Kolapsi i Gjykatave/ Harta e re gjyqësore për të mbuluar pasojat e vetingut

Modeli shqiptar i vetingut zbuloi pasuri të pajustifikuara të gjykatësve dhe prokurorëve, por pas 6 vitesh rezulton se një pjesë e institucioneve kanë mbetur bosh, si pasojë e mungesës së gjykatësve dhe prokurorëve të rinj.

Duke qenë se qindra gjykatës u përjashtuan nga sistemi, shumë çështje mbetën pezull dhe hartuesit e reformës në drejtësi nuk e kishin parashikuar se kush do t’i zëvendësonte në detyrë.

Për të zbutur pasojat e vetingut parashikohet mbyllja e 15 gjykatave në vend, të cilat nuk janë më funksionale.

5 prej tyre janë të Apelit dhe do të zëvendësohen me vetëm një gjykatë në Tiranë. Ndërkohë 10 gjykata të shkallës së parë do të mbyllen, për t’u riorganizuar sipas logjikës, një qark, një gjykatë.

‘Nëse i referohemi ngarkesës për gjyqtarët në këtë vit, mund të themi se kemi shkuar në një mesatare, rreth 640 çështje për gjyqtar, pa llogaritur këtu Gjykatën e Lartë’ tha Naureda Llagami që drejton Këshillin e Lartë Gjyqësor gjatë një takimi për hartën e re pak ditë më parë.

Llagami tha se në disa gjykata ‘kemi mbi 3 mijë çështje për gjyqtar siç është Apeli Administrativ apo Gjykata e Apelit Tiranë ku ka shkuar 2500 çështje për një gjyqtar’.

Ngarkesa tashmë vazhdon prej vitesh, ndërsa kulmi ka arritur në Gjykatën e Lartë, ku presin të marrin zgjidhje mbi 35 mijë çështje.

Kreu i kësaj gjykate, Sokol Sadushi shprehu shqetësim për rekursin që bëjnë avokatët dhe kërkoi nga ata të mos e çojnë çdo çështje në Gjykatën e Lartë.

‘Një pjesë e madhe e çështjeve shqyrtohen përfundimisht dhe gjejnë zgjidhje në dy shkallët e ulëta të gjykimit dhe shanset që ky vendim të ndryshojë në Gjykatën e Lartë janë të pakta, madje në mjaft raste inekzistente’ u shpreh Sadushi në një konferencë për mediat.

Por avokatët në qytetet kryesore të vendit e kanë kundërshtuar hartën e re të gjykatave dhe thonë se kjo do të largojë institucionin nga qytetarët dhe do të shtojë kostot e procesit duke e bërë më të vështirë gjetjen e drejtësisë.

LEXO EDHE  "Basha mashtrues", anëtari i Kryesisë së PD gris kartën: Të themelojë Partinë e Turpit

‘Shkurtimi i 19 gjykatave e largon në mënyrë domethënëse qytetarin nga Gjykata. Sepse detyron qytetarin nga skajet më të largëta, nga Kukësi, Tropoja, Korça, Shkodra, Maliqi, Pogradeci, Saranda, Gjirokastra, Vlora, Fieri, Berati etj, të shkojë në Tiranë, ku përveç kostove të udhëtimit, do të gjejë edhe një hotel në Tiranë’ tha përfaqsuesi i dhomës së Avokatisë në Shkodër, Anton Kosteri. Të njëjtin kundërshtim e kanë bërë edhe avokatët nga i gjithë vendi.

‘Kemi një skeme që unë nuk e di se kujt do i shërbejë por sigurisht që nuk do i shërbejë popullit , marrjes së drejtësisë efikase nga populli. Është e pamundur që sistemi i drejtësisë të funksionojë me këtë skemë dhe me këtë mënyrë organizimi gjykatash pavarësisht se cilat janë qëllimet e krijimit të këtij drafti por është një skemë që shumë shpejt do bjerë në kolaps’, tha përfaqësuesi i Dhomës së avokatisë në Korçë Arben Lena.

Ndërkohë Ministri i ri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh i vendosur t’i shkojë deri në fund reformës në drejtësi dhe angazhimeve që socialistët kanë marrë në 2016, pavarësisht se ku po e çojnë drejtësinë këto angazhime.

Madje për ta justifikuar zhbërjen e disa gjykatave dhe përqendrimin e tyre në Tiranë, Manja iu fut edhe zhvillimeve të demografisë në Shqipëri.

‘Do të aksesohet komplet nga qytetarët, duke parë edhe lëvizjet demografike që kane sjelle përqendrim të popullsisë në Tiranë dhe Ultësirën Perëndimore’, tha Manja.

Kolapsi i drejtësisë për të cilin flasin sot avokatët nuk ka qenë i parashikuar, pasi hartuesit e reformës në drejtësi nuk i kishin parashikuar pasojat e vetingut. Ekspertët sot janë në krye të institucioneve të reja të drejtësisë./Lapsi.al