Në pritje të vitit të ri 2023, kanë ardhur urimet e para nga krerët e politikës shqiptare.
Kreu i qeverisë Edi Rama ka bërë një urim ndryshe, ai ka zgjedhur vargjet nga Ekleziastët, duke thënë se shpreson se 2023 të jetë viti i paqes, me shumë dashuri e buzëqeshje
“Sonte nuk kam një mesazh tradicional, kjo është nata e familjes suaj, miqve e të afërmve tuaj dhe mua më keni pasur thuajse çdo ditë në shtëpi. Ju kërkoj ndjesë nëse e kam tepruar, nëse s’kam folur si duhet, nëse kam gabuar, shumë ndjesë! Kam bërë si çdo vit gjithë sa kam mundur, por jo gjithçka kam dashur, të mundesha më shumë s’e kisha lënë pa bërë.
Ka qenë një tjetër vit tejet i vështirë, të cilin inflacioni i luftës dhe çmendja e çmimit të energjisë e kanë bërë një vit të zymtë për mbarë Europën. Kemi pasur sidoqoftë edhe ditë të mira – mes tyre edhe ditë historike, si finalja e parë europiane e futbollit në Shqipëri apo Samiti i parë i BE-së jashtë kufijve të Bashkimit Europian, pa harruar momentin kulmor të shumëpritur, çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Po me punët e me progresin e bërë gjatë këtij viti nuk po ju marr asnjë minutë nga mbrëmja e sotme.
Minutin tjetër do t’jua marr për t’ju lexuar një tekst të vjetër, që mua më mahnit gjithnjë dhe ndjehem sonte i privilegjuar ta ndaj me ju, nga Ekleziastët:
“Nën këtë qiell ka një kohë për gjithçka dhe ka një stinë për çdo veprim: Një kohë për të lindur e një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë e një kohë për të shkulur, një kohë për të vrarë e një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur e një kohë për të ndërtuar, një kohë për të vajtuar e një kohë për të qeshur, një kohë për zi e një kohë për valle, një kohë për t’i hedhur e një kohë për t’i mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar e një kohë për t’u rezervuar në përqafime, një kohë për të këmbëngulur e një kohë për të hequr dorë, një kohë për të mbajtur e një kohë për të flakur, një kohë për të prishur e një kohë për të ndrequr, një kohë për të heshtur e një kohë për të folur, një kohë për të dashur e një kohë për të urryer, një kohë për luftë e një kohë për paqe”.
Qoftë Viti i Ri një kohë për paqe, për dashuri e për plot të qeshura për ju, familjen dhe miqtë e të afërmit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh ai.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shprehur urimin e saj për shqiptarët me rastin e Vitit të Ri 2023.
“Sonte, në natën e ndërrimit të viteve, uroj familjet shqiptare, këtu në Shqipëri e Diasporë, një Vit të Ri të gëzuar! Sfidat e 2023 janë të mëdha, por të bashkuar, me dashuri e përkushtim për vendin tonë, do t’i përballojmë ato!
Ditët dhe vitet më të bukura i kemi përpara! Shëndet e gëzime në të gjitha vatrat familjare!”, shkroi Nikolla.
Presidenti Bajram Begaj uroi një vit që ka kryefjalë dashurinë dhe jo luftën me njëri tjetrin, ndërsa përballë sfidave globale kërkoi mos-rënien në pesimizëm.
“Të dashur motra dhe vëllezër të një gjaku, të një gjuhe, të një atdheu dhe të një kombi!
Janë orët e fundit të vitit 2022 ndaj më lejoni t’ju uroj një vit të ri sa më të mbarë, sa më të begatë për ju dhe njerëzit tuaj të dashur! Shëndet e mbarësi për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Luginën e Preshevës, për arbëreshët, dhe shqiptarët kudo në botë.
Në këto muaj, jam përpjekur të vij sa më pranë jush, për t’ju takuar nga afër, për t’ju dëgjuar nga afër. Në Kukës apo Delvinë, Shkodër apo Elbasan, kudo ku kam qenë, qytetarë të të gjitha moshave, më kanë folur për shqetësimet e tyre, vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë.
Kam bërë dhe do të bëj detyrën, që zëri i çdo qytetari të Shqipërisë, që zëri juaj, të dëgjohet. Askush nuk duhet të ndihet i mënjanuar, i braktisur, i cënuar në mundësinë për të qenë konkurrues me këdo e kudo.
Tek sa ishim ende duke u marrë me rimëkëmbjen nga tërmeti, krizën e pandemisë, një tjetër ngjarje do të shënohej këtë vit: agresioni i pajustifikuar rus ndaj Ukrainës. Na u desh të përballonim sfida të mëdha, të cilat vunë në provë solidaritetin tonë, solidaritetin njerëzor dhe fuqinë e bashkimit.
Të dashur shqiptarë të rajonit!
Duhet të jemi të vetëdijshëm për rolin tonë të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti dhe sigurie në hapësirën ku jetojmë. Situata e rëndë dhe e patolerueshme e krijuar në Veri të Kosovës duhet të marrë fund. Provokimet dhe gjuha e kërcënimeve nuk janë gjuha me të cilën mund të flitet, vetëm dialogu dhe respektimi i integritetit të Republikës së Kosovës janë rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve.
Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, për anëtarësimin, sa më të shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Në këto kushte pasigurie globale, sfidash nga më të ndryshmet, që nga ato ekonomike e shëndetësore, tek ato klimatike, është e lehtë të biesh në pesimizëm, të mos gjesh shtysën e nevojshme për të dhënë maksimumin, të humbasësh besimin se gjërat mund të bëhen më mirë.
Por në takimet që kam bërë, shqiptarët kanë ndarë me mua jo vetëm pengesat e jetës së përditshme, por edhe pritshmëritë, dëshirat dhe ëndrrat e tyre. Kanë ndarë histori frymëzuese solidariteti, kontributi vullnetar, histori të jashtëzakonshme suksesi.
Gjej rastin të falënderoj të gjithë shqiptarët që punojnë për ta bërë këtë vend më të mirë, për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre, për vendin e tyre.
Një mirënjohje e thellë për profesionistët e shëndetit, për humanizmin dhe përkushtimin që kanë treguar në këto kohë kaq të vështira. Mirënjohje për profesionistët e edukimit dhe arsimit, që i janë dedikuar një prej misioneve më sublime të shoqërisë njerëzore, atë të përçimit të dijes; nderim për Forcat e Armatosura, forcat e rendit, ato të ndihmës së shpejtë, zjarrfikësit, për të gjithë heronjtë e heshtur që janë gati të sakrifikojnë jetën e tyre për të shpëtuar jetë të tjera njerëzish.
Falënderim për gazetarët dhe median, shtyllë e rëndësishme për demokracinë funksionale; për të gjithë profesionistët që punojnë me ndershmëri e përkushtim në sferën e drejtësisë. Drejtësia e standardeve më të larta, nuk është dhe nuk duhet të shihet si një privilegj por si një domosdoshmëri.
Falënderoj të gjithë ata që investojnë dhe kontribuojnë për bujqësinë, industrinë, turizmin, për inovacionin, për rritjen e ekonomisë shqiptare. Mirënjohje për të gjithë artistët, që me artin dhe kulturën e tyrë janë shpirti i një kombi.
Respekt për të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në sukseset historike të këtij viti, si çeljen zyrtarisht të negociatave për anëtarësim me BE, pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, rritjen e rolit gjeopolitik të vendit tonë, shpalljen e Xhubletës shqiptare si pasuri e të gjithë njerëzimit, në mbrojtje të UNESCO-s.
Falënderoj të gjithë shqiptarët që na kanë emocionuar me sukseset e tyre, si Luiza Gega, e shumë e shumë shqiptarë të tjerë që i bëjnë nder Shqipërisë kudo ku ata jetojnë e punojnë në të gjitha sferat, art, sport, kulturë, shkencë e më gjerë.
Mirënjohje ndaj diasporës, që pavarësisht se e degëzuar kudo në botë, ndjek me vëmendje dhe shqetësim gjithçka që ndodh në trungun mëmë dhe jep kontributin e saj madhor në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, social e kulturor të vendit. E konsideroj votën e diasporës si të drejtë themeltare dhe të domosdoshme.
Viti që po vjen do të jetë një vit zgjedhor, ndaj të gjithë aktorët dhe institucionet, duhet të garantojnë një proces zgjedhor të qetë e brenda të gjitha standardeve më të larta demokratike. Konfliktualiteti, gjuha e urrejtjes dhe e mërive partiake, fragmentarizimi i energjive politike, opozicioni i fjalëve dhe jo i zgjidhjeve, duhet t’i mbeten së shkuarës.
Është koha të kuptojmë se lufta jonë nuk është me njëri-tjetrin, por me varfërinë, me korrupsionin, me krimin dhe pasigurinë për një të ardhme më të mirë, të ndërtuar në trojet tona, për t’i thënë ndal braktisjes së atdheut. Të gjitha partitë politike duhet të rigjejnë frymën e dialogut dhe bashkëpunimit, duke e parë njëri tjetrin si përfaqësues të bindjeve të ndryshme por me një qëllim të përbashkët: përparimi i Shqipërisë!
Një urim i veçantë për fëmijët tanë. Atyre u përket më shumë se kujtdo bota e ëndrrave, bota e së mirës dhe paqes. T’u qëndrojmë pranë të rinjve, t’u japim kurajo, mbështetje dhe shpresë në mënyrë që të ardhmen ta shohin në këtë vend. Le t’i trashëgojmë atyre një Shqipëri më të mirë, më të begatë, më të drejtë, Shqipërinë anëtare të BE-së.
Në këto momente në tryezën e fundvitit familjet bashkohen dhe rigjejnë lumturinë tek traditat më të ngrohta të festave. Në Shqipëri, jemi me fat sepse ende raportet familjare, ato njerëzore, i kemi ruajtur dhe na shërbejnë si mburojë përballë vështirësive dhe dallgëve të jetës. Familjet tona janë streha e ngrohtë ku gjejmë motivin e përditshëm për të dhënë më të mirën tonë, ndërsa marrim po ashtu më të mirën prej tyre.
Sot, në momentet e ndërrimit të viteve me njerëzit e zemrës, mos u kurseni t’i shprehni atyre dashurinë, mirënjohjen që janë pranë jush dhe për gjithçka që kanë bërë për ju.
Të dashur bashkëatdhetarë, Kur të jemi duke punuar në zyrë apo duke punuar tokën, duke studiuar apo duke dhënë mësim, duke shëruar të sëmurë apo duke ndihmuar të moshuar, duke shpluhurosur trashëgiminë kulturore apo duke krijuar vepra artistike, kur të jemi duke votuar, çfarëdo të jemi duke bërë, të mbajmë parasysh se jemi duke i shërbyer në të njëjtën kohë edhe familjeve tona, vendit tonë, kombit tonë, Shqipërisë sonë të dashur. Gëzuar! Urimet më të mira për Vitin e Ri 2023!”, thuhet në urimin e tij.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta me anë të një video në FB, Meta e ka quajtur 2023 vitin e ndryshimit.
“Të dashur qytetarë, motra dhe vëllezër, bashkëkombas kudo ku jeni. Në prag të ndërrimit të viteve dhe afrimit të Vitit të Ri 2023, kam kënaqësinë që së bashku me këtë ekip të rinjsh e të rejash të mrekullueshëm nga selia e Partisë së Lirisë t’ju urojmë Gëzuar Vitin e Ri 2023. Gëzuar Vitin e Ndryshimit!”, shkruan Meta.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha me anë të një mesazhi-video të postuar në Facebook ka uruar gjithë shqiptarët në pritje të ardhjes së Vitit të Ri 2023.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, shqiptare dhe shqiptarë kudo që jeni sot. Në prag të Vitit të Ri, dëshiroj t’ju uroj përzemërsisht Gëzuar Vitin e Ri 2023, kudo që festoni sot, në vatrat tuaja familjare, në lokale, klube, udhëtime, spitale, institucionet e vuajtjes së dënimit.
Gëzime dhe të mira të keni gjithmonë. Sot ne festojmë, japim dashuri për njëri-tjetrin, mirënjohje, respekt, admirim, por në mënyrë të pamohueshme jemi të vetëdijshëm se çdo i ri, çdo student, çdo biznesmen, çdo punëtorë, çdo punonjës, çdo fermer që jeton me djersën dhe mundin e tij përballojnë një vit ciflitës gjatë vitit 2022. Një vit të cilin tiparet më kryesore të shkruara në muret e kohës do mbeten, së pari vendosja e monizmit të plotë pas 31 vitesh në Shqipëri bazuar kryekëput në krimin, drogën dhe vjedhjen e votës
Së dyti viti 2022 është viti i vjedhjes deri në palcë i shqiptarve nga qeveria e tyre. Edi Rama ka tre ditë që trumbeton se do të shpërndajë pas Vitit të Ri 80 milion euro. Kjo është një pilulë elektorale, por e vërteta është së çdo shqiptarë për shkak të vjedhjes që është bërë në bordet e qeverisë shpenzoi për ushqimet dhe ilaçet e tij, më shumë se një rrogë gjatë vitit 2022. Ndaj dhe minimum i korrektesës, i njerëzisë në këtë rast kërkonte një rrogë të 13-të, një pension të 13-të, një ndihmë ekonomike të 13-të, por këto nuk mund të ndodhin sepse qindar milionë vidhen për të fryrë kontot bankare të Edi Ramës dhe qeveritarëve tanë. Qindra e qindra milionë shpërdorohen, abuzohen. Siç rezulton në 9 muaj janë vjedhur 122 miliardë lekë, janë vjedhur pra 1.3 herë më shumë se fondi i përgjithshëm i pagave të Shqipërisë.
Por viti 2022, mund të konsiderohet viti i opozitës ndaj dhe unë dua të uroj më përulje të madhe bazën e Partisë Demokratike. Ata burra dhe gra të cilën me intuitën e tyre kuptuan se çfarë rreziku ekzistencial i kërcënohej Partisë Demokratike dhe rendën me guxim, vendosmëri në mbrojtje të saj. Dua me përulje të uroj dhe falenderoj të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, të cilët I dhuruan shqiptarëve në një moment kritik për demokracinë e tyre Primaret. Mbollën përsëri votën e lirë. Rikthyen votën e lirë në Partinë Demokratike me vendosmërinë më të madhe për ta rikthyer atë në mbarë shoqërinë Shqiptare. Unë dua të falenderoj në mënyrë të pakufijshme ata qindra e mijëra qytetarë shqiptarë, demokratë, socialistë, pa parti të cilët mbushën gjysmën e dytë të këtij viti sheshet dhe rrugët e Tiranës dhe dëshmuan se ata janë zotrit e vërtetë moral të këtij vendi. Kam një mirënjohje të veçantë për të gjithë ndjekësit, simpatizantët, fansat e mi në rrjetet sociale, në veçanti ata të TikTok të cilët me atë mbështetje elektrizuan rininë dhe e vërteta është elektrizuan edhe Sali Berishën. Pra viti 2022 ishtë një vit që ngriti në këmbë opozitën shqiptare.Një mirënjohje të pakufijshme për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët e ndoqën me simpati, me dashamirësi ketë zgjim të fuqishëm të opozitarizmit në Shqipëri. Edi Rama sot është më i izoluar se kurrë. Ai kudo që shkon pritet me ‘Rama ik’, ndërmer dhe në prag festash akte çnjerëzore. Nxjerr familje, burra, gra, të moshuar, fëmijë nga banesat e tyre vetëm e vetëm që këto akte t’i mbulojë me atmosferën e festës, por këto le t’ia lejmë vitit 2022 dhe të angazhohemi e zotohemi ne, se viti 2023 do të jetë viti i Revolucionit Demokratik, viti i shpëtimit të Shqipërisë. Ndaj dhe unë dua të ngre këtë dolli për të gjithë ju kudo që ndodheni sot, gëzime, shëndet, shpresë dhe suksese në realizimin e aspiratave dhe ëndërrave tona Gëzuar! Një shëndet ta ngrejmë sot për Shqipërinë e cila sot ka nevojë më shumë se kurrë për dashurinë dhe besimin tonë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Flamurin e saj, bijtë dhe bijat e saj kudo që ndodhen sot! Gëzuar”, u shpreh Berisha.