Policia e Shtetit ka bërë bilancin javor të punës së saj, ndërsa ndlet te dy operacionet kryesore, atë të sekuestrimit të 45.5 kg kokainë në Portin e Durrësit dhe zbulimin e bazës së modifikimit të armëve në Tiranë.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se si rezultat i angazhimit dhe profesionalizmit maksimal të strukturave të Policisë së Shtetit, në një javë, u finalizuan me sukses 2 megaoperacione policore:
-Operacioni “Silent”, i zhvilluar nga DVP Tiranë, gjatë të cilit është zbuluar një bazë ku prodhoheshin silenciatorë dhe modifikoheshin armët e zjarrit. Në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan arsenal armësh të llojeve pistoletë e kallashnikov, silenciatorë, municion luftarak, pjesë të ndryshme armësh etj.
-Operacioni “Tranziti”, gjatë të cilit u sekuestruan 45.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kokainë në një kontenier, në Portin e Durrësit, dhe u vunë në pranga 2 shtetas.
Gjithashtu, nga Policia e Korçës është zbardhur vrasja e një 26-vjeçari dhe janë vënë në pranga 3 autorët e dyshuar të vrasjes.
•Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 540 persona, nga këta: 151 janë arrestuar, 367 janë proceduar penalisht dhe 22 janë shpallur në kërkim.
•Janë kapur në total 30 persona në kërkim, nga të cilët: 28 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.
Janë zhvilluar 28 operacione policore të koduara: “Silent”, “Free road”, “Last package”, “Fati i lojërave”, “Portions”, “Processing”, “Username”, “Quantity”, “Motos”, “Eagle”, “Parandalimi”, “Cloned key”, “Kontaktuesit”, “Sharra”, “ECSTASY 22”, “Inside”, “MDMA”, “Road Guard 24”, “Road Guard 25”, “Fraud”, “Ngraçan”, “Kerraj”, “Luarzë”, “Border”, “Tranziti”, “Marjani”, “Game over” dhe “Hackers”.
Si rezultat i operacioneve dhe goditjeve nga DVP në qarqe, janë sekuestruar sasi të ndryshme lënde narkotike të dyshuara kanabis, kokainë, heroinë, ekstazi, MDMA, fara, fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike kanabis, mallra të ndryshëm të dyshuar të kontrabanduar, peshore elektronike, 3 aparate celulare, makineta për lojëra fati, tavolina pokeri dhe 5 automjete.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 14 raste dhe janë sekuestruar 21 armë zjarri, një makineri që shërbente për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve të armëve të zjarrit, valixhe me pjesë armësh për modifikim, 1 armë sportive, 4 zhurmues si ato të armëve të zjarrit pistoletë, municion luftarak, 4 thika, armë të tjera të ftohta dhe bizhuteri të dyshuara të vjedhura.
Janë goditur 10 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 54 raste të dhunës në familje.
Janë evidentuar dhe goditur 22 raste të krimeve mjedisore, 2 raste të zjarrvënies, 3 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 5 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 46 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 27 raste.
Ndërhyrja në kohë e strukturave të Policisë ka parandaluar 2 ngjarje kriminale, në Tiranë dhe në Elbasan.
Policia Rrugore/Monitorim intensiv në të gjitha akset rrugore, duke përdorur makinën inteligjente “Poliscan”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
•Gjatë kësaj jave janë pezulluar 362 leje drejtimi, nga të cilat: 242 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 83 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 37 për qarkullim në sens të kundërt.
•Janë arrestuar 84 drejtues mjetesh, nga këta: 35 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 49 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
•Janë vënë në pranga nga Policia Rrugore e Tiranës, 4 shtetas që drejtonin automjetet, nën efektin e lëndëve narkotike, si dhe janë goditur 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
•Janë vendosur 15.316 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.
Gjithashtu, Policia Rrugore e Lezhës ka menaxhuar me sukses pelegrinazhin në “Kishën e Shna Ndout”, në Laç.
Policia Kufitare/Masa të shtuara për përballimin me sukses të fluksit në pikat e kalimit kufitar, në kuadër të sezonit turistik. Kontrolle intensive të mjeteve lundruese dhe argëtuese që përdoren gjatë sezonit turistik. Kontrolle të shtuara edhe në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimeve ndërkufitare.
•Gjatë kësaj jave janë kapur 6 shtetas në kërkim, nga të cilët 4 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.
•Është finalizuar një operacion policor i përbashkët për goditjen e trafikut të kokainës, si rezultat i të cilit janë sekuestruar 45.5 kg kokainë, në Portin e Durrësit, si dhe u vunë në pranga 2 shtetas.
•Janë proceduar penalisht 10 shtetas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”; 6 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 8 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe 2 shtetas, për “Trafikimi i narkotikëve”.
•Gjithashtu, janë goditur 2 raste të mitëdhënies dhe 1 rast i kundërshtimit të punonjësve të Policisë, për shkak të detyrës.