Raundi i dytë i zgjedhjes së presidentit të ri pritet të konsumohet sërisht pa një kandidat, ndërsa afati i paraqitjes së një emri mbyllet pasditen e sotme.
Mbyllja e raundit të dytë pa një kandidat, do të thotë se palët kanë edhe një mundësi për zhvillimin e negociatave, nëse do të mund të ketë një zgjedhje të Presidentit në raundin e 3-të, ku sërisht kërkohen 84 vota. Por zhvillimet e ditëve të fundit duket se kanë treguar se negociata nuk do të ketë më, çka nuk përjashtohet mundësia që socialistët të konsumojnë raundin e 3, gjatë javës në vijim, pasi Kushtetuta afatin maksimal nga një raund në tjetrin e ka 7 ditë.
Kështu me shumë gjasë, raundi i 4-rt, atëherë kur mjafton shumica e thjeshtë me 71 vota, do të çojë në zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit, edhe pse emri i përzgjedhur apo i caktuar nga Edi Rama po ruhet me fanatizëm, duke mos u bërë publik.
Negociatat e nisura mes Taulant Ballës, Damian Gjiknurit dhe Elisa Spiropalit me Enkelejd Alibeajn dhe disa deputetë të PD, mbështetës së tij, janë ndërprerë, ndërsa pati disa akuza në distancë mbi atë se kush ishte përgjegjës për dështimin.
Deputeti i PD-së, Enkelej Alibeaj u tërhoq nga propozimi i emrave, pasi PS-ja ia bëri të qartë se nuk do të firmoste kandidatë të opozitës dhe se e djathta duhet t’i gjente vetë 20 deputetët firmëtarë.
Nëse opozita vijon të mos sjellë kandidatë zyrtarisht për zgjedhjen e Presidentit, atëherë mazhoranca në votimin e katërt do t’i japë vendit kreun e ri të shtetit. Kështu ka thënë nga Fieri, kryetari i grupit parlamentar socialist, njëherësh kreu i grupit negociator me opozitën për procesin e zgjedhjes së Presidenti Taulant Balla.
“Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit. Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita. Nëse opozita dhe në raundin e tretë opozita nuk vendos që të marrë pjesë në proces, natyrshëm që në raundin e 4 do të zgjidhet Presidenti apo Presidentja e re e Republikës”, u shpreh Balla.
Të hënën pasdite pritet të mbahet seanca plenare ku do të cilësohet si i ezauruar raundi dytë dhe sipas procedurave të parashikuara Konferenca e Kryetarëve do të përcaktojë mbajtjen e raundit të tretë, i cili është i fundit që kërkon 84 vota për zgjedhjen e presidentit.
Pak ditë më parë një grup deputetësh, që shfaqen si mbështetës të linjës së Alibeajt propozuan 8 emra, por disa prej tyre, deklaruan publikisht se nuk kishin interes, çka tregoi se nuk ka pasur asnjë konsultim paraprak mes të propozuarve dhe propozuesve.
Komisioni i Rithemelimit që drejton PD nuk ka njohur procesin e inicuar në emër të kësaj partie nga Enkelejd Alibeaj, ndërsa e konsideron si farsë atë që deputeti demokrat e cilësonte si negociatë dhe më pas si një marrëveshje mes tij dhe Ballës.