Nga Ilir Kalemaj
Në një shkrim të mëparshëm kam argumentuar se kjo luftë është e paprecedentë si për nga mënyra si u konceptua, si për paqartësinë strategjike, si për faktin që është konvencionale dhe ndër-shtetërore ashtu dhe për faktin që është e shpalosur në rrjetet sociale, e pushtuar nga dezinformimi dhe me variabla ndikues si kriptomonedhat, bllokimi i mekanizmit financues etj. Por përvec këtyre, është interesante të vihet re se si ka ndryshuar disa herë narrativa e Kremlinit për aktin e ndërmarrë. Nga çlirimi i Ukrainës nga një regjim neo-nazist dhe liderë të droguar te demilitarizimi i saj. Nga neutraliteti i kërkuar për Ukrainën te rikthimi i saj nën sferën e influencës së Rusisës përmes një ndryshimi regjimi, copëtimit territorial të saj dhe pse jo edhe një mundësie sado të vogël pushtimit të saj dhe dhënies fund si shtet sovran. Kjo e fundit ka fare pak gjasa të ndodhë sic e kemi thënë në mënyrë të përsëritur për shkak të burimeve të kufizuara financiare-ekonomike të Rusisë, për shkak të aspiratës për liri të popullit të Ukrainës që do të vazhdojnë luftën guerrile të furnizuar përherë dhe më shumë me armë nga vendet e NATOs dhe BE-së, për shkak të peshës së sanksioneve mbi Rusinë apo edhe nisur nga precedentët e mëparshëm si dështimi i Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitet 80-të.
Nga ana tjetër, një nga tezat që ka qarkulluar më rëndom është ajo që Ukraina është një shtet krejtësisht artificial, pa të drejtë ekzistence apo është thjesht llokmë e shkëputur nga “Nëna Rusi”. Në fakt teza që me lehtësinë më të madhe do t’i de-konstruktonte cilido student i vitit të parë të marrëdhënieve ndërkombëtare apo fushës së nacionalizmit dhe konflikteve/politikave etnike. Kjo për disa arsye. Së pari, shtetet moderne i kanë fillesat në shekujt 15-16, ndërsa ishte Traktati i famshëm i Vestfalisë i 1648 ai i cili sendërtoi sistemin ndër-shtetëror mbi tre premisat e pakontestueshme: 1. Sovranitet; 2. Barazi e shteteve dhe 3. Mos-ndërhyrja (në çështjet e brendshme të shteteve të tjera). Parime këto të konfirmuara në mënyrë të përsëritur përgjatë shekujve dhe që gjenden dhe në traktate ndërkombëtare si Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e 1961.
Së dyti dhe në vijim, nëse grupe etnike janë mjaft të lashtë, ashtu sikundër disa kombe shtrihen ndër shekuj, ku cfarë i bashkon janë traditat, gjuha, feja apo zakonet por jo domosdoshmërisht të gjitha dhe ku dallimi esencial është se kombet kërkojnë mobilizim rreth konceptit “komb” që është një nocion politik, shtet-kombet nga ana tjetër janë krejtësisht modernë dhe mendimi dominues në literaturë është se janë derivat i Revolucionit Industrial që solli stratifikimin e kulturave sipas E. Gellner, apo prodhoi revolucione si ai francez sipas E. Hobsbaëm apo print- kapitalizmi i B. Anderson që krijoi premisat për lindjen e komb-shteteve imagjinarë. Jo se këta janë të pavërtetë, por në sensin që pavarësisht se dy antarë të një komb-shteti nuk e takojnë asnjëherë njëri-tjetrin apo mund të banojnë në dy skaje të kithta ata prapëseprapë e quajnë veten pjestarë të atij komb-shteti dhe jo shteteve kufitarë me të cilat mund të kenë më shumë të përbashkëta kulturore dhe zakonore për shkak të përfytyrimeve të përbashkëta që kanë me bashkë-kombasit e tyre. Përfytyrime që rrjedhin nga mitet e përbashkëta që ndajnë që edhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me trillime por me ngjizje apo mbrujtje të narrativave që bashkojnë bashkë-kombasit në epokën e shtet-kombeve moderne.
Pra ndonëse ky është nje proces që sipas studiueve më të njohur të fushës ka nisur në shekullin e 19 e ka gjetur përhapjen më të madhe pikërisht në shekullin e 20-të përgjatë tre valëve kryesore: 1. Periudhën para luftës së parë botërore dhe periudhën mes dy luftërave botërore ku shumë perandori u shpërbënë si Perandoria Austro-Hungareze, ajo Ruse apo Osmane duke prodhuar lindjen e shtet-kombeve të rinj; 2. Periudha e pas luftës së dytë botërore që prodhoi dhe procesin e dekolonizimit ku si rezultat kemi lindjen e 54 shteteve të reja vetëm në kontinentin Afrikan apo edhe në Lindjen e Mesme dhe gjetkë si dhe 3. Periudhën e pas luftës së ftohtë me shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë dhe Çekosllovakisë në Europën Lindore. I vetmi rast në të kundërt është ri-unifikimi i dy Gjermanive.
Pra, duke qenë se shumica e komb-shteteve janë krejtësisht modernë dhe të lindur përgjatë shekullit 20-të dhe disa edhe në shekullin e 21, natyrisht dhe narrativat identitet-formuese që krijojnë dhe rikrijojnë mitet që janë lënda ngjizëse e komb-shteteve dhe që shpreh vullnetin e shumicës së bashkë-kombasve është një proces jo statik por tërësisht dinamik dhe i ndryshueshëm në varësi të variablave ku kryesorja është ajo e të pasurit të një armiku/agresori përballë i cili krijon premisat për lindjen/rilindjen e një identiteti të ri. Të thuash për Ukrainën që nuk është shtet i mëvetshëm apo është thjesht “shtet artificial” është akoma më absurde se t’u thuash kroatëve, malazezëve apo maqedonasve të njëjtën gjë. Dhe duhet të kujtojmë që këto janë vende jo vetëm sovrane sot por të treja antare të NATOs dhe Kroacia edhe antare e BE-së nga viti 2013. Apo tre republikat balltike që janë antare të BE-së dhe NATOs qysh nga 2004. Këto vende ose kishin një gjuhë të përbashkët me serbët si kroatët, malazezët apo boshnjakët dhe nuk kanë ekzistuar si shtete sovrane dhe të pavarura deri para 1991 apo në rastin e Malit të Zi deri në vitin 2006 kur shpalli për herë të parë pavarësinë, ose kanë pasur popullate heterogjene si prania e konsiderueshme e rusëve në Letoni apo Estoni. Ose kanë jo 18 përqind rusë sa çka sot Ukraina por mbi 40 përqind serbë sa çka sot Mali i Zi. Dhe prapëseprapë askush nuk ua vë në diskutim pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial.