Nga Boldnews.al
Lajmi i publikuar fillimisht nga “Boldnews.al” në Prill 2022 mbi vendimin për dënimin me 3 vjet burgim të Bojken Lakos, pasi hapi pa leje tre dritare në një godinë të vjetër që synonte ta shndërronte në studio muzikore, shkaktoi një reagim të fuqishëm publik dhe politik.
Nuk ishte thjesht një lajm i kronikës rozë, nga ato që tërheqin vëmendjen e qytetarëve për jetën dhe problemet e artistëve.
Ngjarja ishte shumë më tepër se kaq.
Qeveria ngarkoi Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, që të merrte me të mirë këngëtarin e njohur.
Kreu i opozitës, Sali Berisha, e konsideroi si një skandal të paprecedentë.
Opinioni reagoi negativisht, sidomos për atë që u konsiderua si standartë i dyfishtë që ndjekin autoritetet ligjzbatuese.
Rrjetet sociale u mbushën me komente se qeveria, ndërkohë që tregohet e fortë me Bojkenin, ka lënë të paprekur ndërtimet shumë-katëshe pa leje të oligarkëve të ndërtimit.
Informacioni i qytetarëve nuk duket se ka qenë edhe aq i pasaktë.
Dy ministra të rëndësishëm të qeverisë së Edi Ramës, ajo e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ai i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftuan publikisht se kanë identifikuar një pallat tërësisht pa leje të biznesmenit Lulzim (Jul) Morina në zonën e Liqenit të Thatë dhe kate shtesë rreth 1200 metra katrorë, të ndërtuar pa leje nga kompania e Pëllumb Salillarit në territorin e njësisë së Farkës.
Ky është rezultati paraprak i një aksioni të nisur së fundmi nga qeveria, e cila deklaron se do të nisë nga qendra e Tiranës dhe do të shtrihet në të gjithë territorin.
Aksioni mbështetet në një vendim që kabineti “Rama” thotë se e ka marrë në mbledhjen e qeverisë në mes të kësaj jave (në dt. 7 Shtator 2022), por që nuk gjendet i publikuar as në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe as në Fletoren Zyrtare deri në publikimin e këtij shkrimi.
Zbatimi i këtij vendimi në terren ka pikëpyetje mbi legjitimitetin, për sa kohë ai nuk është publikuar dhe rrjedhimisht nuk ka hyrë në fuqi.
Megjithatë, qeveria thotë se ky vendim mbështetet në një ndryshim të vitit 2020 në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i cili parashikon konfiskim administrativ të ndërtimeve pa leje.
Ministrat Balluku dhe Çuçi, të cilët hapën siparin e aksionit më të fundit qeveritar, deklaruan se biznesemenët e kapur në shkelje të ligjit për ndërtimin mund të zgjedhin një prej dy opsioneve; t’ia dhurojnë ndërtimet dhe shtesat pa leje qeverisë, e cila më pas do t’i përdorë për shërbime publike; ose mund të riblejnë ndërtimet pa leje të ndërtuara prej tyre, por tashmë me çmimet e tregut.
Në të kundërt, godinat do të konfiskohen në favor të shtetit dhe ndërtuesit do të dërgohen për ndjekje penale.
Deri më tani, nuk është publikuar asnjë metodologji për përllogaritjen e asaj që qeveria konsideron “çmim tregu”, ndërkohë që operacioni po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një “amnisti” nga ndjekja penale që po u jepet bosëve të ndërtimit.
Amnisti pa ligj për bosët e ndërtimit
Në fillim të vitit 2015, qeveria “Rama” dhe shumica parlamentare e drejtuar prej tij, vendosën të forconin masat penale për ndërtimet e paligjshme, në atë që kryeministri e konsideroi si një prej betejave më të madhe të tij në luftën për mbrojtjen e territorit.
Në vitet në vijim, me mijëra qytetarë provuan hekurat e qelive për shkelje të ligjit, ku përfshiheshin edhe ndërtimet pa leje të mureve rrethuese, riparimet e çative apo përfundime të kateve shtesë në qytete e zona rurale.
Procedimet penale të regjistruara në prokurori e të gjykuara në gjykata për “Ndërtim pa leje” zunë menjëherë një vend të konsiderueshëm në numrin total të hetimeve penale.
Në vitin 2021, janë regjistruar mbi 1750 hetime penale mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit dhe Inspektoratet Ndërtimore, ndërkohë që rreth 900 qytetarë kanë përfunduar në gjykatë për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”, sipas raportit mbi Gjendjen e Kriminalitetit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Neni 199/a i Kodit Penal parashikon dënimin 3 deri në 8 vjet burgim për ndërtimet pa leje për qëllime përfitimi.
Legjislacioni procedurial penal parashikon gjithashtu që policia është e detyruar të kryejë arrestimin në flagrancë të personave që kryejnë krime me dashje, për të cilët ligji parashikon dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se 5 vjet.
Deklaratat e dhëna nga ministrat Belinda Balluku dhe Bledi Çuçi për ndërtimet pa leje të Julian (Lul) Morinës dhe Pëllumb Salillarit përfshihen saktësisht në kushtet për arrestim.
Ndërtimet pa leje janë kryer për qëllime përfitimi dhe dënimi për atë vepër penale është maksimumi 8 vjet.
Por, asnjë prej zyrtarëve qeveritarë nuk foli për arrestimin e tyre.
Madje, në ditën e parë të aksionit, ministrja Balluku ishte i shoqëruar edhe nga Drejtori i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Rebani Jaupi.
Zyrtari policor shërbeu si fasadë në daljen publike të ministres, ndërkohë që nuk rezulton, të paktën deri më tani, të jenë kryer veprime proceduriale penale ndaj Morinës dhe Salillarit.
Deri në mesditën e së Premtes, pranë Prokurorisë së Tiranës nuk ka pasur asnjë referim nga Policia për ndërtimet pa leje të biznesmenëve Morina dhe Salillari, i thanë burime nga ky institucion redaksisë së “Boldnews.al”.
Vendimi qeveritar (ende i pazbardhur), parashikon që biznesmenët që ndërtojnë pa leje duhet ta dhurojnë objektin ose ta riblejnë me çmimin e tregut, dhe në këtë mënyrë i shpëtojnë ndjekjes penale, siç u shpreh ministrja Belinda Balluku.
Pra, me një vendim, Këshillit të Ministrave u siguron “amnisti ndaj ndjekja penale” shkelësve të ligjit.
Kushtetuta e parashikon Amnistinë si një lloj ligji të veçantë, i cili miratohet me 3/5 e të gjithë deputetëve, duke e vendosur në të njëjtin nivel me ligjet për institucionet kushtetuese, referendumet dhe kodet.
E parë në këtë këndvështrim, duket e paqartë se si qeveria që me një akt nënligjor, siç është Vendimi i Këshillit të Ministrave, ka vendosur të kryejë amnistinë nga ndjekja penale, në kundërshtim me parashikimet kushtetuese.
Nëse pas zbardhjes së Vendimit qeveritar, do të konfirmohet kjo “amnisti”, atëherë i gjithë operacioni qeveritar do të krijojë dyshimet se është ndërmarrë për të justifikuar ndërtimet e paligjshme të bosëve të ndërtimit.
Zyrtarët mbyllën sytë
Ndërtimet e paligjshme të Morinës, Salillarit, por edhe të tjerëve që mund të identifikohen më tej, janë kryer nën vështrimin indiferent të organeve të ngarkuara me ligj për mbrojtjen e territorit, përfshirë Policinë e Shtetit dhe strukturat bashkiake.
Belinda Balluku deklaroi se ishte “mister” se si biznesmeni Julian Morina kishte ndërtuar një godinë 9-katëshe pa leje.
Agjencitë në varësi të Bashkisë së Tiranës, Policia Bashkiake dhe Inspektorati Ndërtimor Vendor, rezulton që nuk e kanë parë të ngrihet para syve të tyre godinën e Morinës, por edhe shtesën e Salillarit.
Po ashtu, “pa sy” rezulton të kenë qenë edhe efektivët dhe drejtuesit e Komisariatit të Policisë nr.1, që mbulon territorin e Farkës, ku janë identifikuar ndërtimet pa leje të dy biznesmenëve të fuqishëm.
Deri më tani, nuk ka asnjë raportim mbi masat e marra apo referime për “Shpërdorim detyre” ndaj zyrtarëve që nuk kanë arritur të zgjidhin “mister” e shprehur nga ministrja Balluku.
Mesditën e kësaj të Premteje, burime nga Agjencia për Mbikqyrjen Policore (AMP), e cila tashmë drejtohet nga Ard Veliu, shpërndanë për mediat pranë qeverisë informacionin se kishin referuar më herët në prokurori materiale për punonjës policie të Komisariatit nr.1, të cilët nuk kishin raportuar ndërtime pa leje në zonë.
Madje, të njëjtat burime deklaruan se kishin gjetur edhe “fajtorin” që hetimi penal ndaj tyre kishte dështuar.
Ky “fajtor” ishte prokurori i shkarkuar së fundmi nga Vetingu, Bajram Breçani, i cili kishte pushuar hetimet.
AMP, sipas raportimeve në të njëjtat media, deklaron se do të kundërshtojë në gjykatë vendimin e prokurorit Breçani.
Por, askund nuk thuhet nëse hetimi ndaj punonjësve të policisë ishte për ndërtimet pa leje të Morinë dhe Salillarit apo për të tjera godina.