Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu përgjigj akuzave të mazhorancës lidhur me caktimin e protestës së radhës së opozitës më 6 Dhjetor – dita kur në Tiranë mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor dhe të pranishëm planifikohet të jenë pjesë përfaqësuesit e lartë të BE.
Berisha tha se protesta në këtë ditë dëshmon një qëndrim “kryekëput europian”.
“Një qëndrim që synon ti thotë Europës se krahas narkoshtetit të Ramës, krahas politikave të shndërrojnë shqiptarët ne popullin e gomones, krahas regjimit të monizmit të plotë që ka degdisur Shqipërinë katër vende pas Vietnamit komunist për indeksin e zbatimit të ligjit, pra tu rikujtojmë ne se vijnë në një vend që është poshtë Vietnamit për standardet e demokracisë, është dhe një popull i tërë i fuqishëm opozitar që do mbushë sheshet dhe rrugët në mbrojtje të idealeve europiane dhe ëndrrës europianë të shqiptarëve”, u shpreh ai në një prononcim për mediat, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve.
I pyetur ku do mbahet protesta, Berisha u përgjigj se “do të përcaktohet”.
Komentet i bëri pas një vizitë që pati në panairin e librit, që po mbahet te Pallati i Kongreseve në kryeqytet.
Gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi akuza ndaj kreut të qeverisë Edi Rama se ndaloi fondet për blerjen e librave për bibliotekat e shkollave. Për Ramën, tha po ashtu se është armik i egër të librit dhe kulturës.
Ai premtoi se me PD-në në qeverisje do hiqen taksat për shtëpitë botuese dhe do ulen për shtypshkronjat.
“Sot në këtë panair, festival madhështor i librit, me gjeninë e tyre krijuese, ata janë kontributorët kyesorë në forcimin, shkëlqimin e identitetit tonë kombëtar. Asgjë nuk lidhet me identitetin e shqiptarëve më shumë se gjuha dhe libri e libri dhe gjuha. Në këtë kontekst, kjo mori publikimesh shqiptare dhe të huaja në gjuhën tonë amtare, përbëjnë një arritje të re, për kulturën, letrat shqipe. Por unë jam këtu për të dënuar politikën antilibër, antikombëtare të Edi Ramës, të këtij armiku të egër të librit, kulturës, të këtij antishqiptari që i futi buldozerët Teatrit Kombëtar, që mbuloi me ndërtime 120 objekte të trashëgimnisë kulturore, që po rrënon Butrintin dhe vlerat e tjera të mëdha. Por jam këtu për të denoncuar qëndrimin antilibër të tij. Shqiptarët duhet ta dinë se libri këtu tatohet më shumë se kudo në Europë. Shqiptarët duhet ta dinë se ato përpjekje që u bënë për të krijuar, jetësuar bibliotekat në të gjitha shkollat e vendit, ato fonde që u përcaktuan për të blerë libra për ato biblioteka, u ndaluan me një vendim antilibër të Edi Ramës”, tha Berisha.
“Kur flasim për librin nuk mund të mos parashtrojmë këtu të gjitha problematikat e mëdha që ka krijuar ky njeri që për veten e vet, pretendon se me një libër ndërtoi sarajet e Surrelit dhe tani takson si shtëpitë botuese, edhe shtypshkronjat, duke rritur kostot dhe ulur tirazhet e librave në mënyrë dramatike. Kjo politikë antilibër në të vërtetë është politikë e mirëfilltë antishqiptare. Vetëm tarifat dhe taksat dogane që ky vendos e bën librin pothuajse të ndryrë në territorin e Shqipërisë, në një kohë kur ne jemi një komb ku ¾ i kemi në dhera të tjera. Dua të garantoj të gjithë autorët, krijuesit se një politikë tjetër krejtësisht e ndryshme nga kjo do të instalohet. Se bibliotekat që Borges i quan pothuajse parajsa, do të njohin mbështetje të fuqishme për të blerë dhe pasuruar me librat e autorëve tanë dhe ndërkombëtarë. Se nuk do të ketë taksë edhe për shtypshkronjën edhe për shtëpinë botuese. Përkundrazi ajo e shtëpive botuese do të hiqet dhe ajo e shtypshkronjave do të jetë në nivelet më të pranueshme. Do të bëhet gjithçka për një hapësirë shqiptare libri. Libri në raportin fiskal nuk do të ketë kufi. Do të ketë një mendësi krejtësisht tjetër. Kolonat e mendimit shqiptar do të jenë kollonat e bibliotekave tona në mbarë Shqipërinë. Ftoj të rinjtë të lexojnë sa më shumë libra. U rikujtoj këtu një shprehje të Xhorxh Martin, i cili thotë se, njeriu me librat që lexon jeton me mijëra jetë. Pra pasurohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Unë e kuptoj pasionin e tyre për dixhitalet por asgjë nuk mund të zëvendësojë magjinë e librit. Uroj që edhe ky festival, dhe më bëhet shumë qejfi e gëzohem që e shikoj me të rinj, adoleshentë dhe fëmijë. Uroj që ky pasion të ju bëhet pasion i jetës së tyre, pasi në tërë jetën nuk do të gjejnë një mik më të mirë se libri”, shtoi ai.
Më tej, zbuloi dhe librat që bleu në panair.
“I mora disa, bleva disa, bleva pa diskutim. Këtu në panair pati mjaft që donin të dhuronin. Në panair librat blihen, nuk merren dhurata në panaire. Kam blerë një botim të plotë të bibliotekës Françeskane të Anton Patër Harapit, kam blerë libra të shkrimtarit tim të dashur, Markez, kam blerë libra për fëmijë, për nipin tim dhe një seri librash. Mora një libër të një ish-shoqes time në vitet e para të fakultetit, Ana Cohen. Ana është një mjeke në fakt, por që është edhe shkrimtare tani, me origjinë hebreje nga Vlora, por në Nju Jork ajo u shndërrua në një nga aktivistet më të zjarrta të çështjes shqiptare dhe një avokate e vërtetë e shqiptarëve dhe prandaj mora libri e saj për të lexuar se çfarë ka”, tha Berisha.