Nga Ilir Kalemaj
Titulli ngërthen një realitet jo fort optimist ku ndodhet Partia Demokratike sot. Në një situatë ku vendi po keq-qeveriset, ku arroganca e numrave e një super-mazhorance po shoqërohet me një arrogancë sjelljeje dhe vendim-marrje të gabuara që kanë bërë që vendi të ngecë në tërësi dhe madje të bëj regres të dukshëm, kërkonin një opozitë energjike, të vendosur dhe koherente për të ngjallur shpresë, entuziazëm dhe besim për ndryshim. Në fakt debati sot e gjithë ditën nga njëra anë është i fokusuar te një popull që është derdhur rrugëve dhe proteston nga çmimi i naftës i dyfishuar brenda natës te çmimet e konsumit që janë rritur me së paku 20 përqind horizontalisht nga janari i këtij viti. Ku mbi një e treta e popullsisë jeton në varfëri dhe ku shtresa e mesme është tejet vulnerabël. Ku një e treta e të rinjve nuk janë as në shkollë/universitet, as në punë dhe ku shumica dërrmuese e të rinjve në përgjithësi por jo vetëm e kanë mendjen të ikin një orë e më parë me bileë një-drejtimëshe.
Nga ana tjetër, debati dhe proxhektorët e vëmendjes publike janë drejt PD-së dhe cdo ndodhë me fatin e saj të mbramë. Natyrisht kasandrat nuk mungojnë as kësaj radhe. Ka nga ata që parashikojnë se do shuhet, shkrihet apo margjinalizohet, helbete si shumica e partive që lindën si front-antikomunist në ish-Europën Lindore. Këta janë zakonisht analistë oborri ose dhe diversionistë të paguar, por ka dhe nga ata që e kanë shqetësim real dhe legjitim. Natyrisht skena politike e kushtëzon, madje e kërkon vijëmësinë e PD-së si logo, vulë, markë por mbi të gjitha frymë në ballë të skenës së opozitarizmit në vend ose si lokomotivë udhëheqëse e partive opozitare. Është e pamendueshme që PD të kthehet në një parti satelite, pasi nuk është se ka ndonjë planet tjetër rreth të cilit do të gravitonte. Por kjo nuk do të thotë që qorrsokaku ku është futur është premtues.
Natyrisht populli opozitar aty është. Hiq popullin bojkotues të këtyre zgjedhjeve të pjesshme lokale që ishte shumica relative në tërësi, votat e dy pjesëve të ndara të PD-së bashke dhe me aletatët si LSI ishin hic më shumë e hic më pak se përqindja e votave të 26 prillit. Dhe mos të harrojmë që në këtë thes ka shumë vota të djathta të munguara të lidhura shpirtërisht ose ideologjikisht me PD por të zhgënjyera nga lidershipi aktual që nuk kanë dalë në votime. Për mos të folur për votat e “lëkundura” apo ato të pjesës “gri” të popullatës, indinjatën e së cilës e ndjejmë të vibrojë në bulevardin e Tiranës dhe anekënd nëpër Shqipëri duke sjellë dhe modelin e protestës civile, paqësore, qytetare, politike por jo partiake, aq të munguar në këto vite tranzicionit të gjatë. Dhe kjo nuk është një protestë e një segmenti të popullsisë si protesta studentore, por e pjesës më të madhe të njerëzve të cilët janë duke hasur vështirësi të papërballueshme që lidhen me koston dhe cilësinë e jetesës të marrë peng nga një grusht oligarkësh me lejen dhe bekimin e një qeverisje të paaftë, të korruptuar dhe në fushatë të përhershme në vend që të bëjë atë për të cilën është votuar: të qeverisë.
PD pas shtatorit të viti që shkoi ka harxhuar pafundësisht energji në luftën mes vedi, në vend që këto energji dhe burime të kanalizonin zemërimin e njerëzve për skandalet radhë të patronazhistëve, të rrjedhjes së pagave, të aferës së incineratorëve, të denoncimit të aferave korruptive, të ngecjes së procesit të integrimit europian etj. Natyrisht u kalua pa analizë ato elementë që caluan në zgjedhjet e 25 prillit, nga mosfunksionimi i koalicionit opozitar, te fushata presidenciale që zhvilloi PD ku gjithcka rrotulohej rreth kryetarit Basha te zgjedhjet rrufe që konfirmuar këtë të fundit menjëherë pas zgjedhjeve.
Natyrisht PD ka kohë që kërkon një reformë të re territoriale-administrative dhe një reformë zgjedhore, por ende nuk ka dhënë shpjegime pse bojkoti të parën dhe pse ra dakord në tavolinë me herësin e Damianit në të dytën. Gjithashtu nuk është se ka një plan të qartë dhe konkret se si duhet të jetë njëra dhe tjetra në momentin që flasim apo se si mund t’i kapitalizojë politikisht. Se fjala bie, sa hërë që Basha ka folur për preferencë të sistemit zgjedhor, është shprehur në favor të sistemit mazhoritar që në fakt, bashkë me atë me prim, janë ndoshta sistemet më disfatiste që mund të përzgjidhte PD.
Gjithashtu identiteti politik i kësaj force politike në momentet aktuale lë shumë për të dëshiruar. Kjo forcë opozitare, qysh në gjenezën e saj, përveç anti-komunizmit pati si lajmotiv kryesor lirinë dhe demokracinë. Pra mbrojtjen e lirive dhe të drejtave individuale si ajo e fjalës, pronës, besimit, sipërmarrjes etj., dhe mbrojtjen e të drejtës së përfaqësimit. PD ka pasur shtylla të forta forta ideologjike si liberalizmi ekonomik dhe konservatorizmi politik të cilat janë natyrisht asete që duhen përdorur me kujdes dhe maturi. Ka qenë partia e inteligjencës për një pjesë të mirë të historikut të saj, është votuar masivisht nga rrethet universitare, nga zonat urbane dhe metropolitane, ka qenë partia përfaqësuese e grupeve me identitet të fortë politik si ish të persekutuarit dhe ish-pronarët.
Natyrisht PD mund të shtrije ndikimin e saj përtej asaj që i konsideron si grupet origjinarë të influencës. Për shembull ka shumë për të ofruar grupeve të tilla si punonjësve të sigurisë, ushtarakëve apo atyre që punojnë në organe ligjzbatuese të cilët votojnë në përgjithësi djathtas në vende të zhvilluara. Sikundër votojnë një pjesë e konsiderueshme e fermerëve të cilët janë nga vetë natyra më konservatorë dhe konceptet e djathta si besimi në Zot, shenjtëria e familjes apo vlerat shoqërore rezonojnë më tepër. Gjithashtu mund të jetë partia më përfaqësuese e sipërmarrësve të vegjël që për nga përqindja zënë vendin e dytë në Europë. Natyrisht duke qenë më e prerë me përfitimet klienteliste që kanë patur këto vite kapitalistët e asistuar apo siç njihen rëndom oligarkët e financuar me para publike.
Së fundmi por tejet e rëndësishme, PD duhet të nis të mësohet me idenë e garës. Kjo pavarësisht nëse ndjek rrugën e një partie masovike, me struktura të mirë-ogranizuara dhe përpilon një database digjital për të mundësuar mobilizimin e votuesit të saj në zgjedhjet e ardhshme, apo atë të një partie elektorale që mundohet të ketë ofertën më të mirë politike që tërheq vencarisht të lëkundurit, të pavendosurit dhe shumicën e heshtur të elektoratit. PD duhet të nxjerrë përmes mekanizmit të garës së brendshme por të hapur gjithnjë ndaj kandidaturave të shoqërisë civile, botës akademike dhe qytetarëve aktivë, figurat më përfaqësuese që kanë mundësinë të përmisojnë ndjeshëm performancën elektorale të kësaj partie.