Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh nga foltorja e protestës para kryeministrisë se shumë shpejt, Rama do të përballet me drejtësinë.
Gjatë fjalës së tij, Meta përmendi skandalet e qeverisë, ndërsa akuzoi se mazhoranca ka axhendën: Vidh – Shpopullo – Shkombëtarizo.
“Në himnin tonë nuk ekziston fjala dorëzim, por fjala tradhtar. Sot tradhtari e ndjek këtë miting të fitores nga çarteri luksoz dhe i paligjshëm dhe shumë shpejt do të jetë para drejtësisë sipas ligjeve të tij, sipas firmave të hedhura nga vetë ai. Jeni ju që e mbani këtë vend në këmbë me mund dhe sakrifica. Ju i kërkoni llogari qeverisë për çdo gjë sepse mbani me taksa”, tha Meta.
Ai shtoi se “Rilindja”, në 10 vite, bëri të kundërtën e premtimeve që erdhi në pushtet.
Duke iu referuar një raporti të KLSH të publikuar për herë të parë nga Boldnews.al, Meta tha se “këta rilindas janë kaq të pashpirt sa arritën të vjedhin dhe bukën e jetimëve”.
“Së bashku me Partinë Demokratike kemi firmosur një marrëveshje historike për tu dhënë një herë e përgjithmonë të gjithë fuqinë për të qenë Zot të vendit tonë: Referendumin! Përpara për të shpëtuar flamurin tonë kombëtar”, e mbylli fjalën e tij Meta.
Deklarata
“Premtoi qeverisje me duar të pastra dhe transparente dhe sot jemi vendi i parë në Europë për korrupsion dhe i dyti në botë për rryshfet. Shtëpia e tyre e parë nuk është Shqipëria, por offshoret ku kanë fshehur lekët tuaja, nën emrin e tyre dhe të miqve të tyre. Premtoi 300 mijë vende të reja pune, por dëboi mbi 740 mijë shqiptarë. Shqipëria ka numrin më të madh të të burgosurve në vend dhe jashtë vendit. Po kështu, Tirana është kryeqyteti i parë në botë, për numrin e gjobave që u vihen qytetarëve. Premtoi luftë kundër varfërisë, por sot 67% e popullsisë jeton me të ardhura më pak apo deri në 5.5 dollarë në ditë. Për të varfërit Rilindja ka vetëm dy alternativa: ose nënshtrimin, ose dëbimin. Drejtësia e Rilindjes dënon me burg qytetarët që nuk paguajnë dot energjinë, por nuk vepron ndaj drejtorëve të saj që vjedhin miliarda duke e shitur shumë herë më lirë dhe duke e importuar shumë herë më shtrenjtë. Drejtësia e Rilindjes arreston 82-vjeçaren në fshatin e Vlorës për një kotec pa leje, por garanton amnisti për katet dhe pallatet pa leje në mes të Tiranës. Legalizimin falas që premtoi para se të vinte në pushtet, e beri vetëm për më të pasurit dhe më të fortit. Për më të dobtit zgjodhi ruspat për tu shembur shtëpitë dhe nuk ua kurseu as gazin helmues nënave me foshnjë për ti nxjerrë dhunshëm në rrugë të madhe”, u shpreh Meta.
“’Rilindja’ premtoi luftë kundër drogës, por sot ‘bananet’ e drogës po përmbytin Shqipërinë dhe Europën. Rilindja premtoi luftë ndaj pastrimit të parave dhe e futi Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave dhe kërkon të bëjë “amnistinë fiskale” për të pastruar lekët e saj. Premtoi të pastronte qytetet, por u zhyt në babëzinë e aferës së inceneratorëve, që gllabëroi qindra milionë euro. Premtoi të ‘rilindte’ trashëgiminë kulturore, por shembi në mes të natës dhe të pandemisë Teatrin Kombëtar, dhe po i rrëmben dhe shkatërron të gjitha pasuritë e çmuara të trashëgimisë kulturore. Edi Rama premtoi se do të jetë kampion i fjalës së lirë, por sot është armiku më i madh i fjalës së lirë dhe medias së pavarur në Europë. Arsimi është pasqyra e vërtetë asgjesuese, për të kuptuar se sa e urren “Rilindja” dijen dhe kulturën. Sepse ai ka alergji nga dija, nga intelektualët, nga mendimi i lirë dhe kritik. Sepse vetëm një shpirtzi nuk ka dhembshuri kur sheh fëmijë të protestojnë me lot në sy poshtë zyrës së tij, me një kërkesë: Na hapni shkollën! Na hapni kopshtin! Jemi këtu për ti dhënë fund dramave familjare ku prindërit ulin sytë pëërpara fëmijëve sepse nuk u plotësojnë dot as kërkesat për lodra, libra, veshje dhe ushqim. Kur prindërit ulin sytë para fëmijëve se nuk u shpjegojnë dot pse u mbyll kopshti apo shkolla e tyre”, shtoi Meta.
Më tej, vijoi:
“Jemi këtu për të kërkuar llogari deri në fund se pse: Ndërsa pensionistët marrin thërrime, Edi Ramës vetëm udhëtimet me Chartëra i vlejnë dhjetra milionë euro. Nëse paga vjetore e mësuesit në Mal të Zi vetëm pak metra matanë Bunës është 9900 Euro, i mësuesit në Shqipëri që është më i keqpaguari në rajon, është 4200 euro. Përse pedagogët në Kosovë paguhen 50% më shumë se në Shqipëri? Përse Kosova jep 100 euro në muaj ndihmë për çdo pensionist ndërsa Shqipëria vetëm 10 mijë lekë të vjetra. Përse Kosova jep 100 euro për çdo student ndërsa Shqipëria nuk jep asgjë kur vetëm qiratë e banesave janë rritur. Sepse në Kosovë, bëhen hapa përpara në zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa Shqipëria është e fundit në jo vetem Ballkan por dhe ne bote për zbatimin e ligjit”.
Meta vuri në dukje se në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 62.4%, ndërsa sot, është 107%.
“Nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, në Shqipëri nevojiten 13 vite eksporte, sepse ky merr borxhe për të shlyer borxhe, që ky të fluturojë në luks dhe shqiptarët të zhyten në mjerim. Qeveria e kapur për gryke nga oligarkët dhe mafia po bën gjithçka që të asgjësojë prodhimin vendas me taksa të reja dhe akciza të jashtëzakonshme dhe po godet pa mëshirë shtresën e mesme, që ti dobësojë e ti detyrojë të largohen nga vendi”, tha ai.
“Prej kohësh Rilindja i ka shpallur luftë shtresës së mesme. Akti më i fundit nuk kurseu as profesionet e lira. Përfitimi vjetor nga kjo taksë e re e shtuar për profesionistët e lirë është vetëm 17 milionë, ose sa vlera e 700 metrave rrugë të re, sipas standarteve të Rilindjes. Grabitqarët e Rilindjes detyrojnë qytetarët të paguajnë borxhe miliarda euro që vetëm janë vjedhur dhe nuk kanë prodhuar asgjë përveç varfërisë dhe mjerimit. Të gjithë peshën e krizës, Qeveria ia ka faturuar popullit përmes mosrritjes së pagave dhe pensioneve, përmes taksave të reja shtesë. Ajo nuk ka vullnet për indeksimin e pagave dhe pensioneve spese ka prioritet të vazhdojë të vjedhë dhjetra milionë euro për inceneratorin e Tiranës, që nuk ekziston, sepse I duhet të vjedhë me shtatë PPP e reja; sepse qindra milionë euro do paguhen për arbitrazhet e gjyqet e humbura nga korrupsioni rilindjes. Këta rilindas janë kaq të pashpirt sa arrijnë deri aty sa vjedhin edhe bukën e jetimëve. Sepse kjo qeveri mafioze vetëm shtyp të varfërit dhe fukarenjtë dhe mbron e amniston të fortët, mafiozët, trafikantët dhe oligarkët. Të nderuar qytetarë fjala juaj është ligj, fjala juaj është urdhër për veprim, fjala juaj është mision, fjala juaj është e vërteta e padiskutueshme e popullit. Së bashku me Partinë Demokratike kemi firmosur një marrëveshje historike për tu dhënë një herë e përgjithmonë të gjithë fuqinë për të qenë Zot të vendit tonë: Referendumin! Përpara për të shpëtuar flamurin tonë kombëtar”, përfundoi Meta.