhvillimin e kësaj prone.”
Megjithatë, për pyetjen nëse është dijeni që në këtë pronë po kryhen punime nga operatorë privatë, Ministria e Mbrojtjes hesht.
Ish-kreu i Forcës Detare, Artur Meçollari, ngre të njëjtën pyetje, ndërkohë që kujton një rast të ngjashëm.
“Unë kam patur vetëm një histori gjatë detyrës time me këtë pronë, duhet të ketë qënë maji i vitit 2020 kur duke ndërtuar një rrugë kompania që administron portin hyri në pjesën e pronës 219 dhe menjëherë njoftova Policinë Ushtarake, Policinë e Shtetit, erdha vetë në vend, takova dhe administratorin e pronës dhe u rikthye gjendja e pronës si ishte”, tregon Meçollari.
Dy vjet pas rastit që përmend Meçollari, situata është tjetër: Ministria e Mbrojtjes nuk ka hapur ankand për privatizimin e pronës, kompania nuk ka bërë kërkesë për përdorimin e saj, ndërsa fakti ka ndodhur: 52 mijë metra katrorë me vlerë tregu 5 milion euro janë marrë nga koncesionari i Portit.
Kompania Porti MBM operon prej vitesh në zonën e Porto Romanos, fillimisht me një kontratë koncesionare për ngritjen e një strukture portuale për lëndët hidrokarbure. Në vitin 2020 Kuvendi i Shqipërisë i ndryhsoi kontratën duke i lejuar edhe aktivitete të tjera tregtare në përpunimin e të gjitha mallrave.
/Emisioni Kronos në MCN/