E-Albania ishte i pari, u pasua nga sistemi TIMS dhe ditën e sotme “u çmontua” edhe i treti sistem më i rëndësishëm elektronik i Policisë së Shtetit dhe qeverisë shqiptare, “MEMEX”, që ka databazën më të pasur dhe me të dhëna sekrete për personat e skeduar apo nën hetim në Republikën e Shqipërisë.
Prej rreth 3 muajsh, nga 15 korriku kur AKSH-i bëri të ditur që vendi po përballej me një sulm kibernetik nga jashtë Shqipërisë, shteti është dorëzuar pa kushte në duart e grupit të hakerave “HomelandJustice”, por vetëm mazhoranca nuk guxon ta pranojë se ka dështuar të mbrojë të dhënat e qytetarëve nga ekspozimi.
Me një investim madhor në rrjetet sociale dhe në media, eksponentët më të lartë të kabinetit të Ramës dhe vetë kryeministri kanë dalë çdo ditë për të mohuar se materiale konfidenciale dhe “top-secret” qarkullojnë tanimë online dhe janë të aksesueshme nga të gjithë me kosto qesharake prej 900 dollarë.
Shefi i qeverisë betejën për të mbuluar “diellin me shoshë” e nisi më 20 korrik , kur iu hakërrye mediave, të cilat zbuluan se e-Albania kishte rënë pre e sulmit kibernetik me regji nga Irani dhe se kërkohej 30 milionë dollarë në shkëmbim të rikthimit të aksesit te të dhënat.
“Krejt të rreme” dhe “shpifje që përhapin panik”, i cilësoi Rama informacionet për sulmin nga Republika Islamike e Iranit, por pas një muaj e gjysmë doli live në media dhe pranoi se luftën me të vërtetën e kishte humbur.
Shefi i qeverisë i vendosi ultimatum për largim brenda 24 orëve nga Tirana të stafit diplomatik të ambasadës së Republikës Islamike të Iranit dhe deklaroi se ky vendim i Këshillit të Ministrave, vjen pasi u zbulua se ata qëndrojnë pas sulmit kibernetik të 15 korrikut.
“Këshilli i Ministrave ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, ky vendim i është bërë e ditur me notë zyrtare, ambasadës së Iranit, ku i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë personelit diplomatik dhe tekniko-adminsitrativ, përfshirë edhe personelin e sigurisë”, deklaroi Rama asokohe.
Teksa kryeministri vijoi më pas i qetë të predikonte për rikthimin në punë të e-Albania dhe faktit se të dhënat e shqiptarëve janë të sigurta, më 11 shtator erdhi goditja e dytë e madhe, me hakerat që nxorën jashtë funksionit sistemin TIMS, duke paralizuar punën në të gjitha pikat doganore dhe aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
“Shqipëria po vuan dhe do të vuajë ende përkrahjen që i ka dhënë iranienëve të MEK”, shkruhej në mesazhin që hakerat iranianë lanë në sistem.
Muzika që kryeministri luajti dhe që ai donte që ta dëgjonin shqiptarët vijoi me simfoninë për ruajtje të dhënash dhe mungesë eficence në penetrimin e hakerave në dosjet konfidenciale.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, shkroi ai në Twitter.
Por për t’ia rrëzuar edhe njëherë propagandën, mendoi sërish grupi HomelandJustice që më 19 shtator “çmontoi” adresën e e-mail-it të ish-drejtorit të shkarkuar të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, duke publikuar të dhëna të rëndësishme që tronditën opinionin publik.
Së bashku me të dhënat për Nanon, qarkulluan dokumente sekrete të Policisë së Shtetit që zbuluan disa atentate të planifikuara ndaj zyrtarë shqiptarë e të Kosovës, ku më të bujshmet ishin ato për ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa nuk mungoi informacioni edhe për lëvizjet e Talo Çelës “nën hundën” e Uniformave Blu në Tiranë.
Në një intervistë nga Nju Jorku pas publikimit të e-mail-eve të Nanos, Rama u mbrojt duke thënë se ato nuk janë komunikime sekrete.
“Janë komunikime të emailit jo të sekretuar, ato kanë një vlerë gazetaresk. Ne nuk kemi gjëra tejet të rëndësishme në sistemet tona dixhitale hë për hë, sepse gjithë projektin e mbrojtjes kibernetike e kemi harmonizuar me mbrojtjen e të dhënave”, tha Rama më 20 shtator.
Ndërkohë, Policia e Shtetit nxitoi të hidhej në sulm kundër mediave duke futur në lojë Prokurorinë e Tiranës që i ndaloi me një urdhër të prerë publikimin e të dhënave që rrodhën në internet, duke rrëzuar kështu pretendimin e shefit të qeverisë se nuk ka materiale sekrete.
“Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit”, thuhej në komunikatë.
Ndërkohë, sulmi i fundit dhe më i rëndi ndaj Policisë së Shtetit dhe sistemit elektronik të të dhënave ishte ai i paradites së sotme, ku në rrjet qarkulloi një dosje me 1.7 Gigabajt të dhëna, të hakeruara nga sistemi “MAMEX”, që mbart listën e personave nën hetim dhe të skeduar nga policia e shtetit përgjatë 30 viteve të fundit.
Detaje mbi emra të njohur të botës së krimit, mes tyre edhe i shumëkërkuari i drejtësisë Ervis Martinaj u bënë publike, duke i dhënë goditjen e fundit propagandës së qeverisë shqiptare.
Tentativa për të mbuluar dëmin e shkaktuar me marrjen e të dhënave kaq lehtësisht nga sistemi i saj elektronik që është ndërtuar me tenderat miliona euro që AKSH kërkon thuajse çdo muaj është rrëzuar me sukses pasi hakerat kanë në dorë çdo material që supozohej të ishte konfidencial.
Por edhe këtë herësi në çdo rast, Policia e Shtetit ka nxituar të bëjë zëdhënësen e Ramës duke i paraprirë deklaratës së kryeministrit, me një njoftim për mediat ku mohon vërtetësinë e të dhënave të publikuara.
“Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX. Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore”, thuhet në njoftim.
Policia shkon edhe më tej duke “kërcënuar” mediat me vendimin e Prokurorisë së Tiranës për t’i ndaluar atyre publikimin e këtyre materialeve.
“Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe apelon që, në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit”, nënvizohet më tej.
Ndërkohë, gjatë gjithë kësaj kohe duket se e vërteta ka qenë stohike në denoncimet e kryedemokratit Sali Berisha për sulmin kibernetik.
Berisha e kishte paralajmëruar që më 23 shtator në një konferencë për mediat, ku u shfaq tejet i shqetësuar, rënien në dorë të hakerave të sistemit “MAMEX” dhe të vërtetat e tij mbetën sërish konsistente.
“Në një akt të paprecedentë të revanshit të krimit në këtë shtet, qeveria ka shkatërruar të gjitha sistemet e policisë TIMS-in, databazën e policisë shkencore e cila përmban çdo gjë rreth kriminelëve dhe grupeve kriminale. Ka shkatërruar MEMEX dhe faktikisht kemi të bëjmë me një asgjësim total të punës afro 30 vjeçare të policisë së shtetit”, ishte fjalia me të cilën Berisha hapi konferencën duke shprehur shqetësimin real për situatën e krijuar.
Ish-kryeministri asokohe nuk la pa akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama si përgjegjës për këtë sulm kibernetik që i jep akses kujtdo mbi të dhënat e dosjeve më sensitive të Policisë shqiptare mbi krimin e organizuar dhe hyrje-daljet e qytetarëve, duke thënë se qëllimi ka qenë zhdukja e lidhjeve të krimit të atij dhe qeveritarëve.
“Shkatërrimi i këtyre sistemeve nuk ka asnjë lidhje me sulmet e E-albania. Shkatërrimi i këtyre sistemeve është bërë me qëllimin e vetëm për të zhdukur provat që ekzistojnë mbi lidhjet e tmerrshme të krimit për Ramën, Ballën, Gjiknurin, Veliajn dhe qeveritarë të tjerë. Duke asgjësuar të dhënat e këtyre sistemeve, janë asgjësuar provat materiale të kontestueshme të këtyre lidhjeve”, deklaroi Berisha asokohe.
Sikur të mos mjaftonte fakti që denoncimet e kryetarit të PD rezultuan përherë të sakta, Ramës iu desh të fshihej kur më 21 shtator u publikua raporti i FBI-së amerikane, që zbulonte se aktorët kibernetikë shtetërorë iranianë patën qasje fillestare në sistemin e të dhënave të Shqipërisë, afërsisht 14 muaj përpara nisjes së sulmit kibernetik në korrik.
“FBI-ja vëzhgoi klientin që transferonte afërsisht 70-160 MB të dhëna dhe serverin duke transferuar afërsisht 3-20 GB të dhëna”, nënvizohet në këtë raport.
Jo vetëm kaq, por edhe Partia e Lirisë me deputetin e saj Petrit Vasili i nxori të palarat qeverisë lidhur me dështimin në mbrojtjen e të dhënave.
Vasili zbuloi në një intervistë në “News24” se, Ilir Meta 8 muaj më parë, kur mblodhi për herë të fundit si President, Këshillin Kombëtar të Sigurisë kërkoi informacion mbi sigurinë kibernetike të vendit dhe qeveria doli garante se çdo gjë ishte në rregull, por FBI në të njëjtën kohë ka qenë koshiente se “prej 3 vitesh ka ekzistuar një e çarë në sistemin elektronik të të dhënave“.
“Pyetja që kam bërë sot në Kuvend është se 8 muaj më parë u mblodh Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Presidenti Meta kërkoi informacion të thelluar se ç’po ndodh me sigurinë kibernetike. Dhe këta dhanë garanci se çdo gjë ishte në rregull, por kishte 8 muaj që ka nisur hakerimi”, u shpreh Vasili.
E në një kohë që të vërtetat kanë dalë gjithmonë në shesh dhe kanë nxjerrë “cullak” Edi Ramën dhe Policinë e Shtetit para shqiptarëve në tentativë për t’u shitur si të pafajshëm për sulmin kibernetik, pyetja që shtrohet është a po gënjejnë sërish Uniformat Blu sot kur mohojnë publikimin e informacioneve nga “MAMEX”?!
Me gënjeshtrën që i ka këmbët e shkurtra dhe të vërtetën që këto kohë është provuar se del në pah shumë shpejt, mbetet të shihet nëse edhe krerët e policisë njëjtë si kryeministri do të dalin me “bisht ndër shalë” si në konferencën për shpalljen “armik” të Iranit, për të pranuar se këtij shteti “të mbathurat” i kanë rënë në fund të këmbëve!