Konflikti Turqi-Greqi vijon të mbetet aktiv edhe në kohën kur liderët respektivë nuk shkëmbejnë deklarata kërcënuese apo me gjuhë të ashpër.
Për t’i fryrë zjarrit të tensioneve mendojnë mediat në dy vendet që i ndan Egjeu.
Së fundmi gazeta “Turkiye” ka publikuar një artikull mbi aftësitë dhe rrezen e veprimit të raketës “Tayfun”, ku i mëshon faktit që mund të arrijë shumë lehtë që të godasë objektiva edhe në territorin grek.
“Greqia është në zonën tonë të mbulimit”, shkruhet në faqen e parë, ku theksohet se raketa vendase ‘Tayfun’ mund të godasë objektivin në një distancë prej 561 km me një preçizion të saktë.
“Krenaria e madhe për mbrojtjen tonë. Raketa autoktone e zhvilluar nga Roketsan u testua gjithashtu në Rize . “Tayfun” ia arriti qëllimit me një rreze që mund të godasë të gjitha cepat e Greqisë”, thuhet në artikull.
Aty gjithashtu paraqitet një hartë me rrezen dhe “aftësitë” e raketës së re balistike , e cila përfshin jo vetëm Greqinë, por edhe vende të tjera fqinje të Turqisë si Bullgaria, Qiproja, Siria, Libani, Izraeli, Iraku dhe Armenia.
Raketa balistike me rreze të shkurtër “Tayfun” është prodhuar nga kompania Roketsan, në kuadër të një projekti të zbatuar nga Drejtoria e Industrisë së Mbrojtjes në Presidencën e Republikës së Turqisë.
Lançimi i saj u zhvillua në aeroportin Rize-Artvin dhe u lëshua në det të hapur në Sinopi, ndërsa raportohet se raketa ka goditur me sukses objektivin në një distancë prej 561 kilometrash në 458 sekonda.
Strukturisht, “Tayfun” i ngjan raketës balistike “Bora”. Sipas raporteve turke, ajo do t’i bashkohet forcave të armatosura pas përfundimit të testeve , duke forcuar aftësinë parandaluese të sistemit raketro turk.
Ndërkohë mediat greke shkruajnë se “mundësia e zhvillimit nga Turqia e një rrjeti sistemesh raketore, i cili do të përbëhet edhe nga raketat e tipit “Yildirim” dhe “Bora”, do të rrezikojnë qendrat urbane, objektet strategjike, infrastrukturën etj… në vendet fqinje – përfshirë Greqinë”.
Sakaq, testimi i sotëm i raketës balistike u shoqërua me kërcënime të reja nga ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, i cili nxori në plan të parë pretendimin e Ankarasë për shfrytëzim të përbashkët të detit Egje.
“Turqia”, tha Akar –“nuk është një kërcënim, por një aleat i sigurt”.
Megjithatë, ai shtoi: “Të gjithë duhet ta dinë se nuk do të lejojmë asnjë të na marrë për të mirëqenë”.
Duke folur në kuadër të stërvitjes ushtarake të quajtur “Free Fire”, zyrtari turk përsëriti shpërndarjen e drejtë të pasurisë së Egjeut.
“Ne jemi gati të takohemi. Ne themi se jemi pro që Egjeu të bëhet një det miqësie dhe që e gjithë pasuria të ndahet në mënyrë të drejtë. Turqia është një aleat i sigurt, nuk kërcënon askënd”, theksoi ai.