Kryetari demokrat, Sali Berisha, në takimin me drejtuesit e degëve të PD në Tiranë, tha se 14 maji do të jetë një ditë fitoreje por dhe nje beteje jetike për Shqipërinë.
Berisha shton më tej se “është në detyrimin e PD-së për të bërë gjithçka për të mobilizuar çdo resurs të saj, në mënyrë që 14 maji të jetë një ditë fitore për pluralizmin, ditë fitore në Tiranë për Belind Këllicin”.
Berisha deklaroi se “Rama duhet të marrë në këtë fushatë përgjigjen më të hidhur që meriton”.
Berisha shprehet se Edi Rama dhe çdo kryebashkiak i tij janë të përshtatshëm për hekura. “Është 10 herë më i inkriminuar Rama se narkotrafikanti i Bulqizës, që duhej arrestuar katër vite më parë, por ai nuk ka vjedhur as 1 të qindtën e vjedhjeve të Edi Ramës.”- thotë Berisha.
Ai theksoi se përballë kanë rivalë të inkrimnuar, duke shtuar se “si Artur Bushi, apo i Bulqizës, janë pa përjashtim të gjithë kryebashkiakët e PS. Kanë ndjekur shembullin e Ramës, Ballukut dhe Ahmetajt”.
“Kjo fushatë për nga rëndësia e saj tejkalon çdo fushatë tjetër politike dhe vendore nga viti 1992 gjer më sot. Sytë të gjithë Shqipërisë janë të drejtuar në Tiranë. Ju keni konstatuar, ka një optimizëm të madh, ka një entuziazëm të qytetarëve dhe demokratëve kudo që shkojmë. Gjejmë një situatë të elektrizuar. Ka një vetëdije të madhe se kjo është fushatë po aq sa vendore, aq edhe politike me një rëndësi të jashtëzakonshme. Edi Rama duhet të marrë në këtë fushatë, përgjigjen më të hidhur që meriton
Është në detyrimin e PD-së për të bërë gjithçka për të mobilizuar çdo resurs të saj, në mënyrë që 14 maji të jetë një ditë fitore për pluralizmin, ditë fitore në Tiranë për Belind Këllicin. Fitore për kandidatët e lirisë, që janë sot për herë të parë në 32 vite, kandidatë të zgjedhur me procedurën më demokratike dhe të civilizuar. Edi Rama, ju e shihni, duke filluar nga ai vetë, duke përfunduar te çdo kryebashkiak i tij, për shkak të firmave me të cilat kanë vjedhur, janë të përshtatshëm për hekura. Është 10 herë më i inkriminuar Rama se narkotrafikanti i Bulqizës, që duhej arrestuar katër vite më parë, por ai nuk ka vjedhur as 1 të qindtën e vjedhjeve të Edi Ramës. Për këtë, duhet ta kenë të qartë çdo shqiptar. Pra kemi me rivalë të inkriminuar kokë e këmbë, si Artur Bushi apo ky i Bulqizës, janë pa përjashtim të gjithë bashkiakët e PS, sepse kanë ndjekur shembullin e Edi Ramës, Belinda Ballukut, Arben Ahmetajt, me radhë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se në Tiranë ne paraqesim një qytetar të vërtetë përballë fallsit më të madh, Erion Veliajt.
Berisha shton më tej se Veliaj e ka katandisur Tiranën në një nga 10 qytetet më të ndotura në botë përmes kullave që ndërton dhe çrregullimit të trafikut.
“Duhet të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të ndërgjegjësohen që nuk votohet ai që të vjedh. Se vota për hajdutin është votë për mjerimin tënd, është votë për shkatërrimin e vendit. Por si realizohet kjo? E keni në dorë ju. Kjo kërkon një mobilizim total të anëtarësisë dhe mbështetësve tanë. Harrojini ekranet, le që i ka mbyllur qeveria, por ekranet janë të akullta, janë të ftohta, janë me distancë nga qytetarët. Shtrëngimi i duarve, bisedat, kjo është mënyra për të bërë gjithçka që të ndërgjegjësojmë çdo qytetar se hajdutët nuk votohen. Nëse voton hajdutët, e shtyve këtë vend, këtë rrokullisje, që në Shqipëri të mos mbetet askush përveç tyre. Ka një rëndësi kapitale kjo. Ju keni këtu pothuajse një të tretën e popullsisë. Anëtarët tanë, mbështetësit tanë duhet të kenë një plan ditor sa njerëz do takojnë çdo ditë. Nuk ka nevojë sot të shtojmë asgjë, ajo që mund të quhet propagandë, sot është një realitet absolut. Në Tiranë kemi një njeri, paraqesim një qytetar të vërtetë të këtij qyteti. Një demokrat, një qytetar të virtytshëm, të shkolluar, që e do qytetin, i do qytetarët. Ka përballë fallsin më të madh, nuk ka njeri më falls se Erion Veliaj. Fallsi është mashtrim. Njeriu që paraqitet falls në çdo gjë, ai ka mungesë totale respekti për qytetarët. Një njeri që vjedh, vetëm taksa antikushtetuese e arsimit ka arritur në 42 milionë euro. Me atë taksë, ai ndërton shkolla 6 milionë euro. Një kryetar bashkie që ka katandisur Tiranën në një nga 10 qytetet më të ndotura në botë. E thotë Numbeo. E katandisi përmes kullave që ndërton dhe çrregullimit të trafikut”, theksoi Berisha.
Nga ana tjeter, Berisha kerkoi qe strukturat e PD duhet të jenë në punë nga mëngjesi deri në darkë në këtë betejë jetike për Tiranën dhe Shqipërinë, siç tha ai.
Më tej Berisha u drejtohet qytetarëve duke u thënë se nuk duhet të votojnë kontingjente njerëzish që janë kontingjente për t’u burgosur.
“Me kullat, ky rrit dendësinë e popullsisë. Aty ku ndërtohet një kullë, duhet të ketë një sipërfaqe shumë të madhe rreth saj. Kurse ky e çon në 20 mijë banorë kilometrin. Njerëzit i marrin frymën njëri-tjetrit në këto hapësira. U ndala këtu për të mos thënë pastaj vjedhjen e tmerrshme me inceneratorin. Ai është 5 herë, 10 herë më i inkriminuar se ai i Bulqizës. I Bulqizës për 3 milionë që ia dha një të afërmi, po ky dasmën ia bëri vëllai në kështjellën e Gjirokastrës se i dha tenderin. Kjo është më e pakta, si shembull. Nuk votohet hajduti, nuk votohet fallsi. Sepse drejtësia do të vijë edhe për Edi Ramën, edhe për Erion Veliajn. Ligji për të hequr parashkrimin, absolutisht do jetë ligji i parë, do të shkojë deri në referendum vendosja e tij.
Pushtetar që vjedh dhe parashkruhet pas 7 vitesh, nuk do ketë kurrë më. Nuk do ketë më mbyllje çështjesh. PD është e gatshme që të shkojë deri në referendum. Parashkrimi është amnisti, është njësoj si të amnistosh zyrtarët. Do të marrë fund kjo, ndaj edhe qytetarët duhet ta dinë. Nuk duhet të votojnë kontingjente njerëzish që janë kontingjente për t’u burgosur. Por kjo nuk realizohet, kjo realizohet me takime derë më derë, kokë më kokë, me grupe të vogla, me anketa të vogla. Edi Rama është i tmerruar, të gjitha aktet që bëri do i kthehen në bumerang. Opozita do marrë pjesë dhe do fitojë në zgjedhje. Ai do mbajë përgjegjësi për gjithçka. Strukturat tona duhet të jenë të gjitha nga mëngjesi deri në darkë në këtë betejë jetike për Tiranën dhe Shqipërinë. Punë e madhe është bërë, por potenciali është shumë më i madh. Çdo ditë tani ka peshë më të madhe se po shkojmë drejt 14 majit’, tha Berisha.