Manipulimi i turmave

Nga Erl Kodra

Manipulimi i turmave është përdorimi i qëllimshëm i teknikave të bazuara në parimet e psikologjisë së turmës, për të kontrolluar ose ndikuar në dëshirat dhe emocionet njerëzore, në mënyrë që të drejtojë sjelljen kolektive të tyre drejt një veprimi specifik.

Kjo praktikë është e zakonshme për fenë, politikën dhe biznesin. Etika e manipulimit të turmës zakonisht vihet në dyshim.

Manipulimi i turmës ndryshon nga propaganda – megjithëse ato mund të përforcojnë njëra-tjetrën. Nëse propaganda është “përpjekja e qëndrueshme, që konsiston në krijimin ose formësimin e një ngjarje, me qëllim që të ndikojnë në marrëdhëniet e publikut me një ndërmarrje, ide ose grup” – manipulimi i turmës është thirrja për veprim sapo farat e propagandës janë mbjellur – dhe publiku ka filluar të organizohet në turmë. Propagandisti u bën thirrje masave, edhe nëse masa e madhe e popullsisë është e ndarë në bindje, ndërsa manipuluesi i turmës i bën thirrje një segmenti të masave të mbledhura në një turmë, siç është një demonstrim politik, në kohë reale. Zakonisht manipuluesi i turmave përdorë dhe shfrytëzon retorika të forta, të cilat i paraqet si emergjenca kombëtare. Një manipulues i turmës mund të përdorë mjetet e komunikimit masiv për t’iu drejtuar masave në kohë reale, sikur të ishte duke folur para një turme.

Manipulimi i turmave është zanat i njerëzve pa skrupuj moral, të pandjeshëm ndaj fateve të turmës dhe interesave të tyre. Ata deformojnë realitetin – duke projektuar diçka tjetër – zakonisht një realitet fals, por të ndezur me ngjyra. Kështu ata i drejtohen emocioneve – por jo arsyes – duke ngritur peshë instinktet e fjetura. Manipuluesit angazhojnë, kontrollojnë dhe influencojnë turmat pa përdorimin e forcës fizike, megjithëse qëllimi i tyre është përdorimi i forcës fizike nga turmat – për të arritur qëllime të caktuara. Kështu, manipuluesit e turmave fshehin qëllimet e vërteta, duke treguar destinacione false, të veshura me retorika të forta emocionale, duke lëkundur kështu arsyen racionale të turmës.

LEXO EDHE  Viziton Tiranën në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut/ Përse nuk e dorëzon Sulltani Xhaminë e Namazgjasë

Sipas Merriam Webster’s Dictionary, të “manipulosh” do të thotë “të kontrollosh ose të luash me mjete të padenja, të padrejta ose tinëzare, me qëllim dhe veçanërisht për të përfituar nga forca e turmës”.

Sociologu i shekullit të nëntëmbëdhjetë Gustave Le Bon shkruan:

“Janë turmat dhe jo individët e izoluar ato që nxiten të shkojnë drejt vdekjes, të sigurojnë triumfin e besimit ose të një ideje, ato që pushtohen nga entuziazmi për nder dhe lavdi, që drejtohen – pothuajse pa bukë dhe armë, si në epokën e kryqëzatave – për të çliruar varrin e Krishtit nga të pafetë, ose për të mbrojtur atdheun. Një heroizëm i tillë është pa dyshim disi i pavetëdijshëm, por historia është mbushur me heroizma i tillë”.

Të sigurosh shërbimet e një mase të madhe njerëzish, padyshim që kërkon aftësi retorike, por edhe infrastrukturë mediatike. Për të patur sukses, por edhe për të fshehur mirë qëllimet – përfshirë fajtorët e vërtetë – gjithçka duhet paraqitur si interes publik dhe rrezik emergjent, që buron nga poshtë – lartë, dhe se njerëzit duhet të marrin fatin e tyre në dorë “për të çliruar varrin e Krishtit nga të pafetë”.

Manipuluesit nuk lënë t’u shpëtojë asnjë rast – sidomos kur është rasti të përfitosh padrejtësisht pushtet dhe pasuri. Ata i bombardojnë turmat me broçkulla të paturpshme gënjeshtrash, duke përdorur gjithçka që lëvizë në këtë botë të gjallë, përfshirë dhunën, shantazhin, poshtërimin publik dhe linçimin moral. Ata nuk denjojnë të konsiderojnë moralin – por as interesin publik. Për manipulatorët ka rëndësi qëllimi – por jo mjetet e moralshme.

Pasi turma është manipuluar mjaftueshëm, ajo ndërsehet të hidhet në aksion. Turma është e gatshme të shqyej dhe gllabërojë viktimën për të siguruar lavdinë e përjetshme, që rezulton të jetë mashtrimi i përjetshëm. /Alfapres