Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta doli në një konferencë për mediat këtë të Enjte, ku dha detaje lidhur me kallëzimin e tij për anëtarët e Autoritetit të Dosjeve.
Meta risolli në vëmendje akuzat e ngritura ndaj tyre si dhe shpjegoi episodet ku që sipas tij, kanë shkelur ligjin.
Ish-presidenti citoi edhe një dokument për të cilin tha se është nga dosja e ish-sigurimit për personin me iniciale I.M., për të cilin autoriteti pretendon se është Ilir Meta.
“Në asnjë dokument, edhe ato të falsifikuara, nuk rezultojnë gjeneralitetet Ilir Rexhep Metaj. Autoriteti bën çuditërisht edhe propozime për Kodin Zgjedhor. U hetua për 24 orë dhe duke shkelur ligjin se gjoja personi me inicialet I.M na ishte ish-Presidenti i Republikës. Autoriteti nuk pati asnjë dokument që mund të lidhte figurën e Ilir Rexhep Metajt si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”, u shpreh Meta nga selia e Partisë së Lirisë.
FJALA E METËS
Akuzat
Në krye të fjalës të tij, Meta listoi akuzat ndaj 5 Anëtarëve të autoritetit të Dosjeve:
Sot, kam depozituar pranë organeve të drejtësisë kallëzimin penal ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, lidhur me shkeljet flagrante dhe të qëllimshme, të ligjit nga ana e tyre, në shërbim të verbër të sulmeve politike të kryeministrit Edi Rama lidhur me mua si ish-President i Republikës, dhe Kryetar i Partisë së Lirisë, forca e dytë opozitare në vend.
Anëtarët e AIDSSH kanë konsumuar të paktën 6 vepra penale, të cilat janë:
- Shpërdorim Detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
- Falsifikim i Dokumenteve shtetërore, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal;
- Falsifikimi kompjuterik, parashikuar nga neni 186/a i Kodit Penal;
- Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal;
- Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal;
- Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal; të kryera në bashkëpunim.
Shkeljet
Meta listoi dhe shkeljet që sipas tij, kanë kryer anëtarët e AIDSSH:
- Kanë kryer shkelje Flagrante të Ligjit të tyre Funksional.
Kanë shkelur Parimet e Funksionimit të tyre. Nenit 29/4: Ku shprehet se Personat e Verifikuar ne Komisionet e mëparshme, nuk verifikohen me.
Gjithashtu, Autoriteti i Dosjeve ka shkelur edhe parimin e njohur kushtetues “Parimi i Sigurisë Juridike”.
Autoriteti i Dosjeve, pa asnjë kërkesë nga ndonjë Institucion Kushtetues (siç e përcakton ligji funksional), por duke marrë “urdhër” nga një “denoncim anonim”, nis procesin e riverifikimit të një figure publike ish – Presidenti i Republikës (figura më e lartë në hierarkinë e shtetit deri 24 orë përpara verifikimit të AIDSSH) dhe nxjerr “konkluzione shteruese” pa kryer kurrfarë hetimi objektiv, duke marrë plot 7 vendime në 24 orë, kur më e pakta me procedurë normale do duheshin 6 muaj.
Në rastin konkret, Ilir Rexhep Metaj, ishte hetuar nga 2 komisionet Mezini-Bezhani, dhe nga vetë AIDSSH në vitin 2017.
- Në Mënyrë të paligjshme vetë Autoriteti ka punuar dhe ka nxjerrë të dhëna dhe konkluzione, në kundërshtim të hapur me ligjin, mbi një dosje të pa deklasifikuar.
- Ka arritur në konkluzione “shteruese” të manipuluara dhe të falsifikuara, duke lidhur me dashje emrin e Ish-Presidentit Ilir Metaj pa pasur asnjë material, dosje, indicie, të provuar ligjërisht që figuron si bashkëpunëtor, i favorizuar, apo i prekur, në raport me organet e ish- Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti, ka prodhuar gjeneralitete të rreme për qëllime të pastra politike.
Sepse, në asnjë rast dhe në asnjë dokument, edhe të fallsifikuar, pjesë e dosjes së shtetasit F.T., nuk ekzistojnë gjeneralitetet Ilir Rexhep Metaj.
- Vetë autoriteti në mënyrë skandaloze, përveçse ka vepruar në kundërshtim të plotë me ligjin, bën cuditërisht propozime edhe për Kodin Zgjedhor.
Gjithë këto gjoja ndryshime ligjore, AIDSSH kërkon ti përdorë si alibi, për të justifikuar veprimet flagrante të paligjshme, të kryera sipas skenarit mafioz-politik kundër ish-Presidentit Meta, sot Kryetar i Partisë së Lirisë.
- Gjithçka nisi nga një e-mail gjoja anonim, sepse ka qenë email me regji, i nisur vetëm 24 orë pas përfundimit të detyrës time si President i Republikës.
U hetua për 24 orë dhe duke shkelur cdo parim, cdo gjë, u arrit në konkluzione shteruese se I.M na ishte ish-Presidenti i Republikës.
Pra, AIDSSH, paska hetuar bazuar mbi një email anonim, në kundërshtim të hapur me ligjin, dhe për 24 orë ka konkluduar se bëhej fjalë për z. Ilir Metaj, ish-President I Republikës, pa pasur asnjë dokument, fakt, provë, të dhënë, apo indicie, që mund të lidhë figurën e z. Ilir Rexhep Metaj, me një nga kategoritë e cituara në ligj si bashkëpunëtor, i favorizuar, apo i prekur nga sigurimi i shtetit.
Në deklarimet autentike me shkrim dore të shtetasit F.T., të datës 9 Mars 1990, dhe që janë deklarime pjesë e dojes në ngarkim të këtij personi, ai shprehet qartë se ka komunikuar vetëm me dy persona për arratisjen e tij, I.M dhe A.Z, shokë fakulteti dhe konvikti me të.
Në deklaratën me shkrim dore të shtetasit F.T. në datë 9 Mars 1990, bërë përpara sigurimit të shtetit, nën presion, pasi i kishin vendosur përpara edhe denoncimin e I.M., edhe përgjimet me Teknikë Operative të bëra prej tij, rezulton se vetë F.T ka deklaruar se:
- i) Personat e vetëm që ka biseduar për arratisje jashtë shtetit janë shokët e tij të konviktit I.M. dhe A. Z.; në asnjë rresht apo paragraf të kësaj deklarate autentike nuk përmendet asnjë Ilir Metaj (as Ilir Rexhep Metaj dhe as Ilir Mero Metaj);
- ii) Më konkretisht në një nga këto biseda, siç deklarohet në faqen 2 të deklaratës autentike me shkrim dore citohet se: “bisedat e tjera që bëja me I.M qoftë edhe me A.Z. lidhur me ushtarin që do të më ndihmonte, që do të më ndihmonte për t’u arratisur nga Saranda e të tjera, këto më shumë si biseda i bëja për t’i mbushur mendjen I.M dhe A.Z…”.
Në faqen “3” paragrafi “III” të dokumentit të prodhuar nga Sigurimi i Shtetit, qartazi i manipuluar dhe fallsifikuar, citohet se:
“Nga informacioni i T.O. dt. 2.3.1989 del se objekti F.T. i shprehet denoncuesit Ilir Metaj ndër të tjera se: Kur denoncuesi e pyet nëse ka biseduar me ushtarin e Sarandës, objekti thotë: “…unë e di që atëherë.. por ai nuk e di muhabetin fare për atë punë.. ai tha që të arratisemi, të ikim. Po ka besë ai….”.
Nga verifikimi i përmbajtjes së deklaratës autentike me shkrim dore të shtetasit Filip Talo, të datës 09 Mars 1990, provohet në mënyrë shteruese se personat e vetëm që F.T. ka bërë biseda arratisje jashtë shtetit janë I.M dhe A.Z.
Dhe pikërisht biseda për “ushtarin e Sarandës” nga deklarimi i tij rezulton e qartë se është bërë me I.M.
Ky citim, pra përfshirja e emrit “Ilir Metaj” në këtë paragraf është qartazi një falsifikim flagrant.
Me veprimet e tyre të kundraligjshme si:
- a) Publikimi i shkresës së AIDSSH nr.1279/1 prot., datë 26.07.2022, drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në të gjitha mediat dhe gazetat kombëtare shqiptare, në një kohë që përmbajtja e dosjes ishte e klasifikuar;
- b) Cilësimi i ish-Presidentit të Republikës Ilir Metaj si person i lidhur me ish- Sigurimin e Shtetit, pa asnjë fakt, prove apo hetim objektiv;
- c) Publikimi në faqen zyrtare në rrjetin social në datë 26.07.2022, i njoftimit për verifikimin e figurës së shtetasit I.M., duke aluduar se inicialet i përkasin një personazhi me profil të lartë politik;
anëtarët e AIDSSH kanë përhapur qëllimisht informata të rreme në publik, me qëllim ngjalljen e një situate paniku dhe pasigurie te shtetasit shqiptarë.
Pjesë e skenarit mafioz politik ishte qartazi dhe Kuvendi i Shqipërisë, kuvend i njohur si falsifikator dhe manipulator, dhe i kallëzuar në SPAK për dokumentat e manipuluara të dërguara në Gjykatën Kushtetuese, dhe falsifikimit të firmës së ish-Kryetarit Gramoz Ruci, në rastin e kërkesës për shkarkim të Presidentit Meta drejtuar Gjykatës Kushtetuese. (Kallëzimi nr. 563, datë 9 Shkurt 2022)
Kuvendi, në mënyrë të përsëritur përfshihet në skenaret destabilizuese të urdhëruara nga kryeministri Edi Rama, ku në rastin konkret, ka marrë në shqyrtim raporte të tilla krejtësisht të paligjshme, e për më shumë, i ka komunikuar edhe në media, në shërbim të skenarit mafioz politik.
Më konkretisht, publikimi i shkresës së AIDSSH-së me nr. 1279/1 prot., datë 26.07.2022, është bërë ndërsa ajo përmbante të dhëna të padeklasifikuara, drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në të gjitha mediat dhe gazetat kombëtare shqiptare.
Për më tepër, duhet marrë në konsideratë fakti se dosja është deklasifikuar 3 ditë më pas, në datë 29.07.2022, me Vendimin e AIDSSH-së nr. 324, pra pasi ishin publikuar të dhënat e klasifikuara të dosjes.
Anëtarët e AIDSSH pa asnjë dyshim që kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.
Referuar nenit 25 të Kodit Penal, ku parashikohet se “Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre.”, ju bëj me dije se të gjitha veprat e kallëzuara janë kryer në bashkëpunim të anëtarëve të AIDSSH me njëri-tjetrin.
Është detyrim ligjor i pashmangshëm që organet e hetimit, të administrojnë:
-Regjistrin e hyrje-daljeve në fondin arkivor të Autoritetit.
-Regjistrin e shfrytëzimit të dokumenteve. Në këtë regjistër të verifikohet se kur janë kërkuar, zhvendosur e shfrytëzuar dosjet për subjektin F.T.
-Procesverbalin/et e mbledhjeve të bordit të AIDSSH për rastin në fjalë që ka të bëjë me vendimin për të informuar Kuvendin si dhe çdo lloj diskutimi apo vendimmarrje që lidhet me subjektin F.T.
– Të administrohet edhe varianti audio i këtyre mbledhjeve.
-Administrimin e tabulateve telefonike dhe çdo komunikim tjetër elektronik të anëtarëve të AIDSSH përpara, gjatë dhe pasi kanë marrë denoncimin “anonim”elektronik.
Ajo çfarë i kam kërkuar organeve të drejtësisë është hetimi i plotë, objektiv, dhe mbi të gjitha i PAVARUR, dhe brenda një afati sa më të shpejtë i të gjitha veprave penale të konsumuara nga anëtarët e AIDSSH-së, që në shpërdorim të pastër të funksionit publik, janë kthyer në vegla të verbra për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar, me pasoja të rënda për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Dhe si përfundim, i kam kërkuar drejtësisë:
1) Regjistrimin e Procedimit Penal në ngarkim të të kallëzuarve:
2) Regjistrimin e emrit të të kallëzuarve në regjistrin e njoftimeve të veprave penale;
3) Marrjen e masës së sigurimit, pezullimin e ushtrimit të detyrës për të kallëzuarit.