Europa Perëndimore përgatitet për valën e tretë të madhe të të nxehtit këtë verë, e cila po rrit rrezikun e zjarreve të rrezikshme dhe po vë nën presion sistemet energjetike në të gjithë rajonin, shkruan Bloomberg.
Në jugperëndim të Francës, temperaturat maksimale gjatë ditës parashikohet që në disa zona, të mbërrijnë 40 gradët Celsius. Ndryshimet klimatike po i përkeqësojnë periudhat e të nxehtit ekstrem në kontinentin që po ngrohet më shpejt në botë.
Temperaturat rekord dhe thatësira kanë shkaktuar fillimin më të rëndë të sezonit global të zjarreve të regjistruar ndonjëherë, ndërsa shkencëtarët e klimës paralajmërojnë se zhvillimi i fenomenit El Niño mund të sjellë kushte edhe më të ashpra gjatë pjesës së mbetur të verës.
Ndikimi i të nxehtit të zgjatur po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, pasi thatësira e madhe rrit rrezikun e zjarreve të reja në Francë, Spanjë, Portugali dhe Greqi. Bashkimi Europian ka angazhuar një numër rekord zjarrfikësish në të gjithë kontinentin, së bashku me 22 avionë për shuarjen e zjarreve, për të ndihmuar në luftën kundër flakëve, deklaroi zëdhënësja e KE-së, Eva Hrncirova.
Gjatë fundjavës, Portugalia dhe Franca i kërkuan bllokut europian ndihmë urgjente për shuarjen e zjarreve, ndërsa po përballeshin me disa vatra aktive. Rreth 10 mijë persona janë evakuuar për shkak të flakëve që vazhdojnë përhapjen në departamentin Pyrénées-Orientales, në jugperëndim të Francës.
Deri tani këtë vit, zjarret kanë djegur rreth 145 kilometra katrorë sipërfaqe në Francë, gati trefishi i sipërfaqes së djegur në të njëjtën periudhë të vitit 2025.














