Më 23 korrik 2021, tre ditë pasi kishte marrë një fletëthirrjen për tu paraqitur në gjykatë, i paditur nga BIRN për shkelje të ligjit për të drejtën e informimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor i dorëzoi redaksisë katër procesverbale të mbledhjeve plenare që deri në atë moment i kishte konsideruar ‘sekret shtetëror’ dhe kishte refuzuar t’i publikonte – siç parashikonte ligji.
Por ndërsa shmangu përballjen në gjykatë dhe refuzoi të mbronte pretendimet e saj për sekrete shtetërore dhe të dhëna kofidenciale, KLGJ vijoi të njëjtën praktikë mbledhjesh të mbyllura sa herë në diskutim ishin kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kancelar gjykate apo kandidatë për magjistratë.
Përmes një kërkese për informacion në nëntor, BIRN mësoi se KLGJ ka zhvilluar 76 seanca me dyer të mbyllura, ose sa 18.4 për qind e seancave që institucioni ka zhvilluar që prej fillimit të punës në dhjetor 2018.
Deputetët të Komisionit të Ligjeve në Kuvend dhe ish-ministrat e Drejtësië, Fatmir Xhafaj dhe Gazmend Bardhi e shohin si shqetësuese praktikën.
“Besoj fort se mbetet një pikë jo shumë e fortë transparenca publike lidhur me veprimtarinë e të dy këshillave dhe posaçërisht kur gjykohet e vendoset për promovime në karrierë të magjistratëve, gjyqtarë e prokurorë”, tha Xhafaj, deputet i Partisë Socialiste, ish-kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Më i ashpër ishte deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
“Kurrësesi, mungesa e transparencës zhbën besimin e publikut tek drejtësia”, tha ai duke iu referuar praktikës së fshehtë të përdorur nga KLGJ-së në promovimin e gjyqtarëve.
KLGJ i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se praktika e saj e dyerve të mbyllura për promovimin apo kualifikimin e magjistratëve bazohet në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjin për “Statusin e gjyqtarëve e prokurorëve” dhe ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
“Në kushtet kur dokumentacioni apo raportet që përcjellin këto institucione përmbajnë të dhëna personale, konfidenciale, apo në raste të veçanta, të dhëna të klasifikuara, Këshilli, në zbatim dhe respektim të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka vendosur që mbledhjet e Këshillit në të cilat diskutohet rreth përmbajtjes së tyre, të zhvillohen me dyer të mbyllura,” shkruan KLGJ.
Sekretet e KLGJ-së
E pyetur nga BIRN konkretisht mbi dokumentet sekrete që kishte administruar dhe që kishte prodhura KLGJ tha në përgjigje me shkrim se veç 62 shkresave që vetë KLGJ kishte përpiluar dhe shpallur sekret ajo kishte administruar edhe 235 shkresa nga institucione të tjera me të dhëna konfidenciale.
Këshilli ndërkohë referoi se kishte mbajtur sekret 76 seanca plenare. Të gjitha seancat sipas KLGJ-së ishin të lidhura emërimet dhe promovimet.
“Sa i përket numrit të mbledhjeve plenare të zhvilluara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kuadër të procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve dhe për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për të cilat kuadri ligjor në fuqi parashikon marrjen e informacioneve të klasifikuara nga disa institucione kompetente për verifikimin e pasurisë dhe të figurës të subjekteve, rezultojnë 76 mbledhje të Këshillit”, thuhet në përgjigje.
KLGJ nuk referon specifikisht as ligj dhe as ndonjë nen mbi të cilin është bërë ky klasififikim. Ndërkohë ndryshe nga sa pretendon KLGJ, deklaratë e pasurisë e zyrtarëve që mbajnë poste publike nuk është informacion i klasifikuar.
Por pavarësisht kritikave publike, Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka vazhduar praktikën e mbajtjes sekret të seancave të promovimit brenda gjyqësorit.
Të pyetur nga BIRN në disa raste në tetor të këtij viti, Këshilli përsëriti në mënyrë monotone se justifikimin e njëjtë.
“Në kushtet kur dokumentacioni apo raportet që përcjellin këto institucione përmbajnë të dhëna personale, konfidenciale, apo në raste të veçanta, të dhëna të klasifikuara, Këshilli, në zbatim dhe respektim të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka vendosur që mbledhjet e Këshillit në të cilat diskutohet rreth përmbajtjes së tyre, të zhvillohen me dyer të mbyllura,” tha KLGJ.
Këshilli po ashtu këmbëngul se e drejta e publikut për tu informuar për debatin mbi kandidatët, përfshi këtu ata që u emëruan në Gjykatën e Lartë, përmbushej me njohjen me vendimin e zbardhur që publikohej në faqe pas anonimizimit.
“Pra, në këtë mënyrë, e drejta e transparencës dhe e informimit të publikut nuk cenohet, ndërkohë që njëkohësisht mbrohet e drejta e të dhënave personale, të personave që janë subjekte të vendimeve”, thuhet në një nga përgjigjet e KLGJ-së për BIRN.
Por KLGJ, në këtë pikë, neglizhon faktin që vendimi i zbardhur publikohet vetëm pas faktit të kryer. Kjo në vetvete e bën të pamundur debatin apo edhe njohjen e publikut me të metat e të mirat e një kandidati dhe pse ai po zgjidhet në favor të një kandidati tjetër, apo arsyet pse një kandidat skualifikohet e një tjetër qëndron në garë.
“KLGJ ka detyrimin t’i shpjegojë publikut arsyet se përse promovojë një gjyqtar në raport me një tjetër gjyqtar. Procesi i promovimit të gjyqtarëve është i ligjshëm vetëm kur është objektiv”, tha deputeti i PD-së Gazmend Bardhi.
Duke theskuar se se KLGJ duhej të ishte transparente edhe për gjyqtarët apo të tjerë jashtë sistemit që garonin për vendet vakante apo promovime, deputeti Fatmir Xhafaj tha se transparenca ishte detyrim kushtetues.
“Transparenca publike për organet e vetëqeverisjes së sistemit, për dy këshillat veçanërisht, është detyrim kushtetues e ligjor, është një nga risit e reformës si domosdoshmëri për një marrëdhënie të re me opinionin publik, me qytetarët, por edhe për një raport të ri me vet pushtetin që menaxhojnë”, tha Xhafa.
Zhbërje e besimit të publikut
Të pyetur nga BIRN mbi këtë qëndrim të KLGJ-së deputetë të Komisionit të Ligjeve u treguan kritikë. Xhafaj tha se ai nuk mund të fliste për raste konkrete, por vuri në dukje se ky ishte një shqetësim që e kishte ngritur disa herë.
“Në parim unë e kam bërë të njohur qëndrimin tim për këtë çështje në disa prononcime publike, përfshi edhe dy javë më parë në fjalën në Kuvendin e Shqipërisë gjatë debatit për Progres Raportin e BE”, tha Xhafaj.
Ai shtoi se kontrolli i punës së institucioneve të reja të drejtësisë ishte e vetmja mënyrë për të garatuar dhe “për ti mbajtur ato në shinat e frymës dhe parashikimeve kushtetuese e ligjore”.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka u tregua më diplomatike në reagimin e saj. Ndërsa vuri në dukje nevojën për transparencë dhe faktin se kjo mund të kufizohej vetëm me ligj, Bushka u rezervua të kritikonte KLGJ-në.
“Megjithatë, institucionet, në konsultim me organet përkatëse për informacionin e klasifikuar dhe Komisionerin për te Drejtën e Informimit Publik dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duhet të bëjnë kujdes që të marrin masa të përshtatshme të cilat janë në harmoni me legjislacionin e këtyre fushave nga njëra anë, dhe që garantojnë të drejtën e publikut për informim nga ana tjetër”, tha Bushka.
Ndryshe nga Bushka deputeti demokrat Gazmend Bardhi, që përfaqëson Partinë Demokratike në Komisionin e Ligjeve ishte më i ashpër.
“Një nga qëllimet e Reformës në Drejtësi ishte pikërisht rritja e transparencës së organeve te qeverisjes së sistemit të drejtësisë,” tha ai, ndërsa shtoi se kjo merr rëndësi te jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për promovimin e gjyqtarëve.
“Sistemi ynë në të shkuarën nga vuajtur nga promovimet jo transparente, të mbyllura, që ishin një formë për të fshehur korrupsionin që shoqëronte këto promovime”, shtoi ai.
Bardhi theksoi se përveç se ishte “standard i dyfishtë”, pasi i trajtonte magjistratët dhe ata që kërkonin të përfshiheshin në sistem me një standard të ndryshëm nga magjistratët që iu nënshtruan vetingut,
Ai shtoi se kjo procedurë ngre “dyshime mbi integritetin e këtyre promovimeve apo emërimeve”.
/Reporter.al