Pavarësisht intensitetit të krizave që kanë goditur ekonominë e vendit vitet e fundit, buxhetet publike vazhdojnë të hartohen me të njëjtën filozofi, shpenzime në investime jo eficiente, dhe kontrata abuzive PPP, në një kohë që cilësia e jetës në vend ka hyrë në një cikël përkeqësues, i cili po reflektohet në emigracion masiv të të rinjve. Qeveria ka në dispozicion për të shpenzuar në vitin 2023 rreth 687 miliardë lekë (5,8 miliardë euro), shumë kjo 40% më e lartë se niveli i parandemisë (2019), por fondet po gërryhen nga projekte fantazmë, në një kohë që investimet në kapitalin human janë lanë jashtë vëmendjes. Ekspertët analizojnë shinat në të cilat duhet të drejtoheshin fondet publike
Në vitin 2023, madhësia e buxhetit në vlerë neto arrin 5.8 miliardë euro, shumë kjo 82% më e lartë se në vitin 2010, ndërkohë që popullsia e vendit, me të dhëna zyrtare që nga kjo kohë, është tkurrur me 148 mijë persona.
Edhe pse buxheti i vitit 2023 do të grumbullojë 29% të ardhura në raport me PBB-në, ose 6 pikë përqindje më pak se mesatarja rajonale, rritja në vlerë neto, në një popullsi në tkurrje, i lë më shumë shteg politikës të fokusohet në përmirësimin e cilësisë së jetës në popullsinë e mbetur, 30% e së cilës jeton në varfëri.
Qeveria ka në dispozicion për të shpenzuar nga buxheti i vitit që vjen rreth 687 miliardë lekë, shumë kjo 40% më e lartë se niveli i parapandemisë (2019). Pas këtij rendimenti fshihen taksat indirekte që qytetarët po paguajnë nga rritja e çmimeve dhe, nga ana tjetër, prioritetet e shpenzimeve po shkojnë në disa drejtime që shmangin përfitimet, pikërisht për shtresën më të pambrojtur të vendit.
Fokusimi në disa projekte koncesionare të tilla si inceneratorët, të cilët rezultuan skema të pastra abuzimi me paratë publike, përqendrimi në disa projekte infrastrukturore me vlera të larta dhe me ndikim të ngushtë rajonal e ka ulur efikasitetin e shpenzimeve.
Kriza energjetike, rritja e financimeve për forcat e luftës dhe rritja e normave të interesit të borxhit publik janë një barrë ekstra vitin e ardhshëm buxhetor, duke lënë pak hapësira për të forcuar mbrojtjen sociale.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, konsideron se, rritja e të ardhurave me gati 500 milionë euro dhe e shpenzimeve publike, me rreth 250 milionë euro, krijojnë mundësi për reduktim të deficitit fiskal dhe borxhit publik.
E gjykuar në këtë këndvështrim, rezultati i synuar duket i arsyeshëm, por zoti Xhepa mendon se në kontekstin e zhvillimeve të përkeqësuara të çmimeve dhe gjendjes social-ekonomike të grupeve në nevojë, parashikimet buxhetore nuk japin shpresë për politika buxhetore mbrojtëse. Përkundrazi, sipas tij, buxheti 2023 është hartuar si një situatë normaliteti, me alokime të mëdha buxhetore në infrastrukturën fizike dhe duke ruajtur të njëjtat linja prioritetesh, si dhe në vitet e kaluara.
Pano Soko, ekspert me përvojë në fushën e ekonomisë në programim e buxhetit, tha se në Shqipërinë e krizës, qasja do të duhej të ishte totalisht e ndryshme. “Do të duhej të mendohej për konsumin, do të duhej të mendohej për mbështetjen e shtresave vulnerabël, do të duhej të mendohej për prodhimin vendas, për krijimin e një zinxhiri autonom produktesh vendase, që na shkëpusin sado pak nga varësia që kemi nga importi, por jo.
Këtu vëmendja vazhdon stoike, e palëkundur drejtohet te PPP-të. Paratë nuk shkojnë aty ku njerëzit kanë nevojë, por aty ku mund të përfitojnë më shumë këta që qeverisin. Përfitimi personal është qëllim në vetvete”, tha Soko.
Kapitali human jashtë vëmendjes
Shqipëria, vit pas viti, po përjeton hemorragji të ikjes së njerëzve nga vendi, sidomos të të rinjve, fenomen i cili ka dhënë kambanat e alarmit në sektorin privat. Kompanitë po vuajnë mungesa të thella të krahut të punës, teksa përpjekjet për të zëvendësuar punonjësit nga Azia, po dështojnë. Anketat kanë tregtuar se 85% e të larguarve ikin për arsye ekonomike, pastaj në radhë renditen shërbimet e arsimit dhe shëndetësisë.
Pakënaqësia e njerëzve është aq e lartë sa edhe sot, pas 30 vitesh nga rënia e komunizmit, vendosin të emigrojnë, duke rrezikuar jetën. Këto ngjarje janë tregues i fortë se qeveritë, ndër vite, nuk i kanë përdorur në mënyrën e duhur taksat e shqiptarëve në drejtim të cilësinë së jetës dhe për të mbështetur një model ekonomik, që do të sillte rritje të qëndrueshme ekonomike në afat të gjatë.
Pavarësisht se situata në drejtim të tkurrjes së popullsisë është alarmante, edhe buxheti i vitit 2023 ofron mbështetje të pakët për kapitalin human.
Vitin që vjen, shpenzimet për funksionet qeveritare arrijnë në 687 miliardë lekë, ose rreh 8% më të larta se pritshmëritë e këtij viti. Mirëpo fondet për shëndetësinë, në vitin 2023, do të jenë vetëm 1.5% më të larta se ky vit, ndërsa fondet për arsimin do të rriten vetëm me 4.6%. Edhe këto fonde mund të shkurtohen më tej vitin e ardhshëm, nëse buxheti përballet me situata të papritura.
P.sh., qeveria e shkurtoi dy herë rresht buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë këtë vit gjatë dy ndryshimeve që u bënë në mars dhe korrik, edhe pse sektori po përballet me një barrë të lartë sëmundjesh që la pas pandemia Covid-19.
Sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë konsiderohen si investimet më të rëndësishme ndaj kapitalit human dhe kanë vuajtur gjithnjë nga mungesa e financimeve në raport me nevojat. Pikërisht për këtë fakt, në një studim të posaçëm, Banka Botërore ka këshilluar Qeverinë shqiptare se, në rast se lind nevoja për shkurtime të zërave buxhetorë nga kriza të papritura, ato nuk duhet të prekin sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë.
Mbrojtja sociale, një zë tjetër buxhetor i cili ka të bëjë me mbështetjen direkte ndaj shtresave në nevojë si pensionistët, të papunët dhe personat e varfër me ndihmë sociale, vitin që vjen do të mbështetet me fonde në vlerën e 199 miliardë lekëve, ose 9.3% më shumë se viti aktual.
Kjo rritje do të jetë e aftë për të përballuar pagesat për rreth 15 mijë pensionistë të rinj që shtohen në skemën e pensioneve dhe për indeksimin e pensioneve në kufijtë e inflacionit. Shtresat më të varfra në vend nuk do të kenë mundësi të përfitojnë rritje të të ardhurave në buxhetin e vitit 2023.
Zoti Xhepa tha se, prioritete të mprehta, që kanë lindur gjatë viteve të fundit, si energjia, bujqësia dhe ushqimi, si dhe shëndetësia, nuk reflektohen dhe nuk kanë vëmendjen që duhet të kenë.
Rritja e çmimeve është duke gërryer të ardhurat e brishta të shqiptarëve. Banka Botërore lajmëroi pak ditë më parë se, inflacioni i lartë do të ndërpresë progresin në uljen e varfërisë në vend. FMN dhe Banka Botërore e kanë këshilluar qeverinë që të rrisë mbështetjen financiare në këto kohë krize për shtresat në nevojë dhe të tregohet e kursyer me investimet publike.
Projektet korruptive dhe jofizibël gërryejnë shpenzimet buxhetore
Prej të paktën katër vitesh, tre inceneratorët, ai i Elbasanit, Fierit dhe tani ai i Tiranës renditen në krye të listës së investimeve qeveritare për nga vlerat e larta të financimit, por duket se ato nuk i kanë shërbyer aspak qëllimit për të cilin janë investuar taksat e shqiptarëve.
Sipas të dhënave të Thesarit nga Ministria e Financave, pagesat progresive për inceneratorët, deri në fund të gushtit 2022, kanë arritur vlerën 11.4 miliardë lekë, ose rreth 93 milionë euro.
Ndërkohë të dhënat zyrtare nga INSTAT treguan se në vitin 2021, vetëm 2% e mbetjeve të gjeneruara në shkallë vendi u përpunuan nëpërmjet inceneratorëve. Pa nisur pagesat për inceneratorët, qeveria shpenzonte afërisht 3 milionë euro në vit për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Dyshime të ngjashme janë edhe për kontratat koncesionare në sektorin e shëndetësisë. Shërbimi laboratorik, sterilizimi, check-up dhe Dializa i kanë shumëfishuar kostot për këto shërbime, ndërsa rezultatet e tyre janë të padukshme, përveçse përfitojnë nga buxheti i shtetit miliona euro për shërbime që nuk i kryejnë.
Disa verifikime të pjesshme nga Kontrolli i Lartë i Shtetit tregojnë se, kontratat me PPP në shëndetësi, që kur kanë hyrë në fuqi, kanë marrë së paku 44 milionë euro për shërbime që nuk i kanë dhënë.
Këto kontrata janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, por dëmi financiar në buxhet është i pakthyeshëm. Investimet publike me fonde të brendshme, përveçse rezultojnë me kosto më të larta, janë të përqendruara në disa projekte rajonale me përfitim të kufizuar.
Ministria e Infrastrukturës do të realizojë rreth 12 miliardë lekë (100 milionë euro) investime në ndërtim dhe sistemim rrugësh në akset nacionale të vendit vitin që vjen, por 52% e kësaj shume, rreth 6.2 miliardë lekë, do të shkojnë për financimin e punimeve në Tunelin e Llogorasë.
Investimet publike në infrastrukturën rrugore janë përqendruar këto tre dekada në periferi, duke lënë territorin e qendrës së vendit, ku është e përqendruar gati gjysma e popullsisë dhe aktivitetit ekonomik, pa infrastrukturë.
Vitet e fundit, fondet buxhetore për rrugët kanë shkuar në Jug të vendit, me aksin Kardhiq-Delvinë, Qukës-Qafë-Plloçë, Korçë-Ersekë dhe së fundmi tunelin e Llogorasë që për vite të tëra po marrin pothuajse të gjitha fondet e programuara për rrugët.
Por ndërkohë, Tiranë-Durrës dhe Rinasi janë me infrastrukturë të vjetruar dhe nuk u përgjigjen fluksit të udhëtareve. Zona Fushë-Krujë, Tiranë-Durrës ka hendek në infrastrukturë, duke i bërë jofizibël edhe investimet e bëra në akset periferike.
Zgjedhjet, lufta, kriza energjetike dhe interesat e borxhit, rreziqet që kanosin stabilitetin fiskal
Intensiteti i ngjarjeve të papritura është rritur vitet e fundit, me tërmetin e vitit 2029, pandeminë dhe më pas luftën në Ukrainë, që rriti në mënyrë të pazakontë çmimet e mallrave në të gjithë globin.
Situata e re e krijuar nga lufta ka devijuar shpenzimet buxhetore në vitin 2023. Rreth 32 miliardë lekë shtesë (260 milionë euro) vitin që vjen shkojnë për të financuar ushtrinë (+10 miliardë lekë), interesat e borxhit (+10 miliardë lekë) dhe fondet kontingjencë për energjinë (+12 miliardë lekë).
Gjithashtu, zgjedhjet vendore do të mëkatojnë shpenzimet buxhetore në disa drejtime. Shpenzimet kapitale arrijnë në një rekord historik në rreth 122 miliardë lekë dhe financimet për rajonet, nëpërmjet fondit të zhvillimit, janë programuar të rriten ndjeshëm.
Ministria e Financave analizoi se rreziqet ndaj stabilitetit fiskal janë shtuar si në drejtim të të ardhurave, ashtu edhe shpenzimeve.
Në krahun e të ardhurave konsiderohet rrezik mosarritja e objektivit të rritjes ekonomike. Të ardhurat e buxhetit, pa përfshirë paketën fiskale, janë programuar të rriten 5%, ndërkohë që rritja ekonomike reale në vitin 2023 pritet të jetë 2.6%.
Devijimet me ulje nga projeksionet e nivelit të inflacionit të projektuar është një tjetër rrezik. TVSH, si tatim indirekt “ad valorem” ndikohet nga indeksi i rritjes së çmimeve, i cili është projektuar 3.6%. Nëse nuk realizohet, do të ndikojë në mosrealizimin e shtesës së të ardhurave nga ky faktor.
Rrezik janë ndryshimet e paparashikuara në kurset e këmbimit të Lekut me monedhat e tjera. Ulja e kursit të këmbimit të monedhave Euro apo USD krahasuar me projeksionin, ndikon në uljen e vlerës së mallrave tek importet, për rrjedhojë edhe TVSH-në mbi këto mallra.
Çmimet ndërkombëtare të mallrave, sidomos çmimet e produkteve energjetike, që mund të japin efekt në rënien e konsumit dhe kanë ndikim në të ardhurat buxhetore.
Në krahun e shpenzimeve, Ministria e Financave konsideron rrezik kontratat koncesionare PPP dhe normat e interesit të borxhit, rritja e të cilave shton presionin për shpenzimet që duhen për pagesën e borxhit dhe interesave të tij./Monitor.al