Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të premten seancën dëgjimore me gjyqtaren e Gjykatës së Fierit, Olkeda Liçe.
Trupa që hetoi çështjen e kryesuar nga Etleda Çiftja, me anëtare Suela Zhegun dhe relatore Alma Faskaj, vuri në dukje se Liçes i ishte kaluar barrë prove sa i përket pasaktësisë në deklarimin e një depozite në të cilin ajo kishte 50 për qind të pronësisë, mungesën e burimeve për një shumë prej 370 mijë lekësh.
Asaj po ashtu iu kërkuan shpjegime mbi atë që Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte vlerësuar si “mungesë aftësish organizative”, sa i përket numrit të lartë të seancave për dy çështje, zvarritjen e disa dosjeve dhe pyetje mbi një denoncim dhe një rast të dyshuar për konflikt interesi.
Liçe vlerësoi hetimin e kryer nga Komisioni dhe gjetjet, ndërsa kërkoi që KPK të ndante pasurinë e saj nga ajo e ish-bashkëshortit duke këmbëngulur se të ardhurat e saj dokumentonin pjesën e saj në depozitë. Megjithatë e pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs mbi bazën ligjore për këtë kërkesë, Liçe pranoi se nuk kishte një të tillë.
Debati mbi pasurinë
Edhe pse Komisioni kishte hetuar disa pasuri të personave të lidhur me Liçen dhe po ashtu edhe të ish-bashkëshortit të saj, gjyqtares u vu në dukje se i ishte kaluar barrë prove për pasaktësinë në deklarimin e një depozite 1.8 milion lekë në bashkëpronësi me ish-bashkëshortin dhe mungesën e burimeve prej 370 mijë lekësh në të ardhurat për krijimin e kësaj depozite.
Relatorja Faskaj vuri në dukje se Liçe e kishte deklaruar depozitën në shumën 1.4 milion lekë, ndërsa ishte gjetur nga KPK se në bankë ishin tërhequr 1.8 milion lekë. Po ashtu KPK tha se nuk njihte si të ardhura të ligjshme ato që bashkëshorti kishte deklaruar si të fituara nga bastet, për sa kohë për këto nuk ishin deklaruar shpenzime.
Në shpjegimet e saj Liçe shpjegoi se pasaktësia në deklarim ishte pasojë e marrëdhënies së vështirë që ajo kishte me ish-bashkëshortin e saj. Ajo tha se ky i fundit kishte përdorur nevojën e saj për të plotësuar deklarimit veting, për të siguruar një takim me të dhe për t’i kërkuar asaj të rikthehej në shtëpi edhe pse defakto ata ishin të ndarë. Ajo tha se shuma e deklaruar ishte ajo që i kishte thënë ish-bashkëshorti i cili kishte tërhequr paratë nga banka në mënyrë të njëanshme.
Liçe tha se kishte depozituar kallëzim penal për sasinë e munguar të parave dhe pretendoi se nuk kishte dijeni për këtë.
Ndërkohë Liçe pretendoi se KPK duhej të konsideronte të ligjshme një shumë prej 400 mijë lekësh që bashkëshorti i kishte deklaruar si fitim nga bastet. Liçe tha se ky ishte deklarimi i tij dhe ajo nuk kishte mundësi të mësonte më shumë mbi këtë.
Ajo po ashtu i kërkoi Komisionit të mbante parasysh se ajo zotëronte vetëm 50 për qind të depozitës së krijuar pak ditë para lindjes së fëmijës. Ajo tha se KPK kishte prova të plota se pjesa e saj e depozitës ishte me të ardhura të ligjshme dhe se nuk duhet të mbahej përgjegjëse për pjesën e bashkëshortit, që më pas ndikonte edhe në bilancin negativ të saj prej 370 mijë lekësh.
Po këto pretendime sollën një seri pyetjesh nga KPK dhe vëzhguesi ndërkombëtar. Jacobs fillimisht i tha Liçes, se duke e mirëkuptuar situatën e saj familjare, dukej sikur gjithë shpjegimet e saj bazoheshin te kjo e fundit. Jacobs kërkoi të dinte për bazë ligjore sa i përket kërkesës për të ndarë shqyrtimin e pasurisë dhe i vuri në dukje Liçes se në procesin e rivlerësimit ishte ajo që mbante përgjegjësi dhe jo ish-bashkëshorti. Liçe nga ana e saj u qëndroi shpjegimeve, por pranoi se nuk kishte një bazë ligjore. Ajo tha se nuk i referohej situatës që të viktimizohej.
Jacobs po ashtu kërkoi shpjegime mbi mënyrën si Liçe vlerësonte fitimet nga bastet prej ish-bashkëshortit. “Unë e di që për çdo 1 euro të fituar duhet të shpenzosh 5”, tha Jacobs duke i kërkuar Liçes nëse dinte se sa para ishin shpenzuar për të fituar shumën e pretenduar.
Por gjyqtarja tha se ajo nuk kishte luajtur vetë kurrë dhe deklarimi i saj ishte i bazuar mbi atë që i kishte thënë personi i lidhur. Ajo këmbënguli se çdo deklarues mbante përgjegjësi më vete për deklarimin e tij.
Drejtuersja e seancës Etleda Çiftja po ashtu këmbënguli mbi bazën ligjore për të kërkuar disatancim. Çiftja po ashtu i vuri në dukje Liçes se në procesi ishte ajo dhe jo ish-bashkëshorti. Nga ana e saj Liçe tregoi se ajo ishte detyruar të dorëzonte deklaratën në momentin e fundit dhe se ish-bashkëshorti e kishte firmosur vetëm pas ndërhyrjes nga drejtues të ILDKPKI dhe një takimi me të të cilin e kishte përdorur për t’i kërkuar të rilidheshin.
Problemet e profesionalizmit
Relatorja Faskaj dhe më pas vëzhguesi ndërkombëtar vunë në dukje se KLGJ kishte sjellë një raport me probleme për Liçen.
Jacobs tha se ishte hera e parë për të që lexonte kritika për një magjistrat nga KLGJ, që zakonisht tha ai i ka të mbushura vlerësimet me lavdërime. “Duhet të jetë e dhimbshme që të jesh një përjashtim”, shtoi vëzhguesit.
Liçe nga ana e saj pretendoi se gjetjet nuk ishin shkarkuese. Ajo tha se rastet e vëna në ndukje u përkisin çështjeve me probleme dhe komplekse, vuri në dukje se një pjesë e vonesave ishin për shkak të postës dhe theksoi se në një rast paditësi ishte i moshuar që kërkonte të bënte vetë mbrojtje dhe se ajo ishte përpjekur të ishte mirëkuptuese për t’i dhënë akses në drejtësi. Liçe këmbënguli në ngarkesën që kishte pasur dhe po ashtu arsyetoi se vendimet në fjalë kishin qëndruar në apel.
Jacobs megjithatë tha se Liçe kishte pasur mundësi të korrigjonte disa nga problemet, duke thënë se ajo mund t’i kishte përgatitur çështjet më mirë.
E pyetur për një dosje me akuza të shfrytëzimit të prostitucionit, të akuzuarve për të cilën u kishte dhënë masa të lehta sigurimi, Liçe theksoi në seancë se të arrestuarat ishin gra dhe se ajo kishte krijuar bindjen se një prej tyre shfrytëzohej nga të afërm.
Faskaj relatoi po ashtu një rast të dyshuar për konflikt interesi. Sipas relatores gjyqtarja kishte gjykuar dy çështje me palë të pandehur ish-qiradhënësin e saj. Dy seancat ishin pushuar pasi palët ishin pajtuar në gjyq.
Liçe tha në seancë se ajo kishte marrë vendimin për të mos dhënë dorëheqjen pasi situata nuk parashikohej në ligj dhe përsëriti se dorëheqja do i ishte refuzuar. Sipas saj palët kishin ardhur në seancë dhe kishin deklaruar se do të zgjidhin gjithçka me pajtim dhe se ajo në këtë pikë nuk e kishte parë të arsyeshme të largohej nga gjykimi.
Sipas gjyqtares ajo nuk kishte pasur kontakte me qiradhënësin të cilin e kishte gjetur familja dhe ishte paguar o prej motrës së saj o prej prindërve. Ajo tha se kontakti i vetëm me të ishte nënshkrimi i një kontrate dhe se në momentin e gjykimit marrëdhënia e qirasë kishte përfunduar prej disa kohësh.
Por Jacobs në qëndrimet e tij i tha Liços se pavarësisht normave Ligjore ajo nuk duhej të qëndronte në një gjykim kur njihte njërën nga palët.
Në fund të seancës Liço kërkoi konfirmim në detyrë. Vendimi do të njoftohet me 19 dhjetor në orën 9.50.
/Reporter.al/