Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka deklaruar se në negociatat që po bëhen për të gjetur mundësitë që PD të dalë e bashkuar në zgjedhjet lokale, po shkohet pa kushte.
Në një intervistë në RTSH, një ditë para takimit me Edi Palokën me qëllim bashkimin e PD në prag të zgjedhjeve lokale, Bardhi u shpreh se e rëndësishme është që në bisedime të shkohet me qëllime të sinqerta dhe me synimin e qartë që demokratët të fitojnë e të rrëzojnë kryeministrin Edi Rama.
Gazment Bardhi: E kam thënë më parë, edhe zoti Berisha e tha, që ne hyjmë në këto negociata pa kushte. Nëse do të vendosim kushte dhe do të qendrojmë peng i konflikteve apo debateve, mendimeve të ndryshme që kemi patur gjatë këtij viti, e sigurt është që nuk do të gjejmë dot një rrugë që na bashkon, një rrugë që na siguron bashkëpunim të sinqertë të demokratëve në njësitë vendore për të qenë konkurues dhe për të fituar zgjedhjet. Zoti Berisha nuk ka vendosur kushte, nuk ka pranuar kushte, mesa ka pohuar publikisht. E njëjtë ka qenë edhe qasja jonë, nuk vendosim dhe nuk pranojmë kushte. E rëndësishme në këtë proces është që bisedimet të jenë të sinqerta, të kenë si qëllim vetëm mundësinë që demokratët të fitojnë zgjedhjet lokale, pa e ngatërruar me çështje të tjera që na ndajnë prej kohësh. Nuk ka ndodhur asgjë që secila palë të ndryshojë qendrim për çështje të caktuara.
Retorikën tuaj e kuptoj, edhe atë të zotit Berisha, por realiteti është ndryshe. PD e zotit Berisha ka një statut të vetin. Ju keni një statut tuajin. Atëherë a nuk janë të dështuara negociatat ende pa nisur? Ju nuk hiqni dorë nga statutet përkatëse.
Gazment Bardhi: Ne nuk do të negociojmë mbi baza statuti, por mbi mundësinë sesi demokratët në bazë të bëhen bashkë për të mundur Edi Ramën. Ky nuk është një rregull i shkruar në statut.
Por pala tjetër ka primare në statut.
Gazment Bardhi: Edhe pala tjetër ka Këshill Kombëtar, kryesi. Këto çështje nuk i kemi zgjidhur për një vit. Do të qendrojmë peng i këtij debati apo do t’i japim zgjidhje demokratëve që ata të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën. Mendoj se interesi i PD dhe i demokratëve nuk është se cili është statuti në fuqi. Edi Rama nuk mundet me statut, por me bashkim të çdo zëri opozitar, kudo që të jetë pozicionuar ai dhe cilido qoftë statuti që ai njeh. Nëse ne qendrojmë peng se cili është statuti, cilat janë organet e partisë ne qendër, si zgjidhen, e sigurtë është që këto bisedime do të dështojnë. Unë nuk hyj me këtë paragjykim. Kam kuptuar që edhe kolegët e tjerë nuk hyjnë me paragjykim, por për hallin tonë të përbashkët, si mundet Edi Rama. Pastaj, hallet personale të secilit prej nesh nuk kanë asnjë rëndësi për demokratët që duan të shohin fituese PD në zgjedhjet lokale. Hyj në këto bisedime me këtë qëllim, me këtë mision. Uroj shumë që edhe kolegët të hyjnë me këtë qëllim, me ketë mision.
I pyetur nëse primaret do të jenë pjesë e diskutimeve me Edi Palokë, Bardhi iu shmang një përgjigjeje direkte, por sqaroi se Palokën po e takon si koleg e demokrat, e jo në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar.
Gazment Bardhi: Ne nuk shkojmë për të bërë teatër. Është fakt i njohur publik pozicionimi ynë për qendrimet tona. E përsëris. Nuk po shkojmë për të biseduar se cili është statuti në fuqi i PD se kjo nuk ka rëndësi për demokratët që presin të mundin Edi Ramën në zgjedhje. Nuk e mundim dot Edi Ramën duke treguar se cili është statuti në fuqi i PD. Kjo është një çështje që nuk e zgjidhim dot.
Kur të takoni Palokën, takoni një koleg apo Kryetarin e Këshillit Kombëtar të PD?
Gazment Bardhi: Do të takoj një koleg të PD.
Pra as zoti Berisha për ju nuk është kryetar i PD?
Gazment Bardhi: Kjo nuk ka asnjë rëndësi çfarë është njëri apo tjetri. Nuk i fus diskutimet brenda PD-së në këtë moment në këto çështje. Këto çështje ekzistojnë prej 1 viti, i kanë ndarë palët. Kolegët më kanë mandatuar të përpiqem të bëj gjithçka për të qenë bashkë në zgjedhje lokale. Në këto bisedime hyjmë për demokratët, jo për hallin tim, të zotit Berisha, të zotit Alibeaj, të zotit Paloka apo kolegëve te grupit parlamentar.
Por kur hyhet në bisedime, hyhet në bazë të rregullave që për një parti janë statuti. Pra do të jetë pengesë mungesa e një statuti në këto bisedime? Sepse ju jeni në gjyq.
Gazment Bardhi: Nuk po hyj në bisedime me kolegë të partive të tjera, por sesi ne duhet të mundim Edi Ramën në zgjedhjet lokale.
Do të thotë që do të bëni një palë rregulla të reja?
Gazment Bardhi: Patjetër, do të ulemi të bisedojmë se cila është rruga më e mirë për t’i bërë bashkë demokratët për të mundur Edi Ramën. As nuk do të shkruajmë statut, as nuk do të lexojmë statut. Nuk do të marr statut me vete, kur të shkoj në bisedime. Besoj dhe zoti Paloka do të bëjë të njëjtën gjë. Unë do të shkoj me një rregull të vetëm të shkruar në mendje, si të mundim Edi Ramën të gjithë bashkë në zgjedhje. Nëse vijmë me çështje të tjera, nëse unë shkoj me të njëjtën mendje që më ndan me pjesën tjetër apo ata vijnë me të njëjtën mendje që i ndan me pjesën tjetër, e sigurtë është që i fituari në këtë mes do të jetë Edi Rama. Nëse qëllimi i njërës palë është sesi të fitojë zgjedhjet lokale Edi Rama, sigurisht mund të vijë me statut me vete. Ai të tundë statutin e tij, unë timin dhe të rrimë peng i statuteve, ndërkohë që demokratët janë peng i keqqeverisjes së Edi Ramës.
Ju po shkoni në këto bisedime duke shpresuar që partia e zotit Berisha të heqë dorë nga primaret?
Gazment Bardhi: Jo, unë shkoj në këto bisedime bashkë me zotin Paloka për të eksploruar mundësinë sesi bëhemi të gjithë bashkë për të mundur Edi Ramën.
A i bashkojnë primaret demokratët?
Gazment Bardhi: Nuk di të them. Di që PD ka bërë njëherë primare në vitin 2000. Mesa kam biseduar me kolegë që kanë qenë pjesë e procesit në atë kohë, u krijua një konflikt i brendshëm dhe partia nuk u bashkua. Megjithatë, kam dëgjuar zotin Berisha të thotë se hyn në bisedime pa kushte dhe unë do të shkoj pa kushte. Jam i hapur të dëgjoj argumenta sesi të bashkëpunojmë në mënyrë të sinqertë me demokratët, pa përjashtuar asnjë element, që i shërben hallit tonë të përbashkët, të mundim Edi Ramën.
Deputeti i PD ka sqaruar gjithashtu se nuk preferon të bëjë asnjë parashikim për përfundimin e bisedimeve, por shtoi se di me siguri se çështjet që ndajnë demokratët prej 1 viti nuk kanë ndryshuar.
Megjithatë, ai thekson se në këto bisedime hyn pa asnjë paragjykim dhe beson se vetëm 1 skenar mund të sigurojë suksesin e këtyre bisedimeve. Në çdo rast, ai hedh poshtë çdo insinuatë për krijimin e ndonjë partie tjetër.
Çfarë do të thotë të negociosh pa kushte?
Gazment Bardhi: Fakti që po hyjmë në bisedime pa kushte, dmth që kemi hequr nga opinionet që kemi për çështje të caktuara. Nuk ka ndryshuar asgjë përsa i përket atyre çështjeve. Nuk i kemi zgjidhur në një vit dhe është e pamundur që këto të zgjidhen për një javë.
Keni menduar që fluksin brenda demokratëve që kundërshtojnë këto bisedime ta orientoni drejt një partie të re që merr votat kundër zotit Rama dhe zotit Berisha?
Gazment Bardhi: Unë jam dhe do të vazhdoj të jem në PD. Kam opinionet e mia për mënyrën sesi duhet të funksionojë.
Edhe nëse këto negociata dështojnë nuk ka shanse që ju të krijoni diçka tjetër?
Gazment Bardhi: Nuk ka asnjë arsye për të krijuar diçka tjetër.
Nëse këto negociata dështojnë, ju do të merrni pjesë në zgjedhje, sepse ju keni logon, vulën, firmën për t’u rregjistruar.
Gazment Bardhi: Unë nuk hyj në këto bisedime me paragjykim. Nuk hyj që këto të dështojnë. Nuk shikoj asnjë arsye që këto bisedime të dështojnë. Kam besim që do të gjejmë ura bashkëpunimi që demokratët të jenë konkurues për të mundur Edi Ramën. Nuk mendoj në këtë moment asnjë opsion tjetër. Demokratët kanë vetëm një skenar në këto momente, do të duhet të gjejnë rrugën për të bashkëpunuar, për të mundur Edi Ramën në zgjedhje. Ky është skenari im i vetëm në këtë moment. Nëse zhvillimet do të sjellin skenarë të tjerë, ne do të jemi aty dhe do t’i përgjigjemi me skenarë të tjerë. Por e rëndësishme është që në bisedime të hyjmë vetëm me 1 skenar. Nëse vijmë me skenarë B, C, D, e sigurtë është që nuk fitojnë demokratët.
Bardhi, gjatë intervistës në emisionin “Pa Censurë”, nuk pranoi që grupi ku bën pjesë është i dobësuar dhe i izoluar nga strukturat e PD. Ai thekson se faktet tregojnë se opozitën reale po e bëjnë deputetët e këtij grupi dhe jo pjesa e përfaqësuar nga zoti Berisha.
Gazment Bardhi: Nuk do të na shikoni duke bërë rivalitet strukturash, sepse kjo e dëmton PD. Kemi bërë përpjekje që PD të mos përçahet. Nuk i kemi fryrë zjarrit të përçarjes. Kemi qenë gjatë gjithë kohës nën sulmin dhe baltën e padrejtë të shpifjes të një pjese të kolegëve. Nuk kemi nxitur asnjëherë gjuhën e urrejtjes dhe fyerjes mes demokratëve. Kemi qenë pjesë e aksionit opozitar. Mund të mos kemi qenë pjesë e retorikës boshe që vetëm bërtet dhe nuk ofron asgjë, por në fakt grupi parlamentar i PD ka qenë i foksuar në beteja në interestë qytetarëve. Ne themi ka një problem të madh me çmimin e naftës, e thonë të dy pjesët brenda PD, por grupi ynë bën një akt konkret. Ka një bord të ngritur me 3-4 oligarkë që bëjnë sikur kontrollojnë çmimin, por sigurojnë fitime të majme për vete. Kemi kërkuar shfuqizimin e bordit në Gjykatën Kushtetuese. Mund të bërtasim jemi kundër oligarkëve, por të rrimë gjithë ditën me ta, mund të bëjmë sikur bëjmë betejë për uljen e çmimit të naftës për të përfituar poiltikisht, por nuk bëjmë asnjë hap për të marrë vendime që i japin zgjidhje problemit.
Gjykoni se opozita e zotit Berisha ka më shumë retorikë sesa aksion opozitar?
Gazment Bardhi: Ne kemi qenë të hapur për të bashkëpunuar për këto çështje. Ne kërkuam hetim parlamentar për investimet strategjike dhe denoncimin për aferat që po bëhen me statusin e investitorit strategjik. U bëmë thirrje të sinqertë kolegëve që përkahin zotin Berisha, që të ishin krah kësaj nisme dhe jemi refuzuar.
Teza e PD e zotit Berisha është se ju jeni një opozitë fake, ndësa ata janë një opozitë e vërtetë.
Gazment Bardhi: Këtë e tregojnë aktet. Të jesh fake dmth të dalësh dhe të kundërshtosh rritjen e çmimit të naftës dhe të mos kesh guxim të përmendësh 3 oligarkët që janë pjesë e Bordit që përcakton çmimin e naftës. Nëse thua që po bëhet nami me kullat në Tiranë, por kur kulla ndërtohen nga oligarkë që njihen prej një pjese të kolegëve, ti nuk ke guximin t’i denoncosh, dmth që ti je thjesht në retorikë dhe nuk je i vërtetë. Megjithatë nuk e ndaj kurrë opozitën në „këta janë fake dhe ne jemi të vërtetë“, sepse aktet janë aty, ngelen.
Deputeti i PD foli edhe mbi marrëdhëniet me ish kreun e PD Lulzim Basha, për të cilin tha se nuk e mohon që kanë miqësi, por se ai kurrë nuk ka ndërhyrë në marrëdhëniet dhe vendimet e tij politike.