Gjykata e Apelit Vlorë lë në fuqi dënimin “burgim i përjetshëm” për Gazmend Mustën.
Ky i fundit në datë 2 janar të vitit 2019 vrau në shtëpi gruan dhe kunatën e tij. Gjykata e Fierit kishte dhënë vendim për burg përjetë.
Vendim ky i lënë në fuqi nga gjykata e Apelit Vlorë.
Gazmend Musta, 35 vjeç masakroi me thikë bashkëshorten e motrën e saj, më datën 2 janar 2019. Pas krimit, Musta ka marrë për dore dy fëmijët e mitur dhe është nisur drejt Stacionit të Policisë së Ballshit.
Sapo është ndeshur me policët para Komisariatit, ai ka hedhur në tokë thikën, me të cilën kishte kryer krimin dhe u ka kërkuar atyre që të interesoheshin për mirëqenien e fëmijëve të tij të mitur.
Referuar informacioneve zyrtare të dy viteve më parë lidhur me ngjarjen thuhet:
Më datë 03.01.2019, zyra e prokurorit për Krime të Rënda Tiranë regjistroi procedim penal nr.01/2019 për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” (dy herë), e parashikuar nga neni 79/c (dy herë) i Kodit Penal, ndaj të dyshuarit Gazmend Bedri Musta, i ditëlindjes 05.08.1985, i lindur në Ballsh e banues në lagjen “5 Shkurti”, Ballsh, i paraburgosur në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier si i dyshuar për kryerjen e krimit që i referohet ngjarjes vijuese: Më datë 02.01.2019, rreth orës 17:00, policë të Stacionit Vendor të Policisë Ballsh, u përballën para Stacionit Vendor të Policisë me shtetasin Gazmend Musta dhe dy fëmijët e mitur të tij, të paraqitur këtu me një makinë “Audi”, i cili pretendoi se para pak çastesh, në banesën familjare të tij në Ballsh, kishte vrarë bashkëshorten dhe kunatën e tij.
Me vete, Gazmend Musta kishte dhe një thikë që e hodhi në tokë. Ai u kërkoi policëve të interesoheshin për mirëqenien e fëmijëve të tij të mitur. Nga këqyrja në banesën familjare të Gazmend Mustës, në katin e pestë të një pallati në lagjen “5 Shkurti”, Ballsh, në dhomën e ndenjes, në divan, u gjetën dy trupat e pajetë të dy personave të seksit femër, që u identifikuan si Gentiana Bashkim Çaushaj, e vitlindjes 1987 dhe Milisa Bashkim Çaushaj, e vitlindjes 2000 (motra).
E para, bashkëshortja e Gazmend Mustës, ndërsa e dyta kunata e tij, të dyja banuese më parë në Drizar, Mallakastër, te prindërit e tyre. Te të dyja u vërejtën plagë të shumta trupore me rrjedhje gjaku. Njolla si të gjakut u vërejtën dhe në një çarçaf dhe dy batanije. Njollat si të gjakut u morën me tamponë dha vendngjarja.
Edhe nga thika e sekuestruar më parë u morën me tamponë njollat e gjakut të gjetura në të. Nga këqyrja në Morgun e Spitalit Rajonal Fier, te kufoma e Gentjana Çaushajt, 31 vjeç, u vërejtën: plagë shpuese në gjoks, dy plagë shpuese në gjirin e majtë, një plagë tjetër në nivelin e shpatullës së majtë, një plagë shpuese në krah të majtë, dy plagë prerëse shpuese në parakrah të majtë, dy plagë shpuese në pjesën e poshtme të barkut në të majtë, dy plagë shpuese në kurriz, një plagë në krah të djathtë në nivel të shpatullës.
Te kufoma e Milisa Çaushajt, 18 vjeç, u vërejtën: dy plagë prerëse shpuese sipër gjoksit në nivelin e gropës së fytit, të tilla që depërtojnë deri në brendësi të zgavrës së gjoksit, një plagë me prerje të dërrasës së kraharorit, dy plagë në gjirin e majtë, një plagë tjetër në nivelin e sqetullës së majtë, një plagë tjetër në gjirin e majtë, një plagë në parakrah të majtë, një plagë tjetër në krah të majtë, plagë në pjesën e sipërme të krahut të majtë, dy plagë në 1/3 e poshtme të krahut të djathtë, një plagë shpuese në bërrylin e djathtë, një plagë në 1/3 e kofshës së majtë, plagë tjetër në pjesën anësore të kofshës së majtë, plagë në kërcirin e këmbës së majtë, plagë në kurriz midis shpatullave, plagë në ijën e majtë. I arrestuari Gazmend Musta deklaroi se i vrau të dyja me thikën e kuzhinës, pasi nuk duroi kundërshtimin që i bëri bashkëshortja e tij.
Ai u arrestua nga Policia në Ballsh, në orën 21:00, të datës 02.01.2019. Nga sa parashtrova, krijohen dyshime të bazuara në prova se janë konsumuar elementë të veprave penale të poshtëshënuara: Më datë 02.01.2019, para orës 17:00, në banesën familjare në katin e pestë të një pallati në lagjen “5 Shkurti”, Ballsh, Gazmend Musta vrau me mjet të ftohtë, thikë, bashkëshorten Gentjana Musta (Çaushaj), vepër penale e parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal; Më datë 02.01.2019, para orës 17:00, në banesën familjare në katin e pestë të një pallati në lagjen “5 Shkurti”, Ballsh, Gazmend Musta vrau me mjet të ftohtë, thikë, kunatën e tij Milisa Çaushaj, vepër penale e parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal”.