Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Lartë për lënien në burg të Jeton Lamit, ish-agjentit të Forcave Operacionale i cili ka shërbyer si truprojë dhe shofer i të shumëkërkuarit, Ervis Martinaj.
Në pretendimet e tij në rekursin e bërë, ndaj vendimit të Apelit për ta lënë në burg, Jeton Lami shprehej se masa e sigurisë arrest me burg i rrezikonte jetën për shkak të profesionit të tij dhe kërkonte një masë më të butë sigurie duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e një masë shtrënguese si ajo e “Arrestit me burg”.
Ndërkohë, në vendimin e Gjykatës së Lartë jepen detaje në lidhje me jetën që bënte Ervis Martinaj dhe me ditët e fundit të tij. Në dosjen hetimore rezulton se është pyetur edhe një 22-vjeçare që ka qenë një nga kontaktet e fundit të Martinaj para zhdukjes.
Ajo është ish-Miss Shqipëria, Sadete Kokomani. Ajo ka shpjeguar se ishte njohur me Martinajn muajin janar 2022, pasi ai kishte shkruar ne rrjetin social “Instagram”. Martinaj ka pasur një profil në Instagram me emrin “King Simba” dhe foto profili një luan.
Pas disa komunikimeve ishte takuar me Ervisin në Durrës më 7 janar të vitit 2022, përpara një hoteli. Ervisi kishte shkuar vetëm me një automjet BMV seria 7, targat e të cilit nuk i mbante mend. Pas këtij takimi kishin vijuar takimet normalisht me Ervisin. 22-vjeçarja ka treguar edhe për takimin e datës 5 gusht të vitit 2022. Rreth orës 17 ajo ishte nisur me taksi nga Durrësi për në Tiranë pasi kishte komunikuar me Ervisin në aplikacionin telegram për të parë një shtëpi me qira.
Sipas dëshmisë së saj, Ervisi ka qenë më një automjet Audi A8 me targa të huaja i ulur në vendin e parë të pasagjerit ndërsa në vendin e drejtuesit ka qenë një person tjetër që Ervisi e mbante afër vetes si shofer rreth 30 vjeç me flokë pak të rëna përpara dhe mbante pak mjekër (Jeton Lami). Ajo ka hipur në ulësen e pasme të mjetit dhe janë nisur nga Tirana për në Durrës. Fillimisht kanë bere xhiro deri në Golem dhe me pas kanë shkuar te hotel Adriatiku, ndërsa personi që ka rezervuar dhomën ka qenë shoferi sipas dëshmisë së vajzës. Ajo ka treguar se kanë qëndruar në hotel deri ditën e nesërme me 6 gusht rreth drekës.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Jeton Lami nuk ka dënime të tjera dhe nuk ka arsye për t’u larguar nga vendi apo për të penguar marrjen e provave. Në përfundim kërkohet caktimi i masës së sigurisë ‘Arrest shtëpie’ apo detyrim paraqitje. Nga ana tjetër, në vendimin e Gjykatës së Lartë thuhet se nuk ekzistojnë rrethanat në të cilat Jeton Lami të mund të bëjë rekurs të vendimit të marrë në 7 shkurt.
Sa i përket rastit kur ai është kapur teksa shoqëronte Ervis Martinajn, Jeton lami ka thënë se është takuar me Ervis Martinajn rastësisht në zonën e ‘Zogut të Zi’ në Tiranë tre ditë para se ta shoqëronte për në Durrës. Vetë Martinaj i ka kërkuar ta shoqëronte dhe Lami e ka dërguar në Durrës ku e ka lënë në një hotel me një mikeshën e tij. Ndërkohë që një ditë më vonë ka shkuar në Durrës, e ka marrë Ervis Martinajn dhe mikeshën e tij dhe i ka lënë në një ambient pranë një karburanti në zonën e Vorës dhe që nga ky moment nuk ka pasur më kontakte me të.
Jeton ra në pranga më 24 gusht të vitit që shkoi me kërkesë të Prokurorisë së Laçit, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa prokuroria ka shtyrë edhe me 3 muaj hetimet për ish-oficerin e policisë Jeton Lami. Ky i fundit bëri kërkesë në Apel për t’u liruar nga burgu, por gjykata e refuzoi. Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar nga agjent i forcave operacionale në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, i cili u prangos më 24 gusht nga policia e Lezhës.
Më 5 dhe 7 gusht, Lami ka transportuar ndërmjet Durrësit dhe Tiranës biznesmenin Ervis Martinaj. Lami u kap nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës, ku ka qenë i shoqëruar me Ervis Martinajn. Për herë të parë hetuesit kanë mundur të zbulojnë se më 5 Gusht 2022 Lami e merr Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e transporton atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.